Sport
Xherdan Shaqiri diamant i pagdhendur për Zvicren
Shaqiri, në mes të 10 befasive të Ligës së Kampionëve, vlerëson UEFA

Futbollisti i njohur kosovar, i cili luan për skuadren e Baselit, Xherdan Shaqiri, figuron në mesin e dhjetë futbollistëve që kanë befasuar me paraqitjet e tyre gjatë fazës grupore të Ligës së Kampionëve. Ky vlerësim është bërë nga ekspertët e shtëpisë së futbollit evropian, UEFA.
“Zvicra ka kohë që e di se ka një diamant të pagdhendur dhe ky është Xherdan Shaqiri 19-vjeçar, që po përcillet nga mbarë skuadrat e Evropës. Me një teknikë të jashtëzakonshme, mesfushori ka shkëlqyer në fazën grupore dhe ka shënuar gol në humbjen 3:2 kundër Romës”, thuhet në arsyetimin e UEFA-s për Shaqirin, raportojnë mediat kosovare.
Në të gjashtë ndeshjet e fazës grupore të Ligës së Kampionëve Shaqiri ka shënuar një gol, kurse skuadra e Baselit ka përfunduar e treta në “Grupin E” me gjashtë pikë të mbledhura. Si skuadër e tretë në grup, Baseli aventurën evropiane do ta vazhdojë në Europa League.
NZZ: “Prekja e hershme e Shaqirit”
Nga ana tjetër gazeta zvicerane Neu Zürcher Zeitung (NZZ), një tekst të titulluar “Prekja e hershme e Shaqirit” ka shkruar për suksesin e arritur të Shaqirit.Trajneri i Baselit, Thorsten Fink, një herë e kishte quajtur atë pa ndonjë qëllim të keq “vogëlushi”.
Por sipas gazetës, Xherdan Shaqiri këtë vit është bërë mjaft i madh. Ai është i gjatë vetëm 169 centimetra, por këto 169 centimetra janë vështirë për t’u zotëruar.Trajneri Fink insiston ta mbajë nën kontroll edhe kur është jashtë fushës së blertë, sado vështirë e ka. Në një rast, Finkut i është dashur t’i thoshte kosovarit se nuk mjafton të luajë vetëm nëse për gjyshen e tij është i mirë.
Fink deshi të sfidojë Shaqirin të jap maksimumin edhe në stërvitje. Kjo pasi Shaqiri më herët kishte thënë se nganjëherë edhe Ronaldinho e ul intensitetin në stërvitje. Por fjalët e Finkut dukeshin të pavlera, pasi Shaqiri tregohej nip i mirë për gjyshen dhe lojtar shembull për ekipin.
Shaqiri quhet edhe “Messi i Alpeve”
Mediat e quajnë 19-vjeçarin “Messi i Alpeve” apo edhe Shaqirin krahasonin me legjendën Maradona.
Në emisionin televiziv në SF “10 vor 10” ai është vlerësuar “superylli i ri i futbollit zviceran”. Kur Shaqiri në një ndeshje për Kupë, në shtator të këtij viti në Mendrisio, mori rrugën nga garderoba për të shkuar deri te autobusi i klubit, vajzat nisën të mblidheshin rreth tij sikur të ishte Robbie Williamsi.
Bota e Shaqirit ndryshoi shumë shpejt. Ai është vetëm në stinorin e tij të dytë në Superligën e Zvicrës. Në stinorin e tij të parë fitoi titullin e kampionit të Zvicrës dhe Kupën e Zvicrës. Ai u paraqit në Ligën e Kampionëve, debutoi me Përfaqësuesen e Zvicrës në mars të këtij viti dhe gjatë verës u paraqit me “helvetikët” edhe në Botërorin 2010. Dhe, tash papritmas në derë të shtëpisë po i trokasin të afërm, që ai as nuk i njeh.
Jeta e Shaqirit ndryshoi tërësisht dhe kjo me hapa shumë të shpejtë. Babai i tij para 25 viteve migroi nga Kosova në Zvicrës. Si fëmijë, Shaqiri flinte vet i treti me motër e vëlla në një dhomë. Madje në një kohë jetonte në një shtëpi pa nxemje. Së bashku me vëllanë e tij me paratë që fitonin nga disa projekte shkollore, ndihmonin babain e tyre të papunë.
Tash është bërë edhe model i firmës “Nike”. Vazhdimisht dëgjohen edhe emrat Bayern, Hamburg, Borussia Dortmund, Tottenham, Liverpool, Juventus, që janë të gatshëm të japin miliona për të blerë yllin e Baselit.
Fanella me shkrimin “Shaq Attack”
Shaqiri në fushë të futbollit është i paparashikueshëm. Ai natyrisht se mban edhe një fanellë me shkrimin “Shaq Attack”, që shokët e fëmijërisë ia kanë bërë si dhuratë.
Motoja “Shaq Attack” është e zënë. I përket një gjiganti të sportit, basketbollistit Shaquille O’Neal. Por Shaqiri nuk është aq i papjekur për të krahasuar veten me Shaqun e vërtetë.
Kështu Shaqiri në festën për titullin e kampionit të Zvicrës në Basel, qëndroi në ballkon para mijëra tifozëve që thërrisnin emrin e tij. Ai mbante me plot vetëbesim një fishekzjarrë në dorë. Ai për këtë u gjobit me disa qindra franga zvicerane. Ishte thënë se Shaqiri nuk ka dhënë shembull të mirë, por si mund të jetë një person shembull, që ende në një moshë kaq të hershme është në kërkim të orientimit?
Kur Shaqiri të mërkurën mbrëma pas humbjes 3:0 ndaj Bayern Muenchenit në Ligën e kampionëve nisi të jepte intervista, atë e dëgjonte me kujdes edhe përfaqësuesi medial i Baselit. Baseli u eliminua nga Liga e kampionëve dhe garën në Evropë do të vazhdojë në Ligë të Evropës. Kur u pyet Shaqiri se cilin kundërshtar do ta zgjidhte në Ligën e Evropës, përfaqësuesi medial i Baselit u afrua afër. Por, ai u nda i kënaqur me përgjigjen e Shaqirit: “Manchester Cityn”.
Shaqiri paraqitet mirë para mediave
Shaqiri gjatë disa intervistave kishte folur pa menduar mirë dhe i kishte shkaktuar telashe vetes. Por, ai e thotë atë që e mendon pavarësisht nëse është para kamerave apo me shokët në diskotekë.
Por, gjërat me Shaqirin mund të ndryshohen. Trajneri i Baselit, Fink dhe përfaqësuesi medial i klubit kanë vendosur para pak kohësh që Shaqiri të flas shumë pak për mediat.
Pulpat e Shaqirit si topa tenisi
Në të kaluarën njerëzit mendonin se Shaqiri ka “topa të tenisit” në pulpat e tij. Aq muskuloz ishte. Njëherë i ishte matur kofsha dhe ishte konstatuar se e kishte më të trashë se atë të brazilianit Roberto Carlos. Forcën që e merr nga këto këmbë është mjaft e madhe. “Goditjet e mia nuk janë të dobëta”, ka thënë ai. Këtë ia ka treguar Shaqiri edhe portierit të Anglisë, Joe Hart, kur në shtator kundër Anglisë shënoi gol nga 25 metra. Por Shaqiri i vogël që është bërë shef para kohe, duhet të mësohet si të jetë një “indian” i mirë, shkruan gazeta Neu Zürcher Zeitung NZZ.
E-Diaspora
-
Vdes 18 vjeçari nga Kosova, në një liqe, në Gjermani Një 18-vjeçar vdiq të premten si pasojë e një aksidenti që ndodhi teksa ai ishte duke...
-
30 vjet të Ansamblit “Vatra”, një përvjetor që frymëzon
-
Gjermani: Humb jetën tragjikisht 18-vjeçari shqiptar në një liqen
-
Mira Murati këtë vikend martohet në një ceremoni private në Toskanë
-
Ambasada e Shqipërisë në Vjenë prezanton denjësisht traditat shqiptare
Jeta në Austri
-
Austria nis javën parlamentare me homazh për viktimat e Grazit Seanca parlamentare e kësaj jave në Austri do të hapet me një minutë heshtje për të...
-
Vjena heq bonusin e trajnimit për përfituesit e ndihmës sociale
-
Carinthia: Dy të vdekur në liqene gjatë fundjavës
-
A mund të natyralizohen fëmijët nën 18 vjeç në Austri?
-
Ekstremi i djathtë në Austri përpiqet të shfrytëzojë tragjedinë në Graz për përçarje dhe urrejtje