Integrimi
Votimet federale dhe kantonale të 28 shkurtit 2016
Jeni e/i natyralizuar dhe pra me pashaportë të kuqe me kryq të bardhë? Një detyrë qytetare ekzigjente ju pret me 28 shkurt: jeni i ftuar të votoni mbi jo më pak se 12 pyetje: katër pyetje federale dhe tetë kantonale. Madje, nëse banoni në qytetin e Gjenevës (Ville de Genève), shtohet dhe një pyetje e […]
Jeni e/i natyralizuar dhe pra me pashaportë të kuqe me kryq të bardhë? Një detyrë qytetare ekzigjente ju pret me 28 shkurt: jeni i ftuar të votoni mbi jo më pak se 12 pyetje: katër pyetje federale dhe tetë kantonale. Madje, nëse banoni në qytetin e Gjenevës (Ville de Genève), shtohet dhe një pyetje e trembëdhjetë, komunale.
E rëndësishme është që keni rreth një muaj për të menduar dhe vendosur, prej momentit kur merrni materjalin e votimit deri në ditën e votimit. Sigurisht mund të votoni më herët, nëse jeni gati, dmth para 28 shkurtit, me korrespondencë.
A mund të votojnë të huajt në nivel kantonal?
Bëhet fjalë për një kompetencë kantonale ndaj dhe përgjigja varet nga kantoni. Në Gjenevë përgjigja është jo. Aktualisht vetëm dy kantone, Neuchâtel dhe Jura, i njohin të drejtën e votës në nivel kantonal të huajve.
Tabela e mëposhtme tregon kantonet më progresiste në këtë drejtim. Bëhet fjala për kantonet që i njohin të huajve të drejtën të votojnë dhe madje të kandidojnë (përveç në Gjenevë) në niveli të komunës.
Përveç Neuchâtel dhe Jura asnjë tjetër nuk parashikon të drejta politike për të huajt në nivel të kantonit. Ekziston megjithatë mundësia, të paktën në ligj, që të huajt të zgjidhen në instanca gjyqësore në Neuchâtel e Fribourg si dhe në Prud’hommes në Gjenevë.
Neuchâtel vazhdon të jetë pionier dhe të avancojë në këtë drejtim. Pasi iu njohu të drejtën e kandidimit në nivel komunal në 2007, kantoni diskuton tani t’iu njohë të huajve të drejtën e kandidimit në nivel kantonal. Parlamenti kantonal është në favor. Po ashtu dhe Qeveria kantonale. Pritet që ky ndryshim t’i paraqitet popullit në votim.
Duhet theksuar se vendimet që do merren me votim më 28 shkurt do prekin po aq të huajt sa edhe Zvicranët (madje të huajt janë të vetmit që preken nga “initiative de mise en œuvre”). Zgjidhja ideale, e cila praktikohet në shumë fusha aktualisht, është që personat që preken nga një vendim të dëgjohen dhe madje të konsultohen, apo jo?
Ndonëse nuk votojnë, a shprehen publikisht të huajt gjatë votimeve të ndryshme? Konstatojmë me keqardhje se këtë radhë, si dhe më herët, 1/4 e popullsisë qëndron në heshtje totale. Me sa dijmë ne, mungon një pozicionim i harmonizuar i përfaqësuesve të komunitetit të huaj. Një krahasim me Zvicranët që jetojnë jashtë Zvicrës vlen të shënohet: ata kanë një lobby shumë të fuqishëm që bën të dëgjohet zëri i tyre rregullisht, aq më tepër kur bëhet fjala për vendime që i prekin drejtpërdrejti.
Pyetjet federale
Katër pyetjet federal mbi të cilat votohet më 28 shkurt 2016 prekin fusha shumë të ndryshme si taksat (initiative pour le couple et la famille), fusha e shtrirjes e të drejtave popullore (initiative de mise en œuvre), spekullimet financiare (pas de spéculation sur les denrées alimentaires) apo transporti rrugor (modification de loi fédérale permettant la construction d’un deuxième tube et la réfection du tunnel du Gothard).
Tre pyetjet e para janë iniciativa, d.m.th. propozime për ndryshimin e kushtetutës federale që vijnë nga populli, ose më drejt nga komitetet që kanë hartuar secilën iniciativë. Pyetja e katërt rrjedh nga një referendum, d.m.th. nga kundërshtimi me sukses nga ana e një komiteti referendar i një ligji të aprovuar nga Parlamenti.
Në të dy rastet, komitetet kanë mbledhur një sasi nënshrimesh të duhura (100’000 brenda 18 muajve për iniciativën dhe 50’000 brenda 100 ditëve për referendumin) në mënyrë që pyetjet të votohen.
Tre pyetjet e para (iniciativat) aprovohen nëse sigurojnë shumicën e votave të popullit dhe të kantoneve. Në rastin e katërt, referendum, shumica e votave të popullit mjafton.
Si informohen votuesit në një rast si ky? Pyetjet shoqërohen me një mori detajesh teknike dhe juridike. Broshura federale (imazhi sipër) “Votation populaire du 28 février 2016 – Explications du Conseil fédéral” bën një përmbledhje të këtyre detajeve.
Po kjo broshurë paraqitet më thjesht dhe me ilustrime nga easyvote.ch .
Radio dhe televizioni zvicran paraqesin një dosje mbi këtë votim e cila përmban shpjegime dhe debate interesante. Ata që kërkojnë shpjegime më të thella, mund të konsultojnë sitet internet të partizanëve dhe kundërshtarëve të çdo pyetje.
Shembulli i “initiative de mise en œuvre”
Kjo iniciative lidhet drejtperdrejt me fushëveprimin e të drejtave popullore. Një pyetje kryesore shtrohet: deri ku shkon e drejta e iniciativës? Dhe anasjelltas, deri ku shkon mbrojtja e të drejtave të njeriut? Ky tension mes të drejtave popullore dhe të drejtave të njeriut vihet re shpesh këto kohë, në lidhje me iniciativat e ashtëquajtura ksenofobe.
Parlamenti e ka aplikuar iniciativën mbi kthimin e të huajve kriminelë që u aprovua nga populli dhe kantonet në nëntor 2010. Mirëpo komiteti i iniciativës mbeti i pakënaqur dhe ndërmorri këtë iniciativë të dytë për zbatimin (mise en œuvre) të iniciativës mbi kthimin e të huajve kriminelë.
Kjo iniciative e dytë ka për qëllim të impozojë një vizion të caktuar se si duhet zbatuar iniciativa mbi kthimin, duke i hequr kështu Parlementit dhe gjykatësve çdo mundësi interpretimi. Iniciativa kundërshtohet nga shumë, kryesisht për faktin se nuk bën asnjë dallim mes krimeve të rënda dhe shkeljeve më të lehta. Po ashtu nuk pranon asnjë dallim bazuar mbi gjendjen personale të personit në fjalë duke shkelur kështu Kushtetutën federale dhe Konventën evropjane të të drejtave të njeriut.
Shpejt ose vonë Gjykatësit federalë ose ata në Strasburg do vendosin mbi raste të kthimit dhe ka gjasa të shprehen kundër vendimeve të tilla. Të gjithë profesorët e drejtësisë në Zvicër (160) kanë nënshkruar një manifest “Zvicra është Shtet ligjor. Jo, iniciativës mbi kthimin”.
Një komitet OJQ si dhe organizatat mbrojtjëse të të drejtave njerëzore janë mobilizuar kundër iniciativës. Në anën tjetër, iniciantët publikojnë argumentet e tyre në faqen e tyre internet si dhe në Facebook. Fjalën e fundit e ka populli.
Pyetjet kantonale
Votuesi nuk e ka më të lehtë në nivel kantonal, ku tetë pyetje i parashtrohen për votim.
Tre pyetjet e para janë mbi të njejtin subjekt. Bëhet fjalë për (1) një iniciativë popullore kundër avantazheve fiskale, (2) një kundër-projekt ndaj kësaj iniciative në formën e një ndryshimi në legjislacion bërë nga Parlamenti kantonal dhe (3) një e ashtëquajtur pyetje subsidiare që ka për qëllim të gjejë, në rast se si iniciativa edhe kundër-projekti fitojnë mazhoritet votash, se cili prej tyre duhet të hyjë në fuqi.
Ndonëse jo llogjike, votuesi mund të votojë PO edhe për iniciativën edhe për kundër-projektin. Në këtë rast nevojitet një pyetje subsidiare që ka për qëllim të thotë se cili nga këto dy objekte ka preferencën e votuesit.
Pyetja e katër është referendum i detyrueshëm, d.m.th. votim sa herë që ndryshohet kushtetuta kantonale. Ndryshimi në këtë rast është: “Cour des comptes” emërohet organ revizimi.
Pyetjet 5, 6, 7 dhe 8 lidhen të gjitha me ndryshime në ligjet kantonale që janë kundërshtuar me sukses nga komitete referendumi. Ligjet e ndryshuara janë ligji mbi banimin dhe mbrojtjen e qiramarrësit, mbi zbatimin e ligjit federal për sigurim-sëmundje, mbi disa kontribute shtesë kantonale, si dhe një ligj që aprovon një kredi ndërtimi për një kazermë në Meyrin-Mategnin që do të çlirojë për rrjedhojë sitin Vernets. Edhe këtu fjalën e fundit e ka populli i cili do thotë a i pranon apo jo këto ndryshime ligjore.
Informacionet zyrtare mbi këto tetë pyetje kantonale gjinden në sitin e kantonit mbi votimet. Shtypi lokal po ashtu ka disa artikuj mbi to. Komitetet që kanë bërë referendum publikojnë argumentet e tyrë po ashtu në internet, si p.sh. Asloca për pyetjen 5 ose Avivo për pyetjet 6 dhe 7 ose GSsA për pyetjen 8.
Përkthimi UPA-UPSH
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Prishtinë: Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare do të organizojë konferencë ekonomike Ftesë për të gjithë afaristët shqiptarë në Mërgatë...
-
Cyrih: Policia bastis plantacionin e kosovarit me 1700 rrënjë kanabisi
-
DokuFest dhe Kino Kosova lansojnë nismën “Re-Connect” për të rinjtë nga Kosova dhe diaspora
-
Gjermani: Kapen dy shqiptarë me pasaporta diplomatike false
-
Vota e diasporës, 161 899 zarfe me fletëvotimi të mbërritura në KQZ
Jeta në Austri
-
Pas Zvicrës edhe Austria i reagon Gjermanisë për kontrollet kufitare Austria i bëri thirrje sot Gjermanisë të respektojë ligjet kufitare të BE-së, ndërsa policia gjermane ka...
-
Austri: Përfitimet e familjes dhe të fëmijëve të ngrira deri në vitin 2027
-
10 mitet e çiklizmit që nuk duhet t’i besoni në Austri
-
Pritësit e Airbnb në Vjenë përballen me rregulla më të ashpra dhe gjoba të larta
-
Qeveria austriake pezullon rritjen e ndihmave familjare për dy vitet e ardhshme