Shkurt.ch

Universiteti i Cyrihut konfirmon akuzat kundër Mörgel-it

Mörgeli e ka quajtur gjithë këtë si një fushatë e motivuar politikisht kundër tij. Sipas tij, si deputet nacional i SVP-së, prania e tij në Universitetin e Cyrihut ishte e padëshirueshme

Universiteti i Cyrihut ka sqaruar, duke i konsideruar të bazuara, akuzat që emisioni “Rundschau” i Televizionit publik të Zvicrës SRF i ka shqiptuar kundër politikanit të SVP-së, Christoph Mörgeli. Sipas “Rundschau”, rreth dhjetë punime të doktoratës të mbikëqyrura nga dr. Mörgeli kur ai punonte në Universitetin e Cyrihut, kanë qenë tekste kryesisht të kopjuara historike.

Emisioni në fjalë ka konstatuar se vetëm pak faqe të këtyre punimeve përmbajnë interpretime shkencore të teksteve historike. Disa nga disertacionet madje nuk përmbajnë as bibliografinë (citimet e literaturës). Një ish doktorant kishte njoftuar për “Rundschau” se ai kishte angazhuar një përkthyes për transkriptimin e teksteve.

Udhëheqja e universitetit, duke u bazuar në akuzat, ka angazhuar Fakultetin e Mjekësisë që të sqarojë gjendjen dhe t`ia formulojë universitetit një raport lidhur me këtë.

Christoph Mörgeli në shtator të vitit 2012 ishte pushuar nga puna si kurator i Muzeut të Historisë së Mjekësisë, në kuadrin e Univesritetit të Cyrihut. Përjashtimi i tij nga puna ishte arsyetuar me performancën e pamjaftueshme të tij në punë dhe me shkeljen e parimit të lojalitetit ndaj universitetit.

Ndërsa vetë Mörgeli kishte bërë ankesë dhe e kishte quajtur gjithë këtë si një fushatë e motivuar politikisht kundër tij. Sipas tij, si deputet nacional i SVP-së, prania e tij në Universitetin e Cyrihut ishte e padëshirueshme.