Lajme

Zgjedhjet lokale më 3 nëntor

Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që kanë të drejtë vote, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe obligim

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, ka dekretuar 3 Nëntorin 2013, datë të mbajtjes së zgjedhjeve komunale në vend.
 
Ky vendim ka ardhur pas konsultimeve përmbyllëse që Jahjaga pati me liderët e partive politike parlamentare dhe me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Jahjaga tha se datës së zgjedhjeve komunale mbahet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
 
“Presidentja Jahjaga, në konsultimet përmbyllëse me liderët politikë, vlerësoi se mbajtja e zgjedhjeve komunale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe siguron integritetin territorial dhe subjektivitetin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se zgjedhjet komunale duhet të jenë të drejta, demokratike dhe të lira ku secili qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim, të mund të shpreh vullnetin e tij lirshëm përmes votës së tij.

Ajo ka theksuar se përfshirja në zgjedhjet komunale e qytetarëve të komunitetit serb, të komunave në veri të territorit të Republikës së Kosovës, do t’u mundësojë atyre zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legalë e legjitim, të dalë nga vota, që do të punojnë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe për integrimin e të gjithëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Presidentja kosovare u ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që kanë të drejtë vote, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe obligim për të përcaktuar të ardhmen e tyre.

 “Pjesëmarrja e qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet komunale do t’u jap atyre mundësinë që të ndihmojnë në ngritjen e mirëqenies dhe të përmirësojnë jetën e tyre”, tha Jahjaga.