Lajme

“World Vision”: 92% e fëmijëve nuk përfitojnë nga shërbimet sociale

Rreth 70 mijë fëmijë në Shqipëri paraqesin të paktën një vështirësi të theksuar në zhvillim.

Shqetësuese paraqitet situata sa i përket zhvillimit të fëmijëve në Shqipëri. Rreth 10.7 % e moshave nga dy deri në 17 vjeç shfaqin vështirësi të thelluara në funksionim, por vetëm 4% e tyre njihen nga komisionet shtetërore si fëmijë me aftësi të kufizuara.

“World Vision” ka hartuar studimin e parë kombëtar mbi prevalencën e aftësisë së kufizuar dhe ka dalë në përfundimin se 92% e fëmijëve nuk përfitojnë nga shërbimet sociale në qendra të specializuara zhvillimi.

Studimi ka vendosur në fokus shqetësimet e prindërve. Ata kanë theksuar mungesën e thellë të shërbimeve të specializuara për fëmijët që kryejnë më shumë vështirësi ose nuk e kryejnë fare një funksion apo veprimtari të jetës në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mbështetjes sociale.

Ndërkohë, siç raporton ABCNEWS nga Tirana, “Save The Children” kërkoi nga pushteti lokal dhe ai qendror rritje të burimeve publike financiare dhe njerëzore në këtë aspekt.