Privilegj apo sfidë? Një brez mes rrënjëve dhe horizonteve të reja

Në zemër të diasporës shqiptare në Zvicër po rritet një brez i ri që jeton mes dy botëve, dy kulturave dhe dy identiteteve. Të lindur ose të rritur në një shoqëri të zhvilluar dhe shumëkulturore, këta të rinj shqiptarë kanë arritur të ndërtojnë karriera të suksesshme në fusha të ndryshme, duke u integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane, por pa u shkëputur nga rrënjët e tyre.

Përmes 12 rrëfimeve personale, kjo temë sjell një pyetje thelbësore: a është të jesh shqiptar dhe zviceran një sfidë që duhet balancuar, apo një privilegj që krijon mundësi të reja, perspektiva më të gjera dhe një identitet më të pasur?

Pa dyshim, kush është rritur si fëmijë i prindërve mërgimtarë e njeh mirë ndjesinë e të jetuarit “mes dy botëve”. Në njërën anë janë vlerat, gjuha dhe traditat që përcjell familja, ndërsa në anën tjetër është shoqëria ku rritesh dhe arsimohesh, aty ku gradualisht formohet edhe identiteti. Pikërisht në këtë bashkëjetesë përvojash formësohet një brez i ri, me një identitet të dyfishtë që ndërthur natyrshëm përkatësinë shqiptare me kulturën dhe normat e vendit ku jeton.

Në Zvicër, kjo përvojë shfaqet qartë te gjenerata e dytë e diasporës shqiptare. Të rinj të shumtë, të lindur ose të rritur në këtë vend, kanë arritur të integrohen me sukses në sistemin arsimor dhe profesional zviceran, duke u afirmuar në fusha të ndryshme si shkenca, mjekësia, ekonomia, arti dhe kultura. Ata dëshmojnë se integrimi nuk është thjesht përshtatje, por edhe aftësi për të ndërtuar një rrugë të re pa mohuar origjinën.

Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë apo e shtruar. Prindërit, të rritur në trojet shqiptare, zakonisht përpiqen të ruajnë gjuhën, traditat dhe mënyrën e jetesës që kanë sjellë nga vendlindja, ndërsa gjenerata e dytë kërkon të ndërtojë pavarësinë e saj në një realitet tjetër. Në tema si përkatësia, ruajtja e gjuhës, identiteti, integrimi, ndarja mes kulturës së shtëpisë dhe realitetit shoqëror, si dhe me pritshmëritë e dyfishta që u vendosen, kjo përvojë shpesh shndërrohet në tension dhe sfidë në vete, por njëkohësisht edhe në një në avantazh, një mundësi për të jetuar me dy horizonte dhe për ta kthyer këtë dyzim në forcë.

Në këtë kontekst lind shpesh pyetja: A është privilegj apo sfidë të jetosh mes dy kulturave?

Përmes shumë intervistave me të rinj shqiptarë të suksesshëm që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, kjo temë përpiqet të sjellë pikërisht këtë perspektivë: si e përjetojnë ata identitetin e tyre mes dy kulturave dhe çfarë roli luan kjo përvojë në formimin e tyre personal dhe profesional.

 

Identiteti mes dy kulturave: të jesh shqiptar dhe njëkohësisht zviceran

Për shumë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, veçanërisht për brezin e dytë të diasporës, identiteti nuk përjetohet si një zgjedhje mes dy përkatësive, por si një proces i vazhdueshëm ndërthurjeje mes dy kulturave. Përvoja e tyre dëshmon se të qenit shqiptar dhe njëkohësisht pjesë e shoqërisë zvicerane nuk përbën një kundërthënie, por një realitet kompleks dhe shpeshherë pasurues. Në rrëfimet e të intervistuarve për revistën Albinfo.ch, identiteti i dyfishtë shfaqet si një hapësirë ku bashkëjetojnë disiplina dhe emocioni, tradita dhe moderniteti, rrënjët dhe perspektiva globale.

 

 

Kjo përvojë bëhet veçanërisht e dukshme në rrugëtimet profesionale të brezit të ri të diasporës.

Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” dhe sot pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich”, përfaqëson një shembull të qartë të kësaj ndërthurjeje kulturore. Për të, identiteti shqiptar nuk ka qenë kurrë diçka që duhej ruajtur me vetëdije, ai ka qenë gjithmonë pjesë organike e personalitetit të saj. Lidhja me komunitetin shqiptar dhe mënyra se si ajo ndërton marrëdhënie njerëzore i kanë dhënë një dimension tjetër profesionit të saj, aftësinë për të krijuar besim dhe bashkëpunim brenda ekipeve shumëkulturore, siç shprehet ajo: “Kombinimi i të dyjave më ka dhënë një balancë midis rigorozitetit analitik dhe inteligjencës emocionale”.

Edhe për Arbron Gashin, shkrimtar dhe autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, i cili njëkohësisht punon si “web designer” në Zvicër, jeta mes dy kulturave për të përfaqëson një sfidë të vazhdueshme balancimi. Ai thekson se dallimet mes dy mentaliteteve janë të dukshme, nga njëra anë struktura, rregulli dhe orientimi individual i shoqërisë zvicerane, ndërsa nga ana tjetër ngrohtësia, lidhja familjare dhe emocionaliteti që karakterizon kulturën shqiptare. Për të, sfida nuk qëndron në zgjedhjen e njërës kulturë ndaj tjetrës, por në aftësinë për të përthithur disiplinën dhe organizimin e njërës, duke ruajtur njëkohësisht dimensionin njerëzor dhe emocional të tjetrës.

Një perspektivë e ngjashme vjen edhe nga Vildane Rexhepi, menaxhere e prokurimit në sektorin e IT-së në bankën UBS. Sipas saj, për brezin e dytë të shqiptarëve në Zvicër integrimi shpesh fillon herët, përmes shkollës, rrethit shoqëror dhe përfshirjes në jetën profesionale. Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë, pasi komuniteti shqiptar mbetet i madh dhe shpesh krijon një hapësirë të vetën sociale. Për të, çelësi qëndron në vetëdijen për vlerat e origjinës dhe në aftësinë për t’i përfaqësuar ato me krenari, duke ndërtuar një personalitet që përçon më të mirën nga të dyja kulturat.

Ndërkohë, në profesionin e mjekësisë, ku përgjegjësia ndaj njerëzve është e jashtëzakonshme, identiteti i dyfishtë merr një dimension edhe më të thellë. Dr. Kaltrina Zahiti, mjeke oftalmologe në Zvicër, e përjeton këtë identitet si një pasuri të dyfishtë. Ajo thekson se kultura shqiptare i ka dhënë ndjeshmëri dhe empati ndaj pacientëve, ndërsa shoqëria zvicerane e ka formuar me disiplinë, korrektësi dhe përgjegjësi profesionale. Për këtë arsye, ajo e përshkruan identitetin e saj si “një pasuri të dyfishtë”, ku dimensioni njerëzor dhe ai profesional plotësojnë natyrshëm njëri-tjetrin.

Në fakt identiteti mes dy kulturave shprehet edhe përmes artit. Për piktoren Vanesa Lika, e lindur në Gjenevë nga prindër shqiptarë, rrënjët kulturore janë një nga burimet kryesore të frymëzimit artistik. Në veprat e saj, arti shndërrohet në një hapësirë reflektimi ku ndërthuren kujtesa, tradita dhe kërkimi personal shpirtëror. Siç thekson vetë ajo, përmes veprave të saj përpiqet të krijojë “një dialog mes së kaluarës dhe së tashmes”, duke e shndërruar identitetin në një proces krijues dhe të vazhdueshëm kërkimi. Për Likën, të jetosh mes dy kulturave nuk është një ndarje identitare, por një proces krijimi, një mundësi për të parë botën nga dy perspektiva dhe për të ndërtuar një identitet më të lirë dhe më autentik.

Edhe në muzikë, përkatësia kulturore shpesh shndërrohet në burim shprehjeje dhe lidhjeje me rrënjët. Këngëtari shqiptar Elion Krasniqi (LMN) e sheh artin, sidomos muzikën, si një nga mënyrat më të fuqishme për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. Përmes muzikës, sipas tij, krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë emocionale me gjuhën, traditat dhe trashëgiminë shpirtërore, duke bërë që identiteti të mos mbetet vetëm një koncept kulturor, por një përjetim i gjallë dhe i vazhdueshëm.

Nga ana tjetër, për disa prej të intervistuarve, jeta mes dy kulturave përjetohet kryesisht si një përvojë pasuruese. Modelja Cendrine Berisha, e cila ka përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” e sheh këtë ndërthurje kulturore si një pasuri personale që ka ndikuar në formimin e saj si individ.

Një perspektivë interesante mbi këtë realitet ofrojnë edhe dy mjekët e rinj shqiptarë, Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi, të diplomuar në “University of Basel” dhe tashmë në rrugën e studimeve doktorale. Për ta, të jetosh dhe të studiosh mes dy kulturave ka qenë një element thelbësor formues. Morgan Hetemi e sheh përkatësinë në diasporën shqiptare si një mundësi për të përfituar nga më të mirat e të dyja botëve, nga njëra anë vlerat familjare, respekti dhe ndjenja e bashkësisë që burojnë nga kultura shqiptare, dhe nga ana tjetër standardet e larta profesionale dhe akademike të shoqërisë zvicerane. Ndërsa për Thesar Abdullahun, kontrasti mes dy botëve e ka ndihmuar në zhvillimin e një perspektive më të hapur dhe fleksibile ndaj diversitetit.

Në tërësi, përvojat e këtyre të rinjve tregojnë se identiteti i shqiptarëve në Zvicër nuk është një realitet statik, por një proces dinamik ndërtimi, një identitet “hibrid” kulturor, që nuk ndahet mes dy botëve, por ndërtohet nga bashkimi i tyre. Mes disiplinës zvicerane dhe ndjeshmërisë shqiptare, mes traditës dhe modernitetit, brezi i ri i diasporës po krijon një identitet të ri, një identitet që nuk e mohon origjinën, por e shndërron atë në një burim force për të ndërtuar rrugëtimin e vet në një shoqëri gjithnjë e më shumë globale.

 

Suksesi i gjeneratës së dytë në arsim dhe integrim

Pas trajtimit të identitetit dhe mënyrës se si ai ndërtohet mes kulturës shqiptare dhe asaj zvicerane, vlen të theksohet se një pjesë e madhe e të intervistuarve nuk dallohen vetëm për përjetimin kulturor, por edhe për arritjet e tyre profesionale dhe akademike. Shumica prej tyre, të përmendur më herët, bartin tituj të avancuar akademikë, përfshirë edhe nivele doktorature, dhe janë të integruar në mënyrë të suksesshme në tregun profesional të Zvicrës.

 

 

Megjithatë, në këtë kapitull fokusi zhvendoset edhe më tej drejt një grupi të ri profilesh, të cilët përfaqësojnë fusha të ndryshme si mjekësia, ekonomia, menaxhimi, arti dhe moda. Këto histori dëshmojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por gjithnjë e më shumë e suksesshme në fusha të ndryshme profesionale, duke ndërtuar karriera të qëndrueshme dhe të dukshme në shtetin zviceran.

Një nga këto raste është Lavdrim Xhemaili, artist shumëdimensional shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër, i angazhuar në kërcim, aktrim dhe muzikë. Ai përfaqëson një profil artistik të kompletuar, i cili ka arritur të depërtojë në skenën zvicerane pa e humbur lidhjen me identitetin e tij kulturor. Rrugëtimin e tij ai e përshkruan si një proces natyral përshtatjeje, duke theksuar me një dozë ironie se “Zvicra është shtëpia ime, edhe pse jo gjithmonë e kam ndier ashtu”, duke reflektuar kështu raportin kompleks mes përkatësisë dhe përvojës personale në Zvicër.

Në aspektin profesional, ai thekson se depërtimi në tregun artistik zviceran nuk ka qenë domosdoshmërisht i vështirë për shkak të mungesës së mundësive, por më shumë për shkak të perceptimeve ekzistuese mbi diversitetin. Sipas tij, shpesh paragjykimet vizuale dhe kulturore ndikojnë në mënyrën se si interpretohet një artist në skenë, duke krijuar sfida të padukshme për individët me prejardhje të ndryshme.

Një rol të veçantë në këtë dimension të arsimit dhe integrimit profesional e zë edhe Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” në Lugano, e cila sot është gjithashtu post-doktorante dhe pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich” në Departamentin e Shkencave Kompjuterike dhe “ETH AI Center”. Paralelisht me angazhimin akademik, ajo vepron edhe si “Data Scientist” në IKEA në Bazel, duke lidhur kështu kërkimin shkencor me aplikimin praktik në industri.

Ajo thekson se sistemi arsimor zviceran ka ndikuar thellësisht në mënyrën e saj të të menduarit dhe të punuarit, duke e orientuar drejt cilësisë, precizitetit dhe rigorozitetit shkencor. Sipas saj, në fushën e inteligjencës artificiale “nuk mjafton që një model të funksionojë, ai duhet të jetë i dokumentuar, i justifikuar dhe i riprodhueshëm”, qasje kjo që e ka bërë pjesë të pandashme të punës së saj të përditshme.

Një tjetër profil i rëndësishëm është Vildane Rexhepi, e angazhuar në sektorin e IT-së në bankën UBS, me formim akademik në transformimin digjital nga “ZHAW Zurich University of Applied Sciences”. Ajo e përshkruan edukimin zviceran si vendimtar në formimin e saj profesional, duke theksuar rëndësinë e saktësisë, efikasitetit dhe menaxhimit të prioriteteve në punën e përditshme.

Mes profileve të suksesshme që dëshmojnë integrimin profesional në Zvicër është edhe Dr. Kaltrina Zahiti. Si mjeke e specializuar për sëmundjet e syrit, ajo ka themeluar dy ordinanca oftalmologjike në Biberist dhe Emmen, të cilat ofrojnë shërbime moderne dhe kujdes cilësor për pacientët.

Ndërsa fushën e ekonomisë dhe biznesit, një histori veçanërisht e dallueshme është ajo e Fjolla Gashit, e cila ka ndërtuar një rrugëtim të shumëfishtë akademik dhe profesional në Zvicër. Ajo ka përfunduar studime në infermieri dhe ekonomi e biznes, duke arritur deri në nivelin Master në “University of Basel”, ndërsa sot punon si menaxhere klientësh në kompaninë “BDO AG”. Rrugëtimi i saj akademik karakterizohet nga një intensitet i lartë dhe një disiplinë e jashtëzakonshme, duke dëshmuar njëkohësisht aftësinë për të kombinuar studimet me integrimin profesional në një sistem të kërkuar si ai zviceran.

Po ashtu edhe në botën e modës, Cendrine Berisha, modele shqiptare nga Zvicra, përfaqëson një tjetër dimension të këtij integrimi. Ajo ka ndërtuar karrierën e saj në skenën ndërkombëtare të modës, duke përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” në Napoli dhe duke bashkëpunuar me agjenci dhe revista në vende të ndryshme. Për të, përfaqësimi i Zvicrës në një skenë ndërkombëtare, duke ruajtur njëkohësisht edhe rrënjët shqiptare, përbën një përvojë të veçantë dhe të rëndësishme në aspketin e integrimit në shoqërinë zvicerane.

 

Ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare

Në jetën e përditshme të shqiptarëve në Zvicër, gjuha dhe kultura shqiptare mbeten një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit. Në rrëfimet e tyre, ruajtja e shqipes nuk paraqitet vetëm si një çështje tradite, por si një përpjekje e vetëdijshme për të mbajtur gjallë lidhjen me rrënjët, historinë familjare dhe përkatësinë kulturore. Kjo përpjekje shpesh fillon brenda familjes, por forcohet edhe përmes institucioneve arsimore dhe aktiviteteve kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Një rol të veçantë në këtë proces luajnë shkollat plotësuese të gjuhës shqipe. Një nga figurat që i ka kushtuar vite të tëra këtij misioni është mësuesja Ida Jashari, e cila prej afro dy dekadash u mëson gjuhën shqipe fëmijëve të diasporës në Ostermundigen të Bernës. Në klasat e saj, ku shpesh mësojnë edhe fëmijë të gjeneratës së tretë, gjuha nuk trajtohet vetëm si mësim gramatike, por si pjesë e identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë. “Shkolla shqipe është zemra që mban gjallë identitetin tonë larg atdheut,” shprehet ajo, duke theksuar se aty fëmijët mësojnë jo vetëm të flasin shqip, por edhe të ndjejnë lidhjen me rrënjët e tyre.

Sipas saj, ruajtja e gjuhës në diasporë është një proces që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes familjes dhe shkollës. Ajo vëren se brezi i ri nuk e ka humbur shqipen, por ka nevojë për më shumë mbështetje për ta kultivuar atë. “Brenda tyre ekziston dëshira për ta ruajtur gjuhën, ne vetëm duhet ta ushqejmë me dashuri dhe përkushtim,” thekson Jashari. Për këtë arsye, ajo e konsideron bashkëpunimin mes prindërve dhe mësuesve si një faktor vendimtar, kur këto dy shtylla ecin së bashku, gjuha dhe kultura bëhen më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. Në fund të fundit, siç thotë ajo me shumë ndjenjë, të edukosh fëmijët shqiptarë në mërgatë do të thotë “të mbash gjallë një copë atdheu në zemrat e tyre”.

Ruajtja e gjuhës shfaqet edhe në përvojat e profesionistëve të rinj shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Për shembull, mjekët e rinj të diplomuar në Bazel, Morgan Hetemi dhe Thesar Abdullahu, tregojnë se lidhja me gjuhën dhe kulturën shqiptare i ka shoqëruar edhe gjatë rrugëtimit të tyre akademik. Ata u njohën që në semestrin e parë të studimeve dhe zbuluan se ndanin jo vetëm të njëjtin profesion, por edhe të njëjtën prejardhje nga Ferizaj. Kjo afërsi krijoi një ndjenjë të veçantë bashkëpunimi dhe përkatësie. “Ka qenë gjithmonë një ndjenjë e bukur të dish se ke dikë me të cilin ndan të njëjtin rrugëtim,” kujton Thesari, duke nënvizuar se kjo lidhje i ka ndihmuar të ruajnë më lehtë edhe kontaktin me gjuhen dhe kulturën shqiptare brenda një mjedisi akademik zviceran.

Edhe në botën e letërsisë, gjuha shqipe mbetet një mjet i rëndësishëm për të ruajtur lidhjen me origjinën. Shkrimtari Arbron Gashi, autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, tregon se të jetosh në Zvicër shpesh të shtyn të përdorësh më shumë gjuhë të tjera në përditshmëri, por zgjedhja për të shkruar në shqip është një vendim i vetëdijshëm. “Kam dashur që njerëzit e mi në Kosovë dhe në Zvicër të mund të lexojnë atë që kam për të thënë,” shprehet ai, duke theksuar se ruajtja e gjuhës në nivel të mirë kërkon praktikë dhe vetëdije të vazhdueshme.

 

Keystone SDA
Keystone

 

Në mënyrë të ngjashme, edhe profesionistë të tjerë shqiptarë në Zvicër e shohin gjuhën si një lidhje të drejtpërdrejtë me identitetin e tyre. Menaxherja në sektorin e IT-së bankare, Vildane Rexhepi, thekson se familja ka qenë faktori kryesor në ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare, ndërsa lidhja e vazhdueshme me Kosovën dhe Shqipërinë e ka ndihmuar që kjo përkatësi të mbetet e gjallë. Edhe mjekja e syve, Kaltrina Zahiti tregon se, ndonëse në përditshmërinë profesionale përdor kryesisht gjuhët zvicerane, në jetën private shqipja mbetet thelbësore. “Përmes gjuhës kam një lidhje të drejtpërdrejtë me rrënjët e mia, me traditat dhe me një mënyrë të menduari që është pjesë e rëndësishme e identitetit tim,” shprehet ajo.

Në fushën e artit dhe muzikës, kjo lidhje merr një dimension tjetër. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) nga Gjeneva ka zgjedhur të këndojë kryesisht në gjuhën shqipe, duke e parë atë si një pjesë të pandashme të identitetit të tij artistik. Ai tregon se ndikimi i familjes ka qenë vendimtar në këtë drejtim, pasi është rritur në një mjedis ku gjuha dhe muzika shqiptare ishin gjithmonë të pranishme. “Kam vendosur të këndoj në shqip sepse kjo është pjesë e pandashme e identitetit tim,” thotë ai, duke shtuar se publiku shqiptar e përjeton këtë me shumë emocion, ndërsa edhe publiku ndërkombëtar e vlerëson autenticitetin e artistëve që ruajnë rrënjët e tyre.

Në të gjitha këto rrëfime, gjuha shqipe shfaqet jo vetëm si një element komunikimi, por si një urë që lidh brezat dhe kulturat. Për shqiptarët në Zvicër, ajo mbetet një mënyrë për të ruajtur kujtesën kolektive, për të kultivuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të mbajtur gjallë një pjesë të atdheut, edhe larg tyre.

 

“Një shqiptari e re”, gjenerata moderne e diasporës

Gjenerata e dytë e diasporës po formon një mënyrë të re të të qenit shqiptar, më të artikuluar, më të vetëdijshme dhe të lidhur njëkohësisht me rrënjët dhe me realitetin global. Në rrëfimet e të intervistuarve kjo “shqiptari e re” nuk shihet si shkëputje nga tradita, por si një vazhdimësi që merr forma të reja në kontekstin e jetës në Zvicër.

Për studiuesen dhe shkencëtaren e të dhënave Shkurta Gashi, kjo dukuri nuk përfaqëson krijimin e një identiteti krejtësisht të ri, por zgjerimin e atij ekzistues. Sipas saj, brezi i dytë është rezultat i një evolucioni që ndërthur vlerat e trashëguara nga familja me standardet që ofron sistemi arsimor zviceran. Ajo e vendos këtë zhvillim edhe në kontekst historik, duke e lidhur me valët e migrimit të viteve ’70 dhe ’90, kur shumë shqiptarë u përballën me sfida të mëdha integrimi. Pikërisht mbi përvojën dhe sakrificat e atij brezi është ndërtuar stabiliteti dhe mundësia e zhvillimit për brezin e dytë. Në këtë kuptim, sipas saj, kontrasti mes tradicionales dhe modernes është shpesh artificial, sepse në realitet po ndodh një sintezë mes tyre. “Brezi i dytë nuk po krijon një ‘shqiptari të re’, po e zgjeron atë,” shprehet ajo, duke theksuar se identiteti sot ndërtohet duke mbajtur fort rrënjët dhe duke përfshirë përvojën ndërkombëtare. Në një përkufizim të shkurtër, ajo e përmbledh këtë përvojë me fjalët: “Të kesh dy perspektiva dhe të dish t’i shndërrosh të dyja në vlerë.”

Edhe shkrimtari Arbron Gashi sheh në këtë brez një zhvillim të natyrshëm drejt një identiteti më të hapur dhe më modern. Sipas tij, mundësitë më të mëdha për arsim dhe zhvillim kanë krijuar një gjeneratë më të vetëdijshme për potencialin e saj. Megjithatë, ai thekson se kjo rrugë kërkon edhe një përpjekje të vazhdueshme për të mos humbur lidhjen me rrënjët. “Po, mendoj që brezi i dytë po formon një lloj ‘shqiptari të ri’, më të hapur dhe më modern,” thotë ai, duke shtuar se ruajtja e gjuhës dhe kulturës është thelbësore për të mbajtur gjallë këtë identitet. Në një fjali të vetme, ai e përkufizon këtë përvojë si “të jetosh mes dy botëve dhe të marrësh më të mirën nga të dyja”.

Edhe në fushën e mjekësisë, përvoja e Kaltrina Zahitit e përforcon këtë ide. Sipas saj, brezi i dytë i shqiptarëve në Zvicër po ndërton gradualisht një identitet më të integruar, ku gjuha, traditat dhe lidhja me origjinën mbeten pjesë e rëndësishme e vetëdijes kulturore, ndërsa integrimi në shoqërinë zvicerane vazhdon të thellohet.

Një perspektivë të ngjashme sjell edhe profesionistja në sektorin bankar Vildane Rexhepi, e cila vëren se brezi i dytë karakterizohet nga orientimi drejt qëllimeve dhe nga këmbëngulja për të përballuar sfidat. Sipas saj, ky brez po dëshmon çdo ditë se integrimi dhe suksesi profesional mund të ecin paralelisht me ruajtjen e identitetit kulturor. Prania e shqiptarëve në fusha të ndryshme, nga mjekësia dhe infermieria deri te ekonomia dhe drejtësia, krijon një urë të natyrshme mes dy kulturave, duke reflektuar atë që ajo e përshkruan si “bukurinë e identitetit shqiptar me atribute zvicerane”.

Në art dhe kulturë, ky identitet shfaqet përmes mënyrës se si artistët e rinj përfaqësojnë rrënjët e tyre në një skenë ndërkombëtare. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) e përshkruan këtë përvojë në mënyrë të thjeshtë dhe domethënëse: “Të jesh shqiptar në Zvicër do të thotë të jetosh mes dy botëve, duke ruajtur origjinën dhe duke u integruar me dinjitet.” Një mesazh të ngjashëm përcjell edhe modelja Cendrine Berisha, e cila e sheh gjeneratën e re si një brez që arrin të balancojë traditën me modernitetin. “Është një brez që di të balancojë traditën me modernitetin, me shumë vetëdije dhe ambicie,” thotë ajo, ndërsa për veten e saj të jesh shqiptare në Zvicër do të thotë “të jesh krenare për rrënjët dhe e vendosur për të ardhmen”.

Në të gjitha këto perspektiva, gjenerata e re e diasporës shqiptare shfaqet si një brez që nuk e sheh identitetin si një kufi mes dy kulturave, por si një hapësirë ku ato bashkëjetojnë dhe pasurojnë njëra-tjetrën. Kjo “shqiptari e re” nuk e zëvendëson traditën, por e zgjeron atë, duke e bërë identitetin shqiptar më të hapur, më të sigurt dhe më të pranishëm në një botë gjithnjë e më globale.

Në katër nënkapitujt e këtij artikulli u shpalosën disa nga dimensionet më të rëndësishme të këtij realiteti, siç janë identiteti mes dy kulturave, roli i arsimit dhe integrimit profesional, ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe formimi i një gjenerate të re të diasporës. Së bashku, këto rrëfime krijojnë një mozaik përvojash që tregojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por edhe shumë e suksesshme në fusha të ndryshme, nga shkenca dhe mjekësia, te arti, ekonomia dhe kultura.

Një element që shfaqet vazhdimisht në këto histori është roli i familjes dhe i gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit. Për shumë prej tyre, gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një lidhje e drejtpërdrejtë me rrënjët, kujtesën dhe kulturën e prejardhjes. Në të njëjtën kohë, arsimi dhe përvoja profesionale në Zvicër kanë ndihmuar në formimin e një brezi të ri të profesionistëve të përgatitur, të disiplinuar dhe të hapur ndaj botës.

Kjo gjeneratë, në shumë mënyra, përfaqëson një urë të padukshme mes dy kulturave. Ajo lëviz natyrshëm mes traditave shqiptare dhe standardeve të shoqërisë zvicerane, duke marrë më të mirën nga të dyja. Përmes këtij ndërthurje, identiteti shqiptar në diasporë nuk mbetet i ngrirë në kohë, por evoluon, duke u pasuruar me përvoja të reja dhe duke fituar një dimension më të gjerë.

Në fund, historitë e këtyre të rinjve dëshmojnë se diaspora shqiptare në Zvicër nuk është vetëm një histori migrimi, por edhe një histori zhvillimi, integrimi dhe suksesi. Ajo tregon se si rrënjët mund të mbeten të forta edhe larg vendit të origjinës dhe se si një identitet i dyfishtë, larg të qenit një pengesë, mund të shndërrohet në një forcë që hap horizonte të reja për individin dhe për komunitetin si një pasuri dhe privilegj.

 

Anda Skeja doktoron pa master, EPFL: “Bëhet fjalë për një talent të jashtëzakonshëm”

Në moshën 17-vjeçare Anda Skeja zgjidhte probleme matematikore në nivel universitar dhe në moshën 27-vjeçare ka doktoruar në EPFL. Rruga e kosovares deri në këtë shkallë ishte mjaft jokonvencionale. Dhe kjo rrugë e kurorëzuar me sukses ka bërë që mediat zvicerane t`i kushtojnë asaj një artikull, shkruan albinfo.ch

Anda Skeja e dinte qysh herët se donte të bëhej matematikane – e frymëzuar nga babai i saj, i cili në fëmijëri i jepte enigma matematikore për të zgjidhur

Në moshën 17-vjeçare, ajo tashmë po zgjidhte probleme matematike të nivelit universitar dhe më vonë u diplomua duke qenë më e mira e klasës së saj në Stamboll, duke marrë edhe një diplomë të dytë në ekonomi, shkruan 20minuten.ch.

Pa kaluar fare shkallën master, ajo aplikoi menjëherë për një program doktorature në EPFL në Lozanë – dhe u pranua me një bursë.

albinfo.ch ka zhvilluar muaj më parë një intervistë me Anda Skejën, ku ajo ka shpalosur rrëfimin e saj impresionues jetësor: Anda Skeja, e vetmja shqiptare në programin e doktoratës për Matematikë në EPFL

“Gjithmonë e kam ditur se kam dashur të bëhem shkencëtare”, thotë Anda Skeja (27 vjeçe). Dhe jo çfarëdo shkencëtare: e reja kosovare donte të hulumtonte në botën e matematikës. “Babai im, një profesor universiteti, më jepte enigma matematikore si fëmijë – më pëlqente shumë”.

Në moshën 17-vjeçare, ajo kalonte kohën e saj të lirë duke zgjidhur probleme matematikore të nivelit universitar. Dhjetë vjet më vonë, kjo ëndërr e saj është bërë realitet: me një doktoraturë nga Instituti Federal Zviceran i Teknologjisë në Lozanë (EPFL), Skeja konsiderohet një talent i jashtëzakonshëm.

Më e mira e vitit në Bachelor

Në vitin 2011, kosovarja mori pjesë për herë të parë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës. Skeja ishte në shkollën e mesme në atë kohë dhe tashmë kishte punuar intensivisht në problemet sfiduese të matematikës, përfshirë ato nga Olimpiada. Por për të nuk bëhej fjalë për të marrë pjesë: “Në atë kohë nuk kishte kurse përgatitore për të në vendlindjen time”, thotë ajo. Anda ishte gjithashtu tashmë në mes të përgatitjes për provimet pranuese në universitet – qëllimi i saj asokohe, aktual.

Skeja kreu diplomën bachelor në matematikë në “Istanbul Teknik Üniversitesi” në Turqi duke dalë e para e klasës së saj dhe në të njëjtën kohë fitoi një diplomë të dyfishtë për ekonomi. Edhe më parë, e kishte të qartë se dëshironte të ndiqte një karrierë akademike, prandaj vendosi të anashkalonte masterin. “Nuk pashë asnjë arsye për të vonuar përfshirjen time në kërkime të vërteta matematikore.”, transmeton albinfo.ch.

EPFL në Lozanë ra menjëherë në sy si një institucion udhëheqës global në këtë fushë. “Nuk isha e sigurt nëse do të funksiononte, por vërtet doja të provoja.” Më në fund, ajo vendosi gjithçka në një kartë: “Kam aplikuar vetëm në EPFL”. Dhe rreziku u shpërblye: ajo jo vetëm që u pranua, por mori edhe “Bursën e Ekselencës së Qeverisë Zvicerane”. “Për mua, kjo nuk nënkuptonte vetëm mbështetje financiare, por edhe mundësinë për t’u lidhur me bursistët e tjerë.”

EPFL: “Studentë veçanërisht të talentuar mund të pranohen drejtpërdrejt në programin e doktoraturës”

Të pyetur nga gazeta në EPFL konfirmojnë se, në raste të jashtëzakonshme, studentë veçanërisht të talentuar mund të pranohen drejtpërdrejt në programin e doktoraturës. Kusht paraprak është një diplomë bachelor katër ose pesë vjeçare dhe gatishmëria për të përmbushur kriteret shtesë në vitin e parë.

Skeja tani punon si studiuese postdoktorale në Universitetin Uppsala në Suedi, ku fokusi i saj kryesor është në kërkime shkencore. Por ajo aktualisht është kthyer në EPFL për dy muaj si pjesë e një qëndrimi kërkimor. “Unë e dua Zvicrën – dhe burri im gjithashtu jeton këtu. Ai aktualisht është duke përfunduar trajnimin e tij të specializuar në Inselspital, në Bernë.”

Kjo është një arsye tjetër pse ajo do të donte të vendosej përgjithmonë në Zvicër, por në botën akademike shpeshherë është e vështirë të parashikohen mundësitë, përcjell albinfo.ch. “Për mua, gjëja më e rëndësishme është të përfshihem në kërkime të rëndësishme – dhe të bëj më shumë femra të interesuara për matematikën.”

Kjo është arsyeja pse ajo është e përfshirë në mënyrë aktive si mentore për studentët në ish universitetin e saj. Ende ka një stigmë të lidhur me matematikën se ajo është shumë abstrakte dhe shumë e vështirë. Përkundrazi, “matematika është e bukur dhe një mjet i fuqishëm për të kuptuar më mirë botën”, thotë ajo.

Lexoni po ashtu:

Anda Skeja, e vetmja shqiptare në programin e doktoratës për Matematikë në EPFL

 

Finlandë, shkencëtarja e parë shqiptare e Gjeologjisë

Miradije Rama, edhe pse është femra e parë shqiptare gjeologe, që punon dhe vepron në Finlandë, shpreson të mos jetë e vetmja shqiptare në këtë profesion, pasi që ajo dëshiron të shohë sa më shumë femra (gra dhe vajza) shqiptare shkencëtare në drejtime të ndryshme, përcjell albinfo.ch.

Në krye të Shërbimit Gjeologjik në qytetin Turku të Finlandës, (Geologian Tutkimuskeskus GTK- www.gtk.fi), Miradije Rama, nga Kosova, udhëheq institucionin kryesor hulumtues, ku bëjnë pjesë ekspertët kryesorë në zbatimin e gjeo-shkencave në Evropë.

Ky rreth i partneritetit, sipas saj, përfshin institucione kërkimore, kompani dhe universitete brenda Finlandës, por edhe globalisht.

Megjithatë, ajo ka një porosi për të rinjtë që synojnë botën e shkencës, ku sipas saj, vetëm me dituri shqiptarët mund t’i arrijnë kulmet e shoqërive bashkëkohore dhe të zhvilluara, transmeton telegraf.

“I bëj thirrje rinisë në Kosovë, që të shkollohen në shkencat matematike- natyrore, në profesione të ndryshme dhe të luftojnë për pozita të ndryshme. Po ashtu, i inkurajoj të rinjtë që të kërkojnë mënyra dhe metoda të reja dhe të krijoni biznese inovative të reja. Kosova ka minerale të shumta e të vlefshme, prandaj kërkoni mundësi që të shkolloheni në drejtimet e gjeo-shkencave, mësoni si t’i menaxhoni e t’i përdorni gjithë ato resurse për veten tuaj”, tha ajo. /Albinfo.ch

Lum Rrahmani, djali kosovar me inteligjencë superiore

Quhet Lum Rrahmani, është vetëm gjashtëvjeçar, njohuritë dhe inteligjenca që posedon kalojnë normalen, duke bërë kështu djalin e vogël me inteligjencë superiore, transmeton albinfo.ch.

Duket se fillimi i këtij viti ishte i mbarë dhe me shumë suksese për Lumin, ai arriti që të zërë vendin e parë në garën ndërkombëtare të organizuar nga Brainobrain të mbajtur virtualisht në Dubai.

Lumi është nga ata fëmijët që nuk flet shumë kur ti i bën pyetje, madje edhe për fitoren e tij ai mjaftohet duke u përgjigjur, ‘po jam ndier shumë i lumtur’, e më pas vazhdon duke të thënë se ka qenë i bindur që do të fitonte.

Matematika nuk është gjëja e vetme që i pëlqen Lumit, ai interesohet edhe për planetet, madje i pëlqen edhe të shikojë e të luajë futboll. Nëna e tij tregon se Lumi qysh i vogël çdo herë i ka interesuar të dijë më shumë për planetet, lojtarët që luajnë në fushat sportive, madje edhe për të mësuar më tepër për qytetet ku ata vijnë. /kultplus

Anita Nebi Hiseni, e sapo diplomuar inxhiniere e kimisë

Tanimë është bërë traditë që në çdo përvjetor të themelimit të shtetit shqiptar dhe Ditës së Flamurit  nga Komuniteti Shqiptar i Gjenevës,të nderohen me mirënjohje të diplomuarit shqiptarë të Fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Gjenevës.

Momente gëzimi me këta të rinj e të reja që kanë marrë titullin MASTER  apo DOKTOR SHKENCE, ka ndarë Ambasadori Fuqiplotë i Shqipërisë në Bernë të Zvicrës z.Ilir Gjoni.

Ai duke përgëzuar secilin veç e veç për suksesin e arritur ka thënë vetëm në këtë mënyrë i bëjmë shërbim vetvetes,vendit të origjinës dhe Zvicrës,e cila në ditët më të vështira na mirëpriti dhe ofroi mundësinë për studim dhe jetë të dinjitetshme.

Me rezultatet e saj të arritura ra në sy Anita Nebi Hiseni,me origjinë nga Medvegja e Kosovës Lindore.

Ajo të dyja nivelet e studimeve si atë Bachelor (Gjenevë) dhe atë Master (Lausanne) i ka përfunduar me notë maksimale.

Suksesi i kësaj të reje duhet të inkurajoi dhe gëzoi të gjithë,kur dihet se EPFL i Lozanës,në të cilin ajo u diplomua radhitet në listën e Universiteteve më prestigjioze të botës.

Anita me gradën Inxhiniere e Kimisë punën e saj hulumtuese dhe shkencore e ka kurorëzuar me inkuadrim në punë në gjigantin me famë botërore”Firmenich”të Gjenevës,që së shpejti feston edhe 124 vjetorin e themelimit të tij.

Nga numri i gjithëmbarshëm  i të diplomuarve njëzet  veta ishin femra e vetëm dy meshkuj.

Të porsa diplomuarit njëzëshëm kanë falënderuar organizatorin për vlerësimin e punës së tyre.

Shkencëtarja shqiptare që ka luhatur teorinë e “Big Bang-ut”

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Përballë saj janë një numër i konsiderueshëm të interesuarish, kryesisht studentë që e dëgjojnë me vëmendje. Laura Mersini-Houghton ligjëron me kompetencë, me gjallëri e me elokuencë duke bërë përpjekje që edhe çështjet kaq të ndërlikuara të astrofizikës, kozmologjisë që merren me universin, kohën e krijimit të tij etj. t`i bëjë sa më të kapshme për publikun. Ndërsa ky publik, edhe pse ka ardhur në amfiteatrin e Universitetit Teknik të Cyrihut ETH, sigurisht nuk është i specializuar në fushën ku shkencëtarja e njohur shqiptare është tashmë autoritet në nivel planetar.

Shumica e të pranishmëve kanë ardhur nga kureshtja që të shohin një bashkatdhetare që ka bërë emër në një lëmë pothuaj të pashkelur nga shqiptarët, në kozmologji dhe astrofizikë. Ajo është në Cyrih, e ftuar nga Shoqata e Studentëve shqiptarë të Cyrihut dhe portali dialogplus. Prezantimin e saj e bën hulumtuesi shkencor në universitetin ETH, Toni Shiroka, i cili ka bërë edhe moderimin.

Në ligjëratën e saj, zonja Mersini, që është profesoreshë në universitetin Universitetin e Karolinës së Veriut, në SHBA ka shtjelluar probleme lidhur me teoritë aktuale për krijimin e universit. Në këtë kontekst ajo ka mbrojtur teorinë e saj që vë në pikëpyetje teorinë e “Big Bangut”. Sepse, dr. Mersini pyet: çfarë ka pasur para kësaj dhe këtë e shtjellon në Teorinë e saj të “Multiversit” që domethënë se ka më shumë se një univers. Sipas saj, teoria e Big Bang-ut është e pamjaftueshme për të shpjeguar krijimin e universit. Dhe, kjo teori e kozmologes shqiptare, ka pasur një aprovim nga qarqe shkencore të avancuara në botë.

Albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë të shkurtë me Laura Mersinin.

albinfo.ch: Keni ardhur në Zvicër për të ligjëruar para studentëve rreth teorisë suaj për krijimin e universit. Ju punoni në një universitet amerikan, por a keni ndonjë bashkëpunim edhe me universitete apo institute tjera zvicerane?

Dr. Laura Mersini: Në fakt unë punoj në Universitetin e Karolinës së Veriut dhe bashkëpunoj me shumë universitete e institute gjithandej nëpër botë. Por në Zvicër deri më tash nuk kam pasur rast të kem ndonjë bashkëpunim dhe në përgjithësi, është hera e parë që vij në këtë vend, ku sonte e mbajta ligjëratën. Dhe nesër në mëngjes kthehem në Amerikë.

albinfo.ch: Ju në teorinë tuaj e vini në dyshim teorinë e “big bang-ut”. Si e shpjegoni këtë me pak fjalë?

Dr. Laura Mersini: Pikërisht me atë që e thash edhe në ligjëratë e që konsiston në atë se çfarë kishte përpara kësaj, para se të bëhej “big Bang-u”. Dhe përveç meje janë edhe teoritë e dy ose tre shkencëtarëve të tjerë të cilët e vënë në dyshim “Big Bang-un” dhe mundohen të japin përgjigje të tjera lidhur me krijimin e universit.

albinfo.ch: Ballafaqimi me paskajësinë e universit (ose universeve) me errësirën që e mbështjell këtë hapësirë dhe me mungesën e përgjigjeve se si u bë “hapi i parë”, a ju sjell pranë “zgjidhjeve” që u jep religjioni këtyre çështjeve?

Dr. Laura Mersini: Një nga mënyrat për ta hequr problemin e “hapit të parë” është universi që studiohet me metoda shkencore dhe që këtu bëhet ndarja nga religjioni. Dmth as mohohet as pohohet por shkenca është një tjetër nivel, tjetër rrafsh, ajo ka objekt studimi ligjet e natyrës. Dhe në këto studime ka saktësi, proceset janë absolutisht të matshme. Kjo vlen edhe për pohimin se multiversi është krijuar para 14.7 bilionë vitesh, që u përmend gjatë ligjëratës.

albinfo.ch: Është folur në mediat shqiptare lidhur me nominimin  tuaj për çmimin Nobel për fizikë. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj?

Dr. Laura Mersini: Sipas rregullit, nominimet për çmimin Nobel nuk dihen asnjëherë para se të jepet çmimi. Prandaj edhe në rastin tim nuk mund të them asgjë pasi që nuk e di nëse jam nominuar ose jo. Por dihet që nga anët tona kanë dëshirë të mburren me diçka para se të ndodhë. Kjo ka ngjarë mbase edhe në rastin tim, pra janë spekulime mediale.

albinfo.ch: Ju studimet bazë i keni mbaruar në Shqipëri, në Universitetin e Tiranës. A është ky fakt një shtysë, një motivim shtesë për studentët shqiptarë që të synojnë më shumë, të kenë ambicie shkencore?

Dr. Laura Mersini: Sigurisht që po. Me zell dhe punë është e mundur të arrihet shumë, edhe me studime të mbaruara në Shqipëri. Unë kam mbaruar studimet pesëvjeçare të Fizikës në Tiranë, që është një kurs paksa më i përzgjedhur. Ideja e fizikës pesëvjeçare është që të punohet në mënyrë më intensive por jo që kam pasur ndonjë trajtim të veçantë. Pastaj shkallët tjera të studimit e të specializimit përfshirë edhe gjithë avancimin tim shkencor, i kam mbaruar jashtë vendit, në SHBA.

Nyrtani nga Elbasani, drejtor i Universitetit Popullor të Potsdamit

 

Drejtori i ri Universitetit Popullor të Potsdamit vjen nga Shqipëria. Ndër detyrat kryesore të institucionit që drejton ai është integrimi i refugjatëve, ka thënë Myrtan Xhyra me të marrë detyrën, shkruajnë mediet gjermane të regjionit.

Xhyrën, i cili është historian i doktoruar, e ka zgjedhur në këtë post një komision profesional, nga 36 persona sa kanë konkurruar gjithsej.

Nyrtan Xhyra është 40 vjeçar, i lindur në Elbasan dhe i martuar me një mësuese të pianos, e lindur në Japoni, transmeton albinfo.ch. Të dy janë prindër të trenjakëve 2 vjeç e gjysmë.

Në Shqipëri ai kishte studiuar drejtimin histori-gjeografi për mësues të këtyre lëndëve. Në vitin 1997, ka ardhur në Gjermani. Në Universitetin Ludwig-Maxmilian të Munihut, Xhyra ka doktoruar në historinë e Evropës juglindore dhe lindore, përcjell albinfo.ch. Në një kurs të gjermanishtes në Munih ai është njohur me bashkëshorten e sotme.

Drejtori i ri i Universitetit Popullor të Potsdamit, para se të merrte këtë post ka punuar fillimisht në një Universitet Popullor në Munih e pastaj si drejtues profesional në VHS Heide në Schleswig-Holstein. Nga viti 2011 Xhyra ka shtetësinë gjermane.

«Gëzohem që e kemi fituar zotëri Xhyrën si person profesionist, me kompetencë në fushën e arsimimit të të rriturve», është shprehur përgjegjësja për kulturë Iris Jana Magdoweski, transmeton albinfo.ch. «Veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me ndërmjetësimin kulturor dhe të mësuarit interkulturor, ai sjell me vete njohuri të jashtëzakonshme profesionale, të cilat i plotëson me përvojat e tij personale».

Ndërsa Xhyra shprehet i kënaqur me postin që ka marrë dhe njëherësh i vetëdishëm për detyrimet që i ka ngarkuar vetes. Ai tërhq vërejtjen megjithatë që prezantimi i tij të mos kufizohet vetëm në përkatësinë e tij si i huaj. Drejtori i ri thekson se, fundja, ai nuk është në këtë detyrë vetëm për refugjatët por për të gjithë ata që ndjekin arsimimin për të rritur.

Një shqiptar zgjidhet shkencëtari më i mirë i ri në botë

Shqiptarët janë kudo dhe po ashtu edhe sukseset e tyre në botë po shihen çdo ditë. Një sukses të madh e ka arritur edhe shkencëtari Edor Kabashi. Ai ka marrë çmimin “ENCALS Young Investigators Award” apo Çmimi ENCALS për Hulumtuesit e Rinj për vitin 2015.

38-vjeçari nga Durrësi u nderua si shkencëtari më i mirë i grupmoshës nën 40 vjeç falë punës shkencore të tij në fushën e gjenetikës, në specializimin e ngushtë të sëmundjes së ALS-së -Skleroza Amiotrofike Laterale.

Ky çmim iu nda në Dublin nga Amar Al Chalabi, një nga neurologët më të mirë në botë.

“Çmimi ENCALS për Hulumtuesit e Rinj ka për qëllim identifikimin e shkencëtarëve më të aftë dhe më të zgjuar dhe jepet për kërkime në çështje të pazgjidhura në lidhje me sëmundjen ALS”, shkruhet ndër të tjera në motivimin e çmimit për dr. Kabashin.

Por, kush është Edor Kabashi?

Ai vjen nga Shqipëria, shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Durrës, ndërsa ishte viti 1995 kur së bashku me familjen e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan shqiperia.com.

Që do të arrijë sukses u pa shumë herët.

Ai mori çmimin e Presidentit Bill Clinton si një nga studentët më të mirë të Amerikës.

Studioi për biologji dhe psikologji në Mount Saint Mary’s College në Emmitsburg, Maryland, SHBA.
Më vonë studimet i vazhdoi në Francë e më pas në Montreal në Kanadë ku diplomoi në biologji në vitin 2000. Në këtë vend Edori në vitin 2006 mori gradën doktor në neurologji dhe neurokirurgji.

Në vitet 2008 dhe 2011 fitoi çmimin “Brain Star” nga Instituti i Kërkimeve në Fushën e Shëndetit Mendor, në Kanadë.
Prej vitit 2011, ai drejton grupin kërkimor në departamentin e sëmundjeve neuro-degjenerative, në Institutin e Neuro-shkencës në Paris, Francë.

E për sukseset e tij në fushën e shkencës duket që do të dëgjojmë edhe më vonë.

Shkencëtarja shqiptare që “u jep shpirt” robotëve

Kur ka qenë e vogël, në lojërat fëmijërore me motrën, Shqipja gjithnjë ka zgjedhur të luajë rolin e inxhinieres, profesion ky të cilin e ushtronin babai dhe xhaxhai i saj, dikur moti, në Pejë.

“Ishin vitet 1991- 1992, kur si shumicën e Intelektualëve edhe prindërit e mi i larguan nga puna dhe i përndoqën. Kështu, ata u detyruan të largoheshin nga Kosova, dhe të vendoseshin këtu, në Gjermani. Ne atë kohë, unë me motrën time binjake, Vlorën, ishim 6 vjeçe, ndërsa vëllai Valoni, 3 vjeç”, nis rrëfimin e saj për albinfo.ch, Shqipe Lushta-Jakupi, inxhinierja e sotme e mekatronikës, eksperte e robotëve dhe asistente në Shkollën e Lartë Teknike në Friedberg të Gjermanisë.

Siç po shihet, “profecia” e saj nga lojërat e  fëmijërisë sot mund të quhet e realizuar.

“Këtu, në Gjermani, Gießen, së bashku me motrën time Vlorën, kryem shkollën fillore dhe gjimnazin. Këtu pastaj na ndahen rrugët me motrën binjake, pasi që ajo zgjedh të studiojë fizikën mjekësore ndërsa unë makinerinë. Pas diplomimit unë filloj të punoj si bashkëpunëtore profesionale (asistente) në Technische Hochschule Mittelhessen në Friedberg, ndërsa motra ime Vlora si inxhiniere e Fizikës në rrezatimin e Kancerit, punon në Klinikën e Wetzlarit.

Por si u bë që Shqipja të zgjidhte një profesion që, sipas klisheve të njohura merret më shumë si “profesion meshkujsh”?

“Po, veç ëndrrës nga fëmijëria, mund të them se “fajtor” tjetër për këtë përcaktim ka qenë matematika. Kjo ishte lënda që më pëlqente më së shumti gjatë shkollimit të mesëm, dhe, kjo lëndë ka aplikim mjaft të madh në makineri”, thotë Shqipja.

Pastaj ajo na e sqaron, me gjuhë të kuptueshme edhe për ne, laikët, se mekatronika është një shkencë ndërlidhëse në mes të makinerisë, elektronikës dhe Informatikës, dhe që më shkurt mund të përkufizohet si makineria moderne.

Më tutje Shqipe Lushta-Jakupi përpiqet të na e sqarojë se çfarë bën ajo konkretisht në Shkollën e Lartë Teknike THM Fiedberg.

“Në laboratorin e robotikës, sensorëve dhe aktorëve, unë mbaj ushtrimet në mekatronikë. Kjo nënkupton punë në realizimin dhe programimin e pjesëve të robotit (mikrokontrolli), programimin e programit LabView dhe programimin simulues të mekanizmave (Adams). Mbaj po ashtu edhe ushtrimet me studentë në lëndën e mekanikës dhe jam udhëheqëse e laboratorit për prova dinamike të materialeve”.

Më tutje ajo hyn në thelbin e asaj që ne na intereson më shumë dhe që në fakt është specializim i saj, në konstruktimin e robotëve.

“Duhet thënë se në THM Fiedberg, përveç njohurisë teorike, studentët kanë mundësi të marrin edhe dijeni praktike në konstruktimin e robotëve: Realizimin e mekanizmave të ndryshme, realizimin e pllakave elektronike dhe programimin e mikrokontrolleve që nënkupton llogaritjen dhe planifikimin kinematik të mekanizmave të caktuar. Mikrokontrolli (truri i robotit) është pjesa që ka funksionin kryesor te robotët, me të programohen të gjitha lëvizjet lineare dhe rrotullimet e motorëve, si dhe bëhet programimi i të gjitha sinjaleve periferike”, vazhdon Shqipja.

“Studentët te ne kanë mundësi të njihen me projekte të ndryshme të realizuara siç është modeli i helikopterit me 4 motor (Quatrokopter), roboti 4 këmbësh, pastaj me programimin e robotit industrial etj. po ashtu, kemi marrëveshje me disa shkolla të mesme që në çdo fillim të vitit shkollor t`u mbajmë kurse të shkurta mbi robotikën. Kjo është edhe një mënyrë që të bëjmë një reklamë për të “rekrutuar” studentët e ardhshëm dhe njëkohësisht edhe një informim të nxënësve lidhur me robotikën. Informimi është i thjeshtësuar, për nivelin e nxënësve”.

Po sa larg është Kosova, ku janë shqiptarët në përgjithësi në fushën e robotëve dhe, nëse janë diku, a ka Shqipja ndonjë kontakt me zhvillimet eventuale atje?

Çuditërisht, ajo u përgjigjet pozitivisht të dy pyetjeve. Dhe me këtë na bën të kuptojmë se as Kosova nuk është krejtësisht jashtë orbitës së zhvillimit të robotikës.

“Me hapjen e degës së mekatronikës në Universitetin e Prishtinës, kam pasur një vizitë të shkurtë në laboratorin e prof. dr. Agron Pajazitit si dhe një kontakt të shkurtë me prof.dr. Arbnor Pajazitin. Ky i fundit është ekspert i robotikës dhe autor i librit „Bazat e robotikës“, njëherësh profesor në këtë fakultet. Me atë rast u informova lidhur me projektin e tyre mjaft interesant të robotit për zbulimin e mjeteve eksplozive (minave), na shpjegon tutje Shqipja.

“Pas bisedës me profesorin tim, prof. dr. Brillowski mund të them se ne si shkollë e lartë e specializuar jemi të gatshëm të pranojmë studentë që mund të vijnë për  të bërë përgatitjen e temës së diplomës në laboratorët tanë. Kur po them studentë, kuptohet që mendoj si për studentët e Prishtinës po ashtu edhe për studentët e Tiranës dhe ata të Universitetit të Tetovës”, shprehet inxhinierja, mbase e vetme shqiptare e robotikës, Shqipe Lushta-Jakupi.

30.01.2013

Shkencëtarja shqiptare, prorektore në Universitetin e Darmstadt-it

Mira Mezini është emër i njohur në fushën e teknologjisë infomatike në Gjermani. Një vit më parë ajo ka fituar si femra e parë çmimin ERC, më të lartin që ndahet në Evropë pë arritje shkencore.
Mezini, e lindur dhe shkolluar në Shqipëri, ka bërë specializime të shumta dhe qëndrime studimi, në SHBA dhe në Gjermani. Këtu ajo punon si profesoreshë e rregullt në Universitetin Teknik të Darmstadtit. Së fundi ajo është zgjedhur  vicepresidente (prorektore) e këtij universiteti. Këtë detyrë Prof. Mezini e ka filluar nga 1 janari 2014.

Në sektorin e saj bëjnë pjesë transferi i teknologjisë dhe i dijes si dhe angazhimi për “Alumni” (absolventët e universitetit). Mandati i saj zgjat tri vite. Ajo, së bashku me presidentin dhe kancelarin dhe dy vicepresidentë tjerë është pjesë e presidiumit të Universitetit Teknik të Darmstadtit.
Në një prezantim të bërë në faqen e universitetit në fjalë, Mira Mezini shpalos planet e saj për mandatin e sapofilluar. “Planifikoj forcimin e përpjekjeve për rezultate të avancuara në fushën e hulumtimit dhe të inovacionit, ku ekziston një potencial i madh i pashfrytëzuar”.
Ajo ka shtuar se në mesin e objektivave të saj bën pjesë edhe intensifikimi i partneritetit të Universitetit Teknik me ekonominë dhe me shkencën dhe afrimi më i madh me organizata tjera hulumtuese jashtuniversitare..Menaxhimi i patenteve dhe komercializimi i të arriturave në fushë të softuerit janë pikat tjera ku Mezini e sheh veten të angazhuar gjatë tri viteve në vijim.
Mira Mezini, profesoreshë e Informatikës në Universitetin e Darmstadtit, Gjermani, ka fituar në vitin 2012 çmimin ERC Advanced Grant me shumën prej 2.3 milionë euro që e ndan Këshilli për Promovim të Hulumtimeve Shkencore (European Research Council – ERC).