”Dardania” e Lozanës, çerdhe e kampionëve të karatesë

Në mesin e shumë klubeve sportive shqiptare në diasporë, me mjaftë sukses vepron edhe klubi i karatesë nga Lozana. Për këtë klub është shkruar edhe më herët si në Kosovë në mjetet e informimit në gjuhën shqipe,  po ashtu edhe në  gjuhët tjera në Zvicër.
Klubin e kanë formuar vëllezërit Mahalla nga Ferizaj, në vitin 1995. Këta vëllezër janë shumë të njohur si në Kosovë po ashtu edhe në diasporë. Pos si familje karateistësh ata njihen edhe si kontribuues të mëdhenj të çështjes kombëtare. Më i madhi i tyre, Fahri Mahalla është edhe themeluesi i parë i klubit të karatesë në Ferizaj, në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar.
Këtë përvojë e vazhduan edhe në Zvicër ku e formuan KK Dardania në Lozanë.
Të flasësh për këtë klub nuk mjafton vetëm një shkrim sepse KK Dardania ka korrur suksese të shumta që nga themelimi e deri në ditët e sotme. Nga ai kanë dalë karateistë kulmorë si Halil Mahalla, i cili në petkun e reprezentacionit të Zvicrës ishte kampion evropian dhe fitues i shumë turneve të ndryshme ndërkombëtare. Por më i suksesshmi deri tani është djali i Fahriut, Fehmi Mahalla, i cili tani është edhe trajner i klubit.
Edhe për sukseset e Fehmiut është shkruar shumë në shtypin shqiptar dhe zviceran. Në vazhdim, vetëm disa nga sukseset e shumta të tij: Kampion Evropian në versionet WKF dhe EKF me 2005; rekordmen zviceran, 14 herë kampion në nivel të Zvicrës,  sukses që do të jetë vështirë ta përsërisë dikush tjetër; fitues i shumë turneve ndërkombëtare si në Paris, Londër, Milano, Roterdam etj.; Posedues i shiritit të zi IV DAN.
Fehmiu tani tërë dijen e tij të akumuluar për vite në këtë sport e bartë te brezat e rinj, në klubin ku është trajner.
Ditën kur e vizituam klubin, karateistët ishin ne vlugun më të madh të ushtrimeve. Me këtë rast  bëmë disa foto gjatë ushtrimeve dhe zhvilluam një bisedë me trajnerin dhe disa nga anëtarët e klubit.
Momentalisht ushtrimet i ndjekin mbi 20 anëtarë të rregullt, thotë Fehmiu. Ai tregon pastaj se shumë karateistë të njohur shqiptarë dhe të huaj, para garave të mëdha vinë në klub dhe kërkojnë nga Fehmiu që t’ua mësojë fshehtësitë e këtij sporti në mënyrë që të kenë sukses në gara të ndryshme. Ai ka vite që e ofron një ndihmë të tillë dhe çdo herë ka pasur sukses. Nga “shkolla” e tij kanë dalë shumë kampionë edhe fitues të turneve të ndryshme. Një ndihmë të tillë Fehmiu ua ka dhënë karateistëve nga Kosova, si Alvin Karaqi dhe Herolind Nishevci të cilët u përgatitën te ai në prag të kampionatit botëror.
Fehmiu po ashtu na prezantoi edhe disa nga karateistët e rinj të suksesshëm që ushtrojnë në klub. Ndër ta është Drilon Mahalla, fitues i medaljes së bronztë në Kampionatin Zviceran, pastaj e reja 13 vjeçare Tena Warbenger, nënkampione zvicerane, Andreja Do Santos, nënkampione zvicerane dhe fituese e disa turneve të ndryshme, Shqipërim Salihu, kampion zviceran e shumë anëtarë tjerë.
Një bashkëpunim të ngushtë kuptuam se ky klub ka edhe me klubet e ngjashme në Kosovë si me KK Kastrioti nga Ferizaj etj. Po ashtu Fehmiu thotë se një bashkëpunim të ngushtë ka edhe me Federatën e Kosovës në karate, nga e cila disa herë ka qenë i ftuar të mbajë seminare për karateistët e rinj. Seminare të tilla ka mbajtur edhe në shumë vende tjera evropiane.
Se me të vërtetë punohet shumë në këtë klub dhe sukseset nuk mungojnë u bindëm edhe vetë gjatë ushtrimeve. Ato mbahen tri herë në javë: të hënën, të mërkurën dhe të premten.

Adresa ku mbahen ushtrimet është: Chemin de Croset 9 B në Ecublens, afër Lozanës.  Për ushtrime pranohen të gjithë të interesuarit nga mosha 5 vjeçare e më tutje.
Setmer Selmani

06.07.2013

Orges Arifi, i bronztë në “Swiss Open 2014”

Orges Arifi, karateist i KK “Ippon Prishtinë“, arriti të fitojë medaljen e bronztë, duke përfaqësuar Shqipërinë në turneun ndërkombëtar të karatesë “Swiss Open 2014”.

Të shtunën në Cyrih të Zvicrës u mbajt turneu ndërkombëtar i karatesë “Swis Open 2014“, në të cilin morën pjesë më shumë se 1200 pjesëmarrës nga 22 shtete të Evropës.

Në këtë aktivitet tradicional, karateisti Orges Arifi arriti medaljen e bronztë në kategorinë e seniorëve, 60 kg.

Ai në çerekfinale mposhti italianin me përvojë, Emanuel Pintos, ndërsa në gjysmëfinale te rezultati 1:1 u diskualifikua në luftën me kosovarin me shtetësi zvicerane, Shemsi Asllani, i cili edhe doli fitues në këtë kategori. Vendin e dytë e fitoi garuesi shqiptar nga Maqedonia, Shaban Murtishi.

Orges Arifi edhe në kategorinë U21 tregoi luftëra të mira. Në luftën e parë ishte më i mirë se garuesi nga  Maqedonia, Shaban Murtishi, anëtar i Srugës, të cilin e mposhti me rezultat 5:1, ndërsa në betejën e dytë u eliminua me deklarim të gjyqtarëve (rezultati i rregullt 0:0) nga gjermani Neuman Michel, thuhet në një njoftim të Federatës kosovare të karatesë.

Në këtë garë ishin pjesëmarrës shumë karateistë me nam nga Evropa, kampionë evropianë dhe botërorë. Në mesin e tyre edhe kampionët botërorë Luigji Busa, Stefano Maniscalco dhe shumë të tjerë.

Medalje në Zvicër edhe për karateistët nga Maqedonia

Për klubin e karatesë “Drini” nga Struga aktiviteti ndërkombëtar “Swiss Open 2014” në Zvicër ka qenë i suksesshëm, pasi janë kthyer me dy medalje, një të argjendtë dhe një të bronztë.

Shaban Murtishi në kategorinë -60 kg në një konkurrencë të fortë për nga cilësia u radhit i dyti, pas dy fitoreve në kualifikime dhe në një finale shumë të diskutueshme, edhe pse  ishte më i mirë se kundërshtari i tij, në fund u desh të pajtohet me humbjen me rezultat 6:5, kurse Besa Lleshi në kategorinë -50kg u radhit e treta, por që në luftimin e parë pësoi një lëndim dhe u desh të pajtohet me vendin e tretë.

“Mendoj se ishte një garë e fuqishme ku kishte edhe garues të nivelit botëror dhe evropian. Garuesit tanë treguan nivel të mirë dhe ishte një test i mirë para kampionatit shtetëror që do të zhvillohet gjatë këtij vikendi në Shkup.”, tha trajneri Alimi, transmeton Lajmi.

Ai  ka falënderuar edhe familjarët dhe bashkatdhetarët të cilët i kanë pritur dhe vendosur nëpër shtëpitë e tyre në Cyrih, si dhe për mbështetjen e tyre gjatë zhvillimit të turneut.

 

Artani dhe Arbeni nga Zvicra, medalje të arta në Kosovë

Në Kampionatin botëror të sportit të karatesë, të mbajtur për herë të parë në Prishtinë prej 4-6 prill 2014, karateistët e Juras Artan dhe Arben Pjetraj fituan tri medalje të arta. Vëllezërit Pjetraj kanë qenë garues të ekipit zviceran (Switzerlant Karate Team). Artani garoi në kategorinë e 12-14 vjeçareve, fitues i medaljes së artë në kata.

Ndërsa Arbeni garoi në kategorinë 10-12 vjeçarëve, fitues i katër medalje: dy të arta, një të agjentë dhe një të bronzit. Medaljet e arta të fituara në Prishtinë paraqesin një mirënjohje për klubin sportiv në Porrentruy aty ku ata u përgatitën për garë, dhe arritën kulmin e sukseseve të tyre të sivjetshme. Me ketë arritje të mrekullueshme ata dy arritën të bëhen kampionë botërorë duke përfaqësuar Zvicrën në federatën ndërkombëtare të karatesë WSKU.

Nxënësit Artani dhe Arbeni stilin e sportit e karatesë e kanë dashuri të madhe por jo të vetmen. Artani në nivelin e mjeshtërisë mban brezin ngjyrë kafe d.m.th.të tretin dhe Arbeni mbanë brezin ngjyrë kafe të dytin. Krahas këtij arti ata më me përkushtim të madh i kanë mësimet. Janë të shkëlqyer në shkollën zvicerane dhe po ashtu në shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Me t’u kthyer nga kampionati midis shokëve dhe shoqeve të tyre të shkollës, tek bisedonin dhe qeshnin me atë çiltërsi që e gjen vetëm tek fëmijët, i pyes: si keni kaluar në Kosovë? Moment i paharrueshëm mbetet fitorja në Prishtinë. Deri me tani kanë marrë pjesë kryesisht në gara rajonale, federale dhe në dy kampionate botërore (vitin e kaluar në Japoni kanë zënë vendin e katërt)dhe këtë vit në Kosovë arritën mjaft suksese.

Kjo është vetëm një faqe e biografisë sportive të karateistëve Artan dhe Arben Pjetraj. Faqet e tjera, urojmë edhe më të arritshme se kjo, do të shkruhen në të ardhmen.

Nexhmije Mehmetaj