Lajme

Zëri: Ikin nga Kosova gjigantët e aviacionit

Aeroporti luksoz i Dubait e as ai i New Jork-ut nuk i kanë taksat më të larta për shfrytëzimin e hapësirës nga bizneset private se sa aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, i cili prej prillit të këtij viti udhëhiqet nga koncesionarët turq të konsorciumit “Limak & Lion”.

Terminali i vjetër i Aeroportit të Prishtinës i ka çmimet e tilla shumëfish më të larta edhe se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës dhe ai i Shkupit, ku tashmë janë investuar miliona euro nga koncesionarët e rinj, shkruan Zëri.

Çmimi i qirasë së një metri katror për zyra për agjencitë turistike në Aeroportin e Prishtinës është 200 euro, ndërsa për aviokompani 100 euro, ndonëse zyrat e tilla janë të vendosura në një terminal të vjetër, ku ende nuk ka investuar koncesionari.

Sipas kësaj gazette, këto të dhëna janë siguruar nga agjencitë turistike, pasi që zyrtarët për informim të Aeroportit të Prishtinës nuk përgjigjen, pavarësisht se pyetjet e gazetës i kanë pranuar për më shumë se dy javë.

Në web faqen e Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait thuhet se çmimi i qirasë për metër katror është 1278 AED (Dirham të Emirateve), apo më pak se 250 euro.

Ndërsa në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, ku janë investuar miliona euro nga koncesionari gjerman, çmimet janë dukshëm më të lira dhe nuk ka ndonjë dallim në çmim për aviokompanitë dhe agjencitë turistike.

Ela Sharko, zyrtare në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, ka thënë për gazetën “Zëri” se çmimi i qirasë për ambiente brenda terminalit të këtij aeroporti është 30 euro për metër katror, përderisa shërbimet e përbashkëta për pastrim, mirëmbajtje, etj. janë 5 euro për metër katror.

Çmimi i qirasë për ambiente në godinën e Kargos në aeroportin “Nënë Tereza” është 25 euro për metër katror.

Për dallim nga Kosova, në Shqipëri çmimet janë të njëjta si për aviokompani, ashtu edhe për agjenci turistike. “Këto çmime nuk ndryshojnë, pavarësisht tipit të operatorit (kompani ajrore, apo agjenci turistike”, ka theksuar Sharko.

Në Shqipëri po ashtu në çmimet e ofruara nuk përfshihet TVSH-ja prej 20%, e cila bazuar në legjislacionin aktual aplikohet vetëm mbi shërbimet e përbashkëta dhe jo mbi qiranë.

Edhe në terminalin e ri të Aeroportit të Shkupit, të cilin e ka marrë me koncesion një kompani turke, çmimi për metër katror, si për aviokompani, ashtu edhe për agjenci turistike, është 100 euro, ku përfshihet edhe rryma, ngrohja, etj, por pa TVSH.

Për shkak të këtyre çmimeve të larta, shumë aviokompani të njohura ndërkombëtare janë duke e shqyrtuar mundësinë që të largohen nga Aeroporti i Prishtinës dhe të orientohen në tregun e Maqedonisë, i cili shihet shumë atraktiv nga kompanitë e huaja.

Remzi Ejupi, pronar i agjencisë turistike “Eurokoha”, që është përfaqësues i gjigantit gjerman të aviacionit “Air Berlin”, thotë se kjo e fundit që nga viti 2006 operon në Aeroportin e Prishtinës dhe deri më tani ka realizuar 3000 fluturime me rreth 1 milion pasagjerë.

“Që nga viti 2006 e deri më tani vetëm taksa për Aeroportin e Prishtinës janë paguar 7.5 milionë euro dhe 3.5 milionë euro nga pasagjerët për shërbimet aeroportuale, apo 11 milionë euro në përgjithësi”, shprehet Ejupi, duke shtuar se vetëm vitin e fundit Aeroporti i Prishtinës ka përfi tuar 4.5 milionë euro nga kjo aviokompani.

Sipas tij, pas koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës, “Air Berlin”, e cila është kompania e dytë ajrore më e madhe gjermane, pas “Lufthansas”, që në flotën e vet ka rreth 150 aeroplanë me 30 milionë pasagjerë në vit, ka planifikuar të heqë dorë nga linja Gjermani-Prishtinë dhe disa fluturime t’i orientojë për në Maqedoni.

Maqedonia, sipas tij, është bërë më atraktive për kompanitë ajrore, pasi që aplikon çmime më të lira për këto të fundit. “Aeroporti i Prishtinës llogaritet si një ndër aeroportet më të shtrenjta në çdo aspekt. Qiraja për hapësirën në terminal deri më tani ishte 20 euro, ndërsa tashmë është ngritur në 200 euro metri katror që lë të kuptosh se është aeroporti më i shtrenjtë, duke marrë parasysh standardin e ulët jetësor të kosovarëve”, nënvizon Ejupi.

Ditë më parë kanë qenë fluturimet e fundit të “Air Berlin” nga Gjermania, kurse “Eurokoha”, siç thotë Ejupi, disa prej fluturimeve do t’i zëvendësojë me kompaninë “German Wings”, e cila është pjesë e aviokompanisë “Lufthansa”.

Edhe Rrustem Aliaj, pronar i agjencisë turistike “Malësia Reissen”, konfirmon për “Zërin” se çmimet e qirasë në Aeroportin e Prishtinës janë shumë të larta, madje më të larta se në Aeroportin e Ciryhut.

“Në Cyrih për një zyrë 12 metra katror paguaj 2200 franga zvicerane qira vjetore, që është më lirë se në Aeroportin e Prishtinës”, pohon Aliaj.

Sipas tij, për këtë çështje është takuar me menaxherët turq, të cilëve u ka thënë se nëse nuk i zbresin çmimet, atëherë do të orientohen në aeroportet e rajonit, si në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi.

“Në Aeroportin e Prishtinës jam prezent gati qe 20 vjet, ku për një vit i bartim 110 mijë pasagjerë nga dhe për në Kosovë dhe kjo nuk merret parasysh nga menaxhmenti i ri”, pohon ai.

Ky i fundit madje ka sqaruar se në Aeroportin e Prishtinës i kanë rekomanduar që ta heqë emrin e agjencisë “Malësia Reissen” dhe ta vendosë emrin e aviokompanisë, në mënyrë që pagesa të jetë 50 për qind më e lirë. “Këtë nuk e pranoj asnjëherë, t ’ ia heq emrin kompani së” , shprehet i prerë ai.

Ndërkaq, përfaqësues të aviokompanisë “British Airëays” në Kosovë më herët janë ankuar se leja e punës që merret nga Kuvendi Komunal i Lipjanit për aviokompanitë është shumë i lartë, më i lartë madje se në çdo vend tjetër në rajon.

Megjithatë, për aviokompanitë nuk është ngritur çmimi i qirasë. Këtë e konfirmon edhe Anisa Hamzaraj nga zyra e British Airways në Shqipëri dhe Kosovë.