Integrimi
Vit i kurorëzuar me sukses i shkollës shqipe në Gjenevë
Këtë vit shkollor mësimin e gjuhës shqipe në Gjenevë e kanë vijuar rregullisht 209 nxënës e nxënëse, në 16 pika shkollore
Të shtunën, më 4 qershor 2022, në një mjedis të bukur në Aire, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Gjenevë zhvilloi aktivitet të pasur me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2021-2022, të mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
Kur hyra në fillim mendova se si do të mbushet e tërë kjo sallë e madhe. Më pas, kur mes nesh u futën karrige të reja, mendova se sa e madhe është bërë Shkolla Shqipe e Gjenevës në Zvicër.
Sipas planifikimit në orën 14 u mbajt Kuvendi ku morën pjesë prindërit dhe mësimdhënësit anëtarë të LAPSH për të shqyrtuar mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës shqipe gjatë këtij viti shkollor.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari Liburn Mehmetaj, i cili paraqiti raportin e punës njëvjeçare dhe me përpikëri u miratua nga të pranishmit.
Raporti vjetor dhe financiar si dhe dokumentet tjera publikohen nga LAPSH në Gjenevë në faqen e tyre të internetit (www.lapshgeneve.com/kuvendi).
Këtë vit shkollor mësimin e gjuhës shqipe në Gjenevë e kanë vijuar rregullisht 209 nxënës e nxënëse, në 16 pika shkollore.
Mësimi u zhvillua nga mësueset, Lumnije Emini, Hyrije Kurteshi, Fatime Bllaca, Brikena Osmani, Hana Bilalli dhe mësuesi Alban Kryeziu.
Ndër të tjera vuri në dukje dhe cilësoi se sa e rëndësishme është puna edukative që bëjnë prindërit me fëmijët e tyre për t’u ushqyer dëshirën për gjuhën dhe kulturën e bukur shqiptare. Kryetari në veçanti falënderoj donatorët e shkollës shqipe.
U konsiderua një vit i suksesshëm shkollor ngase kishte ngritje të numrit të nxënëseve në krahasim me një vit më parë (+ 22 nxënës).
Këta nxënës e nxënëse një herë në javë, pas mësimit të frëngjishtes në vend të pushimit zgjodhën të shkojnë në shkollë e të mësojnë gjuhën dhe kulturën shqipe, si një domosdoshmëri për identitetin e tyre kombëtar dhe dygjuhësinë realitetit të cilit i përkasin.
Të shtunën, për të vërtetuar përfundimin e mësimit shqip, morën dëshmitë 17 nxënës e nxënëse.
Por, madhështia e këtij aktiviteti, padyshim qëndron në pjesëmarrjen gazplotë të fëmijëve tanë.
Me shumë dashuri u mirëprit programi i tyre festiv.
Mësuesja Brikena Osmani po bën gati fillimin e festës, me fjalë përzemërsie u dëshiron mirëseardhje prindërve, fëmijëve dhe të pranishmëve tjerë në këtë ditë të bukur, në këtë festë të paharruar për ta. Ndërsa prindërit dhe të gjithë pjesëmarrësit u falën duartrokitje të pakursyera.
Stafi i mësuesve mjaft të përkushtuar, kishte zgjedhur pjesë muzikore për të shfaqur para prindërve dhe të ftuarve.
Programi shkollor u prezantua nga nxënësja Eliza Jahu dhe nxënësi shqiptaro-zviceran Erwin Halilaj, filluan me këto vargje:
“Gjuha jonë sa e mirë,
Sa e ëmbël, sa e gjerë,
Sa e lehtë, sa e dlirë,
Sa e bukur, sa e vlerë.”
Fëmijët kënduan disa këngë në gjuhën shqipe të cilat i kishin mësuar në sajë të punës së mësuesve në shkollë. Ishin të lumtur për çfarë kishin arritur në shkollën shqipe. Ata krijuan një atmosferë të hareshme dhe kaluan momente të bukura së bashku.
Aktiviteti vazhdoi me promovimin e librit “ Shkolla shqipe në Gjenevë” nga autori Agim Paçarizi, një monografi me karakter historiko – shoqëror rreth vlerave tona kombëtare. Librin e recensoi publicisti, mësuesi dhe aktivisti, Arif Ejupi.
Mes tingujve të muzikës, shijimin e ushqimeve dhe urimeve për suksese në rrugën e gjatë e të pafund të dijeve u kurorëzua ky aktivitet i paharrueshëm për secilin nga fëmijët dhe për ne qe morëm pjesë ne gëzimin e tyre.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 Zëri i saj ndërthur traditën shqiptare me universin bashkëkohor të xhazit. Albinfo.ch shpall Elina Dunin Personalitet... -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan -
Kurti sot, Abdixhiku nesër: takime në Zvicër për të kërkuar votat e mërgatës -
Vonesë në votimin me postë për diasporën -
Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër
Jeta në Austri
-
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja Strategjia e zbuluar e SHBA-së nën drejtimin e Trumpit e liston Austrinë midis vendeve që Uashingtoni... -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë











