Privilegj apo sfidë? Një brez mes rrënjëve dhe horizonteve të reja

Në zemër të diasporës shqiptare në Zvicër po rritet një brez i ri që jeton mes dy botëve, dy kulturave dhe dy identiteteve. Të lindur ose të rritur në një shoqëri të zhvilluar dhe shumëkulturore, këta të rinj shqiptarë kanë arritur të ndërtojnë karriera të suksesshme në fusha të ndryshme, duke u integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane, por pa u shkëputur nga rrënjët e tyre.

Përmes 12 rrëfimeve personale, kjo temë sjell një pyetje thelbësore: a është të jesh shqiptar dhe zviceran një sfidë që duhet balancuar, apo një privilegj që krijon mundësi të reja, perspektiva më të gjera dhe një identitet më të pasur?

Pa dyshim, kush është rritur si fëmijë i prindërve mërgimtarë e njeh mirë ndjesinë e të jetuarit “mes dy botëve”. Në njërën anë janë vlerat, gjuha dhe traditat që përcjell familja, ndërsa në anën tjetër është shoqëria ku rritesh dhe arsimohesh, aty ku gradualisht formohet edhe identiteti. Pikërisht në këtë bashkëjetesë përvojash formësohet një brez i ri, me një identitet të dyfishtë që ndërthur natyrshëm përkatësinë shqiptare me kulturën dhe normat e vendit ku jeton.

Në Zvicër, kjo përvojë shfaqet qartë te gjenerata e dytë e diasporës shqiptare. Të rinj të shumtë, të lindur ose të rritur në këtë vend, kanë arritur të integrohen me sukses në sistemin arsimor dhe profesional zviceran, duke u afirmuar në fusha të ndryshme si shkenca, mjekësia, ekonomia, arti dhe kultura. Ata dëshmojnë se integrimi nuk është thjesht përshtatje, por edhe aftësi për të ndërtuar një rrugë të re pa mohuar origjinën.

Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë apo e shtruar. Prindërit, të rritur në trojet shqiptare, zakonisht përpiqen të ruajnë gjuhën, traditat dhe mënyrën e jetesës që kanë sjellë nga vendlindja, ndërsa gjenerata e dytë kërkon të ndërtojë pavarësinë e saj në një realitet tjetër. Në tema si përkatësia, ruajtja e gjuhës, identiteti, integrimi, ndarja mes kulturës së shtëpisë dhe realitetit shoqëror, si dhe me pritshmëritë e dyfishta që u vendosen, kjo përvojë shpesh shndërrohet në tension dhe sfidë në vete, por njëkohësisht edhe në një në avantazh, një mundësi për të jetuar me dy horizonte dhe për ta kthyer këtë dyzim në forcë.

Në këtë kontekst lind shpesh pyetja: A është privilegj apo sfidë të jetosh mes dy kulturave?

Përmes shumë intervistave me të rinj shqiptarë të suksesshëm që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, kjo temë përpiqet të sjellë pikërisht këtë perspektivë: si e përjetojnë ata identitetin e tyre mes dy kulturave dhe çfarë roli luan kjo përvojë në formimin e tyre personal dhe profesional.

 

Identiteti mes dy kulturave: të jesh shqiptar dhe njëkohësisht zviceran

Për shumë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, veçanërisht për brezin e dytë të diasporës, identiteti nuk përjetohet si një zgjedhje mes dy përkatësive, por si një proces i vazhdueshëm ndërthurjeje mes dy kulturave. Përvoja e tyre dëshmon se të qenit shqiptar dhe njëkohësisht pjesë e shoqërisë zvicerane nuk përbën një kundërthënie, por një realitet kompleks dhe shpeshherë pasurues. Në rrëfimet e të intervistuarve për revistën Albinfo.ch, identiteti i dyfishtë shfaqet si një hapësirë ku bashkëjetojnë disiplina dhe emocioni, tradita dhe moderniteti, rrënjët dhe perspektiva globale.

 

 

Kjo përvojë bëhet veçanërisht e dukshme në rrugëtimet profesionale të brezit të ri të diasporës.

Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” dhe sot pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich”, përfaqëson një shembull të qartë të kësaj ndërthurjeje kulturore. Për të, identiteti shqiptar nuk ka qenë kurrë diçka që duhej ruajtur me vetëdije, ai ka qenë gjithmonë pjesë organike e personalitetit të saj. Lidhja me komunitetin shqiptar dhe mënyra se si ajo ndërton marrëdhënie njerëzore i kanë dhënë një dimension tjetër profesionit të saj, aftësinë për të krijuar besim dhe bashkëpunim brenda ekipeve shumëkulturore, siç shprehet ajo: “Kombinimi i të dyjave më ka dhënë një balancë midis rigorozitetit analitik dhe inteligjencës emocionale”.

Edhe për Arbron Gashin, shkrimtar dhe autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, i cili njëkohësisht punon si “web designer” në Zvicër, jeta mes dy kulturave për të përfaqëson një sfidë të vazhdueshme balancimi. Ai thekson se dallimet mes dy mentaliteteve janë të dukshme, nga njëra anë struktura, rregulli dhe orientimi individual i shoqërisë zvicerane, ndërsa nga ana tjetër ngrohtësia, lidhja familjare dhe emocionaliteti që karakterizon kulturën shqiptare. Për të, sfida nuk qëndron në zgjedhjen e njërës kulturë ndaj tjetrës, por në aftësinë për të përthithur disiplinën dhe organizimin e njërës, duke ruajtur njëkohësisht dimensionin njerëzor dhe emocional të tjetrës.

Një perspektivë e ngjashme vjen edhe nga Vildane Rexhepi, menaxhere e prokurimit në sektorin e IT-së në bankën UBS. Sipas saj, për brezin e dytë të shqiptarëve në Zvicër integrimi shpesh fillon herët, përmes shkollës, rrethit shoqëror dhe përfshirjes në jetën profesionale. Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë, pasi komuniteti shqiptar mbetet i madh dhe shpesh krijon një hapësirë të vetën sociale. Për të, çelësi qëndron në vetëdijen për vlerat e origjinës dhe në aftësinë për t’i përfaqësuar ato me krenari, duke ndërtuar një personalitet që përçon më të mirën nga të dyja kulturat.

Ndërkohë, në profesionin e mjekësisë, ku përgjegjësia ndaj njerëzve është e jashtëzakonshme, identiteti i dyfishtë merr një dimension edhe më të thellë. Dr. Kaltrina Zahiti, mjeke oftalmologe në Zvicër, e përjeton këtë identitet si një pasuri të dyfishtë. Ajo thekson se kultura shqiptare i ka dhënë ndjeshmëri dhe empati ndaj pacientëve, ndërsa shoqëria zvicerane e ka formuar me disiplinë, korrektësi dhe përgjegjësi profesionale. Për këtë arsye, ajo e përshkruan identitetin e saj si “një pasuri të dyfishtë”, ku dimensioni njerëzor dhe ai profesional plotësojnë natyrshëm njëri-tjetrin.

Në fakt identiteti mes dy kulturave shprehet edhe përmes artit. Për piktoren Vanesa Lika, e lindur në Gjenevë nga prindër shqiptarë, rrënjët kulturore janë një nga burimet kryesore të frymëzimit artistik. Në veprat e saj, arti shndërrohet në një hapësirë reflektimi ku ndërthuren kujtesa, tradita dhe kërkimi personal shpirtëror. Siç thekson vetë ajo, përmes veprave të saj përpiqet të krijojë “një dialog mes së kaluarës dhe së tashmes”, duke e shndërruar identitetin në një proces krijues dhe të vazhdueshëm kërkimi. Për Likën, të jetosh mes dy kulturave nuk është një ndarje identitare, por një proces krijimi, një mundësi për të parë botën nga dy perspektiva dhe për të ndërtuar një identitet më të lirë dhe më autentik.

Edhe në muzikë, përkatësia kulturore shpesh shndërrohet në burim shprehjeje dhe lidhjeje me rrënjët. Këngëtari shqiptar Elion Krasniqi (LMN) e sheh artin, sidomos muzikën, si një nga mënyrat më të fuqishme për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. Përmes muzikës, sipas tij, krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë emocionale me gjuhën, traditat dhe trashëgiminë shpirtërore, duke bërë që identiteti të mos mbetet vetëm një koncept kulturor, por një përjetim i gjallë dhe i vazhdueshëm.

Nga ana tjetër, për disa prej të intervistuarve, jeta mes dy kulturave përjetohet kryesisht si një përvojë pasuruese. Modelja Cendrine Berisha, e cila ka përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” e sheh këtë ndërthurje kulturore si një pasuri personale që ka ndikuar në formimin e saj si individ.

Një perspektivë interesante mbi këtë realitet ofrojnë edhe dy mjekët e rinj shqiptarë, Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi, të diplomuar në “University of Basel” dhe tashmë në rrugën e studimeve doktorale. Për ta, të jetosh dhe të studiosh mes dy kulturave ka qenë një element thelbësor formues. Morgan Hetemi e sheh përkatësinë në diasporën shqiptare si një mundësi për të përfituar nga më të mirat e të dyja botëve, nga njëra anë vlerat familjare, respekti dhe ndjenja e bashkësisë që burojnë nga kultura shqiptare, dhe nga ana tjetër standardet e larta profesionale dhe akademike të shoqërisë zvicerane. Ndërsa për Thesar Abdullahun, kontrasti mes dy botëve e ka ndihmuar në zhvillimin e një perspektive më të hapur dhe fleksibile ndaj diversitetit.

Në tërësi, përvojat e këtyre të rinjve tregojnë se identiteti i shqiptarëve në Zvicër nuk është një realitet statik, por një proces dinamik ndërtimi, një identitet “hibrid” kulturor, që nuk ndahet mes dy botëve, por ndërtohet nga bashkimi i tyre. Mes disiplinës zvicerane dhe ndjeshmërisë shqiptare, mes traditës dhe modernitetit, brezi i ri i diasporës po krijon një identitet të ri, një identitet që nuk e mohon origjinën, por e shndërron atë në një burim force për të ndërtuar rrugëtimin e vet në një shoqëri gjithnjë e më shumë globale.

 

Suksesi i gjeneratës së dytë në arsim dhe integrim

Pas trajtimit të identitetit dhe mënyrës se si ai ndërtohet mes kulturës shqiptare dhe asaj zvicerane, vlen të theksohet se një pjesë e madhe e të intervistuarve nuk dallohen vetëm për përjetimin kulturor, por edhe për arritjet e tyre profesionale dhe akademike. Shumica prej tyre, të përmendur më herët, bartin tituj të avancuar akademikë, përfshirë edhe nivele doktorature, dhe janë të integruar në mënyrë të suksesshme në tregun profesional të Zvicrës.

 

 

Megjithatë, në këtë kapitull fokusi zhvendoset edhe më tej drejt një grupi të ri profilesh, të cilët përfaqësojnë fusha të ndryshme si mjekësia, ekonomia, menaxhimi, arti dhe moda. Këto histori dëshmojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por gjithnjë e më shumë e suksesshme në fusha të ndryshme profesionale, duke ndërtuar karriera të qëndrueshme dhe të dukshme në shtetin zviceran.

Një nga këto raste është Lavdrim Xhemaili, artist shumëdimensional shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër, i angazhuar në kërcim, aktrim dhe muzikë. Ai përfaqëson një profil artistik të kompletuar, i cili ka arritur të depërtojë në skenën zvicerane pa e humbur lidhjen me identitetin e tij kulturor. Rrugëtimin e tij ai e përshkruan si një proces natyral përshtatjeje, duke theksuar me një dozë ironie se “Zvicra është shtëpia ime, edhe pse jo gjithmonë e kam ndier ashtu”, duke reflektuar kështu raportin kompleks mes përkatësisë dhe përvojës personale në Zvicër.

Në aspektin profesional, ai thekson se depërtimi në tregun artistik zviceran nuk ka qenë domosdoshmërisht i vështirë për shkak të mungesës së mundësive, por më shumë për shkak të perceptimeve ekzistuese mbi diversitetin. Sipas tij, shpesh paragjykimet vizuale dhe kulturore ndikojnë në mënyrën se si interpretohet një artist në skenë, duke krijuar sfida të padukshme për individët me prejardhje të ndryshme.

Një rol të veçantë në këtë dimension të arsimit dhe integrimit profesional e zë edhe Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” në Lugano, e cila sot është gjithashtu post-doktorante dhe pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich” në Departamentin e Shkencave Kompjuterike dhe “ETH AI Center”. Paralelisht me angazhimin akademik, ajo vepron edhe si “Data Scientist” në IKEA në Bazel, duke lidhur kështu kërkimin shkencor me aplikimin praktik në industri.

Ajo thekson se sistemi arsimor zviceran ka ndikuar thellësisht në mënyrën e saj të të menduarit dhe të punuarit, duke e orientuar drejt cilësisë, precizitetit dhe rigorozitetit shkencor. Sipas saj, në fushën e inteligjencës artificiale “nuk mjafton që një model të funksionojë, ai duhet të jetë i dokumentuar, i justifikuar dhe i riprodhueshëm”, qasje kjo që e ka bërë pjesë të pandashme të punës së saj të përditshme.

Një tjetër profil i rëndësishëm është Vildane Rexhepi, e angazhuar në sektorin e IT-së në bankën UBS, me formim akademik në transformimin digjital nga “ZHAW Zurich University of Applied Sciences”. Ajo e përshkruan edukimin zviceran si vendimtar në formimin e saj profesional, duke theksuar rëndësinë e saktësisë, efikasitetit dhe menaxhimit të prioriteteve në punën e përditshme.

Mes profileve të suksesshme që dëshmojnë integrimin profesional në Zvicër është edhe Dr. Kaltrina Zahiti. Si mjeke e specializuar për sëmundjet e syrit, ajo ka themeluar dy ordinanca oftalmologjike në Biberist dhe Emmen, të cilat ofrojnë shërbime moderne dhe kujdes cilësor për pacientët.

Ndërsa fushën e ekonomisë dhe biznesit, një histori veçanërisht e dallueshme është ajo e Fjolla Gashit, e cila ka ndërtuar një rrugëtim të shumëfishtë akademik dhe profesional në Zvicër. Ajo ka përfunduar studime në infermieri dhe ekonomi e biznes, duke arritur deri në nivelin Master në “University of Basel”, ndërsa sot punon si menaxhere klientësh në kompaninë “BDO AG”. Rrugëtimi i saj akademik karakterizohet nga një intensitet i lartë dhe një disiplinë e jashtëzakonshme, duke dëshmuar njëkohësisht aftësinë për të kombinuar studimet me integrimin profesional në një sistem të kërkuar si ai zviceran.

Po ashtu edhe në botën e modës, Cendrine Berisha, modele shqiptare nga Zvicra, përfaqëson një tjetër dimension të këtij integrimi. Ajo ka ndërtuar karrierën e saj në skenën ndërkombëtare të modës, duke përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” në Napoli dhe duke bashkëpunuar me agjenci dhe revista në vende të ndryshme. Për të, përfaqësimi i Zvicrës në një skenë ndërkombëtare, duke ruajtur njëkohësisht edhe rrënjët shqiptare, përbën një përvojë të veçantë dhe të rëndësishme në aspketin e integrimit në shoqërinë zvicerane.

 

Ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare

Në jetën e përditshme të shqiptarëve në Zvicër, gjuha dhe kultura shqiptare mbeten një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit. Në rrëfimet e tyre, ruajtja e shqipes nuk paraqitet vetëm si një çështje tradite, por si një përpjekje e vetëdijshme për të mbajtur gjallë lidhjen me rrënjët, historinë familjare dhe përkatësinë kulturore. Kjo përpjekje shpesh fillon brenda familjes, por forcohet edhe përmes institucioneve arsimore dhe aktiviteteve kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Një rol të veçantë në këtë proces luajnë shkollat plotësuese të gjuhës shqipe. Një nga figurat që i ka kushtuar vite të tëra këtij misioni është mësuesja Ida Jashari, e cila prej afro dy dekadash u mëson gjuhën shqipe fëmijëve të diasporës në Ostermundigen të Bernës. Në klasat e saj, ku shpesh mësojnë edhe fëmijë të gjeneratës së tretë, gjuha nuk trajtohet vetëm si mësim gramatike, por si pjesë e identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë. “Shkolla shqipe është zemra që mban gjallë identitetin tonë larg atdheut,” shprehet ajo, duke theksuar se aty fëmijët mësojnë jo vetëm të flasin shqip, por edhe të ndjejnë lidhjen me rrënjët e tyre.

Sipas saj, ruajtja e gjuhës në diasporë është një proces që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes familjes dhe shkollës. Ajo vëren se brezi i ri nuk e ka humbur shqipen, por ka nevojë për më shumë mbështetje për ta kultivuar atë. “Brenda tyre ekziston dëshira për ta ruajtur gjuhën, ne vetëm duhet ta ushqejmë me dashuri dhe përkushtim,” thekson Jashari. Për këtë arsye, ajo e konsideron bashkëpunimin mes prindërve dhe mësuesve si një faktor vendimtar, kur këto dy shtylla ecin së bashku, gjuha dhe kultura bëhen më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. Në fund të fundit, siç thotë ajo me shumë ndjenjë, të edukosh fëmijët shqiptarë në mërgatë do të thotë “të mbash gjallë një copë atdheu në zemrat e tyre”.

Ruajtja e gjuhës shfaqet edhe në përvojat e profesionistëve të rinj shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Për shembull, mjekët e rinj të diplomuar në Bazel, Morgan Hetemi dhe Thesar Abdullahu, tregojnë se lidhja me gjuhën dhe kulturën shqiptare i ka shoqëruar edhe gjatë rrugëtimit të tyre akademik. Ata u njohën që në semestrin e parë të studimeve dhe zbuluan se ndanin jo vetëm të njëjtin profesion, por edhe të njëjtën prejardhje nga Ferizaj. Kjo afërsi krijoi një ndjenjë të veçantë bashkëpunimi dhe përkatësie. “Ka qenë gjithmonë një ndjenjë e bukur të dish se ke dikë me të cilin ndan të njëjtin rrugëtim,” kujton Thesari, duke nënvizuar se kjo lidhje i ka ndihmuar të ruajnë më lehtë edhe kontaktin me gjuhen dhe kulturën shqiptare brenda një mjedisi akademik zviceran.

Edhe në botën e letërsisë, gjuha shqipe mbetet një mjet i rëndësishëm për të ruajtur lidhjen me origjinën. Shkrimtari Arbron Gashi, autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, tregon se të jetosh në Zvicër shpesh të shtyn të përdorësh më shumë gjuhë të tjera në përditshmëri, por zgjedhja për të shkruar në shqip është një vendim i vetëdijshëm. “Kam dashur që njerëzit e mi në Kosovë dhe në Zvicër të mund të lexojnë atë që kam për të thënë,” shprehet ai, duke theksuar se ruajtja e gjuhës në nivel të mirë kërkon praktikë dhe vetëdije të vazhdueshme.

 

Keystone SDA
Keystone

 

Në mënyrë të ngjashme, edhe profesionistë të tjerë shqiptarë në Zvicër e shohin gjuhën si një lidhje të drejtpërdrejtë me identitetin e tyre. Menaxherja në sektorin e IT-së bankare, Vildane Rexhepi, thekson se familja ka qenë faktori kryesor në ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare, ndërsa lidhja e vazhdueshme me Kosovën dhe Shqipërinë e ka ndihmuar që kjo përkatësi të mbetet e gjallë. Edhe mjekja e syve, Kaltrina Zahiti tregon se, ndonëse në përditshmërinë profesionale përdor kryesisht gjuhët zvicerane, në jetën private shqipja mbetet thelbësore. “Përmes gjuhës kam një lidhje të drejtpërdrejtë me rrënjët e mia, me traditat dhe me një mënyrë të menduari që është pjesë e rëndësishme e identitetit tim,” shprehet ajo.

Në fushën e artit dhe muzikës, kjo lidhje merr një dimension tjetër. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) nga Gjeneva ka zgjedhur të këndojë kryesisht në gjuhën shqipe, duke e parë atë si një pjesë të pandashme të identitetit të tij artistik. Ai tregon se ndikimi i familjes ka qenë vendimtar në këtë drejtim, pasi është rritur në një mjedis ku gjuha dhe muzika shqiptare ishin gjithmonë të pranishme. “Kam vendosur të këndoj në shqip sepse kjo është pjesë e pandashme e identitetit tim,” thotë ai, duke shtuar se publiku shqiptar e përjeton këtë me shumë emocion, ndërsa edhe publiku ndërkombëtar e vlerëson autenticitetin e artistëve që ruajnë rrënjët e tyre.

Në të gjitha këto rrëfime, gjuha shqipe shfaqet jo vetëm si një element komunikimi, por si një urë që lidh brezat dhe kulturat. Për shqiptarët në Zvicër, ajo mbetet një mënyrë për të ruajtur kujtesën kolektive, për të kultivuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të mbajtur gjallë një pjesë të atdheut, edhe larg tyre.

 

“Një shqiptari e re”, gjenerata moderne e diasporës

Gjenerata e dytë e diasporës po formon një mënyrë të re të të qenit shqiptar, më të artikuluar, më të vetëdijshme dhe të lidhur njëkohësisht me rrënjët dhe me realitetin global. Në rrëfimet e të intervistuarve kjo “shqiptari e re” nuk shihet si shkëputje nga tradita, por si një vazhdimësi që merr forma të reja në kontekstin e jetës në Zvicër.

Për studiuesen dhe shkencëtaren e të dhënave Shkurta Gashi, kjo dukuri nuk përfaqëson krijimin e një identiteti krejtësisht të ri, por zgjerimin e atij ekzistues. Sipas saj, brezi i dytë është rezultat i një evolucioni që ndërthur vlerat e trashëguara nga familja me standardet që ofron sistemi arsimor zviceran. Ajo e vendos këtë zhvillim edhe në kontekst historik, duke e lidhur me valët e migrimit të viteve ’70 dhe ’90, kur shumë shqiptarë u përballën me sfida të mëdha integrimi. Pikërisht mbi përvojën dhe sakrificat e atij brezi është ndërtuar stabiliteti dhe mundësia e zhvillimit për brezin e dytë. Në këtë kuptim, sipas saj, kontrasti mes tradicionales dhe modernes është shpesh artificial, sepse në realitet po ndodh një sintezë mes tyre. “Brezi i dytë nuk po krijon një ‘shqiptari të re’, po e zgjeron atë,” shprehet ajo, duke theksuar se identiteti sot ndërtohet duke mbajtur fort rrënjët dhe duke përfshirë përvojën ndërkombëtare. Në një përkufizim të shkurtër, ajo e përmbledh këtë përvojë me fjalët: “Të kesh dy perspektiva dhe të dish t’i shndërrosh të dyja në vlerë.”

Edhe shkrimtari Arbron Gashi sheh në këtë brez një zhvillim të natyrshëm drejt një identiteti më të hapur dhe më modern. Sipas tij, mundësitë më të mëdha për arsim dhe zhvillim kanë krijuar një gjeneratë më të vetëdijshme për potencialin e saj. Megjithatë, ai thekson se kjo rrugë kërkon edhe një përpjekje të vazhdueshme për të mos humbur lidhjen me rrënjët. “Po, mendoj që brezi i dytë po formon një lloj ‘shqiptari të ri’, më të hapur dhe më modern,” thotë ai, duke shtuar se ruajtja e gjuhës dhe kulturës është thelbësore për të mbajtur gjallë këtë identitet. Në një fjali të vetme, ai e përkufizon këtë përvojë si “të jetosh mes dy botëve dhe të marrësh më të mirën nga të dyja”.

Edhe në fushën e mjekësisë, përvoja e Kaltrina Zahitit e përforcon këtë ide. Sipas saj, brezi i dytë i shqiptarëve në Zvicër po ndërton gradualisht një identitet më të integruar, ku gjuha, traditat dhe lidhja me origjinën mbeten pjesë e rëndësishme e vetëdijes kulturore, ndërsa integrimi në shoqërinë zvicerane vazhdon të thellohet.

Një perspektivë të ngjashme sjell edhe profesionistja në sektorin bankar Vildane Rexhepi, e cila vëren se brezi i dytë karakterizohet nga orientimi drejt qëllimeve dhe nga këmbëngulja për të përballuar sfidat. Sipas saj, ky brez po dëshmon çdo ditë se integrimi dhe suksesi profesional mund të ecin paralelisht me ruajtjen e identitetit kulturor. Prania e shqiptarëve në fusha të ndryshme, nga mjekësia dhe infermieria deri te ekonomia dhe drejtësia, krijon një urë të natyrshme mes dy kulturave, duke reflektuar atë që ajo e përshkruan si “bukurinë e identitetit shqiptar me atribute zvicerane”.

Në art dhe kulturë, ky identitet shfaqet përmes mënyrës se si artistët e rinj përfaqësojnë rrënjët e tyre në një skenë ndërkombëtare. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) e përshkruan këtë përvojë në mënyrë të thjeshtë dhe domethënëse: “Të jesh shqiptar në Zvicër do të thotë të jetosh mes dy botëve, duke ruajtur origjinën dhe duke u integruar me dinjitet.” Një mesazh të ngjashëm përcjell edhe modelja Cendrine Berisha, e cila e sheh gjeneratën e re si një brez që arrin të balancojë traditën me modernitetin. “Është një brez që di të balancojë traditën me modernitetin, me shumë vetëdije dhe ambicie,” thotë ajo, ndërsa për veten e saj të jesh shqiptare në Zvicër do të thotë “të jesh krenare për rrënjët dhe e vendosur për të ardhmen”.

Në të gjitha këto perspektiva, gjenerata e re e diasporës shqiptare shfaqet si një brez që nuk e sheh identitetin si një kufi mes dy kulturave, por si një hapësirë ku ato bashkëjetojnë dhe pasurojnë njëra-tjetrën. Kjo “shqiptari e re” nuk e zëvendëson traditën, por e zgjeron atë, duke e bërë identitetin shqiptar më të hapur, më të sigurt dhe më të pranishëm në një botë gjithnjë e më globale.

Në katër nënkapitujt e këtij artikulli u shpalosën disa nga dimensionet më të rëndësishme të këtij realiteti, siç janë identiteti mes dy kulturave, roli i arsimit dhe integrimit profesional, ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe formimi i një gjenerate të re të diasporës. Së bashku, këto rrëfime krijojnë një mozaik përvojash që tregojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por edhe shumë e suksesshme në fusha të ndryshme, nga shkenca dhe mjekësia, te arti, ekonomia dhe kultura.

Një element që shfaqet vazhdimisht në këto histori është roli i familjes dhe i gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit. Për shumë prej tyre, gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një lidhje e drejtpërdrejtë me rrënjët, kujtesën dhe kulturën e prejardhjes. Në të njëjtën kohë, arsimi dhe përvoja profesionale në Zvicër kanë ndihmuar në formimin e një brezi të ri të profesionistëve të përgatitur, të disiplinuar dhe të hapur ndaj botës.

Kjo gjeneratë, në shumë mënyra, përfaqëson një urë të padukshme mes dy kulturave. Ajo lëviz natyrshëm mes traditave shqiptare dhe standardeve të shoqërisë zvicerane, duke marrë më të mirën nga të dyja. Përmes këtij ndërthurje, identiteti shqiptar në diasporë nuk mbetet i ngrirë në kohë, por evoluon, duke u pasuruar me përvoja të reja dhe duke fituar një dimension më të gjerë.

Në fund, historitë e këtyre të rinjve dëshmojnë se diaspora shqiptare në Zvicër nuk është vetëm një histori migrimi, por edhe një histori zhvillimi, integrimi dhe suksesi. Ajo tregon se si rrënjët mund të mbeten të forta edhe larg vendit të origjinës dhe se si një identitet i dyfishtë, larg të qenit një pengesë, mund të shndërrohet në një forcë që hap horizonte të reja për individin dhe për komunitetin si një pasuri dhe privilegj.

 

“Shumëdimensionale” – Afrona Dika

“Mund të them që ka pasur shumë sfida për realizimin e “Talk with Afrona”, ishte diçka e re dhe sfiduese…”

Modele, “influencuese”, shumë e suksesshme si “bussineswoman”, tanimë edhe moderatore në “Talk with Afrona”, Dika ka shpjeguar për albinfo.ch, si i ka lindur ideja për të realizuar një format të tillë bisede.

“Ideja lindi shumë spontanisht, isha duke menduar të bëj diçka kreative dhe të aktivizohem në fushën e artit. Jam person që dua të degjoj dhe të flas për shumë tema të ndryshme. Ky lloj formati është ndryshe nga profesionet e mia të mëparshme. Mund të them që ka pasur shumë sfida për realizimin e “Talk with Afrona”, ishte diçka e re dhe sfiduese. Do të veçoja që duhet të përzgjidhen të ftuarit në atë mënyrë që emisioni të ketë audiencë dhe të jetë një dialog me të ftuarin, në atë mënyrë që ai/ajo të tregojë më shumë për atë që e pyes dhe që përmbajtja të jetë në njëfarë mënyre e kuptueshme nga publiku, të jetë dialog tërheqës”, thotë ajo.

Sa u përket planeve për të ardhmen dhe projektet e reja, Afrona deklaron se do të rritet në aspektin biznesor teksa u shpreh se nuk ka plane të reja, pasi është shumë e angazhuar me aktivitetet e momentit.

E pyetur për pritshmëritë dhe qëllimet e saj për vitin 2024, ajo thotë se nuk do të ndalet duke punuar ndërsa ka pasur edhe një mesazh.

“Pres që ky vit 2024 të jetë i mbarë dhe mbi të gjitha të kem shëndetin e mirë, pres të ndiqet emisioni im. Unë nuk do të ndalem duke punuar dhe shpresoj t’i arrij qëllimet e mia në jetë. Ndiqni ëndrrat dhe punoni fort për arritjet tuaja”, ka përfunduar ajo.$

Shqiptarja nga Franca, një aktore e diplomuar, modele dhe këngëtare

Kleofina Pnishi tashmë është emër suksesi në shumë fusha në Francë.

Përveç që zotëron një emër të veçantë, është femra shqiptare shumë e suksesshme në fusha të ndryshme të jetës. Energjia dhe ambiciet e saj për jetën janë të mëdha dhe asnjëherë nuk i ndali përpjekjet duke punuar për to, shkruan albinfo.ch.

Artistja Kleofina Pnishi jeton me familjen e saj që nga fundi i viteve ’90 në Francë.

Pnishi është diplomuar për aktrim, por ajo ka një karrierë të suksesshme si modele dhe, së fundmi po debuton në fushën e muzikës.

Kleofina ka qenë pjesë e serisë “Le Mystere” dhe në vitin 2017 është shpallur “Miss Provence” në Francë, shkruan tutje albinfo.ch.

Projekti i saj muzikor, i cili titullohet ”Better Everyday”, është dhe kënga e saj e parë.

Kleofina, pavarësisht se është në fillimet e dubutimit të saj, ajo është duke punuar fort për të depërtuar në tregun botëror dhe çdoherë e më shumë po bëhet një emër suksesi në fushën e muzikës. /Albinfo.ch

Dy motrat simpatike, blogere të suksesshme në vlogun e tyre në Itali

Steisi dhe Eleni Zylfo janë dy motra shqiptare që kanë lindur, jetojnë dhe veprojnë në Modena të Italisë, shkruan albinfo.ch.

Të dy motrat janë të bukura dhe duket se janë binjake, por në fakt, ato kanë një diferncë prej 2 vjetësh në moshë. Steisi është 13-vjeçare dhe Eleni 11 vjeç.

Prej disa kohësh atë kanë krijuar vlogun e tyre, në të cilin hedhin materiale të ndryshme, si foto, video, jetën e tyre të përditshme.

Ato në postimet e tyre kanë të grumbulluara mijëra klikime në Youtube, shkruan tutje albinfo.ch.

Ani pse kanë lindur dhe jetojnë në Itali, gjuhën shqipe e kanë kultivuar nga prindërit dhe flasin shumë rrjedhshëm.

Ato mund t’i ndiqni në kanalin e Youtybe në “Steisi Eleni Zylfo”, kanal ky, ku mund të gjeni të gjitha videot interesante të vajzave që kanë karaktere të ndryshme, qoftë për vetëdijesim, veshje, kuzhinë etj.

Eleni ka dëshirë të jetë një foto-modele dhe aktore në Itali, profesione që ka për synim në të ardhmën e saj, ndërkohë Steisi ka dëshirë të jetë moderatore në fushën e mediave, qoftë në mediat shqiptare, ashtu edhe në ato italiane.  /Albinfo.ch

 

Modelisti me prejardhje nga Kosova, pjesë e gala mbrëmjes nga “Gucci”

Quhet Joland Novaj, është medel me prejardhje shqiptare, lindur dhe rritur në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Novaj vazhdon studimet e larta në “Pace University – Lubin School of Business” dhe ushtron profesionin e tij në fushën e modeling-ut. Jolandi ishte pjesë e galasë të organizuar nga firmat me famë botërore “Gucci & Balenciaga” dhe ka komentuar në rrjete sociale, emocionet e aktivizimit në një event kaq të rëndësishëm për karrierën e tij, transmeton tutje albinfo.ch.

Në këtë gala mbrëmje, vëmendjen e rrëmbeu modeli nga Kosova, i cili quhet Joland Novaj. Modeli shqiptar shkëlqeu në këtë pasarelë dhe ai vetë nuk po e besonte që ishte pjesë e galasë. Përpos shkëlqimit që pati, askush nga ne s’e kuptuam si ishin emocionet e tij. Nëpërmjet një postimi në Instagram, ai u shfaq me lot në sy nga gëzimi.

“Nuk mund ta besoj se po shikoj veten të sfiloj për “Gucci Aria Show”, një nder i madh të jem pjesë e saj.

Vlen të theksohet se “Gucci dhe Balenciaga” kanë bashkuar forcat për të lëshuar një koleksion. Kush do ta kishte menduar se do të shihnim një ditë ku dy nga shtëpitë më të mëdha të modës luksoze, të dyja në pronësi të Kering, do të bashkoheshin për një projekt të veçantë. /Albinfo.ch

Besim Halimi në jurinë e “Oscar Austrian Hairdresser 2017”

Besim Halimi është njëri nga parukierët më të suksesshëm në Zvicër dhe në diasporën shqiptare. Halimit i cili jeton dhe vepron në Zvicër ka qenë gjashtë herë fitues i Oscar-it për flokë, derisa tashmë do të jetë në jurinë profesionale në Vjen të Austrisë.

“Kam marrë ftesë nga firma Schwarzkopf Professional, që më 23 janar të jem në Vjenë të Austrisë, ku do të jem pjesë e jurisë për të përzgjedhur Oscar Austrian Hairdresser të vitit 2017-të. Jam pjesë e jurisë profesionale të të gjitha kategorive dhe kjo gjë më bën të ndihem shumë krenar dhe i lumtur që si shqiptar do të vlerësoj punën e floktarëve austriakë”, ka thënë ai për “KultPlus”, përcjell albinfo.ch.

Ai ka shtuar se se pas ndarjes së këtyre çmimeve më 23 janar, me datën 23 prill do të mbahet ceremonia ku fituesit do t’i marrin trofetë e Oscar Austrian Hairdresser për vitin 2017-të, në Vjenë.

Kujtojmë se Besim Halimi, ka sallonin e tij në Zvicër dhe është një ndër parukierët më të suksesshëm shqiptarë në diasporë.

Dashi Krasniqi, floktari i yjeve botërore

Shumë shqiptarë në diasporë janë shumë të suksesshëm. Ata janë të suksesshëm jo vetëm në shëndetësi, sport, kulturë, por edhe sektorë tjerë. Njëri ndër ta është Dashi Krasniqi, i cili vepron në Gjermani, raporton albinfo.ch.

Krasniqi (41-vjeçar) me profesion është floktar dhe atë i shumë yjeve botërore, shkruhet në një artikull të ‘Bild.de’.

41-vjeçari ka lindur në Hagener, por me origjinë është nga Kosova. Ai ka dy filiale në Dusseldorfer – Gratenberg dhe Quartier Le Flair.

Ai ka shumë kliente të “Victoria Secret”, por modele të famshme si Toni Garrn (24) e Nadja Auermann (45), si dhe aktoret e njohura Milla Jovovich (41) dhe Christine Neubauer (54).

“Shumë yje më shkruajnë kur vijnë këtu, ose unë u telefonoj kur jam në Berlin ose Munich”, ka thënë shqiptari, babai i dy fëmijëve. Por, edhe ai kur shkon në revy të modës, rezervohet nga yje botërore.

 

4-vjeçari shqiptar nga Zvicra po shkëlqen edhe në Kinë

Është vetëm katër-vjeçar, por është një top model shumë i njohur. Madje, me këtë profesion ka filluar të merret më herët dhe është emër i njohur në modelizëm. Ky Ardi Klimenta, raporton albinfo.ch.

Ardi është një fëmijë shumë i kërkuar në Evropë nga dizajnerë të huaj, kurse tani është bëri i njohur edhe në Kinë.

Ardi jeton me familje në Zvicër dhe ende nuk ka shkelur në Kinë, por megjithëse këtë, fotot dhe emri i tij së bashku me karrierën dhe famën e tij po flitet e shkruhet edhe në mediat kineze, madje duke e krahasuar me stil edhe me David Bechkam, pavarësisht se me krenari e themi se ai është fëmija i madh i prindërve shumë simpatik shqiptarë, transmeton lajmi.net.

Mis shqiptarja në botë: “Krenare që jam shqiptare”

  • Mis Shqiptrja në botë

Të shtunën në orët e para të mëngjesit është zgjedhur, në Cyrih të Zvicrës në klubin Rinora 4, vajza më e bukur e botës shqiptare. Në garë për këtë titull kanë qenë 23 vajza, të ardhura nga shumë shtete të Europës.

Me Medina Hajrajn shqiptarët kanë vajzën më të bukur shqiptare në botë. Përcjellësja e parë u zgjodh Ornela Nikolli nga Shqipëria, ndërsa percjellësja e dytë, vajza me prejardhje nga Prishtina, Kosovare Halimi, e cila poashtu jeton në Suedi.

Medina Hajraj është një vajzë e re me prejardhje nga Prishtina që jeton në Suedi. Me vetëm 17 vjet ajo ka lënë mbrapa 22 finalestet e tjera shqiptare në garën e spektaklit të bukurisë, “Mis shqiptarja në botë”. Ky event është organizuar sivjet për herë të parë nga shtëpia e modës „Gecaj fashion grup“ bashkë me diskotekën më të madhe shqiptare, “Rinora 4” në Cyrih

Medina ka deklaruar për albinfo.ch menjeherë pas spektaklit të bukurisë, se ndjehet shumë e lumtur që kurora e parë e flakëruar në ari për “Mis shqiptarja në botë”, do të qëndrojë mbi kokën e saj. „Ka pasur një konkurrencë të fortë, të gjitha vajzat kanë pasur një bukuri unike, por në fund unë dola e para“, tha ajo për albinfo.ch.

E pyetur nga albinfo.ch rreth përvojës që ka fituar në këtë spektakël, ajo ka thënë „Ka disa muaj që angazhohem si modele dhe ky pasion për foton dhe për skenën më ka bërë të ndjehem mirë. Pjesëmarrja ime në spektalin e vajzës më të bukur shqiptare në botë ka qenë një eksperiencë shumë e madhe dhe producenti Ilir Geci ka bërë një punë madhështore“.

17 vjeçja që mbante numrin 17 gjatë sfilatës,  është  gjimnaziste në drejtimin ekonomik në një qytet të vogël të Suedisë.  Krahas modelimit, ajo ka thënë se është e interesuar edhe për biznes. „Jam shumë e interesuar për biznes dhe dua të kem një kompani timen“, deklaron ajo ekskluzivisht në një intervistë për albinfo.ch.

Vajza e re krenare që dukej shumë e hareshme pas kurorëzimit, forcën e suksesit e bazon në mendimin pozitiv e duke besuar në të.

„Unë jam një vajzë që mendoj gjithmonë pozitivisht dhe që besoj në suksesin“, thotë “Mis shqiptarja në botë”, e cila nuk e fsheh krenarinë që është shqiptare.

„Jam shumë krenare që jam shqiptare dhe unë besoj thellë se me bukurinë shqiptare nuk ka askund në botë“, thotë vajza, tani edhe zyrtarisht, më e bukur shqiptare e rrethuar nga njerëz entuziazst për të shkrepur një selfie me mis shqiptarja në botë.

Gjakovarja që po bën bujë në filmat dhe modën franceze

Është 22 vjeçare, e lindur në Gjakovë por që nga fëmijëria jeton në Francë (Marseille). Bëhet fjalë për aktoren dhe modelen e njohur në Francë, Kleofina Pnishi. Kleofina për revistën “albinfo.ch”, flet për përvojën dhe suksesin e saj në fushën e modës dhe aktrimit. Që në moshë të vogël, ajo ka imituar personazhe të filmave dhe njerëz që e rrethonin. Aty ka kuptuar edhe prirjen për aktrim. Idhulli i saj është Angjelina Xholi, ngase thotë se gjithmonë ka qenë dhe akoma është një artiste realiste.

Albinfo.ch: Keni luajtur në shumë filma dhe seriale të ndryshme franceze. Mund të na i përmendi disa prej tyre dhe a keni pasur vështirësi për të arritur deri aty ku jeni? 

Kleofina Pnishi: Kam luajtur në serialin “Plus belle la vie” dhe “Petits secrets entre voisins”. Po ashtu kam qenë pjesë e filmave “Les meurtres du Mont Ventou” dhe “Le mystere du lac”. Të them të drejtën, për mua nuk ka qenë e vështirë të arrij deri këtu, sepse që nga audicioni i parë jam pranuar për të luajtur në film, ndonëse këtë ëndërr e kisha që në fëmijëri.

Cili do të ishte roli në një film të cilën do ta kishe refuzuar?

Para një viti kisha një ofertë për të luajtur në një film të madh, xhirimet e të cilit do të fillojnë në vitin 2017. Ishin disa skena të cilat unë nuk e ndjeja vetën ende komode për të luajtur në to. E refuzova ngase nuk bëj asgjë nëse nuk e ndjej me zemër.

Me cilin aktor do të kishe dëshirë të jesh partnere në një film?

Adrien Brody, është aktori im i preferuar dhe do të dëshiroja që të jemi partnere e tij në një film.

Përveç aktrimit ju merreni edhe me modelim. Si u hapën dyert e modës për ty?

Faktikisht me modelim kam filluar të merrem para se t’ia filloj me aktrim. Në vitin 2014 fitova një konkurs për fotogjeni, pjesë e të cilit ishin 2500 vajza. Që nga ai shpërblim, mora oferta të ndryshme nga kompani të shumta të modës në Francë.

Të jesh modele është gjë e bukur, por edhe sfiduese, apo?

Sfida më e madhe është ngase modelizimi bazohet edhe në pamjen fizike. Normalisht se duhet të kesh kujdes dhe të jesh gjithmonë në top formë, pasi që konkurrenca është shumë e madhe në këtë fushë.

Cilat janë disa nga eksperiencat tuaja në fushën e modës?

Kam eksperienca shumë të mira, sidomos tek pjesa e udhëtimeve të ndryshme. Kam mësuar shumë për veten time dhe kam fituar vetëbesimin i cili më kishte munguar.

Mes aktrimit dhe modelimit, cilën e zgjidhni?

Pa asnjë hezitim, aktrimin. Është pasioni im i parë dhe nuk ka ndryshuar në asnjë moment të jetës.

A fitohet nga modelimi?

Kjo varet nga kontrata që e ke. Në përgjithësi fitohet mirë, edhe pse është një punë jo aq e lehtë.

Në setet tuaja fotografike nuk shohim shumë foto të zhveshura. A mund të jesh modele e njohur edhe pa u zhveshur?

Patjetër se mund të jesh modele e njohur edhe pa u zhveshur. Kjo varet për çfarë produkti apo çfarë reklame punon. Po ashtu varet edhe nga kriteret e modeles se çfarë pranon dhe çfarë refuzon.

Çfarë studioni?

Kam diplomuar Bachelor këtë vit për marketing dhe gazetari në Francë.

Pika jote më e fortë?

Besoj se është qëndrueshmëria. Nuk heq dorë në asnjë moment nga ëndrrat dhe synimet e mia.

Çfarë të karakterizon tjetër ty, Kleofina?

Guximi, pozitiviteti dhe aftësia e komunikimit me njerëz.

Pushimet verore thuajse çdo vit i kaloni në Kosovë. Çfarë ju tërheq më së shumti në Kosovë?

Më tërheq vendlindja ime dhe origjina ime. Në Kosovë jetojnë edhe një pjesë e familjes time dhe së bashku me familje sa herë të gjejmë mundësi shkojmë për vizitë.

Shkruani dhe flisni shumë rrjedhshëm gjuhën shqipe. Si keni arritur ta ruani duke jetuar larg vendlindjes.

Për këtë meritat i ka babai im. Ai ka bërë gjithçka për të ruajtur gjuhën shqipe. Sa herë që të kemi pushime, shkojmë në Kosovë. Në shtëpinë time në Francë, flitet vetëm shqip. Mendoj se është shumë më rëndësi për ne si popull, ta ruaj gjuhën shqipe.

Të flasim pak për dashurinë…

(qesh) Mund të flasim atëherë kur do ta kem një të dashur.

Meqë me pak fjalë na e mbylle këtë kapitull, atëherë na trego se çfarë bën në kohën e lirë?

Shikoj filma në kinema me shoqëri apo lexoj. Kohëve të fundit kam filluar edhe të shkruaj. Më pëlqen të dal të ec më qenin tim, janë momente qetësie dhe relaksimi për mua. Mundohem të mos më kaloj një ditë si monotone, dëshiroj të bëj aktivitete të ndryshme.

Cilat janë projektet e afërta tuaja dhe planet për të ardhmen?

Në tetor do të udhëtoj për Nju Jork për disa projekte. Në prill të vitit të ardhshëm do të kem xhirime për një film në Tiranë, ndërsa planet e tjera dua t` ia lë të ardhmes.

 

Në shtëpinë tonë, në Marsej, flitet vetëm shqip!

Kleofina e flet dhe shkruan mjaft bukur shqipen, ndonëse është rritur jashtë vendit. “Për këtë meritat i ka babai im. Ai ka bërë gjithçka për të ruajtur gjuhën shqipe. Sa herë që të kemi pushime, shkojmë në Kosovë. Në shtëpinë time në Francë, flitet vetëm shqip. Mendoj se është shumë me rëndësi për ne si popull, ta ruaj gjuhën shqipe.

Doresa Halilaj, përcjellësja e parë në “Miss Universe Germany”

 

Tash duhet t’i rreket punës, fotografive, reklamave, dhuratave dhe komplimenteve. Bukuroshja shqiptare Doresa Halilaj ka lënë pas një fundjavë stresuese pas spektaklit që u mbajt më 7 gusht në Windhagen të Gjermanisë, ku ishte pjesë e dhjetë kandidateve për të u zgjedhur “Miss Universe Germany 2016”.

Ajo u shpall përcjellësja e parë e “Miss Universe Germany 2016” (vendi i dytë). Për 22 vjeçaren më prejardhje nga Kosova kjo ishte një arritje më e madhe sa që ka shpresuar, raporton “albinfo.ch”.

Doresa banon në Metzingen të Gjermanisë. Ajo është infermiere dhe punon në klinikën e të aksidentuarve në Tubingen. Edhe pse i pëlqen fusha e modelimit, Doresa nuk do të hiqte dorë nga profesioni i infermieres për një karrierë si modele.

“Këtë pyetje ma kanë bërë edhe shumë kolegë të mi. Përgjigja ime është: Jo, dëshiroj të qëndroj tek pacientët e mi. Karriera e një modele është shumë stresuese dhe spontane. Unë e pëlqej jetën dhe punën time qe e bëj çdo ditë në spital”, ka thënë Doresa për mediat gjermane.

Bukuroshja shqiptare është shprehur se ka marrë shumë mesazhe urime për çmimin që e ka fituar, madje njerëzit kanë filluar ta njohin edhe kur del rrugës, nga ku nuk i mungojnë as komplimentet e shumta.

Kurorën e më të bukurës të këtij spektakli e ka fituar Johanna Acs.

Bukuroshja shqiptare nga Zvicra përfaqëson Kosovën në “Face of Beauty Internacional”

Ajo nuk arriti të fitojë kurorën e bukurisë në “Miss & Mister Suisse Francophone 2016”, por arriti të bëhet pjesë e një gare botërore. Bukuroshja kosovare, e cila jeton në Zvicër, Qendresa Azemi, është zgjedhur të jetë përfaqësuese e Kosovës në spektaklin e bukurisë “Face of Beauty Internacional 2016” që do të mbahet në Ulan Bator të Mongolisë.

Këtë lajm ajo e ka shpërndarë edhe me miqtë e saj në “Facebook”, në të cilën ka shkruar në dy gjuhë: frëngjisht dhe shqip:

“Jam krenare që përfaqësoj vendin tim në Face of Beauty  Internacional 2016. Prej 10 deri më 23 shtator 2016 në Mongoli. Falënderoj Ferdi Avmedoskin, sepse pa të kjo nuk do të kishte qenë e mundur”, ka shkruar Qëndresa, njofton albinfo.ch.

Morina përfaqëson Zvicrën në “Mister World 2016”

Betim Morina është zgjedhur më i bukuri i vitit në garën e “Miss & Mister Suisse Francophone 2016”, që u mbajt muajin e kaluar në “Theatre Barnabe”, në Lozanë të Zvicrës. Kjo fitore për misterin e parë më prejardhje shqiptare në Zvicër, ia mundësoi që të përfaqëson Zvicrën në “Mister World 2016”.

17 vjeçari Morina tash e sa ditë është duke qëndruar në Britani të Madhe ku është duke u përgatitur për finalen, e cila do të mbahet të martën në mbrëmje.

Në fakt po këtë ditë do të bëhet edhe seleksionimi i garuesve ku dhjetë më të mirët do të vazhdojnë garën e finales.

Shtatlarti shqiptarë  në këtë garë do të sfidojë veten në mesin e meshkujve më të bukur të botës.

Hobi i Betimit është futbolli. Një kohë të gjatë ai ishte i angazhuar në disa klube futbollistike për të rinj të Lozanes.

Për pjesëmarrjen e Betimit në këtë kompeticion të bukurisë, kanë shkruar edhe mediat zvicerane.

Betim Morinën mund ta ndihmoni edhe përmes votës suaj në këtë faqe interneti: Votoni

Betim Morina

Kaçurrelja shqiptare e spektakleve të bukurisë në Zvicër

Filloreta Berisha tashmë është bërë një emër i njohur në Zvicër. Muajin e kaluar ajo në konkursin e bukurisë “Miss Auto Zurich” fitoi dy çmime: përcjellësja e parë e miss-it dhe “Miss Fotogjenia”. Menjëherë pas këtij suksesi, bukuroshes pejane e cila jeton në Sempach të Lucern-it, i ofrohet marrëveshje për të qenë pjesë e reklamës “Mercedes Fans Schweiz”.  Kaçurrelja 20-vjeçare në këtë intervistë të dhënë për albinfo.ch na tregon më shumë për profesionin dhe jetën e saj private.

albinfo.ch: Fitove dy çmime në “Miss Auto Zurich”.  Përcjellësja e parë dhe “Miss Fotogjenia”. Çfarë kanë ndryshuar në jetën tënde këto dy çmime?
Filloreta Berisha: Derisa isha e vogël ëndrra ime ishte që të bëhem miss. Jam shumë e kënaqur për këto dy çmime dhe që ëndrra më është realizuar. Natyrisht se kam pritur edhe më shumë, por besoj që në të ardhmen do të korr suksese të tjera.

Me profesion je kontabiliste. Çfarë bën tjetër jashtë profesionit?
Merrem me sport, fitnes. Ndërsa pjesën tjetër të lirë e kaloj me familje. Po ashtu jam duke studiuar edhe në gjuhën angleze.

Më e rëndësishme për ty tash është të arrish suksese në skenat e spektakleve të bukurisë apo të shkollimit?
Natyrisht që për mua primar është shkollimi, por fatmirësisht po mundohem t’ i bëj suksesshëm të dyja në të njëjtën kohë.

Çfarë roli luan bukuria në jetën tënde?
Bukuria ka rëndësi në jetën e secilit, mirëpo për mua karakteri, morali dhe komunikimi me njerëz e bën një person të bukur. Pa i pasur këto atribute, nuk mund të ketë bukuri të përsosur.

Një femër e cila bëhet e njohur për publikun, a duhet të dalë nga shtëpia pa make – up?
Mendoj se një person publik duhet të ketë kujdes në çdo dalje, sjellje dhe lëvizje që bën, për shkak se përcillet nga masa. Edhe unë nuk dal nga shtëpia pa qenë e kompletuar.

Cili është komplimenti më i mirë që të është bërë ty?
Komplimente kam marrë të shumta, por ato që më bëjnë më së shumti përshtypje janë kur më thonë se jam një person me plot buzëqeshje, me shpirt të pastër dhe e komunikueshme me njerëz të tjerë.

Çfarë pëlqen më së shumti në pamjen dhe trupin tënd dhe çka jo?
Flokët kaçurrele më pëlqejnë më së shumti. (qesh).

A është dikush që ka fituar zemrën tënde?
Jo, askush. Nuk jam e dashuruar.

Si duhet të jetë një mashkull për ty me të cilin do të kishe menduar të ardhmen tënde?
Nuk e kam paramenduar asnjëherë. Dashuria vjen atëherë kur nuk e parashikon.

Për hirë të dashurisë a kishe pranuar të kthehesh për të jetuar në Kosovë?
Sot mund të them jo, por jetës nuk i dihet…

Planet për të ardhmen tënde?
Shkollimi dhe pjesëmarrja në fushat e ndryshme të modelimit dhe spektakleve të bukurisë.

Nuk mjafton vetëm bukuria…
Bukuria ka rëndësi në jetën e secilit, mirëpo për mua karakteri, morali dhe komunikimi me njerëz e bën një person të bukur. Pa i pasur këto atribute, nuk mund të ketë bukuri të përsosur.

Donika Krasniqi kthehet nga India

Bukuroshja shqiptare, Donika Krasniqi, është rikthyer këto ditë nga India sërish në Zvicër, ndërsa për albinfo.ch tregon përvojën e saj dhe angazhimet në fushën e modës.

Modelistja shqiptare e cila jeton në Zvicër, Donika Krasniqi, është bërë emër i kërkuar nga kompanitë e njohura të botës. Për gjatë tre muajve ajo ka qëndruar në Indi dhe ka reklamuar për revista të njohura dhe kreatorë me famë botërore. Bukuroshja shqiptare është rikthyer këto ditë sërish në Zvicër, ndërsa për albinfo.ch tregon përvojën e saj dhe angazhimet në fushën e modës në Indi.

“India ka një kulturë të veçantë dhe për këtë u binda sapo arrita atje. Ishte një përvojë e bukur për mua”, thotë 21-vjeçarja, e cila banon në kantonin Neuchâtel. Në Indi Donika ka pasur fatin të punojë për kreatorë dhe firma të ndryshme, si: Falguni & Shane, kreatori i Lady Gaga, veshjet e të cilit ajo i reklamoi në magazinën “Vogue India”. Gjithashtu ka reklamuar edhe për disa firma për bizhuteri dhe rroba të luksit.

Vitin e kaluar Donika për pak nuk arriti të hyjë në finalen e “Miss Zvicra 2014”, por atë nuk mundi ta ndalojë askush që të “pushtojë” botën si modeliste. “Ishte një eksperiencë e mirë për mua, por ajo kohë tashmë është e kaluar. Si modeliste jam duke shijuar mundësi edhe më interesante. Ëndrra ime është realizuar, prandaj jam duke e shijuar çdo ditë”, thotë ajo.

Bukuroshja Krasniqi përveç kompanive në Indi, ajo muaj më parë kishte arritur kontrata edhe më shumë firma të ndryshme në Paris, ndërsa po ashtu ishte protagonistja kryesore e videoklipit “Shadows” të këngëtarit Sebalter. Por, Donika së shpejti do na shfaqet edhe më një klip tjetër të ri. “Për realizimin e këtij klipi jam kontaktuar nga Dj Remady & Manu L. Klipi është realizuar në një vilë të bukur në maje të Lucernit dhe do të publikohet vitin e ardhshëm në disa kanale televizive”.

Për Donikën modelet e preferuara janë ato natyrale, siç është Baraba Palvin, ndërsa thotë se edhe pse e do shumë Kosovën dhe e viziton sa herë që ka mundësi, asnjëherë nuk është kontaktuar nga ndonjë kompani apo edhe spektakël bukurie në Kosovë.

Donika shprehet se në dy muajt e ardhshëm do të qëndrojë në Zvicër, e pastaj do të udhëtojë sërish për vende të tjera, si në Abu Dhabi, Cape Town, Singapoe, ku do të jetë e angazhuar deri në fund të pranverës, pastaj do të rikthehet në Evropë për të reklamuar në Paris, Milano dhe Londër.

A.Gj.

Hedi Lushtaku bëhet pjesë e agjencisë “Option Model”

Modelistja shqiptare që jeton në Zvicër, Heidi Lushtaku, ka firmosur edhe një kontratë të re me agjencinë më të madhe zvicerane të modës “Option Model”.

“Ne jemi krenarë që po prezantojmë modelisten tonë të re, Heidi Lushtaku”, shkruan në portalin e agjencisë zvicerane “Option Model Swiss”.

Shqiptaro-zvicerania  ka bërë të ditur për albinfo.ch se ka lidhur një kontratë edhe me “Nespresso”, por reklama me këtë kompani të njohur do të publikohet pas dy javësh.

Me këto të fundit ajo ka bërë 10 kontrata disavjeçare, si imazh i firmave të njohura.

Heidi është  bërë deri tani imazh i “Clinic Lemanic”, produkteve kozmetike, La Vallee, Laurent Membrez, Hera, Swiss Training, Bhi Coiffur, Mira Esthetique, PKZ.

Miss Gjermania 2015 prezanton kreacionet e Flora Suldashit

 

Kreatorja Flora Suldashi ka prezantuar kreacionet e saj “Flora S” në Javën e modës në Berlin.

Java e modës në Berlin të Gjermanisë është një nga ngjarjet më të mëdha të vitit në fushën e modës. Panorama Messe Berlin hapi dyert e saj për të gjithë afaristet e këtij biznesi, firmat prestigjioze dhe dizajnerë të ndryshëm për të prezantuar produktet e tyre.
Gjatë kësaj Jave të modës me kreacionet “Flora S” është prezantuar edhe kreatorja shqiptare e njohur në Gjermani, Flora Suldashi.
Për dy ditë radhazi, më 8 dhe 9 korrik, ajo ka prezantuar kreacionet e saj në klubin e njohur “Felix” të Hotel “Adlon” si dhe në arenën prestigjioze “Merzedes Benz Fashion”.

Për të prezantuar kreacionet e saj, Flora kishte përzgjedhur 20 bukuroshet e Miss Gjermania 2015, në mesin e tyre edhe vetë “Miss Gjermania 2015”, Olga Hoffman.

“Në të dy mbrëmjet kreacionet e mia u prezantuan nga bukuroshet e “Miss Gjermania 2015” si dhe nga vetë missi Olga Hoffman”, thotë kreatorja Suldashi për albinfo.ch.

Sfilatat ishin mbresëlënëse, të cilat u përcollën me duartrokitje të gjata nga të pranishmit në sallë. Në sfilatën e cila u mbajt në klubin “Fenix”, në fund të prezantimit të koleksioneve, ajo ftohet të bëjë një parakalim në skenë, ku në mënyrë modeste përshëndet të pranishmit në sallë.

“Nata e “Merzedes Benz Fashion” ishte vërtet magjike. Olga, “Miss Gjermania 2015”, defiloi e para në skenë, duke prezantuar një fustan unikat në formë sirene me ngjyrë trëndafili dhe duke mbajtur në kokë një Diademe, kreacion i dizajnerit Harald Glockler”, shprehet ajo për albinfo.ch.

Java e modës në Gjermani supozohet se është përcjellë nga mbi 50 mijë njerëz nga Gjermania dhe shteteve të ndryshme evropiane e botërore. Po ashtu vëmendje të veçantë i kanë kushtuar edhe mediet me renome në Gjermani. “Ka pasur vëmendje të veçantë të medieve, sidomos për kreacionet e mia, ku kanë raportuar, RTL Nord, gazeta gjermane “Bild” si dhe po ashtu edhe televizioni “TV Diaspora””, pohoi Flora.

Pas këtij prezantimi të suksesshëm në Berlin, Florës i janë hapur të gjitha dyert në fushën e modës për të pushtuar tregun gjerman dhe më gjerë.
Muaj më parë Flora Suldashi ishte kreatore e të gjitha veshjeve për vajzat pjesëmarrëse në garën e bukurisë “Miss Germany 2015”.

Izet Curi dhe bota e një modelisti të veçantë!

Krijimtarinë e tij, Curi e vlerëson si një kombinim i stilit modest dhe avangardë, ndërsa përkundër sukseseve të mëdha dhe çmimeve të fituara, ai veten e konsideron vetëm si një zanatçi. Si stilist mode ka bashkëpunuar për shtëpitë e ndryshme të modelistëve më të mëdhenj francez, si Hermes, Thierry Mugler, Azzedine Alaia, Christian Lacroix, Chanel, Chloe ….

Por, si ishte karriera e tij dhe si u zhvillua ajo?

Emri i juaj nuk është i njohur aq tek publiku, kurse ju i keni veshur shumë yje dhe keni punuar me emra të mëdhenj të “Haute Couture’’. Cila ka qenë rruga e Izet Currit për të mbërritur tek përfaqësimi dinjitoz i stilimeve të tij në Evropë?

Kam filluar modën, herët në Ish-Jugosllavi në moshën 13 vjeçare, me influencën e nënës sime. E pata humbur babën. Ajo dëshironte që vëllezërit e mi dhe unë që së shpejti të fillojmë të punojmë pa humbur shumë kohën. Në atë kohë shkonim në shkollë vetëm një pjesë të ditës…kam pasur kohë të lirë gjatë pjesës tjetër të ditës dhe nuk vinte në konsiderim që të humbnim tërë kohën e lirë nëpër rrugë. Profesioni im, pra, do të ishte rrobaqepës. U pajtova me nënën time që të shkoj tek rrobaqepësi më i mirë i qytetit, në Shkup. Ai ka pasur një makinë, gjë që do të thoshte tejet shumë në atë kohë. Makina befasonte gjithkënd! Mora kënaqësi tek qepja e rrobave, për të shkuar në shkollë të mesme deri sa ta hapi një butik. Emri im është përfolur kur fillova të vishja rokerët. Kisha idenë që të udhëtoja për Paris, në vendin e modës, në moshën 21 vjeçe.

…për të punuar menjëherë tek Hermes?

Është dashur që të përballem me vështirësitë që të gjeja mbi kokë një kulm shtëpie! Kam harxhuar të gjitha paratë tek librat dhe rruga. Në hotelin ku isha, nuk kisha para të paguaja. Ma morën pasaportën dhe valixhen, por nuk tregova që isha rrobaqepës, sepse kisha mundësi për të gjetur punë. Kam shkuar te një atelie që bënin pantallona, ama nuk shkonte aq. Por, kam gjetur punë tek një mbikëqyrës i Hermes, për të bërë një model të parë. Kur ekipi i Hermes e ka parë në sy, më kanë pyetur se kush e kishte bërë atë. Duhet të them që mjeshtri im që më kishte dhëna zanatin, ishte një perfeksionist i çmendur. Ne mundoheshim të bënim çdo lloj mode, me një përkujdes të posaçëm. Hermes, ka propozuar të më punësojë. Nuk flisja frëngjisht dhe nuk kisha me vete dokumentet e mia… Shtëpia e modës gjeti një përkthyes, pagoi hotelin, mori pasaportën time dhe më siguroi një apartament. Janë përkujdesur për çdo gjë!

Bashkëpunimi ka zgjatur disa vite…para se të takoheni me Thiery Mugler?

Kam takuar Thierry Mugler me një festë të Saint-Chaterine, organizuar nga Hermes. Dilte nga shkolla ESMOD dhe së shpejti më ka bindur të punojë me të. E krahasonin të çmendur në atë kohë! Vizatimet e tij tejkalonin imagjinatat e mia.

Hermes dëshironte të më mbante, me çfarëdo çmimi, mirëpo unë preferoja Thierry Mugler.

Me çfarë iu impresiononte Thierry Mugler?

Mbas Christian Dior, gjatë viteve 50-ta, Thierry Mugler është ai që ka bërë revolucion në botën e modës duke shtyrë një lëvizje “New Look”, me një afërsi-guardiste dhe një nënshkrim mirënjohës nga të gjithë. Si i ri ka guxuar të strukturonte veshjen, duke qenë i lirë dhe duke mbetur rigoroz.

Keni bashkëpunuar 12 vite së bashku. Mandej vjen takimi me Azzedine Alaia?

Ai ndihmonte Thierry Mugler për koleksionet e tij. Ai ishte një njeri i talentuar, mësuesi im i dytë. Pas një mosmarrëveshje, drejtoresha më ka propozuar të ndihmojë Azzedine Alaia dhe unë pranova menjëherë. Bashkëpunimi ynë nuk është ndërprerë më kurrë. Azzedine Alaia befason gjithnjë me mënyrën e veshjeve të rrobave.

E mbani mend cilët kanë qenë klientët tuaj të parë?

Sigurisht. Prej emrave të njohur së pari ka qenë një aktore e madhe Maria Felix, pastaj, Gerard Depardieu; Richard Gere, Isabela Agjani, Kirk Douglas, Michael Douglas, Sean Connery, Christopher Lambert etj. Edhepse ka qenë një punë shumë atraktive, unë s’kam pasur industri prapa vetës që të shfrytëzoja emrat e tyre.

“Të gjithë ata janë klientë të mi me vite, ashtu që mendoj se janë të kënaqur me mua dhe unë jam i lumtur me besimin e tyre. Veç tjerash, ata nuk kanë kërkesa të veçanta… Është e vërtetë, Depardieu di të më thotë: ‘Plako, jam trashur paksa, bën diçka që kjo të mos shihet, fshihma barkun. Ndërsa Connery vetëm thotë: ‘Mjeshtër, bën ç’të duash…’”, tregon kreatori parisien, i cili ka pranuar se për Isabelle Adjani dizajnon kreacionet më të shtrenjta.

Çfarë është stilimi për ju. Sa rëndësi ka ai në jetën tuaj, kur bëhet fjalë për krijimtarinë dhe personalitetin?

Kur kam shkuar në Francë, nuk kam ditur ta dalloja avangardizmin, klasicizmin, minimalizmin. Unë i kam dhënë rëndësi kulturave të vjetra. Me çfarë perdeje jam rritur unë? Unë gjithmonë punoj me ngjyrat e kuqe si tjegullat (qerpiçi). Unë jam ushqye me këtë ngjyrë. Kur dikush e sheh një model timin, lehtë është ta dallosh.

E imagjinojmë lehtë punën e stilistit, duke vizatuar një veshje në letër apo përmes kompjuterit. Si shpjegohet puna e modelistit?

Në Houte Couture, modelisti luan një rol të domosdoshëm. Ai bën gati vizatimet e stilistit dhe i shndërron në veshje. Duhet patur kualitete humane për të udhëhequr të tjerët në atelie. Është mëkat që shkollat e modës janë të bazuara më shumë tek stilizmi dhe ju kushtojnë shumë pak orë praktikës dhe modelizmit. Edhe për një stilist, kisha rekomanduar të përdorë modelizmin dhe mbështjelljen e manekinit. Për mua një stilist që nuk e bën mbështjelljen e manekinit, është sikur një kompozitor muzike i cili bënë muzikë për një instrument që nuk e njeh.

Bota e modës po përjeton shumë ritmin e Azisë. Tregu po zhvillohet, po lokalizohet prodhimi dhe formacionet…

Dituria dhe tradita e veshjes ka mbetur dhe duhet kultivohet në perëndim. Më kanë propozuar të shkojë në Kinë, në Indi dhe, vërtet, nuk më ka interesuar, kam preferuar të rri në Paris dhe të zhvilloj një shkollë mode në Kosovë (Design Factory nga viti 2005) me përkrahjen e Komisionit Evropian. Për një artizanat, shumë është e vlershme të transmetohet dituria tek rinia, te kalojë tek gjeneratat e reja. Ushqehem me këto takime, është pothuajse spirituale. Një ndër kënaqësitë e mija personale në Kosovë, është se p.sh., të gjithë nxënësit e mi gjejnë punë, sepse ka gjithnjë punë për njerëzit me një dituri e talent krijues. Në lajmet televizive në Francë, kam dëgjuar rrëfimin e një kompanie mode e specializuar në Marinë e cila propozonte punë, por nuk arrinte të gjente rrobaqepës dhe modelist, sepse njerëzit nuk ishin të specializuar!

Curri, gjatë muajit qershor dhe korrik kishte angazhuar një punëtori edukative në Paris, ku morën pjesë më shumë se njëqind dizenjatorë profesionistë, ose studentë nga shkolla të ndryshme mode. Punëtoria, nën organizimin e Federatës së Modës (Fashion Federation Paris), institucion i modës, u mundëson studentëve dhe shkollave të modës të akreditohen në nivel ndërkombëtarë dhe të njihet dhe të pranohet niveli i tyre nga profesionistë të modës dhe shtëpive të tyre krijuese. Këtë vit në punëtori morën pjesë për herë të parë dizajnerët shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Me kreacionet e tij krejt individuale, ai e ka konfirmuar faktin se rrobaqepësia është një punë krijuese që duhet, dhe merr nën konsiderim pothuajse të njëjtat kritere bazë mbi të cilat fillon piktura dhe të gjitha aktivitetet tjera artistike. / telegrafi