Eriona Elezi: Nga superliga zvicerane te kombëtarja e Kosovës

Me rrënjë nga Kosova dhe e lindur në Zvicër, Eriona Elezi është shembulli ideal i një vajze që ka kapërcyer paragjykime dhe sfida për të ndjekur ëndrrën e saj në futboll. Nga hapat e parë në FC Langnau am Albis deri te paraqitjet me Kombëtaren A të Kosovës, ajo ka ndërtuar një rrugëtim frymëzues për çdo vajzë që synon të arrijë majat në sportin më të dashur në botë.

albinfo.ch: Kur dhe si e zbuluat dashurinë për futbollin?
Eriona Elezi: Dashuria për futbollin nisi kur isha vetëm 6 vjeçe. Babai im ishte trajner në FC Langnau am Albis dhe një ditë më mori me vete në stërvitje  dhe që në atë moment u magjepsa. Ajo që më tërhoqi ishte fakti që futbolli është një sport ekipor, ku të gjithë duhet të japin kontribut për të arritur një qëllim të përbashkët.

albinfo.ch: Si nisi rrugëtimi juaj në futbollin e femrave në Zvicër?
Eriona Elezi: Nisa të luaj në FC Langnau am Albis kur isha 6 vjeç  fillimisht me djemtë. Në moshën 12-vjeçare u përzgjodha në ekipin rajonal të kantonit të Cyrihut (FVRZ), që përfshin lojtaret më të mira të rajonit. Më pas bëra një provë te FC Zürich dhe arrita të hyj në futbollin elitar. Kam kaluar të gjitha nivelet e moshave aty, nga U14 deri në U21.
Njëkohësisht, isha pjesë e përfaqësueseve të Zvicrës nga U16 deri në U19. Si shtetase me dy nënshtetësi, gjithmonë e kam pasur Kosovën në zemër. Para një viti realizova ëndrrën time  vesha fanellën e Kosovës për herë të parë, duke luajtur në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Me atë turne shkruam histori, duke u ngjitur nga Liga B në Ligën A  suksesi i parë i një përfaqësueseje të re të Kosovës në nivel të tillë.
Gjysmë viti më vonë mora ftesën e parë për ekipin A të Kosovës, ku debutova me një ndeshje miqësore në grumbullimin e parë. Pas tetë vitesh me FC Zürich, kërkova një sfidë të re dhe kalova te FC Aarau  një hap që tashmë po jep rezultatet e para. Jam e lumtur dhe mezi pres të zhvillohem më tej me këtë klub dhe me Kombëtaren e Kosovës.

albinfo.ch: Kush ju ka mbështetur më së shumti?
Eriona Elezi: Familja ime ka qenë gjithmonë mbështetja ime më e madhe  në veçanti babai im. Ata kanë qenë pranë meje që nga fillimi, më kanë besuar edhe kur unë kam dyshuar në veten time. Pavarësisht vështirësive, ata kurrë nuk hoqën dorë prej meje dhe më motivuan çdo ditë. Mbështetja e tyre më ka dhënë forcën për të vazhduar rrugën time pa u ndalur, dhe për këtë jam pafundësisht mirënjohëse.

albinfo.ch: Si e përjetuat të afirmoheni në një sport të konsideruar si “mashkullor”?
Eriona Elezi: Nuk ishte aspak e lehtë. Si vajza e vetme në një ekip djemsh, duhej të punoja dyfish për t’u respektuar dhe për t’u marrë seriozisht. Skepticizmi dhe paragjykimet ishin të pranishme, por këto sfida më motivuan edhe më shumë. Me përkushtim dhe disiplinë, arrita të fitoj respektin e të gjithëve. Futbolli kurrë nuk ishte për mua “sport për meshkuj”, por pasioni im më i madh.

 

albinfo.ch: A ekzistojnë ende paragjykime ndaj vajzave në futboll? Çfarë duhet të ndryshojë?

Eriona Elezi: Po, fatkeqësisht ende ka paragjykime. Shumë njerëz ende nuk e marrin seriozisht futbollin e vajzave dhe dyshojnë në aftësitë tona. Kjo duhet të ndryshojë. Futbolli i femrave duhet të respektohet njësoj si ai i meshkujve  duhet më shumë mbështetje, më shumë hapësirë në media dhe më shumë investime. Barazia duhet të ndodhë në të gjitha nivelet  nga trajtimi te talentet e reja deri te pagesat profesionale.

albinfo.ch: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha për ju si futbolliste?
Për mua sfida më e madhe ishte të balancoja shkollën, stërvitjet, ndeshjet dhe punën. Për ta arritur këtë, nevojiten shumë disiplinë, ambicie dhe sakrificë.

albinfo.ch: Çfarë duhet bërë për të përmirësuar mundësitë për vajzat me prejardhje migrante?
Eriona Elezi: Vajzat duhet të inkurajohen të jenë të guximshme, të kenë vetëbesim dhe të ndihen të pranuara. Shkollat dhe klubet duhet të krijojnë më shumë mundësi për përfshirje dhe zhvillim, duke ndërtuar mjedise të sigurta dhe përfshirëse për të gjitha.

Cili është mesazhi juaj për vajzat dhe gratë që ëndërrojnë të luajnë futboll?
Kënaquni me lojën, besoni në vetvete, keni besim në aftësitë tuaja dhe dëgjoni trupin tuaj. Futbolli është për të gjitha  mos lejoni askënd t’ju ndalojë në rrugën tuaj.

Eriona, në veten e parë

Jam Eriona Elezi, e lindur në vitin 2005 dhe jam rritur në Langnau am Albis. Dashuria ime për futbollin nisi në moshën gjashtëvjeçare në FC Langnau am Albis, dhe që nga ajo ditë futbolli është bërë pjesë e pandashme e jetës sime.
Shtatë vite i kalova në FC Zürich, ku u zhvillova si lojtare dhe si person. Aktualisht luaj për FC Aaraua si mbrojtëse anësore.
Kam përjetuar momente të veçanta: fitova FIFA Youth Cup, u shpalla kampione e Zvicrës në ligën NLB dhe shënova gol në kualifikimet e Kampionatit Evropian me ekipin U19 të Kosovës. Sot, jam pjesë e Kombëtares A të Kosovës  një nder dhe një ëndërr e realizuar.
Familja ime, sidomos babai, ka qenë themeli i këtij rrugëtimi.
Futbolli për mua është gjithçka  pasion, motivim dhe një mënyrë për të qenë vetvetja.
Synimi im është të luaj jashtë vendit dhe të përfaqësoj me krenari Kosovën në shumë ndeshje të tjera. Dua të vazhdoj të rritem dhe të dëshmoj se me punë, zemër dhe besim në vetvete, gjithçka është e mundur.

 

Këshillat e babait dhe debutimi me Kosovën, rrëfehet Alketa Rama

Mbiemri Rama është i njohur në futboll. Dikur te meshkujt, tani edhe te femrat. Milaim Rama ishte futbollisti i parë nga Kosova që vendosi të luajë për Zvicrën. Vajza e tij, Alketa, po jeton ëndrrën e saj në futboll. Ajo luan për klubin FC Zürich, ndërsa përfaqëson vendlindjen e familjes së saj, Kosovën.

Në një intervistë për albinfo.ch, Alketa tregon për kohën nga fillimet në futboll e deri te realizimi i ëndrrës së saj, si dhe për këshillat nga babai.

Albinfo.ch: A mund të na tregoni fillimisht si vendosët të merreni me futboll?

Alketa Rama: Futbollin e luaj prej që kam filluar të ec, kështu që nuk ka qenë një vendim që e kam marrë dhe kam thënë po filloj të luaj, por futbolli ka qenë edhe për shkak babit, gjithmonë pjesë e jetës time prej që jam fëmijë.

Albinfo.ch: Cilat kanë qenë këshillat nga familja dhe sa ke pasur përkrahjen e saj?

Alketa Rama: Më kanë përkrahur gjithmonë. Në fillim më thoshte gjyshi ‘pse moj Alketa nuk po luan tenis, më mirë është për femra’, por shpejt kuptuan që nuk mundem të më ndajnë nga topi i futbollit dhe më kanë përkrahur maksimalisht.

Albinfo.ch: Çfarë të thotë babai yt (Milaim Rama) i cili është ish-futbollist i njohur ndërkombëtar?

Alketa Rama: Babi është gjithçka për mua dhe jam shumë krenare të jem bija e tij. Është një ndjenjë jashtëzakonisht e bukur të jesh vajza e një ish futbollisti, siç është babi im (Milaim Rama). Edhe ai është shumë krenar me mua.

Albinfo.ch: Kush është fansi juaj më i flaktë kur luani ju?

Alketa Rama: Babi. Sepse ai e ndjen këtë më së miri. Por, të dytë, si nëna si babi, më ndjekin kudo që të jem. Ata do të vijnë gjithandej për të më përkrahur si luaj.

Albinfo.ch: Çfarë keni mësuar nga babai për futbollin?

Alketa Rama: Ai më këshillon çdo ditë por një gjë që ma thotë gjithmonë është: “aty ku të dhemb, aty duhesh të jesh”.

Albinfo.ch: Çfarë ndjenje është të luash për Kosovën dhe si e kanë pritur këtë familja dhe shoqëria juaj?

Alketa Rama: Të luaj për Kosovën është një ndjenjë jashtëzakonisht e bukur, që e kam të vështirë ta përshkruaj. Familja dhe shoqëria janë ndier shumë krenarë me mua dhe më përgëzojnë për çdo grumbullim ose ndeshje.

Albinfo.ch: Si ka qenë debutimi me Kosovën A, pasi më herët keni luajtur për Kosovën U17 dhe U19?

Alketa Rama: Debutimi me Kosovën A ka qenë një ndjejnë shumë speciale për mua. Jam ndier si në ëndërr, derisa e kam kuptuar që ëndrra ime me të vërtetë u realizua dhe unë po luaj në Stadiumin “Fadil Vokrri”, për vendlindjen e prindërve të mi.

Albinfo.ch: Si është futbolli i vajzave në Zvicër? Sa i kushtohet rëndësi dhe cilat janë synimet e tua për të ardhmen?

Alketa Rama: Futbolli i vajzave në Zvicër është i mirë dhe ka kualitet. Këtë e dëshmon Kombëtarja Zvicerane e Femrave dhe pa dyshim është në ngritje të cilësisë. Unë kisha pasur dëshirë që futbollit të femrave t’i kushtohet edhe më shumë rëndësi, se edhe ne femrat stërvitim thuajse njëjtë si meshkujt dhe për këtë duhet të përkrahet më shumë dhe të mbështetet edhe nga sponsorët që edhe vajzat këtu në futbollin zviceran të jetojnë vetëm prej futbollit.

Synimet e mia janë të zë një vend në ekipin e parë sa më shpejt dhe ta ndihmoj edhe ekipin të bëhet kampion. Dëshira ime është që një ditë të luaj në ndonjë Ligë dhe më të fortë se në Zvicër, por kjo besoj që do të vijë me kohë.

Alketa Rama luan për klubin zviceran, FC Zürich. Ajo do të jetë pjesë e klubit deri më 2027. Rama i ishte bashkuar Zürichut në vitin 2016, si 13-vjeçare, ndërsa që atëherë ka kaluar në çdo grupmoshë të klubit, deri te ekipi i parë. Ajo është vajza e legjendës së futbollit zviceran, Milaim Rama. Ajo ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën, për të cilën ka  zhvilluar deri më tani, dy ndeshje.

 

Aferdita Gashi – Mbi 50 medalje dhe një zemër që sfidon kufijtë

Në një botë ku ëndrrat shpesh mbeten peng i vështirësive, Aferdita Gashi është një shembull i shkëlqyer se me vullnet, pasion dhe këmbëngulje, çdo kufi mund të kapërcehet.

E lindur në Prishtinë dhe e vendosur në Zvicër që prej vitit 1991, Aferdita ka ndërtuar  jo vetëm një jetë të re, por edhe një emër të respektuar në botën e sportit amator. Nënë e tri vajzave, bashkëshorte dhe mbi të gjitha sportiste me shpirt të pashtershëm, ajo frymëzon çdo ditë me dhjetëra gra për të besuar tek forca e tyre.

Një rrugëtim nga pasioni i fëmijërisë tek medaljet ndërkombëtare

Dashuria për vrapimin lindi natyrshëm, në rrugicat e Kosovës, ku si fëmijë, Aferdita nuk mund të ndalte së vrapuari. Por ishte vetëm një dekadë më parë që ajo vendosi ta shndërrojë këtë pasion në një mision personal: të sfidojë vetveten dhe të thyejë barrierat, në çdo pistë ku vrapon.

Sot, Aferdita numëron mbi 50 medalje të fituara në garat më të njohura të Zvicrës dhe rajonit. Në garën e Winterthurit, ajo përfundoi 10 kilometra për vetëm 45 minuta, duke zënë vendin e tretë mes 500 pjesëmarrëseve. Në Maratonën e Bazelit që u mbajt dje më 27.04.2025 ajo u rendit e 13-ta në mesin e  2.500 pjesëmarrës, duke dëshmuar se pasioni nuk njeh kufij. Basler Frauenlauf është pjesë e “Frauenlauf Cup”, një seri garash të dedikuara grave që do të vazhdojnë në qytetet Winterthur më 22 qershor dhe Bregenz më 28 qershor. Kjo seri synon të promovojë aktivitetin fizik dhe bashkësinë mes grave në të gjithë rajonin.

“Nuk ka rëndësi koha që shënon, rëndësi ka guximi për të mos u ndalur,” – thotë ajo, me një shkëlqim në sy që vetëm sportistët e vërtetë e kanë.

Një koleksion medaljesh dhe emocionesh

Në maratonat e Luzernit, Cyrihut, Bernës, Winterthurit dhe garat “Trail Run” në Alpet zvicerane dhe austriake, Aferdita nuk ka mbledhur vetëm medalje, por edhe histori frymëzimi. Çdo medalje, një histori djersë, buzëqeshjeje dhe triumfi personal.

Mbi të gjitha, ajo është një zë që i fton gratë shqiptare të zgjohen, të ecin përpara dhe të sfidojnë veten.

Një thirrje e hapur: Ejani dhe zbuloni forcat tuaja!

Aferdita Gashi është shqiptarja e vetme që përfaqëson aktivisht komunitetin e grave shqiptare në këto gara prestigjioze. Por ajo nuk dëshiron të mbetet e vetme në këtë rrugëtim.

“Unë dua t’i shoh motrat shqiptare duke garuar krah meje! Nuk ka rëndësi nëse ecni apo vraponi – rëndësi ka të niseni, të bëni hapin e parë drejt një personaliteti më të fortë dhe më të qëndrueshëm,” është mesazhi i saj.

Në maratonat ku bashkohen mbi 10 mijë pjesëmarrës për kauza të ndryshme shoqërore, Aferdita ëndërron të shohë edhe më shumë emra shqiptarë – të bashkuar në forcë, në guxim, në jetë.

Sporti si rrugë drejt lirisë

Për Aferditën, sporti është shumë më tepër sesa një aktivitet fizik. Është një mënyrë jetese, një mjet për të ndier lirinë dhe për të ndërtuar një version më të fortë të vetvetes.

“Luftoni për veten tuaj! Besoni te forca që keni brenda. Edhe një hap, edhe një frymëmarrje, edhe një ëndërr – të gjitha janë tuajat. Vraponi drejt lirisë dhe mos ndalni kurrë. Sporti është vetë liria!” – është mesazhi i saj i fuqishëm për të gjitha gratë shqiptare.

Aferdita Gashi, pjesëmarrëse e  komunitetit #meinfrauenlauf, gjithashtu thekson rëndësinë e fuqizimit të grave përmes sportit dhe bashkëpunimit. Ajo shprehet se: “Asgjë nuk funksionon pa gratë”! Komuniteti #meinfrauenlauf dhe atmosfera e veçantë e garës për gra janë të veçanta dhe unike në Zvicër.  Ku besohet fuqishëm se çdo grua mund të arrijë shumë, dhe çdo pjesëmarrëse ka mundësinë të gjejë distancën dhe kategorinë që i përshtatet më së miri.

Për komunitetin e #meinfrauenlauf, rëndësi nuk jo vetëm lëvizja, por dhe kënaqësia që vjen nga vrapimi dhe ecja, duke krijuar një ambient ku çdo grua është e mirëpritur dhe ku secila mund të arrijë qëllimet e veta. “Ne nuk jemi fituese, kemi një komunitet që mbështet njëra-tjetrën. Në vijën e finishit, çdo pjesëmarrëse pritet si një kampione, sepse të gjitha janë fituese në këtë rrugëtim.”- shprehet Aferdita Gashi

Aferdita Gashi bën thirrje për të gjitha gratë që të bashkohen dhe të përjetojnë këtë mundësi të jashtëzakonshme, sepse, siç thotë ajo, “të jesh pjesë e #meinfrauenlauf është një përvojë që nuk harrohet!”

Një frymëzim që vazhdon të ndriçojë

Aferdita Gashi nuk është thjesht një vrapuese. Ajo është një frymëzim, një shembull se si vendosmëria, përkushtimi dhe besimi mund të lëvizin botën. Në vijën e finishit të çdo gare, ajo nuk është vetëm një fituese – ajo është dëshmi reale se fuqia e një gruaje mund të ndryshojë gjithçka.

Për Albinfo.ch: Luljeta Ademi

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Historia e rritjes së Zidan Tairit në futbollin zviceran

Albinfo.ch hedh një vështrim në karrierën e jashtëzakonshme sportive të Zidan Tairit dhe rreth asaj se si pasioni për futbollin ia ndryshoi jetën. Mësoni se si familja e tij dhe FCZ ndikuan në vendimin e tij për t’u bërë futbollist profesionist.

Albinfo.ch: Cilat janë tri përvojat që kanë karakterizuar më shumë rrugën tuaj drejt një karriere të suksesshme futbolli?

 Tairi: Përvoja e parë ishte një rast turneu ndërkombëtar ku më shpallën si lojtarin më të mirë nga gjithsej 40 ekipe të ndryshme. Kjo njohje ishte një moment historik i rëndësishëm për mua dhe konfirmoi talentin dhe pasionin tim për futbollin. Eksperienca e dytë formuese erdhi kur bëra një kontratë me kompaninë Adidas, në moshën 12-vjeçare. Kjo ngjarje ishte jo vetëm një nder i madh, por edhe dëshmi se po njiheshin aftësitë dhe potenciali im. Dhe, përfundimisht, pranimi në kombëtaren e Zvicrës U15 ishte një përvojë e paharrueshme. Ishte një moment krenarie të ndodhesha në fushë për vendin tim dhe të konkurroja me lojtarët e rinj më të mirë. Këto tri përvoja formësuan rrugën time drejt një karriere të suksesshme futbolli dhe më treguan se puna e palodhur, pasioni dhe talenti, në kombinim, mund të çojnë në rezultate të jashtëzakonshme.

Albinfo.ch: Kur e kuptuat se donit ta kthenit pasionin për futbollin në karrierë?

 Tairi: E dija që në ditët e para në FC Cyrih se doja ta ktheja pasionin për futbollin në karrierë. Klubi jo vetëm që më dha një mjedis profesional për të zhvilluar aftësitë e mia, por edhe mundësinë për të konkurruar me lojtarë të talentuar dhe për t’u përmirësuar vazhdimisht. Çdo moment në fushë dhe çdo stërvitje më forconte dëshirën për t’u bërë futbollist profesionist. Atmosfera, emocionet e tifozëve dhe fitoret e paharrueshme më bënë të ndihem se kjo ishte rruga e duhur për mua. Që atëherë kam punuar shumë për të përmirësuar aftësitë e mia dhe për të avancuar karrierën time.

Albinfo.ch: A lidhet emri ‘Zidan’ me dëshirën e prindërve tuaj për t’u bërë yll futbolli? Si ndihet familja juaj për sukseset tuaja sportive?

 Tairi: Emrin “Zidan” e ka zgjedhur babai im, i cili është edhe vetë një fans i madh i futbollistit legjendar, Zinedine Zidane. Sigurisht që nuk është rastësi që babai im zgjodhi emrin tim në përkim me admirimin e tij për këtë lojtar të shquar. Por nëse emri im ka një kuptim të caktuar simbolik, familja ime angazhohet për mbështetje të pakushtëzuar për mua dhe sukseset e mia sportive. Ajo më ka dhënë gjithmonë mbështetje dhe inkurajim 100 për qind, si në momente të mira ashtu edhe në kohë të vështira. Pa mbështetjen dhe motivimin e tyre të vazhdueshëm nuk do të isha këtu ku jam sot. Unë jam thellësisht mirënjohës për familjen time dhe rolin e saj të rëndësishëm në karrierën time futbollistike.

Albinfo.ch: A ka pasur momente të vështira gjatë karrierës suaj që ju është dashur të kapërceni? Si jeni përballur me to?

Tairi: Ka pasur patjetër momente të vështira në karrierën time futbollistike që më është dashur t’i kapërcej. Një nga ato momente ndodhi gjatë kohës sime në U15 në FC Cyrih, kur unë po luftoja me çrregullimet e rritjes. Kjo sfidë zgjati rreth 2 deri në 3 muaj dhe ishte një sforcim mendor dhe fizik. Nuk ishte e lehtë të përballesh me ndryshimet trupore dhe kufizimet që vinin me to. Por e dija se nuk mund të dorëzohesha nëse doja të arrija qëllimet e mia. U desh shumë durim, këmbëngulje dhe forcë mendore për të kaluar këtë fazë. Më duhej të bëja pushime dhe të fokusohesha në rikuperimin tim. Për fat të mirë, ngecja nuk zgjati shumë dhe unë munda të dal më i fortë nga kjo sfidë. Kjo përvojë më mësoi se sado e vështirë të jetë rruga, nuk duhet të dorëzohesh kurrë dhe se forca mendore është po aq e rëndësishme sa edhe aftësia fizike.

Albinfo.ch: Sa ka luajtur rol trashëgimia juaj e Gostivarit në ditët tuaja shkollore dhe sportive dhe si ka ndikuar ajo në karrierën tuaj?

Tairi: Origjina ime nga Gostivari nuk ka luajtur rol të drejtpërdrejtë gjatë kohës së shkollës dhe sportit dhe nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në karrierën time. Edhe pse Gostivari është një qytet me një kulturë të gjallë futbolli, pasioni im për sportin nuk u formësua vetëm nga trashëgimia ime e atjeshme. Ishin mbi të gjitha ambiciet e mia, pasioni për sportin dhe mbështetja e familjes dhe trajnerëve që e shtynë karrierën time përpara.

Unë jam krenar për origjinën time dhe e mbaj atë në zemër. Kultura dhe populli i Gostivarit më kanë dhënë vlera si përkushtimi, ambicia dhe respekti që më ndihmuan në rrugën time. Është e rëndësishme të vlerësoj rrënjët e mia dhe të admiroj diversitetin e futbollit.

 

Arnold Gjergjaj merr titullin

Arnold Gjergjaj me meçin e fundit ka bërë një rikthim të shkëlqyer në boks, duke regjistruar fitoren e 38-të të karrierës kundër Dominic Vial të shtunën. Ai arriti të mposhtë boksierin gjerman në raundin e dytë, duke siguruar kështu edhe titullin WBF Intercontinental në kategorinë e peshave të rënda.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur gjithmonë dhe të gjithë sponsorët e mi që më kanë shoqëruar në këtë rrugëtim”, ka shkruar pas fitores vetë boksieri.

Autor i fotografive Bekim Dalipi:

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

 

 

Viti i artë i Riola Xhemailit  

E lindur në Solothurn të Zvicrës, mesfushorja me rrënjë shqiptare ka pasur një rritje spektakulare në futbollin elitar qysh si adoleshente. Riola Xhemaili, edhe pse vetëm 19-vjeçare, tashmë ka shënuar rezultate të larta. Ajo është pjesë e njërës nga ligat më të mira në botë. E konsideruar si një nga premtimet e mëdha të Evropës, Xhemaili, futbollistja kryesore e Freiburgut në Bundesligë, njëherësh është pjesë e rëndësishme e kombëtares Zvicerane.

 

 

Riola Xhemaili ka kaluar një vit të pasur me ngjarje futbolli. Në një intervistë për albinfo.ch, ylli zviceran i futbollit ka treguar se viti 2022 ka qenë një vit i ngjeshur me shumë aktivitete sportive. “Një vit i suksesshëm për mua si 19-vjeçare, nuk ka qenë gjithçka e lehtë, ka pasur edhe faza kur jam përballur me vështirësi në arritjen e qëllimeve të mia”, thotë Riola Xhemaili.   

Dhe, në fakt, viti i 2022 është vit i artë i Riola Xhemailit, sukseset e furishme të saj në futbollin evropian, bënë që talenti i saj të vihet në pah jo vetëm në Zvicër, por edhe në Evropë. Çmimet që iu ndanë asaj gjatë vitit 2022, përfshirë këtu edhe Trofeun e Talentit të Gala Mbrëmjen për Gratë nga “Mundo Deportivo” nga duart e të nderuarës zonja Laura Vilagrà, Ministre e Presidencës së Generalitat de Catalunya, ishin vlerësim për punën dhe talentin e një ylli që po shndrit në futboll.   

“Titujt për mua janë një motiv shtesë për të arritur edhe me tepër në karrierë. Çmimi nga Albinfo.ch si personalitet i vitit në sport për mua është një motiv më shumë, për të arritur edhe më shumë suksese. Ky çmim do të më afrojë edhe më shumë me shqiptarët. Edhe pse nuk do ta përfaqësoj Kosovën, e di se shqiptarët do të jenë krenarë të më shohin si shqiptarja e vetme që do të debutojë për ekipin e kombëtares së Zvicrës”, thotë ylli i kombëtares zvicerane, Riola Xhemaili.  

Ka qenë edhe kontributi i saj i çmueshëm që ka bërë që Zvicra të kualifikohej në kampionatin Botërorin që do të mbahet më 2023 në Australi dhe Zelandë të Re. “Konsideroj se pjesëmarrja në kampionatin Botëror në vitin 2023, do të jetë një hap shumë i madh në karrierën time në futboll”, shprehet Riola për albinfo.ch.

Riola Xhemaili, më shumë se një talent   

Riola Xhemaili, talentja që premton shumë në futbollin evropian, me prejardhje nga Gjilani, karrierën e saj në sport e kishte nisur me sportin e rrjetës, volejbollin. Arsyeja e kalimit të saj ne futboll ka qenë dashuria e madhe për futbollin.  

“Futbollin e dua me zemër, jam rritur me futboll, në familjen time futbolli është pjesë që na ka shoqëruar që nga fëmijëria”, tregon për albinfo.ch Riola. “Shtytës kryesor për mua për të arritur suksese në futboll ka qenë babai im, ai ka qenë njeriu kryesor që me ka ndihmuar dhe frymëzuar për të ecur tutje drejt majave të futbollit. Jam shumë krenare me të arriturat e mia, me sukseset e mia kam bërë krenare të gjithë familjen, e në veçanti babin tim i cili dha gjithçka për suksesin tim në futboll” shprehet për albinfo.ch Riola.  

Ishte vetëm 11 vjeçare kur vendosi të i bashkëngjitej ekipit të vëllait të saj binjak, „FC Solothurn“. Futbollistja e talentuar tregon për albinfo.ch se në takimin e parë me klubin u kishte thënë se dëshiron te luajë futboll por që ende nuk e ka të qartë ofsajdin. “Dua të luaj futboll, por që rregullat dhe ofsajdin ende nuk i kam të qarta”, u kishte thënë drejtuesve të klubit Riola. 

Ngjyrat e klubit të qytetit ku ishte rritur i përfaqësoi për katër vjet, deri kur i erdhi një kërkesë që t`i bashkohej klubit të superligës, “FC Basel”. Ajo e kishte pranuar me kënaqësi ftesën, me idenë se do të jetë pjesë e ekipit të femrave. Por kërkesa nga drejtuesit e klubit ishte që Riola të ishte pjesë e ekipit të meshkujve në “FC Basel”.  

Nuk ishte e zakontë që një vajzë të ushtronte me djemtë, por për Riola Xhemailin ishte një mundësi për të kundërshtuar paragjykimet dhe për të treguar talentin e saj. Pas vetëm tri ndeshjesh ajo kishte arritur të merrte shiritin e kapitenit.  

“Jam e vetmja femër në historinë e klubit të Baselit që kam luajtur në ekipin e meshkujve”, tregon Riola.  

Puna dhe talenti i saj, sukseset e treguara në fushën e gjelbër, bënë që paragjykimeve t’u vinte fundi.  

Ajo u bën thirrje femrave që ta duan futbollin, dhe të luajnë qoftë në ekipin e meshkujve apo femrave. “Loja në ekipin me meshkujve do të ju bëjë më të fortë. Luani me djem dhe pastaj kaloni tek ekipi i vajzave dhe mos u ndalni me talentin”, shprehet ajo.  

Futbollistja e kombëtares zvicerane thotë se në futboll është e rëndësishme inteligjenca e jo forca. “Forca në fushë nuk është çdoherë kryesorja, nëse posedon inteligjencën e futbollit, atëherë do të arrish të jesh e rëndësishme në fushë”, thotë futbollistja.  

Jeta e saj dhe familja  

Riola rrjedh nga një familje futbollistësh, ngase babi dhe xhaxhai i saj kanë qenë futbollistë të karrierës. Riola është lindur dhe rritur në Solothurn të Zvicrës, së bashku me motrën më të madhe dhe vëllain binjak. Babi i Riolës ka të përfunduar Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, mami i saj është punëtore prodhimi e orëve zvicerane.  

Riola me profesion është bankiere, por aktualisht është e angazhuar vetëm si futbolliste profesioniste. Ajo mendon që pas përfundimit të karrierës në futboll, në të ardhmen të jetë trainere e futbollit. Ajo tregon se tashmë ka filluar me licencat e para të UEFA-së.  

Shtysë e madhe për t`iu përkushtuar futbollit, pa dyshim ishte vëllai i saj binjak, me të cilin ajo është e lidhur shumë. Që nga ekipi i qytetit ku u rritën “FC Solothurn”, kalimi në Basel bashkë me të, bënë që të dy të jenë për gjashtë vjet së bashku të lidhur edhe me futbollin. Kalimi i saj në ekipin e Freiburgut në Bundesligë, nuk ishte i lehtë për asnjërin. “Vëllai im më ka ndihmuar shumë për t’u ngritur profesionalisht”, tregon ajo. Ne kemi qenë në garë me njëri-tjetrin gjatë të gjitha ndeshjeve, kjo na ka ndihmuar të jemi edhe më të fortë në fushë. Ai edhe sot më ndjek në çdo ndeshje që unë zhvilloj, duke më sugjeruar se ku do të duhej të isha më e mirë. “Kjo më ndihmon shumë, ai është meritor që unë sot të kem këto rezultate që kam arritur, i jam mirënjohëse për ndihmën që unë të jem gjithnjë e më e përgatitur për ndeshjen e radhës”, thotë Riola. Ne jemi shumë të lidhur, flasim çdo ditë duke u konsultuar se si të veprojmë që të jemi edhe më në formë.  

Mirënjohëse ndaj Zvicrës, krenare që jam shqiptare

Kosova është edhe shteti im. Unë jam rritur në Zvicër, Zvicra më ka ofruar të gjitha mundësitë për shkollim dhe karrierë në futboll. I jam mirënjohëse shtetit zviceran. Jam krenare që do ta përfaqësoj Zvicrën, por në të njëjtën kohë, jam  shumë krenare që jam shqiptare. Nuk ndjehem ende e përgatitur për të biseduar për një kalim të mundshëm në reprezentacionin e Kosovës.

Një motiv më shumë…

Çmimi nga Albinfo.ch si personalitet i vitit në sport për mua është një motiv më shumë, për të arritur edhe më shumë suksese. Ky çmim do të më afroj edhe më shumë me shqiptarët. Edhe pse nuk do ta përfaqësoj Kosovën, e di se shqiptarët do të jenë krenarë të më shohin si shqiptarja e vetme që do të debutoj për ekipin e kombëtares së Zvicrës.  

Teksti & fotot: Armend Berisha

Shkëlzen Gashi, për dy ndeshje shënon tri gola në Zvicër

Shkëlzen Gashi është rikthyer në formën e tij më të mirë. Sulmuesi 33-vjeçar, i cili luan në ligën e dytë të Zvicrës, këtë sezon e ka nisur furishëm. Në 2 ndeshjet e fundit me skuadrën e Araut, shqiptari ka arritur të gjejë plot 3 herë rrugën e rrjetës.

Gashi kontribuoi me dopietë në sfidën e datës 21 gusht ndaj Lausane Ouchy, ndërkohë që shënoi sërish edhe në përballjen e ditës së djeshme ndaj Vaduz, ku skuadra e tij u mposht me rezultatin 1-3.

Në minutën e 45+1’, sulmuesi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke barazuar përkohësisht rezultatin. Vlen të theksohet se të skuadra e Vaduzit, shënoi edhe shqiptari i Kosovës, Rahimi.

Bekim Zogaj gjykoi afro 60 ndeshje futbolli në një vit pandemik

Tashmë dihet se Bekim Zogaj është një nga arbitrat shqiptarë më të dalluar në arenën ndërkombëtare, i cili ka arritur të gjykojë shumë ndeshje në gjithë Evropën, e veçmas në ligën e Zvicrës, shkruan albinfo.ch.

Realisht virusi korona goditi çdo fushë të mundshme të jetës, duke “paralizuar” edhe sportin në tërësi për disa muaj, në mënyrë të veçantë futbollin. Pati disa muaj që nuk ndodhi asnjë ndeshje shkaku i pandemisë, duke u dhënë një kah krejt tjetër projekteve që ishin paraparë më herët.

Pa dyshim se Bekim Zogaj është gjyqtari më i mirë shqiptar me pasaportë zvicerane, atij i është besuar drejtësia në afro 60 ndeshje këtë vit pandemik (2020), shkruan tutje albinfo.ch.

Për Zogajn ishte e vështirë të shikohet dhe gjykohet një ndeshje pa të brohoriturat e tifozve dhe pa gjallërinë që krijohet në stadium. Por, pavarësisht kësaj, ai ka qëndruar i freskët në gjykimin e tij, duke respektuar etikën e punës që sot e shquan si gjyqtarin shqiptar më të mirë.

Intervista e plotë:

Fillimsht, cili është komenti i juaj, “pandemia dhe futbolli”, si e vlerësoni vitin 2020?

Vërtet një fazë shumë e vërshtirë, jo vetëm për ne gjyqtarët, por edhe për futbollistët dhe gjithë futbolldashësit. Për të gjithë ishte më rëndësi, që të jemi fleksibël dhe të fresktë.

Natyrisht që ishte një fazë jo shumë e lehtë për futbollin profesional dhe atë amator.

 

Duke qenë se keni një përvojë mbi 20 vjet, prej se keni marrë licencën për të arbitruar, sa ishte për ju e vështirë?

Ishte një rrugë shumë e gjatë dhe me sakrifica të mëdha. Në vitin 1997 pata vendosur ta marr licencën e një arbitri. Së pari isha aribiter kryesor nëpër ligat rajonale dhe ato të larta në futbollin zviceran. Pas 14 viteve si arbiteri kryesor, vendosa që të marë rrugën e asistentit, pasi më thanë që si arbiter kryesor nuk kam potencial në atë kohë për ligat profesionale. Si refer asistent, depërtova shumë shpejtë në futbollin profesional. Nuk kam marrur vetëm nota pozitive, kishte dhe performanca jo të mira në teren. Por puna dhe durimi më sollën këtu ku jam tani.

Po ashtu, gjatë asaj kohe, pata edhe një përkrahje maksimale nga shoku im dhe arbitri numer 1 nga Zvicra, ai quhet Sandro Schärer, që më zgjodhi mua si asistent në ekipin e tij.

Sa ndeshje keni referuar gjatë viti 2020?

Afër 60 ndeshje, duke përfshirë edhe ndeshjet miqësore. 24 prej tyre ishin në Super Ligën zvicerane, pesë ndeshje tjera në “Challenge League” të Zvicrës, katër në “Kupën e Zvicrës”, diku dhjetë ndeshje në “Arenën Ndërkombëtare” dhe disa ndeshje miqësore.

A ishte e vështirë për ju referimi, pa tifozë, si e vlerësoni?

Patjetër që ishte i vështirë. Mungonin emocionet e ndeshjës, por, pavarësisht kësaj, ne duhej të ishim të fokusuar në lojërat që u zhvillonin, si gjithherë.

 

Së fundi keni referuar në nivelin e grupeve të Ligës së Kampionëve, çfarë përvoje ishte?

Ishte një ëndërr e madhe që u realizua. Ne ishim ekipi i parë nga Zvicra, pas vitit 2011 që kemi ndarë drejtësinë në një ndeshje në “Chmapions League”.

Duhet theksuar se secili aribter që referon dhe ëndërron të ketë një ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe ta dëgjon melodinë e ligës më të rëndësishme në futbollin botëror. Përvoja në Barcelonë ishte edhe pa tifozëri e shkëlqyeshme. Ne morëm kritika shumë të mira për atë ndeshje.

 

Cila është ndeshja më e “vështirë” që keni gjykuar ndonjëherë në karrierën tuaj?

Prej presionit ishte ndeshja në Kampionatin Grekë, Olympiacos Piräus – PAOK Saloniki, me një tifozëri të çmendur në mënyrë pozitive.

Po ashtu, kemi pasur edhe disa ndeshje me përgjithësi të madhe siç janë, Bosnja – Italia, Manchester Untd. – Alkmaar, apo Arsenal – Standard Liege dhe natryrisht patëm një ndeshje të vështirë në Zvicër, siç ishte finalja e kupës së Zvicrës, ndërmjet, Young Boys Bern – FC Basel. Ajo ndeshje ishte shumë e veçantë për mua.

 

Para pak ditëve është hedhur shorti i Botërorit, sipas jush, Zvicra a ka konkurencë në grupin e saj?

Natyrisht që ka konkurencë, sepse në futbollin e sotëm nuk ka ekipe te “vogla” kushtimisht. Por, besojë qe Italia dhe Zvicra do të garojnë për vendin e parë në atë grup.

 

Cili është komenti juaj për Kombëtaren e Kosovës në grupin e saj?

Për mua një ndër grupet më të vërshtira, por Kosova ka shumë djem të rinj, të talentuar dhe me potencial të madh.

 

Cili është synimi juaj në të ardhmen?

Synimi im për të ardhmen është që së pari të kemi shëndetin dhe si refer-asistent, të kemi ndeshje rregullisht në Ligën e Kampionëve dhe të marrë pjesë në ndonjë turne, siç janë, Kampionati Botëror në U-17, ose Kampionatin Evropian në U-21.

 

 

Mërgim Berisha asiston dy herë ndaj Liverpoolit

Ekipi i Salzubrgut e filloi ndeshjen shumë mirë duke shënuar dy gola (në minutën e 3-të dhe 13-të) nga sulmuesi 21 vjeçar, Patson Daka, raporton Albinfo Austria.

E në të dy golat për të asistoi sulmuesi kosovar, Mërgim Berisha.

Mirëpo gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë të lojës. Kampioni anglez arrit të ngushtoi epërsinë më anë të Rhian Brewster duke shënuar në minutat 72, 81 të lojës.

Më këtë barazim përfundoi edhe ndeshja miqësore që zhvillohej në Red Bull Arena në Salzburg.

Ndryshe, 22 vjeçari Berisha është ftuar nga Shpresat e Gjermanisë për dy ndeshjet e ardhshme që do t’i zhvilloj në muajin shtator.

Atleti Muhamet Ramadani fiton medalje të artë në Turqi

Atleti nga Kosova, Muhamet Ramadani, ka fituar medalje të artë në Kampionatin Ballkanik U18 që po mbahet në Stamboll, përcjell albinfo.ch.

Sipas Komitetit Olimpik itëKosovës, Ramadani e fitoi të artën në hedhjen e gjylës, në një distancë prej 19.31 metrash.

Pas fitores, Ramadani ka pozuar para kamerave me flamurin e Kosovës mbi supe.

Tashmë, Ramadani do ta përfaqësojë Kosovën edhe në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj, Baku 2019, përcjell albinfo.ch.

KOK ka përgëzuar Muhametin dhe iu ka uruar fat edhe garuesve të tjerë që po marrin pjesë në këtë garë.

Futbollisti shqiptar nënshkruan kontratën profesionale me Kaiserslautern

Një tjetër futbollist shqiptar po shkëlqen në Gjermani. Është ky futbollisti i talentuar, Valdrin Mustafa, shkruan albinfo.ch.

Mustafa ka njoftuar në “Facebook” se ka nënshkruar kontratën profesionale me Kaiserslautern dhe do të luajnë në Bundesliga 2.

Ai ka falënderuar klubin për besimin e dhënë, derisa ka shtuar se ka qenë një edicion i jashtëzakonshëm për të.

Mustafa është ftuar edhe në Kombëtaren Shqiptare U-21 dhe llogaritet një futbollist me të ardhme të madhe.

Zvicra fton edhe Florent Hadërgjonaj

Përfaqësuesja e Zvicrës do t’i ftojë shtatë futbollistë të rinj për dy ndeshjet e muajit qershor, shkruan ‘Blick’.

Në mesin e tyre është sulmuesi shqiptar, Albian Ajeti, por edhe Florent Hadërgjonaj, përcjell albinfo.ch.

Mbrojtësi i Ingolstadt ka marrë së fundmi një ftesë për miqësoren ndaj Bjellorusisë si dhe atë eliminatore kundër Ishujve Faroe.

Hadërgjonaj ishte i vëzhguar nga Shqipëria, derisa ishte në bisedime edhe me Përfaqësuesen e Kosovës, por ai ka zgjedhur Zvicrën.

Florenti këtë sezon luajti në Bundesliga, por nuk arriti të sigurojë mbijetesën me skuadrën gjermane.

Zvicra e dëshiron Albian Ajetin

Forma e jashtëzakonshme e Albian Ajetit nuk ka kaluar pa rënë në sy.

Sipas mediave zvicerane, kampioni Basel ka shfaqur interesimin për sulmuesin e St. Gallenit.

Por, nuk është vetëm Basel që e dëshiron Ajetin. Sipas ‘Blick’, Ajeti mund të ftohet nga Përfaqësuesja e Zvicrës për dy miqësoret kundër Bjellorusisë më 1 qershor dhe atë ndaj Ishujt Faroe më 10 qershor, përcjell albinfo.ch.

Më herët ai ishte në opsion për Kosovën dhe Shqipërinë, megjithatë duket se do të vendosë të luajë për Zvicrën. Albiani është vëllai i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti.

20-vjeçari ka shënuar dhjetë gola këtë sezon në 20 ndeshje.

Super gol nga Granit Xhaka kundër Manchester United

Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka ka realizuar një gol fantastik për Arsenal në derbin ndaj Manchester United, shkruan albinfo.ch.

Xhaka ka shënuar nga rreth 30 metra me një gjuajtje të fuqishme, duke kaluar skuadrën e tij në epërsi 1:0, derisa në fund fitoi 2:0, duke argëtuar tri pikë shumë të vlefshme për një vend në Ligën e Kampionëve.

Tashmë Xhaka është shndërruar në njërin nga lojtarët kyç të skuadrës së Arsenalit, që gjatë verës pagoi 45 milionë euro për mesfushorin shqiptar.

Xhaka me Baselin, sërish kampionë të Zvicrës

Baseli ka mundur Luzernin në udhëtim 2:1 dhe gjashtë javë pa përfunduar kampionati zviceran ka siguruar titullin, pasi ka 24 pikë më shumë se vendi I dytë Young Boys, shkruan albinfo.ch.

Ky ishte titulli i tetë radhazi për skuadrën e Baselit, ku pjesë e rëndësishme është edhe mesfushori shqiptar, Taulant Xhaka.

Në përgjithësi ky është titulli i 20-të për skuadrën e Baselit që po dominon në Zvicër pa problem.

Baseli pas 30 javësh ka grumbulluar 77 pikë, duke pasur 24 fitore, pesë barazime dhe një humbje.

Vitet kur Baseli fitoi titullin: 1952–53, 1966–67, 1968–69, 1969–70, 1971–72, 1972–73, 1976–77, 1979–80, 2001–02, 2003–04, 2004–05, 2007–08, 2009–10, 2010–11, 2011–12, 2012–13, 2013–14, 2014–15, 2015–16, 2016-17.

 

 

Tinejxheri shqiptar në mesin e mjeshtërve botërorë të bilardos

Tinejxheri shqiptar, Eklenti Kaci ka shokuar të gjithë duke fituar Kampionatin Masters të Aramith në Nju Jork, në sportin e bilardos.

Shqiptari vetëm 18-vjeçar në finale ka mundur filipinasin Carlo Biado me rezultatin e pastër 2:0 në sete, shkruan “bworldonline.com”.

Me këtë fitore, ai ka siguruar çekun prej 12 mijë dollarëve, por tashmë ndodhet edhe në mesin e mjeshtërve botëror të këtij sporti, përcjell albinfo.ch.

Kaci merr pjesë rregullisht në “Euro Tour”, kurse që tetë muaj ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke zhvilluar turne dhe duke fituar përvojë.

Në garën e fundit ai ka marrë shumë komente pozitive, dhe po vlerësohet si një talent me të ardhme të ndritur.

Bajrami, fitoren ua dedikon fëmijëve me autizëm

Boksieri shqiptar, Tefik Bajrami ditë më parë ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, duke u shpallur kampion i botës në versionin WBU.

Bajrami i cili jeton dhe vepron në Zvicër, nuk e ka harruar vendlindjen e tij, Podujevën dhe menjëherë pas triumfit ka vizituar këtë qytet. Madje, për të i është organizuar një pritje e veçantë në aeroportin e Prishtinës.

Për ta përkrahur atë, një numër i qytetarëve nga Podujeva të organizuar nga Iniciativa Vullnetare “RB” e kanë pritur Bajramin, teksa ai ka zbritur nga avioni i cili ka mbërritur nga Zvicra, shkruan “llapi.info”.

Bajrami është shprehur i befasuar me pritjen që i është bërë, derisa ishte i lumtur njëkohësisht me kulturën e treguar nga rinia dhe llapjanët në përgjithësi, përcjell albinfo.ch.

Reshat Blakqori, nga Iniciativa “RB” njëherësh edhe organizatori i kësaj pritje është shprehur se qëllimi i kësaj pritjeje ka qenë edhe sensibilizimi i qytetarëve të Kosovës për personat me autizëm. “E gjithë kjo pritje ngjashëm sikurse edhe fitorja e “Uraganit Shqiptar” u është dedikuar fëmijëve të prekur me autizëm”, deklaroi Blakqori.

Bodybuilderi nga Kosova i pari në garën Swiss Class të Zvicrës

  • Foto: Ana Lasa& SBFV

  • Foto: Ana Laska&SBFV

  • Foto: Facebook

  • Foto: Facebook

  • Foto: Facebook

  • Foto: B. Elezi

Kampioni i Kosovës në 2016, Flamur Grabovci, ka fituar të artën në kategorinë plus 80 kilogram në garat e bodybuildingut zviceran „Swiss Class“ të mbajtur në Estavayer.

Në këtë garë kanë marrë pjesë 40 atletë ne katër kategori. Përveç Grabovcit, vendin e parë e ka fituar edhe shqiptari tjetër Ibrahim Vranovci në kategorinë plus 90 kilogram.

Foto: Ana Laska&SBFV

Flamuri ka thënë për albinfo.ch se çelësi i suksesit është puna e tij prej 14 vjetësh stërvitje aktive.

„Bodybuilding kërkon shumë durim e kohë për t’i formuar muskujt në nivelin maksimal. Vitin e kaluar jam shpall kampion i Kosovës, sivjet me 2017 i Zvicrës kurse më 3 maj e kam garën evropiane dhe jam në formë shumë të mirë e kam besim se do ia dalë me sukses“, shprehet Grabovci.

Për formën e tij të mirë ai thotë ta ketë arritur vetëm falë mbështetjes së bashkatdhetarëve të tij që jetojnë në Zvicër, me ndihmën e të cilëve ka nënshkruar kontratë me dy kompani zvicerane të fitnesit.

 

„Ka qenë një garë madhështore e hapur për të gjithë atletët profesionsitë nga mbarë Evropa. Gara është zhvilluar në një vend shumë të respektuar me rregulla strikte dhe juri profesionale“ ka thënë Grabovci.

Foto: Ana Laska& SBFV

Pas pranimit të federatës së Kosovës në federatat ndërkombëtare të Bodybuildingut IFBB, garuesi kosovar po e përfaqëson me sukses vendin e tij në garat ndërkombëtare, por përveç Kosovës, ai shprehet i gatshëm të garoj edhe nën petkun e flamurit zviceran.

Foto: Facebook

„Unë i jam shumë mirënjohës shtetit zviceran. Jam rritë duke e parë gjithmonë këtë shtet mik në mbështetje të Kosovës dhe nëse garat e bodybuildingut nuk i bijnë me një datë kur kosova është në konkurrencë, kisha sakrifiku gjithçka për këtë popull mikpritës duke i përfaqësuar me shumë dëshirë ngjyrat e Zvicrës“, thotë Flamur Grabovci i mbushur me emocione nga mikpritja zvicrane.

„Vetëm për Zvicrën e kisha bërë, për asnjë shtet tjetër“, plotëson ai.

 

 

 

 

 

‘Uragani’ shqiptar, kampion i botës

Boksieri shqiptar, Tefik Bajrami, i njohur ndryshe edhe si ‘Uragani’ shqiptar ka fituar duelin ndaj argjentinasit, Diego Javier Sanabria, shkruan albinfo.ch.

Ky meç ishte i vlefshëm për titullin e botës në versionin WBU (World Boxing Union).

Meçi është zhvilluar në Kriens-Luzern, ku boksieri shqiptar ka pasur përkrahjen edhe të shqiptarëve. Ai ka qenë më i mirë se kundërshtari, i cili në fund është dashur të pajtohet me humbjen.

Për Bajramin, ky ishte një duel me rëndësi në karrierën e tij, duke dëshmuar se ende është në formë dhe i gatshëm për betejat e radhës.

https://web.facebook.com/tefik.bajrami/videos/10207902345028924/

Rrustemi, kampion i botës

Boksieri shqiptar, Erzen Rrsutemi është shpallur kampion i botës në versionin WBF, shkruan albinfo.ch.

Rrustemi ka triumfuar në Aarhus të Danimarkës, ku ka pasur mbështetje të madhe nga shqiptarët ndaj argjentinasit, Ricardo Ramirez, duke e nokautuar në raundin e dytë.

Rrustemi ishte përgatitur një kohë të gjatë për këtë meç shumë të rëndësishëm në karrierën e tij dhe ka dominuar ndaj kundërshtarit.

Boksieri nga Zhegra e Gjilanit, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, dëshmoi edhe një herë fuqinë e tij, derisa pritet që edhe në të ardhmen të vazhdojë me fitore.

Futbollisti i ri gjilanas me golat e tij zgjon interesimin e klubeve të njohura gjermane

  • Foto- transfermarkt.ch

  • i dyti nga e majta

Mendim Behluli luan aktualisht në klubin SC Condor, në Hamburg, për ekipin e të rinjëve U19 në ligën regjionale të Gjermanisë.

Futbollisti i ri me prejardhje nga Gjilani, ka lindur dhe është rritur në Gjermani. Ai është 17 vjeçar dhe është lojtari me më përspektivë i klubit në grupmoshat e të rinjëve U19 në ligën regjionale të Hamburgut në Gjermani. Talenti 17 vjeçar që shpreh haptas dëshirën e tij për ta veshur fanelën e përfaqësueses së Kosovës, ka shënuar këtë javë golin e vetëm në ndeshjen e parë kampionale që kanë pësuar 2 me 1 ndaj të rinjëve të skuadrës Bremen.

„Dëshira ime ka qenë gjithnjë të luaj për kosovën“, thotë Mendimi për albinfo.ch, mëgjithëse siç bën të ditur ai, përfaqësuesja e Kosovës nuk e ka kontaktuar deri më tash.

Qendërsulmuesi Mendim Behluli iu ka bashkuar ekipit të ri SC Condor verën e kaluar si 16 vjeçar dhe brenda një sezoni ka shënuar 18 gola duke u futur kështu në treshën e parë të golashënuesve më të mirë të ligës regjionale të juniorëve të Bremenit.

Me lojën e tij të fuqishme në sulm, Mendimi ka zgjuar vëmendjen e shumë agjentëve të futbollit, të cilët i kanë ofruar oferta për të kaluar tek juniorët e ekipeve në Bundesligë, por edhe në ligën italiane, tregon babai i tij, Behluli.

„Mirëpo tani ne do të presim, se kemi ndërruar njëherë vendbanim për shkak të futbollit, duke u vendosur në qytetin Hamburg tek ekipi i ri i Mendimit, në SC Condor“, thotë i ati i tij.

Në këtë klub Mendimi ka kontratë njëvjeçare, deri në verë të 2017 dhe qysh tani shihet si një talent i ri i futbollit që do të shkëlqej së shpejti.

„Ne nuk duam të vendosim shpejt, jemi në kontakt me skuadrat që kanë shpreh interesim. Momentalisht po punojmë që Mendimi të marrë përvojen e duhur në SC Condor dhe më vonë nëse ka oferta konkrete, natyrisht se do i shqyrtojmë dhe do të zgjedhim klubin apo ekipin më të mirë për të“, shprehet babai i tij.

Trajneri i tij ka thënë për Mendimin se është një lojtar i fort me gjuajtje të fuqishme, i cili donë të arrijë në majat e futbollit profesionist. Ai luan me zemër dhe nuk kursen asgjë përballë kundërshtarit.

Klubet që kanë shprehur interesim për të janë: Fsv Frankfurt, SC Paderborn edhe FC Ingolstadt Bundesliga. Atij ndërsa do ti pëlqente të luajë edhe për Paderbornin.

„Mua do më pëlqente tä luaja edhe për Paderbornin, sepse më ka pelqyer gjithmonë kjo skuadër“, thotë Mendim Behluli për albinfo.ch.