Dr. Alban Y. Neziri: Rasti i ish-ministrit Latifi tregon se kthimi po sabotohet 

Lidhur me deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili muaj më parë njoftoi se ka një plan për kthimin e mjekëve shqiptarë nga diaspora, duke pretenduar se po krijohen lehtësi për kthimin e mjekëve nga diaspora në Kosovë, doktor Alban Neziri, një nga gjinekologët e suksesshëm në Zvicër, shprehet i qartë. Sipas tij, jo vetëm që nuk ka diçka konkrete, por ka shenja sabotimi edhe karshi mjekëve që do të pretendonin të ktheheshin në Kosovë.  

Albinfo.ch ka trajtuar këtë problematikë në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke marrë opnione të mjekëve më të njohur shqiptarë të Zvicrës dhe përgjigjet e tyre nuk janë shumë shpresëdhënëse. 

Prof. Dr. Alban Y Neziri është profesor i rregullt në dy universitete, në Universitetin e Bernës në Zvicër, dhe në atë të Aalborgut, në Danimarkë. Ai është edhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Departamentin e Shkencave Biomjekësore në Fakultetin e Mjekësisë në Bernë dhe pronar i qendrës moderne gjinekologjike “Langete” (Gynäkologiezentrum LangeteI në Langenthal. Albani është po ashtu anëtar i kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër. 

Albinfo.ch: Çfarë mendimi keni lidhur me deklaratën e kryeministrit Kurti për kthimin në Kosovë të mjekëve nga diaspora?  

Alban Y. Neziri: Dështimi i misionit të rimëkëmbjes së shëndetësisë në Kosovë i ish Ministrit të Shëndetësisë, Prof. Dr. Rifat Latifi, është një shenjë jashtëzakonisht e keqe për ne. Prof. Rifati ka qenë menaxher i shkëlqyer në Spitalin Universitar të Tuscon, Arizona, SHBA dhe në spitalet e New Yorkut. Dështimi i tij në Kosovë, në detyrën që e pati pranuar me entuziazëm të madh, jep shenja të një bojkoti të brendshëm ndaj tij dhe ndoshta edhe karshi mjekëve që do të pretendonin të ktheheshin në Kosovë. 

Albinfo.ch: Sa është real kthimi në Kosovë i mjekëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Zvicër, kur dihet që ka dallim të madh pagash dhe të kushteve të punës?  

Alban Y. Neziri: Megjithatë, në Kosovë ka edhe shembuj të suksesit te mjekëve që janë kthyer nga mërgimi. Po marr shembull United Hospital i themeluar kohët e fundit nga vëllezërit Dr. Arben Kojqiqi, Kardiokirurg dhe Dr. Fatos Kojqiqi, Kardiokiurg, që të dy të shkolluar e specializuar në mërgatë. Po në atë spital punon edhe Dr. Arsim Thaqi, Otorinolaringolog, po ashtu nga mërgata. Këta të tre janë kthyer dhe jetojnë në Kosovë. Kthimi nuk është i pamundur, por shumë i vështirë për shkak të pengesave administrative (të nostrifikimit të diplomave) si dhe atyre sociale. 

Albinfo.ch: Çfarë tregon kjo për qeverinë, kur dihet se Kosova ka problem shqetësues numrin e lartë të mjekeve dhe mjekëve që po braktisin Kosovën drejt Perëndimit dhe jo kthimin e disa mjekëve?  

Alban Y. Neziri: Shëndetësia në Kosovë është e plagosur rëndë dhe duhet shumë punë për ta mëkëmbur. Të gjithë mjekët shqiptarë kudo që janë, duhet në një mënyrë të japin kontributin e tyre për ta arritur rimëkëmbjen e dëshiruar. Deri në arritjen e strukturimit adekuat të sistemit shëndetësorë dhe ngritjen e pagave në nivel dinjitoz për mjekët, Kosova do përballet me largimin e tyre. 

Albinfo.ch: A shihni alternativa të tjera të angazhimit të mjekëve nga diaspora në vend të thirrjes për kthim në vendlindje?  

Alban Y. Neziri: Unë personalisht ka vite që jam i angazhuar me kolegët në Kosovë. Në vitin 2010 është themeluar Asociacioni Shëndetësor i Kosovës, i cili drejtohet nga Dr. Adem Bytyqi, Anesteziolog. Unë jam anëtar i bordit. Deri tani janë organizuar 7 kongrese jashtëzakonisht të suksesshme në fushën e hulumtimit dhe terapisë së dhimbjes. Janë organizuar shumë trajnime të personelit të mesëm për trajtim të dhimbjes. Asociacion i shëndetësor i Kosovës është anëtar i rregullt i International Association for the Study of Pain, që është shoqatë lidere në këtë fushë.  

Para 3 vitesh është krijuar edhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës i cili këtë vit u bë pjesë e Kolegjit të Kirurgëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kolegji i Kirurgëve drejtohet nga Prof. Dr. Rifat Latifi. Kolegji ka themeluar edhe revistën e shkencave Kirurgjike “Kosova Journal of Surgery”. Tani është duke u përgatitur numri i katërt i kësaj reviste. Unë, dhe disa kolegë nga mërgata jemi anëtarë të Bordit shkencor të revistës.  

Kongresi i parë i Kolegjit më 2021 dhe Kongresi i dytë në shtator të këtij viti, mblodhën me qindra kirurgë nga vise të ndryshme shqiptare dhe nga diaspora. Nuk mungojnë edhe trajnimet praktike në fushën e kirurgjisë.  

Në bashkëpunim me Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës dhe Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, do të fillojmë përpilimin e protokolleve të trajtimit kirurgjik të karcinomave në fushën e gjinekologjisë onkologjike.   

Më 4 dhe 5 nëntor 2022, Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, ka organizuar Swiss Medical School. Ligjëratat për rreth 150 studentë dhe specializantë të fakultetit të mjekësisë në Prishtinë, do t`i mbajnë disa mjekë, ekspertë të fushave të ndryshme në Zvicër. 

Unë mendoj se organizimet e tilla, bashkëpunimi shkencor, bashkëpunimi në fushat klinike për trajnim të personelit shëndetësor, do të sjellin më shumë sesa kthimet individuale. 

Prof. Dr. Alban Y. Neziri themelon qendrën moderne të gjinekologjisë në Langenthal

Teksa po pinim kafe së bashku, doktor Albani e tregoi një rrëfim interesant për babanë e tij që ishte operuar në një qendër të specializuar në Gjermani. Që nga mirëmbajtësja e dhomës së spitalit, infermierja kryesore, anesteziologu e vet shefi i repartit, të gjithë ishin shqiptarë.

Ishte ky një shembull, se puna dhe angazhimi shpërblehen gjithmonë, pa marrë parasysh se nga vjen, apo cilit nacionalitet i takon

Një shembull të tillë, tashmë ka vite që e ndjek edhe vetë Prof. Dr. med. Alban Y. Neziri.

Pas një përvoje të gjatë në lëmin e Gjinekologjisë, në reparte të ndryshme të shumë spitaleve në Zvicër, fillimisht në spitalin Universitar Insel Spital në Bernë, pastaj në Spitalin Universitar në Cyrih, Spitalin Kantonal në St.Gallen dhe atë të Winterthurit, në SRO Langenthal dhe së fundi prapë në Insel Spital në Bernë, ai më në fund ka vendosur që përvojën e mbledhur, ta vë në zbatim në klinikën e tij të porsahapur.

Fillimi i shtatorit shënon po ashtu edhe fillimin e punës së Qendrës Gjinekologjike “Langete”, që gjendet në qytetin Langenthal të kantonit të Bernës.

Projekt jetësor

„Pos misionit human, si qëllim tjetër i mjekut është po ashtu edhe arritja e niveleve më të larta udhëheqëse, qoftë në klinika shtetërore apo private, ose hapja e klinikës së vet private“, shprehet Dr. Albani për albinfo.ch, teksa më tregon ambientet e klinikës së tij, që pritet ta drejtojë së bashku me bashkëthemeluesen, njëherësh bashkëshorten e vet, Ryve Neziri, e cila me profesion është eksperte e infermierisë në degën e nefrologjisë.

Për të përmbushur atë, siç e quan ai, „Projekt jetësor“, punimet kanë filluar qysh para një viti dhe janë kurorëzuar me një klinikë super moderne.

Qendra Gjinekologjike “Langete” (Gynäkologiezentrum Langete), një ambient ultra modern është e pajisur me teknologjinë më të re, që nga shtatori i këtij viti ka hapur dyert për pacientë.

Duke u bazuar edhe në përvojën shumëvjeçare në institucione të shumta spitalore të Dr. Alban Nezirit, kjo qendër ofron shërbime të shumta në lëmin e gjinekologjisë dhe obstetrisë.

Shëndeti i grave, këshillimi i adoleshenteve si dhe vaksinimi kundër HPV dhe mbrojtja nga shtatzënitë e padëshiruara, trajtimi dhe këshillimi për prindërit pa fëmijë, janë vetëm disa nga shërbimet bazë që ofrohen në „Langete”.

Po ashtu pjesë e shërbimit është edhe trajtimi i grave shtatzëna me aparatet më moderne të ultrazërit. Edhe shërbimi i mamive, para dhe pas lindjes, gjendet në listat e kësaj qendre.

 Një spektër i gjerë trajtimesh të sëmundjeve gjinekologjike

Këtu trajtohen të gjitha sëmundjet gjinekologjike, endometriozat, tumoret beninje. Ndërsa në bashkëpunim të ngushtë me Insel Spital në Bernë, këtu trajtohen po ashtu edhe parakancerozat dhe sëmundjet kancerogjene gjinekologjike.

I ftuar me raste në Qendrën Langete, është po ashtu edhe një specialist i dhembjeve. Ai aplikon terapinë konvencionale dhe invazive të trajtimit të dhembjes.

Ndër trajtimet tjera, këtu hyjnë edhe sëmundjet urogjinekologjike, duke përfshirë këtu edhe diagnostifikimet urodinamike e deri te trajtimi modern i Inkontinencës (humbja e pakontrolluar e urinës), nëpërmjet trajtimit me CO2-Laser, si dhe me radiofrekuencë.

Si një risi e qendrës “Langete”, përmes pajisjeve laserike, trajtohen edhe fazat parakanceroze në qafën e mitrës dhe pjesën e jashtme të organeve gjenitale, Kondilomat, atrofia vaginale, heqja e „striave“ (shenjave) të shtatzënisë etj.

Kush është Alban Y. Neziri

I lindur në Pejë, nga dy prindër pedagogë , babai Ymeri, Profesor i Pedagogjisë dhe Nëna Mona, Profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, shkollimin fillor e kryen në vendlindje, për të filluar me atë të mesëm në gjimnazin matematikor “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Filloi studimet në degën e mjekësisë së përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, për t`i vazhduar ato pas luftës Universitetin e Mjekësisë në Graz të Austrisë ku merr edhe titullin Doktor i Mjekësisë. Studimet pasuniversitare i vazhdoi në Universitetin e Grazit, ku në bashkëpunim me Universitetin e Bernës, mori gradën shkencore “Doktor i shkencave të Mjekësisë në Neuroshkencë”. Më pas, në një program pasuniversitar të Universitetit të Aalborg-ut në Danimarke dhe atij të Bernës, mbron me sukses edhe Doktoratën e dytë shkencore, duke marrë gradën shkencore “PhD” (Doktor i Filozofisë) në fushën e Shkencave dhe Inxhinierisë Biomjekësore (Biomedical Science and Enginering).

Albani është profesor i rregullt në dy universitete, në Universitetin e Bernës në Zvicër, dhe në atë të Aalborgut, në Danimarkë. Ai është edhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Departamentin e Shkencave Biomjekësore në Fakultetin e Mjekësisë në Bernë, si dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në shumë institucione mjekësore. Është po ashtu anëtar i kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, anëtar i kryesisë dhe i bordit shkencor të Asociacionit Shëndetësor të Kosovës dhe anëtar i bordit editorial të Revistës shkencore “Kosova Journal of surgery”. Ka botuar dy libra shkencorë, si dhe ka me dhjetëra punime shkencore ndërkombëtare. Është recensues shkencor dhe anëtar i bordit editorial në disa revista shkencore ndërkombëtare.

Punën humanitare, Dr. Albani e plotëson edhe me aktivitete jo mjekësore si Këshilltar i jashtëm i organizatës për ndihmë refugjatëve në Zvicër (Schweizerische Flüchtlinghilfe) dhe si anëtar i Caritas-it Internacional.

Dr. Alban Y. Neziri, ish i burgosur politik dhe veteran i UÇK-së, është i martuar me Ryve Nezirin, kanë 3 fëmijë dhe jetojnë në Kantonin e Bernës

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Qendra moderne mjekësore e Dr. Albanit hap portat për mysafirët dhe pacientët (Foto)

 

 

 

 

 

 

 

 

Gjinekologu shqiptar në Zvicër që bëri mrekulli!

Duket si një rrëfim në mënyrën dëshirore por është i vërtetë.  Fariu dhe Elmedina sot janë një çift i ri me vullnet dhe elan pë jetë. Kështu nuk kanë qenë deri vonë pasi që Elmedina ka pasur pesë aborte të detyruara. Sot çifti ka arsye për optimizëm. Në prehër kanë fëmijën e shëndetshëm, Selimin. Dhe për këtë bekim në jetën e tyre, Elmedina dhe Fariu duan ta falënderojnë mjekun gjinekolog, Avdullah Krasniqin.

“Unë, Fari Xheladini dhe bashkëshortja ime Elmedina Xheladini jemi një çift i ri me banim në Fribourg të Zvicrës. Ndryshe, ne jemi me prejardhje nga Kumanova. Ne si çift i ri kishim plane dhe ëndrra të bukura për jetën dhe natyrisht dëshironim shumë që Zoti të na dhuronte një fëmijë”. Kështu e fillon rrëfimin e tij jetësor Fariu për albinfo.ch.

“Fatkeqësisht, dëshira jonë nuk u realizua edhe pse nuk lamë gurë pa lëvizur, klinikë pa vizituar dhe mjek pa konsultuar. Zhgënjimi ynë deri në pikëllim të thellë erdhi me abortin e pestë të bashkëshortes sime. Nuk ndihmuan as klinikat në Maqedoni e as ato  zvicerane. Kur ne tashmë e kishim humbur çdo shpresë, një mik i ngushtë nga Kosova na informoi se është një mjek-gjinekolog shumë i përgatitur i cili për një kohë të shkurtër të qëndrimit me punë në Zvicër ka arritur të bëhet edhe kryemjek në Spitalin e Payernit të kantonit  të Vaud-it. Edhe pse shpresat tona ishin të pakta, ne megjithatë u paraqitëm në vizite te ai. Në fillim kishim dyshime. Ndoshta edhe si pasojë e ndikimeve  të propagandës se është shqiptar pra nuk është zviceran.

Po kush është ky mjek?

Quhet Dr. Avdulla Krasniqi, kryemjek i shërbimit të Gjinekologjisë në Payerne. Ai, me dijen, përvojën, seriozitetin dhe aftësinë kulminante profesionale arriti të zbulojë shkakun e aborteve dhe mrekullia ndodhi. Sot jemi një çift i ri dhe i lumtur, dhe për më tepër, kemi edhe djalin tonë Selimin e vogël i cili me ardhjen në jetë na ka gëzuar shumë dhe na ka bërë të lumtur. Për këtë lumturi tonë meritat dhe mirënjohja i shkojnë mjekut shqiptar, Avdulla Krasniqit, shprehet më tutje Fariu.

“Me shpirt dhe zemër ne e urojmë mjekun shqiptar Avdullahun, njëkohësisht mburremi me të arriturat e tij shkencore dhe profesionale dhe njëkohësisht ndjehemi krenarë me te që na bëri të lumtur jo vetëm ne por edhe familjen e gjerë Xheladini. Për këtë vendosëm që të dalim publikisht dhe ta falënderojmë mjekun Avdulla Krasniqi”, shpreht Fariu për albinfo.ch.

“Me këtë rast i dëshirojmë jetë të gjatë e të lumtur atij dhe familjes së tij si dhe të arritura edhe më të mëdha në rrafshin profesional”, urojnë Fari  dhe Elmedina Xheladini.

Mjeku që la perëndimin dhe iu kthye Kosovës

 

Për asgjë në jetën e tij nuk është bërë pishman. As për faktin që gati një vit ka lënë klinikat me renome botërore, për t’u kthyer në shërbim në vendin e tij në Kosovë, vend ky ballkanik ku për kokë banori në dhjetë vitet e fundit është investuar më së paku në shëndetin e qytetarit.

I ri në moshë, i specializuar dhe subspecializuar në klinika të mëdha gjermane, Dr. Armend Sadiku rrëfen ekskluzivisht për “albinfo.ch” arsyen që atë e ktheu në Kosovë. Këtë e bëri  pas mbarimit të subspecializimit në gjinekologji dhe obstetrikë dhe subspecializimit në fushën e kiirurgjisë minimal-invazive, derisa numër i madh i mjekëve kosovarë, pas diplomimit kanë mësyrë perëndimin, për një punë dhe jetë më të mirë.

“Fakultetin e Mjekësisë e kam filluar në Kosovë. Kam ndjekur tre semestra në Universitetin e Prishtinës, e vetëm pastaj kam vazhduar në Universitetin e Mjekësisë në Grac të Austrisë”, rrëfen dr. Sadiku. Ai ka diplomuar në Vienë, ku u promovua me titullin doktor i mjekësisë, derisa tash është shqiptari i vetëm i certifikuar prej shoqatës së endoskopistëve gjermanë, për operacione të rënda laparaskopike.

Nxënës i Dr. Holthaus, njërit prej dhjetë kirurgëve më të mirë minimal-invaziv në botë

Për dhjetë vite, nga maji i vitit 2005 deri në mesin e vitit 2015, Armendi ka mbaruar specializimin dhe subspecializimet në katër klinika me renome gjermane, atë të Neubrandenburgut, Bremenit dhe në Klinikën e Osnabrueck dhe atë në Damme. Kjo e fundit, e njohur sipas doktorit, për kryerjen e intervenimeve më të sofistikuara të kirurgjisë minimal-invazive në gjinekologji. Këtu, thotë se ka marrë mësimet e Dr. Bernd Holthaus, njërit prej dhjetë kirurgëve më të mirë minimal-invaziv në glob.

“Në Klinikën e Gjinekologjixsë dhe obsetrikës në Damme, pas përfundimit të specializimit u emërova shef i repartit, ndërsa një vit më vonë zëvendës i Dr. Holthaus”, rrëfen shqiptari nga Kosova.

Ai tregon se qysh kur ishte nisur nga Kosova, kishte mendimin që të kthehej dhe t’i kontribuojë vendit. “Ky ka qenë qëllimi qysh prej shkuarjes time. Ani se një sfidë tashmë ishte subspecializimi”, rrëfen Sadiku. Megjithkëtë, thotë se ishte fat i madh që ai ishte një nxënës i Dr. Holthaus. “Kështu që, pasi mbarova specializimin dhe subspecializimin, kam ardhur këtu me vullnet që t’i sjell këtij vendi metodat e sofistikuara të kirurgjisë minimale-invazive. Këtu ka deficit të trajtimit me këto metoda”, thotë doktori, që tashmë ka filluar punën në një qendër diagnostike për gjinekologji dhe obsetrikë në qendër të Prishtinës. Ndërsa, intervenimet minimal-invazive ka filluar t’i kryej tash e disa muaj në një spital privat në Prishtinë. “Është e rëndësishme që pacientët tashmë në Kosovë kanë mundësi të marrin atë shërbim që ne e kemi ofruar në Gjermani. Nuk ka absolutisht kurrfarë ndryshimi në ofrimin e shërbimeve”, thotë doktor Sadiku. Një gjë i ka ndihmuar shumë, që të adaptohet në rrethanat kosovare. “Unë asnjëherë këtu nuk jam ndjerë si diasporë, por si në vend timin. Por, këtu jam unë ai nga i cili pritet ndryshimi. Dhe atë ndryshim e kam sjellë”.

Stafi me të cilin punon ai është një staf jashtëzakonisht i vogël. “Si popull pak na mungon vetëkritika. Megjithatë, stafi me të cilin punoj i është përshtatur pa asnjë problem standardeve të punës që janë të vendosura për të gjithë”.

Operoi “live” para 1500 kolegëve të tij

Megjithatë, doktori thotë se nuk e ka problem të punojë edhe me staf shumë më të gjerë, pjesëtarët e të cilit janë të gatshëm t’u përshtaten standardeve profesionale gjermane, të përcaktuara për gjinekologji minimal-invazive. Në vitin 2013, ai kishte kryer madje një operacion “Live” para 1500 gjinekologëve nga gjithë Evropa, në një kongres të organizuar nga Shoqata Evropiane e Gjinekologëve Endoskopistë. “Kjo ka qenë ndjenjë e veçantë. Të kryesh një operacion para mijëra kolegëve tu. Vërtetë ndjenjë shumë e mirë”, rrëfen doktori, tek tregon me dorë certifikatën e vendosur në mur, të marrë pas këtij intervenimi ‘live’.

Por, derisa Sadiku ka gjetur veten në Kosovë, ai këshillon edhe mjekët e rinj që kanë synim të ikin në perëndim që atë dije të cilën e marrin në vendet ku kryejnë specializime dhe punojnë, ta rikthejnë në Kosovë.

73% e mjekëve duan të dalin jashtë Kosovës!

Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë në QKUK ka thënë se nga një pyetësor që ka bërë sindikata me 1000 të anketuar, ka rezultuar se 73 për qind e tyre dëshirojnë të ikin jashtë vendit. Selmani ka thënë për “Albinfo.ch” se mosha mesatare e mjekëve në Kosovë, ndërkaq është 50 vjeçare. Sipas tij, problemet do të vërehen në dhjetë vitet e ardhshme, kur mjekët do të pensionohen kurse pjesa dërmuese e kuadrove mjekësorë nuk shohin perspektivë në Kosovë por jashtë vendit. Fusha më e ndjeshme sa i përket kuadrove vazhdon të jetë anesteziologjia. Nehat Baftiu, drejtor i Anestezionit në QKUK në Prishtinë ka thënë për “albinfo.ch” se vetëm gjatë vitit 2015 nga Kosova kanë ikur pesë specializantë të anestezionit, duke theksuar kështu edhe më tepër mungesën e kuadrove të kësaj lëmie.  Ndërkohë, në Kosovë janë të pa punë 82 mjekë të specializuar në profile të ngushta mjekësore përfshirë edhe nëntë stomatologë.

 

 

Hapet ordinanca gjinekologjike nga një mërgimtar shqiptar

Ka shumë mjekë gjermanë që synojnë të largohen nga Gjermania drejt Zvicrës për shkak të pagave të mira në shëndetësinë zvicerane, por ka të atillë që e duan edhe Gjermaninë dhe Zvicrën. Një prej tyre është doktori nga Kosova, Imer Hajdari.

Doktori nga Drenoci i Kosovës ishte i pari që në vitin 1999 kishte hapur ordinancën e parë shqiptare në Mynih të Gjermanisë.

Një ordinancë të njëjtë ai e kishte hapur vitin e kaluar në Bernë të Zvicrës, e tash po e bën të njëjtën në Cyrih, e shumë shpejt ka premtuar se do të bëjë realitet edhe në St. Gallen.
Në praninë e shumë mysafirëve nga Gjermania dhe Zvicra, mjekë, diplomatë të Kosovës e të Shqipërisë në Zvicër, në mënyrë solemne ai bëri hapjen e  Ordinancës Gjinekologjike, Obstetrike dhe Onkologjike në Cyrih.

Prerjen e shiritit e kanë bërë konsulli i Kosovës në Cyrih, Sali Sefa dhe sekretari i parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, Kastriot Noli.

Duke folur para mysafirëve diplomati nga Kosova, Sali Sefa, tha me këtë rast se diaspora po tregon se ka potenciale intelektuale dhe se nuk janë më vetëm punëtorë krahu, por të barabartë me qytetarët e vendit pritës.

Kjo është një ordinancë private, e cila do të ofrojë të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me gjinekologjinë.

„Në këtë ordinancë nuk do të mjekohen vetëm sëmundjet onokologjike dhe operacionet gjinekologjike, por do të diagnostikohen shumë sëmundje qysh në jetën intrauterine, e të lindin fëmijë të shëndoshë pa të meta fizike dhe psikike, duke i shëruar dhe eliminuar të gjitha komplikacionet me aparaturë moderne medicinale“, tha gjinekologu Immer Hajdari. Ai kishte migruar në vitin 1992 në Gjermani, ku kishte punuar në fillim si mjek, e pastaj si shef i reparteve gjinekologjike.

Ai thotë se nuk i ka hapur dyert e ordinancës vetëm për bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë në Zvicër, por edhe të nacionaliteteve të tjera.

Ndërkohë nëse mjekët nga Kosova, në shumë raste ëndërrojnë jetën në ndonjë shtet të Evropës Perëndimore, siç mund të jetë Zvicra e Gjermania, ai ka në plan edhe diçka tjetër.

Doktori ka vendosur t’u kthehet edhe rrënjëve në Kosovë.

Një klinikë gjinekologjike do të ketë qendrën në Prishtinë.

„Muajin e kaluar e vëmë gurthemelin e një klinike gjinekologjike, obstetrike dhe onkologjike në Prishtinë. Në të nuk do të gjejnë shërim vetëm sëmundjet gjinekologjike dhe onkologjike, por do t’i parandalojmë dhe do të luftojmë kundër sëmundjeve kancerogjene“, premton doktori, tashmë menaxher i tri ordinancave gjinekologjike në diasporë, e shumë shpejt edhe i të katërtës në Kosovë.

Përurohet ordinanca e tretë e mjekut shqiptar Imer Hajdari

Pas Bernit dhe Cyrihut , St. Galleni është qendra e tretë rajonale e Zvicrës që bëhët me një ordinancë të re gjinekologjike të hapur nga mjeku shqiptar i ardhur nga Gjermania, Dr. med. Imer Hajdari.

Në prani të një numri solid të musafirëve të ftuar si mjek, politikanë e intelektualë të tjerë, dr. Hajdari preu të shtunën shiritin inagurues të ordinancës së parë gjinekologjike të një mjeku shqiptar në qytetit e St. Gallenit.

Ordianca gjinekologjike ofron shërbime për të gjithë pacientët pa dallim nacionalitete, tha dr. Hajdari në ceremoninë e përurimit.

Ordinanca gjinekologjike rritë cilësinë e panifikimit të familjës për nënat e reja shqiptare që kanë vështirësi komunikimi gjuhësor, pasiqë në këtë ordinancë pacientët mund të flasin edhe shqip, u tha në ceremoninë e prerjës së shiritit.

Në këtë ordinancë gjinekologjike krahas doktor Hajdarit, janë të angazhuar dhe ishin prezentë edhe dy mjek të tjerë, gjermani Michael Arnold dhe mjeku tjetër shqiptar dr. Shaban Bajrami.

Hapjen e kësaj ordinance gjinekologjike e përshendeti edhe deputeti i asamblesë komunale të Wilit, Arbër Bullakaj bashkë me mjekun e ri shqiptar Lirim Ademin.

Kjo oridnancë gjinekologjike me shërbime obstetrike dhe onkologjike gjendet fare pranë qendrës së qyteti dhe stacionit hekurudhor, në rrugën Rosenbergstarsse 32, në St. Gallen.