Kosova

Zbulohen mbetje mortore në Vushtrri, dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur nga lufta

Mbetje mortore janë gjetur të premten në një lokacion të ri në komunën e Vushtrrisë, gjatë gërmimeve të zhvilluara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, raporton albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, ekziston mundësia që mbetjet t’i përkasin një personi nga lista e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë. Identifikimi i saktë do të bëhet pasi të merret rezultati i analizës së ADN-së nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP).

“Sot, gjatë gërmimeve të realizuara në një lokacion të ri në Vushtrri, janë gjetur mbetje mortore që potencialisht i përkasin një personi nga lista e personave të zhdukur. Ky lokacion është identifikuar në bashkëpunim me shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur, konkretisht Shoqata ‘Martirët e Lirisë’ nga Vushtrria,” thuhet në njoftimin e Komisionit.

Autoritetet janë në pritje të konfirmimit përmes analizave laboratorike, ndërsa gërmimet në zonë pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, raporton albinfo.ch.