Lajme

Zvicër: Pagat rriten në vitin 2025, punëtorët me më shumë fuqi blerëse

Punonjësit në Zvicër po përfitojnë nga një rritje e ndjeshme e pagave gjatë vitit 2025, sipas të dhënave më të fundit nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), përcjell albinfo.ch.

Pagat nominale janë rritur me 2.3%, një nivel që tejkalon normën e pritur të inflacionit, çka do të thotë se në terma realë, punëtorët do të kenë më shumë para në xhep dhe fuqi më të lartë blerëse.

Ky është një zhvillim pozitiv për ekonominë familjare të qytetarëve, veçanërisht në një periudhë kur kostoja e jetesës në Zvicër ka qenë në fokus të debatit publik.

Rritje reale, jo vetëm në letër

Ndryshe nga vitet kur rritja e pagave fshihej nga inflacioni, këtë vit pritet që standardet e jetesës të përmirësohen realisht për një pjesë të madhe të popullsisë. Rritja e pagave shkon përtej kompensimit të rritjes së çmimeve, duke u përkthyer në fuqi blerëse më të lartë për konsumatorët.

Ky trend është veçanërisht i rëndësishëm edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër, shumë prej të cilëve janë të punësuar në sektorë ku ndryshimet në pagë ndikojnë drejtpërdrejt në jetesën e përditshme.