Ushtria zvicerane ka njoftuar të enjten se do të mbetet e pranishme në Blatten (VS) për një periudhë afatgjatë. Pajisjet ushtarake do të qëndrojnë aty për të mundësuar një reagim të shpejtë, ndërsa ushtarët do të kthehen në zonën e pritjes për të vijuar përgatitjet dhe stërvitjet, duke qenë gjithmonë gati për ndërhyrje në rast nevoje.
Ndërkohë, Këshilli Shtetëror i kantonit Wallis ka vendosur të ndajë një shumë fillestare prej 10 milionë frangash në ndihmë financiare për banorët e komunës Blatten, si pjesë e përpjekjeve për të mbështetur komunitetin pas fatkeqësisë.
Gjeologu kantonal i Wallis, Raphaël Mayoraz, në një intervistë në programin “Infrarouge” të RTS, ka paralajmëruar se situata në zonën e Lötschental mbetet e paqëndrueshme dhe mund të zgjasë për një kohë të gjatë. Ai ka përmendur rënien e vazhdueshme të gurëve nga mali Petit Nesthorn, rrezikun e përmbytjeve masive në rast stuhie, si dhe mundësinë që fanshi aluvial të hapet papritmas dhe të lirojë ujërat e Lonza-s të mbajtura në liqenin Blatten, transmeton albinfo.ch.
Kërkimi për personin e zhdukur rifilloi të hënën, me personelin dhe pajisjet e specializuara që punojnë aktualisht në vendngjarje. Sipas mediave gjermanofolëse, bariu i deleve ndodhej në shtëpinë e tij në rajonin Tennmatten gjatë tragjedisë, një zonë që nuk është evakuuar.
Solidariteti zviceran ka aktivizuar fondin e ndihmës për fatkeqësitë dhe ka bërë thirrje për donacione për të ndihmuar të prekurit nga kjo ngjarje. Brenda një jave, janë mbledhur më shumë se 11 milionë franga.