Shqipëria

Voton Presidenti Begaj: Qytetarët të shprehin vullnetin e tyre, pa presion

Presidenti tha se dita e sotme ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se për herë të parë voton diaspora dhe zgjedhjet duhet të plotësojnë standardet më të mira

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i shoqëruar edhe nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, kanë votuar sot pranë Qendrës së Votimit në shkollën “Kongresi i Lushnjes” në kryeqytet.

Në një prononcim për mediet, Presidenti Begaj u shpreh se proceset zgjedhore janë të rëndësishme për qytetarët, për vendin, por edhe për demokracinë, transmeton albinfo.ch.

Presidenti tha se “dita e sotme ka rëndësi të veçantë për faktin se kemi hapur negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, ndërsa për herë të parë voton diaspora dhe zgjedhjet duhet të plotësojnë standardet më të mira”, njofton ATSH.

“Një proces i qetë. Proceset zgjedhore janë të rëndësishme për qytetarët, vendin dhe demokracinë. Kjo ditë e sotshmja ka një rëndësi të veçantë pasi kemi hapur negociatat për anëtarësim në BE. Për herë të parë voton diaspora dhe zgjedhjet duhet të plotësojnë standardet më të mira. Kjo ditë e sotshmja, mendoj se duhet të jetë një ditë e gëzuar dhe ditë feste, ku qytetarët duhet të shprehin lirisht vullnetin e tyre, pa presion, me përgjegjshmëri, që zëri i tyre të dëgjohet. Po kështu duhet të jetë edhe procesi i administrimit dhe i numërimit. Administratorët zgjedhorë e kanë për detyrim ligjor që t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve shqiptarë”, tha Presidenti Begaj.