Kosova

Von der Leyen: Ukraina, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor kanë shpresë reale për BE

Ursula von der Leyen: Zgjerimi i BE-së është investim në siguri dhe liri

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një videomesazh të publikuar në Forumin e Komisionit Evropian për Zgjerimin, theksoi se procesi i anëtarësimit të vendeve të reja në BE është “më shumë se një zgjedhje politike, është një investim në sigurinë dhe lirinë tonë të përbashkët”, përcjell albinfo.ch. 

Ajo tha se në një kohë me pasiguri të lartë gjeopolitike, zgjerimi është thelbësor për paqen dhe stabilitetin:

“Historia na ka mësuar se kur Evropa është e bashkuar, ajo është më e fortë”.

Von der Leyen rikujtoi vizitat e vitit 2025 në Ukrainë, Moldavi dhe Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se ato i dhanë optimizëm dhe bindje se aspirata për anëtarësim në BE mbetet e fuqishme.

Ajo pranoi se rruga drejt BE-së kërkon reforma të thella, por solli shembuj nga vala e fundit e zgjerimit, ku standardet e jetesës u dyfishuan, papunësia u përgjysmua, jetëgjatësia u rrit për katër vjet dhe u krijuan gjashtë milionë vende pune.

Sipas saj, vendeve kandidate u po u ofrohen përfitime konkrete që tani, përmes planeve të reja të rritjes dhe integrimit gradual, përfshirë qasje të hershme në sektorë të tregut të vetëm, investime në infrastrukturë, industri strategjike dhe energji të pastër.

Ajo përmendi edhe lehtësitë praktike si heqja e tarifave të roaming-ut drejt BE-së dhe integrimi në sistemin SEPA, të cilat do të kursejnë miliona euro çdo vit.

Von der Leyen theksoi se qytetarët e rinj dhe vendet kandidate shohin anëtarësimin si një shans për t’u bërë pjesë e një Europe të fortë dhe të bashkuar:

“Evropa është më shumë se një kontinent – është shtëpia jonë e përbashkët”.

Në fund, ajo uroi pjesëmarrësit e forumit për një konferencë të suksesshme dhe një të ardhme të fortë për Evropën.