Lajme

“Vetëvendosje” kritikon marrëveshjet për riatdhesim

“Vetëvendosje” ka kritikuar të shtunën Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si po hyn në marrëveshje bilaterale me shtetet evropiane

Për më tepër në “Vetëvendosje” thonë se kanë analizuar marrëveshjen për transferimin e të burgosurve, që është përgatitur për nënshkrim në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës.

“Për këtë marrëveshje jemi njoftuar nga autoritetet zviceriane, që edhe një herë tregon se kjo Qeveri i mbanë në terr informativ edhe mediat edhe popullin, në mënyrë që ata të gjenden para aktit të kryer në raport me të drejtat e tyre të pambrojtura”, thonë në Vetëvendosje.

Anëtari i “Vetëvendosjes” për Diasporë, Faton Topalli, ka thënë se Qeverisë së Kosovës i mungon  mbështetja për diasporën, duke përkujtuar se marrëveshja  me Zvicrën dëmton interesat e qytetarëve të vendit tonë. Sipas, Topallit me këto marrëveshje shtetasit e Kosovës mund të kthehen nga Zvicra edhe për çështje krejt banale dhe shkelje të vogla të ligjit, dhe se me këto marrëveshje Qeveria e Kosovës po bart problemet sociale nga Zvicra në Kosovë.”Padrejtësisht kthimi në Kosovë është i mundëshëm edhe pa pajtimin e palës së dënuar. Shpenzimet e vuajtjes së dënimit dhe ato për riatdhesim i bartë shteti që ka shqiptuar dënimin. Kthimi i shtetasve të Kosovës në Zvicër për ta vuajtur dënimin në Kosovë është i mundshëm në rastet kur ata bëjnë vepra penale të cilat dënohen me ligj në të dy vendet”, tha Topalli.

“Kjo marrëveshje është e dëmshme për shkak se krijon mundësi që në Kosovë të kthehen shtetas të cilët pjesën dërmuese të jetës së tyre e kanë kaluar në Zvicër apo që kanë lindur aty. Ajo bie në ndesh edhe me ligjet zviceriane dhe përcaktimet evropiane për integrimin e të dënuarve në shoqëri, duke bërë të mundëshëm kthimin e shtetasve të Kosovës në një ambient kulturor prej të cilit ata janë larguar shumë kohë më parë, apo të cilin ata nuk e njohin fare”.

Lëvizja “Vetëvendosje” kërkon nga  Qeveria e Kosovës, që ta ndryshojë tekstin e kësaj marrëveshje, duke ia shtuar asaj edhe të drejtat e njeriut, të drejtën për të vendosur vet nëse personi i dënuar dëshiron ta mbajë burgun në vendin ku i është shqiptuar dënimi, apo në Kosovë.

Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Puhije Demaku, ka thënë se nuk duhet pritur që shtetet tjera të përkujdesen për dinjitetin e diasporës sonë, nëse Qeveria e Kosovës nuk bën përpjekje që marrëveshjet për riatdhesim të strukturoren, në atë mënyrë që ligjërisht mbron shtetasit e Kosovës. Qeveria e Kosovës, deri më tani, ka nënshkruar 14 marrëveshje me vendet evropiane për riatdhesimin e qytetarëve emigrant në vendet e BE-së.