Sport

Xhemaili, i shtati në listën e sportistëve milionerë

Pos Xhemailit, në 50-shen e parë janë edhe Behrami në vendin e 26 dhe Shaqiri në të 43-tin

Gazeta SonntagsBlick në numrin e saj të sotëm ka publikuar një top-listë me 50 sportistët më të pasur të Zvicrës, respektivisht me shumat vjetore të fitimeve të tyre bruto.

Siç edhe është ditur, sportisti zviceran që fiton pa konkurrencë më së shumti është tenisti Roger Federer. Me 39 milion franga ai jo vetëm që është i pari në Zvicër por madje i katërti në listën e sportistëve më të paguar në nivel bote.

Të tjerët që vijnë në radhë pas Federerit kanë një diferencë të madhe krahasuar me të. Portieri i hokejit në akull, fjala vjen, që është i dyti, fiton “vetëm” 4.1 milion franga në vit.

Shqiptari i ranguar më së larti në këtë listë është futbollisti tetovar Blerim Xhemaili. Ai është i shtati në listë dhe fiton 3.4 milionë franga. Pas tij vjen me një distancë të madhe futbollisti tjetër shqiptar Valon Behrami, i cili brenda vitit fiton 2.3 milionë franga.

Shumë mbrapa dy “milionerëve” shqiptarë vjen ylli më i padiskutueshëm, i ri i futbollit zviceran, Xherdan Shaqiri. Ai është i 43-ti në listë me 750 mijë franga.

Yjet tjerë shqiptarë të futbollit, të cilët po ashtu kanë gëzuar prani të madhe në mediet e këtushme si: Xhaka, Mehmedi, Kasami, Abrashi etj. nuk hyjnë fare në listën e 50 më të paguarve.

Veç futbollistëve asnjë sportist tjetër shqiptar nuk ka mundur të sigurojë vend në toplistën e 50 më të pasurve