Shqipëria

Vendimi përfundimtar: Ndalohen veturat e vjetra

Një hapësirë ka për mjetet më me interes historik dhe koleksionimi, të cilat do të lejohen të importohen nëse janë prodhim i para viteve 70

Zyrtarizohet vendimi për mosimportimin e automjeteve me moshë më të vjetër se 10 vjet. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm në doganat shqiptare nuk do të kryhet asnjë procedurë zhdoganimi për këtë kategori mjetesh, ndërkohë standardi i motorëve të lejuar është Euro 5 për autoveturat e reja dhe Euro 4 për ato të përdorura.

“Në zbatim të këtij vendimi, mjetet e reja do të jenë Euro 5, sipas standardit të BE-së dhe në nivelin e shkarkimit në mjedis. Makinat e përdorura është vendosur që të mos jenë më shumë se 10 vjet nga viti i prodhimit e qarkullimit të tyre, ose Euro 4”, u shpreh Pëllumb Abeshi, drejtor i përgjithshëm i politikave të mjedisit MTM, raporton “TCH”.

Ndryshe nga sa qe lajmëruar, qeveria ka shtyrë me tre muaj regjistrimin e mjeteve që janë importuar para datës 31 dhjetor të këtij viti, duke e shtuar me tre muaj afatin e kryerjes së procedurave të targimit, përcjell albinfo.ch.

“Deri në mars 2018, të gjithë poseduesit që do të importojnë apo që i kanë, por s’i kanë regjistruar, duhet të kryejnë veprime për regjistrimin e tyre në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor”, sqaron ai.

Një hapësirë ka për mjetet më me interes historik dhe koleksionimi, të cilat do të lejohen të importohen nëse janë prodhim i para viteve ’70.

Për automjetet e targuara nuk ka kufizim moshe për të qarkulluar në rrugët e Shqipërisë dhe as nuk ndalohet shitja.

Shqipëria ka një flotë mesatare automjetesh me moshë të vjetër rreth 20-vjeçare dhe qeveria synon përmes këtij vendimi të ulë ndotjen e ajrit.