E-Diaspora

Xhaka “vesh” Prishtinën me fanellat e kuqe numër 10

800 fanella dhe qindra topa futbolli janë shpërndarë gjatë spektaklit interesant që u zhvillua pasditen e të premtes në Prishtinë

 

Qindra fëmijë, të rinj e kureshtarë të tjerë po shtyheshin  nën tendën e vendosur në amfiteatrin pranë hotelit Grand, në sheshin Zahir Pajaziti, në Prishtinë. Të gjithë kishin një qëllim: të merrnin një fanellë të kuqe, e cila në shpinë kishte të shkruar emrin G. Xhaka dhe numrin 10. Fanellat, me stoicizëm po i dhuronte vetë Granit Xhaka. Për më shumë se tri orë, futbollisti shqiptar të cilin e karakterizon modestia dhe çiltërsia në raport me fansat, po jepte e merrte me turmën, pa e humbur durimin. 

albinfo.ch ka qenë aty dhe ka mbuluar ngjarjen.

Moderatorit dhe përfaqësuesve të sigurimit disa herë u është dashur të kërkonin mbajtjen e rendit dhe të displinës, por tifozët e Xhakës ishin të vendosur të merrnin fanellën me numrin 10 të idhullit të tyre dhe të përshëndeteshin nga ai, pothuaj me çdo kusht.

Skenari e parashihte që Graniti herë të shkonte në tendë për të dhuruar fanella ose topa futbolli, e herë te portat e improvizuara për të asistuar gjatë gjuajtjeve me top të fëmijëve.

E gjithë kjo ishte pjesë e aksionit që kompania Air Prishtina me seli në Cyrih e ka iniciuar në partneritet me futbollistin shqiptar të përfaqësueses zvicerane. Pika kulmore e aksionit është ndarja e 11 çmimeve, biletë dhe qëndrim në Brazil, për të ndjekur Kampionatin Botëror të Futbollit. Atje ku Granit Xhaka tashmë e ka siguruar “biletën” e pjesëmarrjes në ekipin e Zvicrës. Çmimet i sponsoron air Prishtina

Krahas atyre qindra tifozëve të Granit Xhakës, në sheshin Zahir Pajaziti futbollistin e kanë nderuar edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe ambasadrorja e Zvicrës në Kosovë, Chrystina Marty. Kjo e fundit kishte ardhur me djalin e saj, Maksin, një adhurues ky ndër më të rinjtë të Xhakës.

800 fanella dhe qindra topa futbolli janë shpërndarë gjatë spektaklit interesant që u zhvillua pasditen e të premtes në Prishtinë. Ky aksion, bashkë me atë të zhvilluar në Drenas dhe në Podujevë, ku Xhaka u dhuroi rekuizita sportive futbollistëve të atjeshëm ishte edhe një tregues i lidhjes së fuqishme që ylli i kombëtares zvicerane ka me Kosovën. Këtë lidhje ai e pohoi edhe kur u pyet nga gazetarët se përse pushimet po i kalonte në Kosovë kur këtë mund ta bënte fare mirë në ndonjë bregdet kudo në botë. “Sepse unë jam shqiptar dhe këtu, në Prishtinë e kam gjithë familjen”, tha shkurt Xhaka. Duke qenë kështu, ai e ka ndjerë si obligim që para shkuarjes në Brazilin 2014 të përshendetej me fansat e vet të shumtë në Kosovë. Dhe, një përshëndetje më e mirë se kjo vështirë se mund të mendohet.