Lajme

Vuçiq kërkon autonomi më të madhe për serbët në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi nga Kosova që të mos organizojë zgjedhje të reja për kryetarët e komunave në veri të saj, derisa t’u jepet më shumë autonomi serbëve etnikë që formojnë një shumicë lokale, e të cilët bojkotuan zgjedhjet e mëparshme.

“Të gjithë serbët në veri mendojnë për Serbinë si vendin e tyre, jo Kosovën. Ky është realiteti”, tha presidenti serb Vuçiq në një intervistë për Reuters.

Më tej ai tha se “dikush duhet të marrë situatën në kontroll dhe të organizojë zgjedhje (të reja) atje”.

Në veri të Kosovës dhuna shpërtheu pasi kryetarët shqiptarë nisën të ushtrojnë detyrat e tyre në komunat veriore me shumicë serbe pas zgjedhjeve lokale të prillit, që kishin një pjesëmarrje prej vetëm 3.5%.

Si përgjigje ndaj protestave, në të cilat protestuesit serbë u përleshën me paqeruajtësit e NATO-s, duke lënë dhjetëra të plagosur nga të dyja palët, Serbia vendosi forcat e saj të armatosura në gatishmërinë më të lartë luftarake, kurse NATO dërgoi përforcime në misionin e saj në Kosovë, raporton Reuters.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, mbështetësit më të fortë të Kosovës, i kanë kërkuar Prishtinës që të organizojë zgjedhje të reja në zonën me shumicë serbe për të zbutur tensionet, kurse Serbia të heqë gatishmërinë e saj luftarake dhe të largojë trupat nga kufiri me Kosovën.

Mirëpo, Vuçiq tha se autoritetet në Kosovë do të duhet të bëjnë disa lëshime për të siguruar pjesëmarrjen serbe në një votim të ri në veri.

“Ne ende nuk kemi një Asociacion të komunave serbe, ende nuk ka tërheqje të forcave speciale të policisë (shqiptarëve të Kosovës) dhe kryetarëve të komunave atje”, tha ai.

Një marrëveshje e vjetër, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, parashikoi që serbët në veri të themelonin Asociacion të komunave vetëqeverisëse në këmbim të njohjes së institucioneve të Kosovës, por marrëveshja nuk u zbatua kurrë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nëse u jepet autonomi më e madhe në kuadër të Asociacionit, zona me shumicë serbe mund të organizojë një referendum për t’iu bashkuar Serbisë.

Ndërsa, Vuçiq ka thënë se “serbët (në veri) janë gjithmonë të gatshëm të bisedojnë, por ju duhet t’u ofroni atyre diçka”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i tha Reutersit në fillim të këtij muaji se vendi mund të zhvillojë zgjedhje të reja në komunat në fjalë, nëse 20% e votuesve nënshkruajnë një peticion duke i kërkuar ato.