Lajme

Vdekja në burg e 26 vjeçarit, që shokoi Kosovën

Për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, familja Dehari kërkon që autopsia e trupit të djalit të tyre të bëhet në prezencë të mjekëve të pavarur

Dy vjet pasi vëllai më i madh, Arbnori kishte rënë nga katet e larta të një ndërtese në Prishtinë dhe kishte humbur jetën tragjikisht, dje në Qendrën Korrektuese në Prizren, vdiq studenti i mjekësisë dhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari (26 vjeç), djali i atdhetarit dhe ish-emigrantit të Zvicrës, Avni Dehari. Vdekja konsiderohet e dyshimtë (vrasje apo vetëvrasje), ndërsa familja kërkon autopsi në prezencë të mjekoligjorve të pavarur.

Familjes Dehari me origjinë nga Kumanova, vazhdojnë t’i vijnë mesazhe ngushëllimi nga të gjitha taboret politike, institucionale, mediet, shoqëria civile, por jo edhe nga Qeveria dhe partitë e koalicionit kosovar.

Për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, familja Dehari kërkon nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore që autopsia e trupit të Astrit Deharit të mos bëhet në asnjë mënyrë pa prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga familja.

“Deklarimet institucionale që e cilësojnë si të dyshimtë vdekjen e djalit tonë, si dhe kontradiktat në deklaratat e institucioneve të ndryshme, janë tejet shqetësuese për ne dhe insistojmë që në asnjë mënyrë të mos bëhet autopsia pa prezencën e mjekëve që do të caktohen nga familja”, thuhet në reagimin e familjes.

Derisa u tha në disa media se shkaku i vdekjes së Deharit është mbidoza e barnave, Prokuroria Themelore në Prizren vdekjen e konsideron të dyshimtë. Këtë vlerësim e bëri Sylë Hoxha, kryeprokurori i kësaj prokurorie.

“E kam pa trupin e viktimës, ka gërvishtje në qafë e në duar (por jo gjak). Kemi informata se ka përdorë medikamente, mirëpo asgjë në shumë nuk mund të themi për momentin. Jemi në pritje të ekipeve të mjekësisë ligjore për detaje më të sigurta,” tha kryeprokurori Hoxha për mediet lokale.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ish-nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar për vdekjen e Astrit Deharit, duke thënë se dikush do të jap përgjegjësi.

“Çka me thënë e si me i ngushëlluar familjen e shoqërinë e aktivistët e vetën? Humbëm një shok, një idealist, një punëtor të palodhshëm, por mbi të gjitha një njeri të mirë. Dikush ka me dhënë përgjegjësi, por sonte mendja më shkon vetëm te familja e Astritit e shpresoj se disi e gjejnë fuqinë të mbahen duke qenë krenar se kanë rritur fëmijë të jashtëzakonshëm”, thotë Ahmeti.

Astrit Dehari, por edhe vëllai më i madh i tij që vdiq në verën e vitit 2014, ishin aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë më të madhe opozitare.

I ndjeri, Astriti, u arrestua më 30 gusht të këtij viti bashkë me Frashër Krasniqin, Atdhe Arifin, Adea Batushën, Egzon Halitin dhe Petrit Ademin, si të dyshuar për sulm terrorist ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Vdekja e tij erdhi vetëm një ditë pasi Lëvizja Vetëvendosje mbajti një aksion simbolik pranë burgut të Prizrenit, aty ku sipas tyre padrejtësisht po mbahej, për 67 ditë Astrit Dehari. Ata kërkuan lirimin e aktivistit të lëvizjes së tyre.

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, qendra në Prizren ka reaguar pas vdekjes së dyshimtë të Astrit Dehatit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Sipas këtij njoftimi, dyshohet se vdekja ka ndodhur gjatë kohës së shëtisë së zakonshme, ku Dehari s’kishte dalë fare.

“KMDLNJ, nga burime të saja merr veshë se dyshohet se akti ka ndodhur në kohën e shëtisë së rëndomtë (pasdite), kur tashmë i ndjeri A.D. nuk ka dal në shëtitje. Kjo informatë nuk konfirmohet nga zyrtarët e Qendrës së Paraburgimit. Meqenëse, rastin e vdekjes e kanë cilësuar të dyshimtë edhe Prokuroria e shtetit, KMDLNJ, kërkon hetim të shpejtë, të gjithanshëm dhe profesional, për ndriçimin e rastit, dhe po ashtu kërkon që rasti të mos prejudikohet, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Po ashtu, KMDLNJ kërkon që përgjegjësit e rastit të sillen para drejtësisë dhe kërkon ngritjen e nivelit të sigurisë në Qendrat e Paraburgimit dhe burgjet e Kosovës.

Avokati i njohur nga Prishtina, Tomë Gashi kërkon përgjegjësi për këtë vdekje të cilën e konsideron të dyshimtë.

“Astrit Dehari do të duhej të ishte i sigurt në burgun e Prizrenit sepse burgu menaxhohet nga shteti. Në të vërtetë, Astrit Dehari nuk do të duhej të ishte fare në burg, nëse do të kishim drejtësi të papolitizuar. Por drejtësia e politizuar ka vërtetuar zënjen e shtetit nga ana e pushtetit”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, për 67 ditë, Astrit Dehari u mbajt në paraburgim “vetëm për shkak se e donte kombin e vet shqiptar, donte që flamuri i tij të jetë kuq e zi dhe ishte pjesëtar aktiv i Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Sot pasi që Astriti nuk është më në mesin tonë, pushteti le të krenohet se e ka një terrorist më pak, dhe pyetja e fundit është se… a duhet ta vërtetojnë pjesëtarët e pushtetit që e arrestuan pa faj, që e mbajtën në paraburgim pa asnjë arsye, apo shkakun pse Astriti nuk është më në mesin tonë duhen ta thonë ekspertët të cilëve familja e Astrit Deharit ju beson”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, dy vjet pas pavarësisë së Kosovës (2010), mediet zvicerane për këtë familje kishin zhvilluar një dokumentar, duke e marrë si familje të rrallë shqiptare që lë Zvicrën dhe kthehet në Kosovë. Kjo ka ndodhur në kohën kur shumica e shqiptarëve e ëndërronin Zvicrën si vend për të emigruar. Babai i dy djemve, tashmë të vdekur, Avni Dehari është veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, poet dhe ish-kryeredaktor në “Zëri i Kosovës”.

“Dallimi në mes të jetës në Zvicër është shumë i madh, nëse dëshirojmë ta bëjmë krahasimin në aspektin e kushteve të jetesës, por nëse ne të rinjtë nuk punojmë këtu për të ndërtuar shtetin, kush duhet ta bëjë”, ishte shprehur ndër të tjera në këtë dokumentar, Arbënor Dehari.

Edhe vëllai i tij, Astriti, është shprehur se nuk mund të paramendojë të jetoj në Zvicër, përveç në vizitë apo për pushime që thotë se mund ti kalonte atje.