Privilegj apo sfidë? Një brez mes rrënjëve dhe horizonteve të reja

Në zemër të diasporës shqiptare në Zvicër po rritet një brez i ri që jeton mes dy botëve, dy kulturave dhe dy identiteteve. Të lindur ose të rritur në një shoqëri të zhvilluar dhe shumëkulturore, këta të rinj shqiptarë kanë arritur të ndërtojnë karriera të suksesshme në fusha të ndryshme, duke u integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane, por pa u shkëputur nga rrënjët e tyre.

Përmes 12 rrëfimeve personale, kjo temë sjell një pyetje thelbësore: a është të jesh shqiptar dhe zviceran një sfidë që duhet balancuar, apo një privilegj që krijon mundësi të reja, perspektiva më të gjera dhe një identitet më të pasur?

Pa dyshim, kush është rritur si fëmijë i prindërve mërgimtarë e njeh mirë ndjesinë e të jetuarit “mes dy botëve”. Në njërën anë janë vlerat, gjuha dhe traditat që përcjell familja, ndërsa në anën tjetër është shoqëria ku rritesh dhe arsimohesh, aty ku gradualisht formohet edhe identiteti. Pikërisht në këtë bashkëjetesë përvojash formësohet një brez i ri, me një identitet të dyfishtë që ndërthur natyrshëm përkatësinë shqiptare me kulturën dhe normat e vendit ku jeton.

Në Zvicër, kjo përvojë shfaqet qartë te gjenerata e dytë e diasporës shqiptare. Të rinj të shumtë, të lindur ose të rritur në këtë vend, kanë arritur të integrohen me sukses në sistemin arsimor dhe profesional zviceran, duke u afirmuar në fusha të ndryshme si shkenca, mjekësia, ekonomia, arti dhe kultura. Ata dëshmojnë se integrimi nuk është thjesht përshtatje, por edhe aftësi për të ndërtuar një rrugë të re pa mohuar origjinën.

Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë apo e shtruar. Prindërit, të rritur në trojet shqiptare, zakonisht përpiqen të ruajnë gjuhën, traditat dhe mënyrën e jetesës që kanë sjellë nga vendlindja, ndërsa gjenerata e dytë kërkon të ndërtojë pavarësinë e saj në një realitet tjetër. Në tema si përkatësia, ruajtja e gjuhës, identiteti, integrimi, ndarja mes kulturës së shtëpisë dhe realitetit shoqëror, si dhe me pritshmëritë e dyfishta që u vendosen, kjo përvojë shpesh shndërrohet në tension dhe sfidë në vete, por njëkohësisht edhe në një në avantazh, një mundësi për të jetuar me dy horizonte dhe për ta kthyer këtë dyzim në forcë.

Në këtë kontekst lind shpesh pyetja: A është privilegj apo sfidë të jetosh mes dy kulturave?

Përmes shumë intervistave me të rinj shqiptarë të suksesshëm që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, kjo temë përpiqet të sjellë pikërisht këtë perspektivë: si e përjetojnë ata identitetin e tyre mes dy kulturave dhe çfarë roli luan kjo përvojë në formimin e tyre personal dhe profesional.

 

Identiteti mes dy kulturave: të jesh shqiptar dhe njëkohësisht zviceran

Për shumë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, veçanërisht për brezin e dytë të diasporës, identiteti nuk përjetohet si një zgjedhje mes dy përkatësive, por si një proces i vazhdueshëm ndërthurjeje mes dy kulturave. Përvoja e tyre dëshmon se të qenit shqiptar dhe njëkohësisht pjesë e shoqërisë zvicerane nuk përbën një kundërthënie, por një realitet kompleks dhe shpeshherë pasurues. Në rrëfimet e të intervistuarve për revistën Albinfo.ch, identiteti i dyfishtë shfaqet si një hapësirë ku bashkëjetojnë disiplina dhe emocioni, tradita dhe moderniteti, rrënjët dhe perspektiva globale.

 

 

Kjo përvojë bëhet veçanërisht e dukshme në rrugëtimet profesionale të brezit të ri të diasporës.

Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” dhe sot pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich”, përfaqëson një shembull të qartë të kësaj ndërthurjeje kulturore. Për të, identiteti shqiptar nuk ka qenë kurrë diçka që duhej ruajtur me vetëdije, ai ka qenë gjithmonë pjesë organike e personalitetit të saj. Lidhja me komunitetin shqiptar dhe mënyra se si ajo ndërton marrëdhënie njerëzore i kanë dhënë një dimension tjetër profesionit të saj, aftësinë për të krijuar besim dhe bashkëpunim brenda ekipeve shumëkulturore, siç shprehet ajo: “Kombinimi i të dyjave më ka dhënë një balancë midis rigorozitetit analitik dhe inteligjencës emocionale”.

Edhe për Arbron Gashin, shkrimtar dhe autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, i cili njëkohësisht punon si “web designer” në Zvicër, jeta mes dy kulturave për të përfaqëson një sfidë të vazhdueshme balancimi. Ai thekson se dallimet mes dy mentaliteteve janë të dukshme, nga njëra anë struktura, rregulli dhe orientimi individual i shoqërisë zvicerane, ndërsa nga ana tjetër ngrohtësia, lidhja familjare dhe emocionaliteti që karakterizon kulturën shqiptare. Për të, sfida nuk qëndron në zgjedhjen e njërës kulturë ndaj tjetrës, por në aftësinë për të përthithur disiplinën dhe organizimin e njërës, duke ruajtur njëkohësisht dimensionin njerëzor dhe emocional të tjetrës.

Një perspektivë e ngjashme vjen edhe nga Vildane Rexhepi, menaxhere e prokurimit në sektorin e IT-së në bankën UBS. Sipas saj, për brezin e dytë të shqiptarëve në Zvicër integrimi shpesh fillon herët, përmes shkollës, rrethit shoqëror dhe përfshirjes në jetën profesionale. Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë, pasi komuniteti shqiptar mbetet i madh dhe shpesh krijon një hapësirë të vetën sociale. Për të, çelësi qëndron në vetëdijen për vlerat e origjinës dhe në aftësinë për t’i përfaqësuar ato me krenari, duke ndërtuar një personalitet që përçon më të mirën nga të dyja kulturat.

Ndërkohë, në profesionin e mjekësisë, ku përgjegjësia ndaj njerëzve është e jashtëzakonshme, identiteti i dyfishtë merr një dimension edhe më të thellë. Dr. Kaltrina Zahiti, mjeke oftalmologe në Zvicër, e përjeton këtë identitet si një pasuri të dyfishtë. Ajo thekson se kultura shqiptare i ka dhënë ndjeshmëri dhe empati ndaj pacientëve, ndërsa shoqëria zvicerane e ka formuar me disiplinë, korrektësi dhe përgjegjësi profesionale. Për këtë arsye, ajo e përshkruan identitetin e saj si “një pasuri të dyfishtë”, ku dimensioni njerëzor dhe ai profesional plotësojnë natyrshëm njëri-tjetrin.

Në fakt identiteti mes dy kulturave shprehet edhe përmes artit. Për piktoren Vanesa Lika, e lindur në Gjenevë nga prindër shqiptarë, rrënjët kulturore janë një nga burimet kryesore të frymëzimit artistik. Në veprat e saj, arti shndërrohet në një hapësirë reflektimi ku ndërthuren kujtesa, tradita dhe kërkimi personal shpirtëror. Siç thekson vetë ajo, përmes veprave të saj përpiqet të krijojë “një dialog mes së kaluarës dhe së tashmes”, duke e shndërruar identitetin në një proces krijues dhe të vazhdueshëm kërkimi. Për Likën, të jetosh mes dy kulturave nuk është një ndarje identitare, por një proces krijimi, një mundësi për të parë botën nga dy perspektiva dhe për të ndërtuar një identitet më të lirë dhe më autentik.

Edhe në muzikë, përkatësia kulturore shpesh shndërrohet në burim shprehjeje dhe lidhjeje me rrënjët. Këngëtari shqiptar Elion Krasniqi (LMN) e sheh artin, sidomos muzikën, si një nga mënyrat më të fuqishme për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. Përmes muzikës, sipas tij, krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë emocionale me gjuhën, traditat dhe trashëgiminë shpirtërore, duke bërë që identiteti të mos mbetet vetëm një koncept kulturor, por një përjetim i gjallë dhe i vazhdueshëm.

Nga ana tjetër, për disa prej të intervistuarve, jeta mes dy kulturave përjetohet kryesisht si një përvojë pasuruese. Modelja Cendrine Berisha, e cila ka përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” e sheh këtë ndërthurje kulturore si një pasuri personale që ka ndikuar në formimin e saj si individ.

Një perspektivë interesante mbi këtë realitet ofrojnë edhe dy mjekët e rinj shqiptarë, Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi, të diplomuar në “University of Basel” dhe tashmë në rrugën e studimeve doktorale. Për ta, të jetosh dhe të studiosh mes dy kulturave ka qenë një element thelbësor formues. Morgan Hetemi e sheh përkatësinë në diasporën shqiptare si një mundësi për të përfituar nga më të mirat e të dyja botëve, nga njëra anë vlerat familjare, respekti dhe ndjenja e bashkësisë që burojnë nga kultura shqiptare, dhe nga ana tjetër standardet e larta profesionale dhe akademike të shoqërisë zvicerane. Ndërsa për Thesar Abdullahun, kontrasti mes dy botëve e ka ndihmuar në zhvillimin e një perspektive më të hapur dhe fleksibile ndaj diversitetit.

Në tërësi, përvojat e këtyre të rinjve tregojnë se identiteti i shqiptarëve në Zvicër nuk është një realitet statik, por një proces dinamik ndërtimi, një identitet “hibrid” kulturor, që nuk ndahet mes dy botëve, por ndërtohet nga bashkimi i tyre. Mes disiplinës zvicerane dhe ndjeshmërisë shqiptare, mes traditës dhe modernitetit, brezi i ri i diasporës po krijon një identitet të ri, një identitet që nuk e mohon origjinën, por e shndërron atë në një burim force për të ndërtuar rrugëtimin e vet në një shoqëri gjithnjë e më shumë globale.

 

Suksesi i gjeneratës së dytë në arsim dhe integrim

Pas trajtimit të identitetit dhe mënyrës se si ai ndërtohet mes kulturës shqiptare dhe asaj zvicerane, vlen të theksohet se një pjesë e madhe e të intervistuarve nuk dallohen vetëm për përjetimin kulturor, por edhe për arritjet e tyre profesionale dhe akademike. Shumica prej tyre, të përmendur më herët, bartin tituj të avancuar akademikë, përfshirë edhe nivele doktorature, dhe janë të integruar në mënyrë të suksesshme në tregun profesional të Zvicrës.

 

 

Megjithatë, në këtë kapitull fokusi zhvendoset edhe më tej drejt një grupi të ri profilesh, të cilët përfaqësojnë fusha të ndryshme si mjekësia, ekonomia, menaxhimi, arti dhe moda. Këto histori dëshmojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por gjithnjë e më shumë e suksesshme në fusha të ndryshme profesionale, duke ndërtuar karriera të qëndrueshme dhe të dukshme në shtetin zviceran.

Një nga këto raste është Lavdrim Xhemaili, artist shumëdimensional shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër, i angazhuar në kërcim, aktrim dhe muzikë. Ai përfaqëson një profil artistik të kompletuar, i cili ka arritur të depërtojë në skenën zvicerane pa e humbur lidhjen me identitetin e tij kulturor. Rrugëtimin e tij ai e përshkruan si një proces natyral përshtatjeje, duke theksuar me një dozë ironie se “Zvicra është shtëpia ime, edhe pse jo gjithmonë e kam ndier ashtu”, duke reflektuar kështu raportin kompleks mes përkatësisë dhe përvojës personale në Zvicër.

Në aspektin profesional, ai thekson se depërtimi në tregun artistik zviceran nuk ka qenë domosdoshmërisht i vështirë për shkak të mungesës së mundësive, por më shumë për shkak të perceptimeve ekzistuese mbi diversitetin. Sipas tij, shpesh paragjykimet vizuale dhe kulturore ndikojnë në mënyrën se si interpretohet një artist në skenë, duke krijuar sfida të padukshme për individët me prejardhje të ndryshme.

Një rol të veçantë në këtë dimension të arsimit dhe integrimit profesional e zë edhe Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” në Lugano, e cila sot është gjithashtu post-doktorante dhe pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich” në Departamentin e Shkencave Kompjuterike dhe “ETH AI Center”. Paralelisht me angazhimin akademik, ajo vepron edhe si “Data Scientist” në IKEA në Bazel, duke lidhur kështu kërkimin shkencor me aplikimin praktik në industri.

Ajo thekson se sistemi arsimor zviceran ka ndikuar thellësisht në mënyrën e saj të të menduarit dhe të punuarit, duke e orientuar drejt cilësisë, precizitetit dhe rigorozitetit shkencor. Sipas saj, në fushën e inteligjencës artificiale “nuk mjafton që një model të funksionojë, ai duhet të jetë i dokumentuar, i justifikuar dhe i riprodhueshëm”, qasje kjo që e ka bërë pjesë të pandashme të punës së saj të përditshme.

Një tjetër profil i rëndësishëm është Vildane Rexhepi, e angazhuar në sektorin e IT-së në bankën UBS, me formim akademik në transformimin digjital nga “ZHAW Zurich University of Applied Sciences”. Ajo e përshkruan edukimin zviceran si vendimtar në formimin e saj profesional, duke theksuar rëndësinë e saktësisë, efikasitetit dhe menaxhimit të prioriteteve në punën e përditshme.

Mes profileve të suksesshme që dëshmojnë integrimin profesional në Zvicër është edhe Dr. Kaltrina Zahiti. Si mjeke e specializuar për sëmundjet e syrit, ajo ka themeluar dy ordinanca oftalmologjike në Biberist dhe Emmen, të cilat ofrojnë shërbime moderne dhe kujdes cilësor për pacientët.

Ndërsa fushën e ekonomisë dhe biznesit, një histori veçanërisht e dallueshme është ajo e Fjolla Gashit, e cila ka ndërtuar një rrugëtim të shumëfishtë akademik dhe profesional në Zvicër. Ajo ka përfunduar studime në infermieri dhe ekonomi e biznes, duke arritur deri në nivelin Master në “University of Basel”, ndërsa sot punon si menaxhere klientësh në kompaninë “BDO AG”. Rrugëtimi i saj akademik karakterizohet nga një intensitet i lartë dhe një disiplinë e jashtëzakonshme, duke dëshmuar njëkohësisht aftësinë për të kombinuar studimet me integrimin profesional në një sistem të kërkuar si ai zviceran.

Po ashtu edhe në botën e modës, Cendrine Berisha, modele shqiptare nga Zvicra, përfaqëson një tjetër dimension të këtij integrimi. Ajo ka ndërtuar karrierën e saj në skenën ndërkombëtare të modës, duke përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” në Napoli dhe duke bashkëpunuar me agjenci dhe revista në vende të ndryshme. Për të, përfaqësimi i Zvicrës në një skenë ndërkombëtare, duke ruajtur njëkohësisht edhe rrënjët shqiptare, përbën një përvojë të veçantë dhe të rëndësishme në aspketin e integrimit në shoqërinë zvicerane.

 

Ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare

Në jetën e përditshme të shqiptarëve në Zvicër, gjuha dhe kultura shqiptare mbeten një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit. Në rrëfimet e tyre, ruajtja e shqipes nuk paraqitet vetëm si një çështje tradite, por si një përpjekje e vetëdijshme për të mbajtur gjallë lidhjen me rrënjët, historinë familjare dhe përkatësinë kulturore. Kjo përpjekje shpesh fillon brenda familjes, por forcohet edhe përmes institucioneve arsimore dhe aktiviteteve kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Një rol të veçantë në këtë proces luajnë shkollat plotësuese të gjuhës shqipe. Një nga figurat që i ka kushtuar vite të tëra këtij misioni është mësuesja Ida Jashari, e cila prej afro dy dekadash u mëson gjuhën shqipe fëmijëve të diasporës në Ostermundigen të Bernës. Në klasat e saj, ku shpesh mësojnë edhe fëmijë të gjeneratës së tretë, gjuha nuk trajtohet vetëm si mësim gramatike, por si pjesë e identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë. “Shkolla shqipe është zemra që mban gjallë identitetin tonë larg atdheut,” shprehet ajo, duke theksuar se aty fëmijët mësojnë jo vetëm të flasin shqip, por edhe të ndjejnë lidhjen me rrënjët e tyre.

Sipas saj, ruajtja e gjuhës në diasporë është një proces që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes familjes dhe shkollës. Ajo vëren se brezi i ri nuk e ka humbur shqipen, por ka nevojë për më shumë mbështetje për ta kultivuar atë. “Brenda tyre ekziston dëshira për ta ruajtur gjuhën, ne vetëm duhet ta ushqejmë me dashuri dhe përkushtim,” thekson Jashari. Për këtë arsye, ajo e konsideron bashkëpunimin mes prindërve dhe mësuesve si një faktor vendimtar, kur këto dy shtylla ecin së bashku, gjuha dhe kultura bëhen më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. Në fund të fundit, siç thotë ajo me shumë ndjenjë, të edukosh fëmijët shqiptarë në mërgatë do të thotë “të mbash gjallë një copë atdheu në zemrat e tyre”.

Ruajtja e gjuhës shfaqet edhe në përvojat e profesionistëve të rinj shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Për shembull, mjekët e rinj të diplomuar në Bazel, Morgan Hetemi dhe Thesar Abdullahu, tregojnë se lidhja me gjuhën dhe kulturën shqiptare i ka shoqëruar edhe gjatë rrugëtimit të tyre akademik. Ata u njohën që në semestrin e parë të studimeve dhe zbuluan se ndanin jo vetëm të njëjtin profesion, por edhe të njëjtën prejardhje nga Ferizaj. Kjo afërsi krijoi një ndjenjë të veçantë bashkëpunimi dhe përkatësie. “Ka qenë gjithmonë një ndjenjë e bukur të dish se ke dikë me të cilin ndan të njëjtin rrugëtim,” kujton Thesari, duke nënvizuar se kjo lidhje i ka ndihmuar të ruajnë më lehtë edhe kontaktin me gjuhen dhe kulturën shqiptare brenda një mjedisi akademik zviceran.

Edhe në botën e letërsisë, gjuha shqipe mbetet një mjet i rëndësishëm për të ruajtur lidhjen me origjinën. Shkrimtari Arbron Gashi, autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, tregon se të jetosh në Zvicër shpesh të shtyn të përdorësh më shumë gjuhë të tjera në përditshmëri, por zgjedhja për të shkruar në shqip është një vendim i vetëdijshëm. “Kam dashur që njerëzit e mi në Kosovë dhe në Zvicër të mund të lexojnë atë që kam për të thënë,” shprehet ai, duke theksuar se ruajtja e gjuhës në nivel të mirë kërkon praktikë dhe vetëdije të vazhdueshme.

 

Keystone SDA
Keystone

 

Në mënyrë të ngjashme, edhe profesionistë të tjerë shqiptarë në Zvicër e shohin gjuhën si një lidhje të drejtpërdrejtë me identitetin e tyre. Menaxherja në sektorin e IT-së bankare, Vildane Rexhepi, thekson se familja ka qenë faktori kryesor në ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare, ndërsa lidhja e vazhdueshme me Kosovën dhe Shqipërinë e ka ndihmuar që kjo përkatësi të mbetet e gjallë. Edhe mjekja e syve, Kaltrina Zahiti tregon se, ndonëse në përditshmërinë profesionale përdor kryesisht gjuhët zvicerane, në jetën private shqipja mbetet thelbësore. “Përmes gjuhës kam një lidhje të drejtpërdrejtë me rrënjët e mia, me traditat dhe me një mënyrë të menduari që është pjesë e rëndësishme e identitetit tim,” shprehet ajo.

Në fushën e artit dhe muzikës, kjo lidhje merr një dimension tjetër. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) nga Gjeneva ka zgjedhur të këndojë kryesisht në gjuhën shqipe, duke e parë atë si një pjesë të pandashme të identitetit të tij artistik. Ai tregon se ndikimi i familjes ka qenë vendimtar në këtë drejtim, pasi është rritur në një mjedis ku gjuha dhe muzika shqiptare ishin gjithmonë të pranishme. “Kam vendosur të këndoj në shqip sepse kjo është pjesë e pandashme e identitetit tim,” thotë ai, duke shtuar se publiku shqiptar e përjeton këtë me shumë emocion, ndërsa edhe publiku ndërkombëtar e vlerëson autenticitetin e artistëve që ruajnë rrënjët e tyre.

Në të gjitha këto rrëfime, gjuha shqipe shfaqet jo vetëm si një element komunikimi, por si një urë që lidh brezat dhe kulturat. Për shqiptarët në Zvicër, ajo mbetet një mënyrë për të ruajtur kujtesën kolektive, për të kultivuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të mbajtur gjallë një pjesë të atdheut, edhe larg tyre.

 

“Një shqiptari e re”, gjenerata moderne e diasporës

Gjenerata e dytë e diasporës po formon një mënyrë të re të të qenit shqiptar, më të artikuluar, më të vetëdijshme dhe të lidhur njëkohësisht me rrënjët dhe me realitetin global. Në rrëfimet e të intervistuarve kjo “shqiptari e re” nuk shihet si shkëputje nga tradita, por si një vazhdimësi që merr forma të reja në kontekstin e jetës në Zvicër.

Për studiuesen dhe shkencëtaren e të dhënave Shkurta Gashi, kjo dukuri nuk përfaqëson krijimin e një identiteti krejtësisht të ri, por zgjerimin e atij ekzistues. Sipas saj, brezi i dytë është rezultat i një evolucioni që ndërthur vlerat e trashëguara nga familja me standardet që ofron sistemi arsimor zviceran. Ajo e vendos këtë zhvillim edhe në kontekst historik, duke e lidhur me valët e migrimit të viteve ’70 dhe ’90, kur shumë shqiptarë u përballën me sfida të mëdha integrimi. Pikërisht mbi përvojën dhe sakrificat e atij brezi është ndërtuar stabiliteti dhe mundësia e zhvillimit për brezin e dytë. Në këtë kuptim, sipas saj, kontrasti mes tradicionales dhe modernes është shpesh artificial, sepse në realitet po ndodh një sintezë mes tyre. “Brezi i dytë nuk po krijon një ‘shqiptari të re’, po e zgjeron atë,” shprehet ajo, duke theksuar se identiteti sot ndërtohet duke mbajtur fort rrënjët dhe duke përfshirë përvojën ndërkombëtare. Në një përkufizim të shkurtër, ajo e përmbledh këtë përvojë me fjalët: “Të kesh dy perspektiva dhe të dish t’i shndërrosh të dyja në vlerë.”

Edhe shkrimtari Arbron Gashi sheh në këtë brez një zhvillim të natyrshëm drejt një identiteti më të hapur dhe më modern. Sipas tij, mundësitë më të mëdha për arsim dhe zhvillim kanë krijuar një gjeneratë më të vetëdijshme për potencialin e saj. Megjithatë, ai thekson se kjo rrugë kërkon edhe një përpjekje të vazhdueshme për të mos humbur lidhjen me rrënjët. “Po, mendoj që brezi i dytë po formon një lloj ‘shqiptari të ri’, më të hapur dhe më modern,” thotë ai, duke shtuar se ruajtja e gjuhës dhe kulturës është thelbësore për të mbajtur gjallë këtë identitet. Në një fjali të vetme, ai e përkufizon këtë përvojë si “të jetosh mes dy botëve dhe të marrësh më të mirën nga të dyja”.

Edhe në fushën e mjekësisë, përvoja e Kaltrina Zahitit e përforcon këtë ide. Sipas saj, brezi i dytë i shqiptarëve në Zvicër po ndërton gradualisht një identitet më të integruar, ku gjuha, traditat dhe lidhja me origjinën mbeten pjesë e rëndësishme e vetëdijes kulturore, ndërsa integrimi në shoqërinë zvicerane vazhdon të thellohet.

Një perspektivë të ngjashme sjell edhe profesionistja në sektorin bankar Vildane Rexhepi, e cila vëren se brezi i dytë karakterizohet nga orientimi drejt qëllimeve dhe nga këmbëngulja për të përballuar sfidat. Sipas saj, ky brez po dëshmon çdo ditë se integrimi dhe suksesi profesional mund të ecin paralelisht me ruajtjen e identitetit kulturor. Prania e shqiptarëve në fusha të ndryshme, nga mjekësia dhe infermieria deri te ekonomia dhe drejtësia, krijon një urë të natyrshme mes dy kulturave, duke reflektuar atë që ajo e përshkruan si “bukurinë e identitetit shqiptar me atribute zvicerane”.

Në art dhe kulturë, ky identitet shfaqet përmes mënyrës se si artistët e rinj përfaqësojnë rrënjët e tyre në një skenë ndërkombëtare. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) e përshkruan këtë përvojë në mënyrë të thjeshtë dhe domethënëse: “Të jesh shqiptar në Zvicër do të thotë të jetosh mes dy botëve, duke ruajtur origjinën dhe duke u integruar me dinjitet.” Një mesazh të ngjashëm përcjell edhe modelja Cendrine Berisha, e cila e sheh gjeneratën e re si një brez që arrin të balancojë traditën me modernitetin. “Është një brez që di të balancojë traditën me modernitetin, me shumë vetëdije dhe ambicie,” thotë ajo, ndërsa për veten e saj të jesh shqiptare në Zvicër do të thotë “të jesh krenare për rrënjët dhe e vendosur për të ardhmen”.

Në të gjitha këto perspektiva, gjenerata e re e diasporës shqiptare shfaqet si një brez që nuk e sheh identitetin si një kufi mes dy kulturave, por si një hapësirë ku ato bashkëjetojnë dhe pasurojnë njëra-tjetrën. Kjo “shqiptari e re” nuk e zëvendëson traditën, por e zgjeron atë, duke e bërë identitetin shqiptar më të hapur, më të sigurt dhe më të pranishëm në një botë gjithnjë e më globale.

Në katër nënkapitujt e këtij artikulli u shpalosën disa nga dimensionet më të rëndësishme të këtij realiteti, siç janë identiteti mes dy kulturave, roli i arsimit dhe integrimit profesional, ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe formimi i një gjenerate të re të diasporës. Së bashku, këto rrëfime krijojnë një mozaik përvojash që tregojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por edhe shumë e suksesshme në fusha të ndryshme, nga shkenca dhe mjekësia, te arti, ekonomia dhe kultura.

Një element që shfaqet vazhdimisht në këto histori është roli i familjes dhe i gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit. Për shumë prej tyre, gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një lidhje e drejtpërdrejtë me rrënjët, kujtesën dhe kulturën e prejardhjes. Në të njëjtën kohë, arsimi dhe përvoja profesionale në Zvicër kanë ndihmuar në formimin e një brezi të ri të profesionistëve të përgatitur, të disiplinuar dhe të hapur ndaj botës.

Kjo gjeneratë, në shumë mënyra, përfaqëson një urë të padukshme mes dy kulturave. Ajo lëviz natyrshëm mes traditave shqiptare dhe standardeve të shoqërisë zvicerane, duke marrë më të mirën nga të dyja. Përmes këtij ndërthurje, identiteti shqiptar në diasporë nuk mbetet i ngrirë në kohë, por evoluon, duke u pasuruar me përvoja të reja dhe duke fituar një dimension më të gjerë.

Në fund, historitë e këtyre të rinjve dëshmojnë se diaspora shqiptare në Zvicër nuk është vetëm një histori migrimi, por edhe një histori zhvillimi, integrimi dhe suksesi. Ajo tregon se si rrënjët mund të mbeten të forta edhe larg vendit të origjinës dhe se si një identitet i dyfishtë, larg të qenit një pengesë, mund të shndërrohet në një forcë që hap horizonte të reja për individin dhe për komunitetin si një pasuri dhe privilegj.

 

Lavdrimi, “një shpirt artisti” shumëdimensional në Zvicër

Talenti dhe gjeniu i njeriut mund të shprehet në forma të ndryshme. Mjafton dëshira dhe vullneti për të arritur realizimin e ëndrrave, në destinacionin e duhur. E kush më mirë mund të na vërtetojë këtë se sa Lavdrim Xhemaili, artist i shquar n Zvicër, me ambicie të mëdha.

Në fakt, përveç dhuntisë së kërcimit, ai ka studiuar edhe katër vjet për balet, xhaz, vallëzim modern, flamenko, hip-hop dhe teatër.

Ai ka kërcyer edhe për markat më në zë në botë, siç janë Nike, Diesel, Oakley, Breitling, Longines, Red Bull, Mercedes, Porsche, Volkswagen, ESPN, Canon dhe gjithashtu ikona si Grace Jones dhe Annie Lennox.

 Ndër të tjera, Lavdrimi është parë edhe në disa shfaqje televizive të njohura si dhe ka qenë pjesë e grupit të njohur ndërkombëtarisht “Stylize”, ku edhe ka fituar shumë çmime.

Që në moshë të re ai kishte tërheqje për fushën e kërcimit, duke u “zhytur” thellë në llojet e saj, nën gërshetimin e aktrimit dhe këndimit.

Në vijim mund të lexoni intervistën e plotë të revistës Albinfo.ch me artistin Lavdrim Xhemaili:

 

Albinfo.ch: Lavdrim, fillimisht na trego pak rreth vendlindjes tuaj, ku keni lindur, hapat e parë të shkollimit ku i keni marrë?

Kam lindur në Bujanovcit. Por familja ime është nga Gjilani. Prindërit e mi u detyruan të shkojnë në Zvicër kur unë isha 18 muajsh. Shkova në kopsht dhe shkollë në qytetin e Lucernit dhe më vonë në Ebikon. Vitin e fundit të shkollës së mesme e përfundova në një shkollë me konvikt në Oberägeri.

 Albinfo.ch: Na tregoni rreth rrugëtimit tuaj në Zvicër, sa ishte e vështirë të ambientoheshit në shoqërinë zvicerane?

Unë isha foshnjë kur erdhëm në Zvicër. Ishte shumë më e vështirë për prindërit e mi. Por, rritja në Lucern la një gjurmë të thellë tek unë. M’u bë e qartë shumë herët se në fakt nuk i përkisja këtij vendi. Qoftë nga mësuesit apo sidomos nga prindërit e shokëve të klasës. Për mua, kjo shkaktoi një frikë të caktuar për t’u dëbuar. Aq sa gënjeva për origjinën time vetëm për t’u pranuar nga fëmijët dhe të rriturit. Fatkeqësisht, kjo vazhdon ende edhe sot. Ishte e vështirë të përkisje kur askush nuk të donte. Ndërsa u rrita, kjo u largua dhe për fat kisha njerëz të mrekullueshëm rreth meje që pranuan nga vija. Nuk kishte shumë, por ato ishin edhe më të rëndësishme. Zvicra është shtëpia ime, edhe pse jo gjithmonë e kam ndiere atë. A jam përshtatur? Unë do të thosha po. Unë jam një artist me një grua të mrekullueshme zvicerane-aziatike, një vajzë dhe një mace. E gjitha kjo është mjaft e përshtatur, apo jo? Haha!

 

 

Albinfo.ch: Na flisni pak për eksperiencën tuaj si artist, si lindi dëshira dhe kur filluat ta praktikoni aktrimin?

Edhe si i vogël kërceja dhe këndoja para pellushave të mia, haha! Unë rikrijova skena nga filmat me figurat e mia Lego dhe aksion, si dhe ëndërroja që herët të isha në skenë ose të luaja vetë në një film. Por muzika erdhi tek unë e para. Fillova të luaja në bateri rreth moshës 11-vjeçare. Kur isha 12 vjeç zbulova breakdancing. Pas shkollës së mesme, shkova në Fabrikën e Vallëzimit Colombo dhe fillova stërvitjen time të kërcimit në Shkollën e Teatrit të Valleve të Cyrihut. Aktrimi erdhi më vonë, edhe pse ishte gjithmonë në mendjen time. Nga ky këndvështrim, nuk kam pasur ndonjë trajnim për aktrim. Më erdhi rasti të luaja një rol më të vogël dhe në të njëjtën kohë më lejuan të luaja për një aktor në shfaqjen “Nata e zonjave”. Kështu e nisa 7 vjet më parë.

 Albinfo.ch: Sa ishte e vështirë të depërtosh artistikisht në tregun zviceran?  

Në fakt, jo e vështirë. Edhe pse vendi është mjaft i vogël, diversiteti artistik këtu është i madh. Ajo që e bën të vështirë është se shumë njerëz ende mendojnë në terma të normave. Për shembull, flokët e errëta, sytë e errtë, një person më mesdhetar, me tipare të habitshme të fytyrës është shpesh zuzar.

Është ende në mendjet e shumë njerëzve që disa etni nuk mund të lidhen me role të caktuara. Sepse ka imazhe që vërtiten në kokën e njerëzve, përfshirë paragjykimet, se ku i përket dikujt në shpërndarjen e roleve. Për shembull, aziatikët janë ose role mbështetëse qesharake që duhet të flasin me theks, kërcimtarë ekzotikë ose prostituta. Ajo që nevojitet këtu është një ndryshim në mendjet e njerëzve, ku të gjithë për fitojnë prej tij dhe jo vetëm disa grupe. Problemi tjetër është se puna nuk merret seriozisht. Arti nuk është punë. Ata thonë se çdokush mund ta bëjë këtë. Ju nuk mund të shihni as punën e vështirë pas saj. Mendoj se është turp, sepse pa art, bota do të ishte shembur shumë kohë më parë. Çfarë bëjnë njerëzit kur janë të trishtuar? Ne dashuri? E lumtur? I frustruar apo i zemëruar? Ata shkojnë në art. Qoftë përmes muzikës, pikturave, skulpturave, tregimeve, poezive, filmave e kështu me radhë. Arti shëron zemrat dhe shpirtrat tanë. Ndoshta është edhe rasti që ka shumë klube me aktorë amatorë që thonë “e bëjmë edhe ne”. Ajo që është e mrekullueshme është se ekziston. Por, për deklarata të tilla i them gjithmonë: “Nëna ime bën omeletë të shijshme. Por kuzhinieri profesionist e bën më mirë”.



 

Albinfo.ch: Lavdrim, ju keni edhe një dhunti të kërcimit, për të cilën edhe jeni shkolluar, na flisini pak për eksperiencën tuaj në kërcim, si lindi dëshira, diplomimi, çfarë lloj kërcime dini dhe kur filluat ta praktikoni?

Kërcimi ka qenë gjithmonë magjepsës dhe diçka e natyrshme për mua. Unë gjithmonë kërceja me koreografitë e këngëtarëve në MTV dhe më pëlqente t’ua tregoja prindërve të mi. Unë u futa në breakdancing përmes miqve kur isha vetëm 12 vjeç. Ishte një kohë shumë emocionuese dhe nuk do ta harroj kurrë sa shumë argëtohesha. Ishte pjesë e imja dhe e jetës sime. Vendimi për t’u bërë balerin ndodhi brenda natës. Unë isha në shkollën e tretë të mesme. Në atë kohë isha duke bërë vitin e fundit në një shkollë me konvikt dhe nuk kisha kërcyer më, sepse sapo studioja. Tashmë kisha një plan për të shkuar në shkollën e mesme dhe më pas për të studiuar filozofi ose psikologji. Isha shtrirë në krevatin tim në dhomën tonë dhe zemra më rridhte. Nuk mund të flija dhe gati u çmenda. E kuptova që nuk dua asgjë nga këto. 4 vjet të tjera këtu dhe më pas thjesht rrini ulur dhe jeni të pakënaqur çdo ditë? E dija se çfarë doja dhe kurrë më parë nuk kishte qenë diçka aq e qartë për mua sa ishte në atë moment. Më duhej të bëhesha balerin. Telefonova mësuesin tim të daulles, i cili më tha se i përkisja në skenë dhe jo në tavolinën e zyrës, që quhej shkolla e kërcimit që ai përmendi dikur. Një javë më vonë mora provimin pranues dhe mora një vend në shkollë. Isha vetëm 16 vjeç kur filloi trajnimi i kërcimit. Temat kryesore përfshinin baletin, xhazin dhe kërcimin modern. Kishte gjithashtu Flamenko, lënda ime më e mirë dhe më e fortë, hip hop, teatër dhe këndim, si dhe histori kërcimi dhe anatomie. Ishte shumë e rreptë dhe e vështirë. Por më pëlqente çdo moment. I rrethuar nga kërcimtarë, kjo atmosferë më bëri të ndihesha si në një film kërcimi. Unë isha në vendin e duhur. Unë isha mjaft me fat që pata koncerte me pagesë gjatë stërvitjes sime. Kishte pak burra në atë kohë dhe unë isha i mirë në atë që bëja. Përmirësova dita-ditës dhe gjithashtu krijova stilin tim që u bë marka ime. Kam kombinuar breakdancing me xhazin dhe kërcimin modern. Deri atëherë, kjo nuk ekzistonte realisht dhe unë isha dhe jam krenar që kam arritur diçka të tillë. Kisha fituar një reputacion dhe ndihesha mirë të më njihnin për diçka. Stërvitja ime zgjati 4 vjet me një pushim në fund, sepse u lëndova rëndë duke kërcyer. Por kjo nuk më pengoi të vazhdoja. Unë kisha ende disa lëndime, por nuk u dorëzova. Pas diplomimit kam bërë shumë shfaqje dhe kam qenë edhe anëtar i grupit “Stylize”. Me Stylize kemi kërcyer ndërkombëtarisht dhe kemi fituar edhe disa kampionate.

 Albinfo.ch: Cilat janë markat (firmat) për të cilat keni kërcyer profesionalisht?

Nike, Diesel, Oakley, Breitling, Longines, Red Bull, Mercedes, Porsche, Volkswagen, ESPN, Canon dhe gjithashtu ikona si Grace Jones dhe Annie Lennox.

 

 

Albinfo.ch: Të jesh aktor, kërcimtar i llojeve të ndryshme dhe në të njëjtën kohë, t’i bashkosh të dyja këto, sa është e vështirë për ju?

Në fakt, nuk është aq e vështirë për mua. Nuk është aq ndryshe. Sigurisht, me disa flas më shumë e me të tjerët lëviz më shumë, hahaha! Por në thelb ajo mbetet e njëjtë. Unë flas në mënyra të ndryshme me të njëjtin qëllim. Argëtoj dhe prek emocionalisht audiencën. Më jep më shumë mundësi për të portretizuar diçka më lozonjare dhe në të njëjtën kohë, për të qenë me i lirë. Pse muzikalet janë shumë argëtuese, sepse mund t’i kombinojnë mirë të dyja. Por kur erdhi këndimi, u bë vërtet e vështirë, hahaha! Mendoj se dalëngadalë po e marr përsipër t’i kombinoj të trija së bashku, por po, të këndosh ishte mjaft sfidë.

  Albinfo.ch: Ju keni performuar në shumë skena të rëndësishme të botës, konkretisht cilat janë ato shfaqje, projekte (nëse mund të na i cekësh emrat e shfaqjeve)?

Kur bëhej fjalë për kërcimin, ishin dy shfaqjet në Showcase Culture Shock në San Diego dhe Los Angeles. Nuk do ta harroj kurrë se si publiku në San Diego na dha një ovacion aq të madh saqë grupet e radhës duhej të prisnin për shkak të tij. Më pas vjen shfaqja për Canon në Luvrin në Paris. E kishim shfaqjen tonë pikërisht nën piramidën e xhamit. Kjo ishte magjike. Përsa i përket aktrimit, kjo ishte kryesisht shfaqja e parë me veprën “Shfaqja duhet të shkojë keq” në Teatrin e bukur St.Pauli në Hamburg. Është vërtet e veçantë, sepse dy vjet më parë festova natën e Vitit të Ri në Hamburg me gruan time, tani dhe ishim në lokalin e Teatrit St.Pauli. Unë nuk isha aktor në atë kohë dhe nuk e njihja teatrin. Dy vjet më vonë isha në skenë dhe aktroja. Jeta mund t’ju befasojë, apo jo?)

 

 

Albinfo.ch: Patjeter se po! Lavdrim, në rrugëtimin tuaj profesional, cila është skena (projekti), që të ka dhënë më shumë emocion, duke performuar dhe që, në një mënyrë ju bën të ndiheni krenar atë që keni përjetuar?

Për mua çdo projekt është shumë i rëndësishëm dhe unë jap më shumë se 100% për gjithçka. Por ka pasur momente dhe pjesë të rëndësishme për mua. Do të ishte paraqitja ime e parë si aktor në shfaqjen “Nata e Zonjave”. Më duhej ta mësoja tekstin brenda natës. Mbërrita në teatër herët në mëngjes dhe duhej të mësoja gjithçka, sepse shfaqja ishte po atë mbrëmje. Kolegët e mi ndihmuan në skenë dhe më lejuan ta merrja me vete tekstin shkollor. Por tashmë më shumë se gjysmën e kisha të memorizuar dhe të kaluar me ngjyra të larta. Unë isha jashtëzakonisht krenar dhe mirënjohës më pas. Dalja ime e parë në Teatrin St.Pauli është e paharrueshme. Përmasa dhe turma që na festoi ende sot më shqetëson. Pastaj do të kishte një performancë si kërcimtar në Cyrih. Një nga idhujt e mi të breakdancing ishte ulur në audiencë dhe erdhi tek unë pas shfaqjes dhe më tha se i pëlqente shumë stili im dhe se kurrë nuk kishte parë diçka të tillë. Po, gati sa më duhej të qaja, haha! Edhe komedia politike “Extrawurst” ishte emocionuese për mua. Roli im i parë i madh i të folurit. Në këtë shfaqje luaj një avokat turk që luan në një klub tenisi dhe ulet në bord. Kur u diskutua nëse kishim nevojë për një skarë të re, dikush lindi me idenë për të marrë një skarë të dytë, sepse unë jam mysliman dhe nuk ha mish derri. E gjithë tema degjeneron dhe zbulon shumë paragjykime raciste. Ishte shumë e vështirë për mua, sepse ishte përfshirë edhe publiku dhe nuk dëgjova komente shumë të bukura nga publiku. E njoha veten në rol dhe kujtova kohën time në Lucern. Kam pasur shumë probleme me të. Por ishte gjithashtu një kohë mësimore dhe mësova shumë për veten time dhe si mund t’i përdor më mirë këto emocione dhe mendime private për skenën. Roli im si zuzar në shfaqjen “Komedia për një grabitje” ishte shumë sfidues, pasi ishte roli im i parë i madh si një nga aktorët kryesorë. Roli im si pirat në pjesën “Schatzinsle” ishte i madh, sepse më lejuan të këndoja një solo/duet për herë të parë. Dhe, së shpejti vjen roli im i parë kryesor, të cilin mezi e pres dhe do të jetë një sfidë e madhe. Gjithmonë mësoj gjëra të reja.

Albinfo.ch:  A ka ndonjë angazhim tjetër artistik që do ta shfaqni në një format ndryshe, qoftë ndonjë shfaqje për këtë sezon?

Unë e kam atë. Fillimisht vjen ringjallja e pjesës “Extrawurst”, ku do të luaj avokatin Murat Oturan në Cyrih dhe Seeb dhe në të njëjtën kohë do të fillojnë provat për “Peter Pan shkon Wrong”, ku do të luaj si Peter Pan. Kjo është ajo që po pres më shumë. Mund të kontrolloni gjithçka në www.shakecompany.ch.



 

Albinfo.ch: Lavdrim, a keni ndonjë mesazh motivues për artistët e rinj shqiptarë?

Jini të guximshëm, mos u fshihni, qëndroni besnik ndaj vetes dhe mos kini frikë. Ndiqni zemrën dhe ëndrrat tuaja dhe mos u dorëzoni kurrë. Mund të mos jetë e lehtë dhe jo të gjithë do ta mbështesin. Ndoshta edhe ju ndalon ta bëni atë. Por duroni dhe besoni se do t’ia vlejë. Kultura jonë është e pasur me art. Qoftë poezi, muzikë, valle apo teatër. Arti është pjesë e identitetit tonë, kultura jonë dhe bota do të jetë një vend më i mirë nëse tregoni talentin tuaj.

 Albinfo.ch: Për fund, Kosovën apo Shqipërinë, sa shpesh i vizitoni?  

Për turpin tim, më duhet të pranoj që nuk kam qenë në Kosovë për një kohë të gjatë. Koha nuk ishte kurrë e duhur për shkak të punës. Herën e fundit që kam qenë në Shqipëri, në Sarandë, ka qenë para dy vjetësh me gruan time. Planifikoj t’i vizitoni të dyja shumë shpejt. /Albinfo.ch

Alban Muja, prezanton në Gjermani identitetin e shtetit të ri

Të dielën e kaluar në Schlosstheater të Münsterit është prezantuar me videofilmat e tij artisti nga Prishtina Alban Muja. Përkundër strukturave ekzistuese shtetërore që ka Republika e re e Kosovës, një shtet me status të kontestuar ndërkombëtar, pasaporta e saj nuk njihet nga të gjithë. Kështu, edhe Alban Muja ndjehet si njeri pa shtet. Ai e përpunon ketë gjendje në filmat e tij që kanë të bëjnë me identitetin dhe prejardhjen. Në Gjermani, gjegjësisht në Münster, ai ndodhet me ftesën e Filmclub Münster dhe shoqatës Förderverein Aktuelle Kunst (FAK).

Shpërthime të qeshurash ka shkaktuar filmi 33 minutash i Albanit me titullin “Blue wall red door” (muri i kaltër, dera e kuqe). Filmi tregon në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë se sa e vështirë është në vendlindjen e tij, në Prishtinë, të gjenden adresat e kërkuara të njerëzve. Kjo për faktin se shpesh nuk ka emra rrugësh, por  edhe kur ato ekzistojnë, ndryshohen në vazhdimësi, varësisht nga orientimi politik ose kulturor, shkruan gazeta Westfallische Nachrichten.

Për këtë arsye edhe taksistët, zjarrfikësit dhe mjekët, ballafaqohen me po këtë problem. Prandaj ata detyrohen të orientohen përmes shenjave dalluese si ndërtesave që bien në sy, shitoreve, restoranteve ose vendeve ku banojnë personalitetet e famshme të qytetit. Kështu, ata ngasin makinat me hamendje në drejtime të përafërta.  Ata nuk mund të jenë kurrë krejtësisht  të sigurt nëse atje është pikërisht adresa e dëshiruar. Diçka vërtetë e mbrapshtë.

Regjisori Muja e porosit një taksi për të shkuar te një mulli. Taksisti e dërgon atë te një ndërtesë banimi. As gjurmë mulliri nuk ka aty. “Ai është shkatërruar në luftë, por ne vazhdojmë ta quajmë këtë rrethinë sipas mullirit”, thotë një kalimtar.

Tre filma tjerë të shkurtë merren me pagëzimin e të porsalindurve  në Kosovë. Me kamerë statike ai ka filmuar tre veta të ulur në një sofa duke u qëndruar atyre pranë, pa pasur asnjë skenar. Aty, njëra vajzë e re thotë se asaj ia kishin lënë emrin Palestina, pasi që nëna e saj kishte qenë e impresionuar nga një atentatore e re palestineze, e cila në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e më të dashurit, kishte konstruktuar një autobombë. Ndërsa i riu mban emrin Tibet, pasi që prindërit e tij kishin dashur të tregonin solidaritet me Tibetin.

Në filmin “Free your Mind”, Muja i kalon përmes një “ekzorcizmi intelektual”  të gjitha ndikimet artistike për të treguar një “un” të tij të pastër. Në këtë vazhdë ai përmend për minuta të tëra emra të shumtë artistësh të njohur.

Alban Muja vlerëson lartë objektivin autentik të kamerës së tij, ka një ndjesi sizmike për njerëzit dhe rrëfimet e tyre. Kështu ai ia ka dalë të realizojë dokumentarë që e sjellin afër përditshmërinë e Kosovës, edhe kur kjo ngjan aq e mbrapshtë.

Ky demonstrim i filmave ka qenë një zëvendësim për ekspozitën e Alban Mujës, të anuluar për shkaqe kursimi.

“Kolonat”, më i miri mes filmave në “Swikos 2013”

Për të shtatën herë me radhë Bazeli ka qenë nikoqir i festivalit për filma të shkurtër «Swikos 2013», festival ky i pari që sjell filma të shkurtër nga Kosova, rajoni dhe Zvicra.

Kësaj radhe pjesëmarrësit  nga Kosova, Zvicra, Shqipëria, Maqedonia dhe Gjermania ishin në një konkurrencë të fuqishme me njëri-tjetrin rreth ndarjes së 6 çmimeve të këtij festivali.

Në të dy netët e festivalit, më 15 dhe 16 nëntor, kur edhe u ndanë çmimet, salla e “Stadt Casino” të Bazelit ishte përplot me aktorë, regjisorë, producentë e adhurues të filmit. E gjithë kjo falë përkrahjes e informimit të medieve kosovare, si dhe albinfo-s në Zvicër.

Për Florim Brajshorin, drejtor i festivalit “Swikos”, pas vështirësive të shumta rreth organizimit të kësaj ngjarjeje kulturore, del që edicioni i 7 i “Swikos”-it të jetë ndër më të suksesshmit.

E gjithë kjo pasi që, sipas tij, filmat pjesëmarrës kanë qenë në nivel të lartë, e që ka qenë një punë e mundimshme edhe për anëtarët e jurisë në ndarjen e çmimeve.

“Është kënaqësi e vërtetë që pas një viti ose më vonë të shohësh që një film pjesëmarrës në” Swikos” merr edhe çmime të rëndësishme ndërkombëtare, siç është çmimi Oskar”,  tha Brajshori, duke aluduar në anëtaren e sivjetme të jurisë, Tali Hamzavi.

Për regjisoren Hamzavi, fituese e çmimit Oskar për film të shkurtër, e po ashtu fituese për regjinë më të mirë vitin e kaluar në Swikos, të qenit anëtare e jurisë në këtë festival ishte një detyrë mjaft e vështirë, duke marrë parasysh, siç thotë ajo, cilësinë e lartë të filmave pjesëmarrës.

Anëtarë të tjerë të jurisë së festivalit ishin edhe këngëtari dhe producenti nga Kosova, Ilir Shaqiri, si dhe aktorja zvicerane, Nathalie Sameli.

Në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve merrnin pjesë edhe personalitete të ndryshme nga Kosova dhe Zvicra.

Në mesin e tyre edhe Shukrije Ramadani, në cilësinë e drejtoreshës për Kulturë pranë  Ministrisë së Diasporës, ministri që edhe e përkrah këtë nismë.

Ramadani festivalin Swikos e ka cilësuar si një urë të mirëfilltë lidhëse në mes të artistëve kosovarë dhe atyre zviceranë, që u mundëson shkëmbimin e përvojave të tyre në këtë lëmi.

Nga pjesëmarrësit e shumtë ishte edhe regjisori i ri nga Kosova, Ujkan Hysaj, filmi i të cilit, “Kolonat”, njeh deri më tash një pjesëmarrje në më se 40 festivale ndërkombëtare, me gjithsej 12 çmime të fituara.

Swikos i solli Ujkanit edhe çmimin e 13-të për këtë film, pasi u shpërblye me çmimin: “Filmi më i mirë”, që ishte çmimi kryesor i festivalit.

Ky çmim i mundëson regjisorit edhe një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në një festival filmi në Los Angeles të SHBA-së.

Fitues tjetër që me filmin e tij krijoi një atmosferë majft të mirë e komike në sallë ishte edhe ai i regjisorit zviceran, Luca Zuberbühler, i cili edhe pse aspak nuk e priste një çmim të tillë, megjithatë nga juria u shpërblye me çmimin për regjinë më të mirë.

Çmimet e tjera të cilat u ndanë në këtë festival ishin:

Filmi «Sturm» nga Zvicra për kamerën më e mirë,

Filmi «Heshtja» nga Kosova për montazhin më të mirë,

Astrit Kabashi nga filmi «Kaseta e Dasmës» është shpallur aktori më i mirë.

Fitues në kategorinë e çmimit të publikut ishte filmi “Kaseta e Dasmës” po ashtu nga Astrit Kabashi nga Kosova.

Risi e edicionit të sivjetmë në “Swikos” ishte edhe shfaqja e 3 filmave jashtë konkurrencës, ku vlen të përmendet  filmi  “A më mirë këtu a atje”, i regjisores shqiptare nga Franca, Elena Avdija, ku trajtoheshin tema që kishin të bënin pikërisht me mërgatën kosovare në Zvicër.

Pos ndarjes së çmimeve, festivali ishte edhe një vendtakim për regjisorët edhe producentët nga Kosova dhe Zvicra, ku gjatë një takimi të mbajtur, mes tjerash, është diskutuar edhe për mundësinë e bashkëpunimit dypalësh në realizimin e projekteve të ndryshme filmike.

“Swiss Kos Art” është një organizatë kulturore e themeluar në prill të vitit 2007, ku për qëllim ka përafrimin apo edhe shkëmbimin ndërkulturor zviceran me atë kosovar, gjegjësisht shqiptar. Kjo organizatë, pos festivalit Swikos, merret edhe me organizimin e ngjarjeve të tjera kulturore kosovaro-shqiptare në Zvicër.

Alban Hamza

“Lotët e mërgimit” dhe peripecitë e integrimit

Integrimi, asimilimi, konflikti mes gjeneratave, si dhe shkëputja apo edhe mbajtja e lidhjeve me vendin e origjinës, janë probleme që i hasim çdo ditë në mërgatën shqiptare në botë.

Janë pikërisht këto temat bosht të cilat pritet të shtjellohen në mini serialin “Lot Mërgimi”, i cili pati premierën e episodit të parë të dielën në Zofingen të Kantonit Aargau.

Edhe pse lokacioni nuk përmbushte kushtet për shfaqjen e një filmi, kjo nuk ishte aspak pengesë për shumë të ftuar, mysafirë e artdashës, në mesin e të cilëve edhe përfaqësues nga Ambasada e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë. Në emrin e Ambasadës së Kosovës publikut i është drejtuar ministri këshilltar, Mustafë Xhemajli ndërsa në emrin e asaj të Maqedonisë, Ekrem Ebibi, ushtrues detyre i ambasadorit.

I xhiruar në dy lokacione, ky serial mëton të sjellë para shikuesit peripecitë dhe hallet e dy familjeve shqiptarë, njëra në Kosovë e tjetra në Zvicër dhe vështirësitë e tyre me përballjen e realitetit, që shikuar nga pikëpamja e tyre, cilësohet si mjaft i hidhur.

Dalipi (Zijadin Murtezi), një pensionist invalidor në Zvicër, i cili me gjithë 40 vitet e qëndrimit në Zvicër, ende mundohet t`i mbajë të forta lidhjet me vendlindjen. Ai po ashtu mundohet t’ua imponojë të njëjtën gjë edhe fëmijëve të tij të lindur në Zvicër. E këta janë më shumë të interesuar për jetën e tyre në Zvicër, duke krijuar kështu edhe konflikt mes gjeneratave.

Në anën tjetër kemi  familjen në Kosovë, anëtarët e të cilës, dëshira për një jetë më të mirë në Zvicër, i shtyn drejt të panjohurës, që mund të ketë edhe pasoja.

Episodi i parë i serialit, kishte si qëllim që të njoftonte publikun me protagonistët dhe me problemet me të cilat ballafaqohen ata në jetët e tyre të përditshme, qoftë në Kosovë apo Zvicër.

Edhe pse ka vite që merret me këtë lëmi, seriali “Loti i Mërgimit”, është projekti i parë serioz i kameramanit dhe regjisorit Enis Limani. Pas një pune tejet të madhe, ai për Albinfo.ch tha se është tejet i kënaqur me atë që u shfaq në ekran, si dhe me punën e aktorëve dhe stafit teknik e organizativ.

Ndërsa Ajet Avdyli, drejtues i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Faruk Begolli” në Grenchen të Solothurnit, ka theksuar se pos paraqitjes përmes artit të problemeve e halleve me të cilat përballen familjet shqiptare në Zvicër e Kosovë, ky projekt kishte për qëllim edhe inkuadrimin apo edhe zbulimin e artistëve të rinj në diasporë.

Edhe pse ka një përvojë 40 vjeçare në aktivitetin teatror e skenik, për shkrimtarin Agron Boriqi, ky ishte skenari i parë për një film. Skenaristi Boriqi thekson se qëllim i serialit është të nxisë integrimin e mërgatës në Perëndim, po në asnjë mënyrë edhe asimilimin e tyre. Projekti, të cilin ai e quan si “dramë sociale e realitetit njerëzor”, ka qëllim po ashtu ruajtjen e identitetit kombëtar të mërgatës.

Për aktorin kryesor Zijadin Murtezi, i cili ka një bagazh 35 vjeçar në film e teatër, seriali, pavarësisht mangësive të shumta teknike, tregon edhe një herë se kur ka vullnet mund të arrihet gjithçka.

Në rolet e tjera në serial paraqiten edhe aktorët Fatime Llugiqi, Emine Toska, Florim Brajshori, Kenan Gurgurovci etj.

Seriali “Loti i Mërgimtarit”, është një bashkëprodhim mes Shtëpisë Filmike VSE dhe Shoqatës kulturore Shqiptare “Faruk Begolli” në Grenchen. Për të plotësuar numrin e nevojshëm të aktorëve, sipas organizatorëve ka pasur dy konkurse, ku ka pasur mjaft të interesuar për të luajtur në serial. Si i tillë, seriali pritet të ketë gjithsej 6 episode, e që sipas skenaristit, skenari është pothuajse i gatshëm, ndërsa përgatitjet për episodin e dytë, pritet të fillojnë në prill të këtij viti.

Lotët e mërgimit 2