Koronavirusi: çast pas çasti

Vendet evropiane ndalojnë udhëtimet drejt Britanisë, shkak virusi i ri

Një mutacion i ri i Covid-19 është zbuluar në Britaninë e Madhe dhe kjo ka bërë që shumë vende evropiane të ndalojnë udhëtimet drejt ishullit

Një numër vendesh evropiane kanë ndaluar ose po konsiderojnë të ndalojnë udhëtimin nga Mbretëria e Bashkuar për të parandaluar përhapjen e një varianti më infektiv të koronavirusit.

Në mesin e tyre, sipas BBC, Holanda dhe Belgjika kanë pezulluar fluturimet. Trenat për në Belgjikë gjithashtu janë ndaluar.

Ndërkohë ministri i jashtëm italian ka treguar planet e qeverisë së tij për të ndaluar fluturimet. Franca dhe Gjermania thuhet se po planifikojnë veprim të ngjashëm.

Vendime të tilla vijnë pasi një variant i ri i koronavirusit është përhapur me shpejtësi në Londër dhe Angli Jug-Lindore.

Brenda disa orësh nga njoftimi i Mbretërisë së Bashkuar, Holanda tha se do të ndalonte të gjitha fluturimet e pasagjerëve nga Mbretëria e Bashkuar nga 06:00 (05:00) të dielën deri më 1 janar.

Belgjika po pezullon fluturimet dhe mbërritjet e trenave nga Britania e Madhe nga mesnata (23:00) të dielën, raporton tg.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, tha në faqen e tij në Facebook se qeveria ishte gati të nënshkruante një masë për të pezulluar fluturimet nga MB.

Në Gjermani, një zyrtar i ministrisë së shëndetësisë i tha agjencisë së lajmeve AFP se qeveria po konsideronte gjithashtu ndalimin e fluturimeve nga MB dhe Afrika e Jugut, ku gjithashtu është zbuluar varianti.

Kanali francez i lajmeve BFMTV raportoi se edhe Franca ishte “seriozisht” duke konsideruar pezullimin e fluturimeve dhe trenave nga MB dhe qeveria ishte “në kërkim të koordinimit evropian”. “Një vendim do të shpallet gjatë ditës”, tha kanali.

Edhe Austria po shikon mundësinë e ndalimit të udhëtimeve drejt Britanisë së Madhe, përcjell albinfo.ch.

Mediat zvicerane raportojnë se kjo mund të ndodhë edhe me Zvicrën.