Maqedonia

Zaev siguron votat për ndryshimet kushtetuese për emrin e Maqedonisë

Dy të tretat e nevojshme në Kuvendin maqedonas, janë siguruar për votimin e fazës së dytë dhe të tretë të ndryshimeve kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë.

Gjatë ditës së sotme qeveria maqedonase ka hartuar amandamentet kushtetuese pas bisedimeve të kryeministrit maqedonas Zoran Zaev tetë deputetët e përjashtuar nga VMRO DPMNE-ja.

“Për mua ky proces është shumë i rëndësishëm, për herë të parë janë siguruar dy të tretat për çështje kaq të rëndësishme, siç është Kushtetuta. Më vjen mirë që nëpërmjet procesit të pajtimit gjetëm gjuhë të përbashkët edhe me deputetë të tjerë. Unë besoj se qëndrimi i tyre për të mbështetur ndryshimet në fazën e parë, tani do të arsyetohet me heqjen e të gjitha dilemave sa i përket identitetit tonë”, ka thënë Zaev.

Marrëveshja me grupin e ri të deputetëve është konfirmuar nga këta të fundit.

“Draft-amendamentet tona do të përfshihen në propozim-tekstin e draft – amendamenteve të Qeverisë që kanë të bëjnë me forcimin e identitetit maqedonas, trashëgiminë kulturore dhe gjuhën; zbatimin në faza të ndërrimit të emrit për përdorim të brendshëm, duke ndjekur procesin që çon drejt anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në BE, si dhe anulimin e të gjitha amendamenteve në rast se Greqia nuk e ratifikon marrëveshjen”, tha deputetja Elizabeta Kançevska.

VRMO DPMNE-ja, tani ka 12 deputet më pak, por, pavarësisht kësaj dhe pamundësisë që të bllokojë ndryshimet kushtetuese, ajo mbetet në qëndrimin se marrëveshja me Greqinë për emrin është e keqe për vendin dhe se sërish do të votojë kundër.