Kosova
Zërat që ngjiten më lart se majat – gratë shqiptare që frymëzojnë përmes sportit
Sportistet dhe aktivistet: Uta Ibrahimi, Dr. Rita Parashumti dhe Pashke Marku u prezantuan në mbrëmjen e swissalbs, në Bernë

Më 18 tetor 2025 në hapësirat e restorantit Allresto në Bernë u zhvillua një mbrëmje speciale e mbushur me energji, frymëzim dhe solidaritet- një podium që vuri në qendër zërat e tri grave shqiptare në sport.
Në mesin e rreth 100 pjesëmarrësve, shumica gra të pasionuara pas sportit, jetës aktive, shoqërore e kulturore, u krijua një atmosferë e ngrohtë dhe me dialog interaktiv.

Ngjarja u drejtua me profesionalizëm dhe ndjeshmëri nga Arbela Statovci një bisedë të thellë mbi forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e gruas shqiptare në sport. Gjithashtu u bashkëmoderua nga Dzevrije Zendeli dhe Natalia Komani.
Organizimi i kësaj mbrëmjeje u bë i mundur falë mbështetjes së Prima Pflege, Rio Express dhe Fianza, të cilat kontribuan me përgjegjësi shoqërore dhe besim në fuqinë e nismave që promovojnë barazinë, mirëqenien dhe frymën bashkëpunuese në komunitet.
Tri gra që përfaqësojnë dimensione të ndryshme të forcës dhe përkushtimit: Uta Ibrahimi – shqiptarja e parë që ka ngjitur majën e Everestit, personi i parë nga Ballkani që ka pushtuar 14 majat më të larta të botës dhe e 14-ta grua në Evropë që e ka arritur këtë sukses historik; Dr. Rita Parashumti – mjeke dhe trajnere që ndërthur me pasion shkencën, lëvizjen dhe ndërgjegjësimin; dhe Pashke Marku – sportistja e palodhur që mishëron forcën, disiplinën dhe shpirtin ekipor.

Mbrëmja u shndërrua në një dialog të gjallë e të thellë mbi guximin, sfidat dhe qëndrueshmërinë e grave që po ndryshojnë realitetin e sportit shqiptar. Ajo tregoi se fuqizimi fillon nga rrëfimet e sinqerta – nga ato gra që ngjiten jo vetëm në majat e botës, por edhe në ato të vetvetes.

Në hapjen e ngjarjes, Arbela Statovci, përfaqësuese e swissalbs, solli një mesazh që përmbledh thelbin e mbrëmjes:
“Guxim, forcë dhe qëndrueshmëri mendore – pa kufij, vetëm synime. Gratë shqiptare në sport tregojnë se frymëzimi lind kur pasioni bashkohet me këmbënguljen dhe kufijtë shndërrohen në mundësi. Takime të tilla krijojnë besim, frymëzim dhe guxim – duke bashkuar njerëz përtej kufijve dhe prejardhjeve. Ato janë thelbësore për ta bërë të dukshme figurën e gruas, për të ndarë përvoja dhe për të ndërtuar hapësira ku rriten dialogu, vlerësimi dhe barazia.”
Alpinistja Uta Ibrahimi, një figurë që pasqyron guximin e skajshëm dhe vendosmërinë, ndau rrëfimin e saj të jashtëzakonshëm – nga rrënjët në Gjilan deri te majat e Himalajeve.
“Kur flasim për gratë e forta dhe për gratë në sport, ndihem e nderuar që jam pjesë e këtij aktiviteti. Vij nga Gjilani, një vend i vogël, por me njerëz të mëdhenj. Shpesh dëgjoja se Kosova nuk ka shumë mundësi, por ajo ka dëshmuar të kundërtën – në sport, në art dhe në kulturë. Sidomos vajzat kanë bërë shumë për promovimin e vendit tonë. Ndjehem e lumtur që pata mundësinë të ngjis 14 majat më të larta të botës, të mbaj flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë në secilën prej tyre. Ky ka qenë motivi im më i madh: të bëj diçka për vendin tim.”
Ajo kujtoi momentin e kthesës që e çoi drejt një rruge të re jetësore: “Në vitin 2015 vendosa ta lë punën dhe askush nuk mund ta kuptonte ëndrrën time. Në fillim doja vetëm të ngjisja majat e Kosovës, të Shqipërisë, të Evropës. Pastaj fillova trajnimin si udhërrëfyese malore, që sot është puna ime. Nuk ka qenë e lehtë të thyesh barrierat në një shoqëri ku ‘me marrë malin’ shihej si diçka e pazakontë për një grua. Por disiplina, qëndrueshmëria dhe dashuria për atë që bëj më çuan deri në Everest.”

Në fjalën e saj, Uta solli një mesazh të fuqishëm për sfidat dhe dimensionin njerëzor të suksesit:
“Ekspeditat mbi 8000 metra nuk janë garë , janë ultra maratona, janë një përballje me vetveten, një udhëtim i shpirtit. Kam parë njerëz që e humbin jetën atyre shtigjeve, por edhe lindjen e një force që s’e njeh frikën. Çdo hap, çdo rrezik, më ka mësuar mirënjohjen. Në fund, ajo që mbetet nuk është vetëm maja që pushton, por rruga që ndan me të tjerët. Ky është mesazhi im për vajzat e reja – që të besojnë se çdo ëndërr është e mundur, nëse e ndjek me zemër.”
Në panel u prezantua edhe rrëfimi i Pashke Markut, hendbolliste shqiptare e lindur në Cyrih, e cila është ndër emrat më të dalluar të sportit të femrave në Zvicër. Ajo ka luajtur për klubet Spono Eagles dhe HSC Kreuzlingen, duke shënuar mbi 735 gola në më shumë se 170 ndeshje në Superligën zvicerane.
“Kam lindur në Cyrih, por u shpërngulëm në Torgau. Motra ime filloi hendbollin, ndërsa unë isha më e tërhequr, më dhembte që lamë Cyrihun. Por pastaj gjithçka ndryshoi – unë vazhdova me hendbollin, motra e la. Trajneri im, që në fillim, më tha: ‘Ti do të arrish’. Dhe unë besova. Ai besim më ka shoqëruar gjithmonë.”
Rrugëtimi i Dr. Rita Parashumtit ndërthur mjekësinë, kujdesin dhe filozofinë e mirëqenies. Ajo u shpërngul nga Kroacia në Prishtinë në vitin 2009, ku fillimisht ëndërronte një jetë në art, por zgjodhi mjekësinë – një rrugë që e çoi drejt misionit të saj profesional.

“Kam ardhur në Prishtinë nga Kroacia në vitin 2009, isha vetëm 16 vjeç. Nuk ishte e lehtë të përshtatesha, sepse gjithmonë ëndërroja të jetoja në një vend tjetër, të studioja art, jo mjekësi. Por me këshillën e babait zgjodha mjekësinë – dhe ajo u bë rruga ime e jetës.”
Pasi u specializua në Gjermani, ajo ndërtoi konceptin e mjekësisë parandaluese përmes platformës Ritwells, ku filozofia e saj bazohet në balancimin e trupit dhe mendjes, në zhvillimin e vetëdijes dhe në forcimin e shëndetit përmes stilit të jetës.
“Ritwells nuk është vetëm një profesion – është mënyrë jetese. Kam kuptuar se mirëqenia nuk është luks, por domosdoshmëri për të jetuar në ekuilibër. Unë punoj me njerëz që duan ta ndryshojnë jetën e tyre, jo përmes dietave apo programeve të përkohshme, por përmes ndërgjegjësimit të thellë se si e trajtojmë trupin dhe mendjen tonë. Parandalimi është kujdes, dhe kujdesi është dashuri për veten. Çdo gjë që bëj e bëj me zemër, si në ditën e parë që zgjodha këtë rrugë.”
Në fjalën e tij, Shkëlqesia e Tij, Ambasadori Mentor Latifi, theksoi rëndësinë e shembujve që japin gratë shqiptare:
“Sonte shohim qartë se çfarë niveli kanë arritur gratë tona. Shpesh dëgjojmë lajme të këqija për to – jo për shkak të grave, por për shkak të neve burrave, që ndonjëherë nuk dimë si të sillemi me to. Kjo mbrëmje tregon se gratë tona nuk kanë nevojë për mbështetje, por për hapësira. Suksesi arrihet me disiplinë, me punë dhe me vlerat që i përfaqësojnë.”
Merita Pinta, përfaqësuese e Prima Pflege, theksoi në mënyrë të përmbledhur rolin e kompanisë në mbështetjen e iniciativave me ndikim shoqëror:“Është kënaqësi të mbështesim nisma që frymëzojnë dhe fuqizojnë gratë në çdo fushë. Këto janë vlera që ndajnë edhe vetë parimet e Prima Pflege – kujdes, besim dhe përgjegjësi.”
Edhe Shukrije Ramadani, përfaqësuese e Ambasadës së Kosovës në Bernë, u shpreh: “SwissAlbs Women po bën një punë të mrekullueshme në fuqizimin e grave shqiptare në diasporë dhe në krijimin e urave bashkëpunuese midis gjeneratave.”
Kjo mbrëmje në Bernë dëshmoi se kur gratë flasin, frymëzojnë; kur bashkohen, ndryshojnë realitete. Zërat e Utës, Ritës dhe Pashkës u bënë pasqyra e një brezi që sfidon kufijtë me guxim dhe përulësi, duke treguar se sporti është shumë më tepër se garë – është mënyrë për të ndërtuar shoqëri më të barabarta, më të vetëdijshme dhe më njerëzore.
Fuqizimi i grave shqiptare në sport nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por një dëshmi e rrugëtimit kolektiv të një populli që kërkon të ngjitet më lart – me pasion, profesionalizëm dhe dashuri për jetën.
E-Diaspora
-
Britani
Çifti Bujupi fiton 600 mijë euro në lotarinë britanike: Do ta ndihmoj nënën në Kosovë Fat i madh për çiftin Bujupi në Britani: 600 mijë euro në loto...
-
Orkestra Simfonike e TKOBAP-së mahnit në Festivalin “Respighi Bologna 2025”
-
Bern
Shoqata “Bashkimi” në Bern organizon festë për 28 Nëntorin
-
Kosova, e vetmja përfaqësuese e librit shqip në Panairin e Frankfurtit
-
Ekspozitë: “Migracioni – E ardhmja në retrospektivë”
Jeta në Austri
-
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025 Austria regjistroi 13,032 kërkesa për azil në vitin 2025, një rënie prej 32% krahasuar me të...
-
Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese
-
Mashtrues në Vjenë: Paraqiten si punonjës uji për të vjedhur apartamente
-
Tronditëse: Foshnje e porsalindur gjendet e vdekur në çatinë e një garazhi në Graz
-
Rregulla të reja për punonjësit e pavarur në Austri nga viti 2026