Lajme

Veteranët e UÇK-së bëhen me ligj

Me 73 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës pas 15 vjet pritje, miratoi të enjten Projektligjin për veteranët e UÇK-së. E pakënaqur me vendimin LDK braktisi seancën

Pas 15 vjet pritjesh, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash, ka miratuar njërin nga ligjet më të debatuara në Kosovë, Ligjin për veteranët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Për këtë ligji votuan 73 deputetë sa ishin të pranishëm në seancë, ndërsa asnjëri nuk votoi kundër.

Por, si rëndomtë amendamentimi i këtij ligji nuk kaloi pa debat të ashpër në Kuvend. Deputetët opozitar të Lidhjes Demokratike të Kosovës e lëshuan seancën gjatë votimit, pasi që kërkesa e tyre që në këtë ligj të futen edhe pjesëtarët e rekrutuar nga ish-Ministria e Mbrojtjes (FARK) nuk kaloi në Kuvend.

Në favor të ligjit kanë votuar deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosjes dhe disa grupe të tjera parlamentare, përfshirë edhe pakicat.

Deputeti i LDK-së, Anton Çuni,  ka thënë se është e pakuptueshme që formacionet e ish-Ministrisë së Mbrojtjes dhe vetë Ministria e Mbrojtjes të mbesin jashtë Ligjit për Veteranët.

“Zoti Kryeministër nuk ka paqe me Serbinë pa u arrit paqja e brendshme. Është e pakuptueshme që formacionet e Ministrisë së Mbrojtjes, vetë Ministria e Mbrojtjes të mbesin jashtë Ligjit për veteranët sikur të kishin qenë formacione paramilitare dhe kriminale”, ka thënë Çuni, ish-ushtarak i UÇK-së.

Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se qëllimi i nxjerrjes së këtij ligji ka qenë vetëm përcaktimi i të drejtave dhe beneficioneve të veteranëve të luftës së UÇK-së, pa përjashtim.

“Qëllimi i nxjerrjes së këtij ligji është përcaktimi i të drejtave në beneficione të veteranëve të UÇK-së, të cilët me sakrificën angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar në luftën e UÇK-së ishin faktor vendimtar për arritjen e çlirimit”, ka deklaruar kryeministri.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se partia e tij i kundërshton amendamentet e LDK-së, sepse ky ligj “nuk po bëhet për politikë, por për veteranët e luftës”. “UÇK ishte e vetmja ushtri dhe në këtë projektligj, nuk përjashtohet asnjë luftëtarë…”, tha ai.

Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se çdo njeri që ka luftuar për Kosovën ka mundësi të aplikoj për statusin e veteranit. “E vërteta është se çdo njeri që e ka kapë pushkën dhe ka luftuar ka pasur mundësinë me apliku në komision për statusin e veteranit”, ka thënë Haradinaj.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ndërkaq ka thënë se ligji i miratuar në Kuvendin e Kosovës për veteranët e UÇK-së është diskriminues. “Shumë veteranë të cilët jetojnë në kushte të mjerueshme ekonomike, nuk gëzojnë asnjë benefit nga kjo Qeveri”, ka thënë Zemaj.

Ligji është përshëndetur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët kanë kërkuar nga qeveria që ta zbatojë atë

“Pas miratimit të këtij ligji, pozita shoqërore dhe ekonomike e veteranëve të luftës do të përmirësohet dukshëm, e me këtë rast ne përgëzojmë bashkëluftëtarët për durimin dhe pjekurinë e kallëzuar karshi proceseve të paqes dhe shtetndërtimit”, thuhet në reagimin e veteranëve.

Ndryshe, me këtë ligj, të gjithë veteranët e luftës do t’i gëzojnë disa benificione, përfshirë këtë pensionim me stazhin e dyfishtë.

“Veterani luftëtar realizon pensionin personal, shtesa në pensionin e pleqërisë si dhe pensionin e trashëgimtarëve, pas vdekjes së veteranit”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Në kuadër të beneficioneve hyn edhe e drejta në shërbime shëndetësore falas, e drejta e përparësisë në punësim, e drejta e udhëtimit, e drejta e riaftësimit profesional, e drejta e stazhit të dyfishtë, përkujdesja për banim, përparësia e pranimit në institucionet arsimore publike, lirimi nga pagesat administrative në shkollimin publik, vendosja në shtëpitë e personave të moshuar, mbulimi i shpenzimeve të varrimit etj.