Lajme
Zvicra kërkon ndihmë, disa pacientët me djegie të rënda dërgohen nesër në Gjermani
Zjarri në Crans-Montana, transferime urgjente drejt Gjermanisë
Pas zjarrit shkatërrues në Crans-Montana, autoritetet shëndetësore zvicerane kanë nisur transferimin e të plagosurve më rëndë drejt qendrave të specializuara jashtë vendit. Mjekët konfirmojnë se pacientët e parë pritet të mbërrijnë nesër në Gjermani, ndërsa disa tashmë janë shtruar në spitale në Halle dhe Leipzig, transmeton albinfo.ch.
Sipas të dhënave mjekësore, deri në 100 persona kanë pësuar djegie të rënda. “Këta pacientë janë kryesisht në kujdes intensiv, të intubuar dhe të lidhur me ventilatorë”, shpjegon mjekja gjermane Leila Harhaus-Wähner. Ajo thekson se Zvicra nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të përballuar një numër kaq të madh të rasteve të rënda dhe për këtë arsye ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Më shumë se 40 persona pritet të transferohen në qendra mjekësore në Gjermani dhe vende të tjera evropiane.
Procesi i transportimit është jashtëzakonisht kompleks. Për shkak të gjendjes kritike, vetëm një pacient i ventiluar mund të transportohet me avion për çdo ambulancë ajrore. “Presim që pacientët e parë të mbërrijnë nesër”, ka deklaruar një mjek nga Berlini, duke konfirmuar se operacioni i transferimit do të zhvillohet me kujdes maksimal.
Mjekët paralajmërojnë se djegiet nuk janë thjesht dëmtime të lëkurës, por sëmundje sistemike që kërcënojnë jetën. Brenda pak orësh, i gjithë organizmi reagon ndaj toksinave që çlirohen kryesisht nga lëkura e djegur. Si pasojë, enët e gjakut bëhen të përshkueshme, lëngu del jashtë sistemit të qarkullimit të gjakut dhe mund të ndodhë shoku. Fillimisht dështojnë mushkëritë, më pas veshkat dhe organet e tjera jetësore.
Trajtimi i pacientëve me djegie të gjera është i gjatë dhe jashtëzakonisht i mundimshëm. Në shumë raste, humbja e lëkurës është masive. “Kur digjet 50, 60 apo 70 për qind e lëkurës, mbetet shumë pak për t’u përdorur”, shpjegon Harhaus-Wähner. Megjithatë, falë mjekësisë moderne, edhe pacientët me deri në 90 për qind të lëkurës së djegur mund të trajtohen sot, duke përdorur qeliza lëkure të rritura në laborator dhe zëvendësues artificialë.
Pavarësisht këtyre përparimeve, rreziku mbetet i lartë. Infeksionet janë një kërcënim i vazhdueshëm dhe mbijetesa e pacientëve me djegie të rënda nuk mund të garantohet gjithmonë. “Ka të ngjarë të ketë viktima të mëtejshme”, paralajmërojnë mjekët. Edhe ata që arrijnë të mbijetojnë, shpesh mbeten me pasoja të rënda fizike dhe psikologjike për gjithë jetën.
E-Diaspora
-
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze Në kuadër të World Economic Forum (WEF) 2026 në Davos, një nga ngjarjet më prestigjioze globale... -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së -
Amerikë/Shqipëri
Talent shqiptar nga Amerika që po sjell ventrilokizmin në skenën shqiptare -
Mynih
Zamira Gashi, juristja shqiptare që po ndërton karrierë të suksesshme në Mynih
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç










