Lajme

Vazhdon lufta për mbijetesë e grave të Krushës

Gratë e veja u bënë kryefamiljare dhe morën barrën e mbajtjes së familjes. Te këto gra marsi ka kujtimin e veçantë, jo për shkak të festës, por të sakrificës dhe dhimbjes

Lufta në Kosovë ka përfunduar 14 vjet më parë për shumicën e qytetarëve të Kosovës, ndërsa për disa gra të komunës së Rahovecit vazhdon për ditë, me shumë sfida. Ajo është lufta e mbijetesës për qindra gra të Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, të cilat në luftën e fundit humbën baballarët, bashkëshortët dhe djemtë, duke u mbetur të vetëm në drejtimin e shtëpive.

Masakra e 26 marsit e 1999-s, ku forcat e kombinuara policore dhe paramilitare serbe, vranë më shumë se 200 persona, kryesisht  burra e të rinj nga mosha 12 deri në 90 vjeçare, bëri që Krusha e Madhe dhe e Vogël, të njihen si fshatrat pa burra.

Gratë e veja u bënë kryefamiljare dhe morën barrën e mbajtjes së familjes. Te këto gra marsi ka kujtimin e veçantë, jo për shkak të festës, por të sakrificës dhe dhimbjes.

Siç raport REL, 14-vjet pas luftës në Krushën e Madhe, akoma vërehen pasojat e luftës, pavarësisht shtëpive të reja që janë ndërtuar, pasi që në 99-n ishin rrafsh me tokë. Ajo çka ka ndodhur në Krushën e Madhe me rrethinë gjatë luftës, ishte një fatkeqësi e madhe, thotë Fahrie Hoti, e cila as sot nuk di asgjë për fatin e bashkëshortit të saj, Bashkimit.

“Fillimisht themeluam një shoqatë ‘Gratë e veja’, për hulumtimin e personave të pagjetur. Ka qenë një rrugë shumë e gjatë dhe e vështirë, e pamë që ishte një rrugë e gjatë, vrapuam shumë dhe nuk kishte asgjë. Askujt nuk iu bë vonë pse nuk është kthyer Bashkimi. Vendosem që t’i kthehemi jetës, të punojmë”, tregon Hoti.

Gratë të veja të Krushës më pas filluan ta mbillnin tokën dhe të ringjallnin jetën si para luftës, kur gjëra të tilla kishin bërë bashkëshortët.

Zonja Hoti thotë se pas organizatës “Gratë e veja”, që u themeluan në vitin 2005, filluan të merreshin edhe me konservimin e ushqimeve dimërore. Pas suksesit dhe kërkesave nga qytetarët, kjo organizatë ka rritur kapacitetet e saj prodhues dhe njëkohësisht edhe ka rritur numrin e të punësuarave. Kështu në vitin 2010 u shndërruan në kooperativën bujqësore “Krusha”.

“Sot jemi në një biznes shumë të mirë. Njëzetepesë punëtore jemi që punojmë rregullisht. Këto janë kryefamiljare si subjekt i punës, ndërsa atje ku punohet, ajo anëtare punon komplet me familjen, atëherë trefishohet numri i punëtoreve”.

“Unë mund të prezantoj numrin si 25, por mund ta prezantoj edhe 100, se vazhdimisht janë të angazhuara familjet, konservojnë dhe i sjellin konservimet në kooperativë nga ku produktet nisen për në treg”, shpjegon zonja Hoti.

 Kooperativa “Krusha” tashmë është e njohur në Kosovë. Produktet e saj bëhen mbi bazën e recetave tradicionale. Me produktet e veta, kjo kooperative furnizon rreth 28 markete të mëdha në qytetet e Kosovës. Prodhimet e tyre më të kërkuara janë ajvari dhe specat me kos.

“Është një punë me të vërtetë e befasishme edhe për mua, që në një moshë të shtyrë edhe vështirësitë që kemi përjetuar, tmerrin, të mbajmë tregun paralel me djemtë e ri. Kjo është për t’u çuditur”, shprehet zonja Hoti, për të shtuar se kooperativa “Krusha”, me prodhimet dhe produktet e saj, arrin të mbulojë 70 për qind të kërkesave në treg.

Njëra nga punëtoret e kooperativës, Sadbere Hoti, shprehet e kënaqur me punën që bën, pasi që sipas saj, prodhimet e tyre janë shumë të kërkuara. “Në radhë të parë jemi të kënaqura që puna po na lavdërohet shumë, dhe punën po e bëjmë mirë, por edhe prodhimet me kualitet”, thekson ajo.

Kosova hyri në vitin e gjashtë të pavarësisë dhe po i bën 14-vjet nga çlirimi. Gratë e veja të Krushës po vazhdojnë sakrificën për mbijetesë. Ato tashmë mund të ndihen pak me të relaksuara, sepse disa nga fëmijë që në vitin 99 ishin të vegjël, tashmë janë rritur, disa nga ta iu kanë hyrë “nën duar” nënave, duke u lehtësuar dhimbjet.