Lajme

UEFA ultimatum Shqipërisë

Nëse Shqipëria, sipas UEFA-s, nuk ndërton ndonjë stadium të ri, atëherë lojërat e kombëtares do të luhen jashtë Shqipërisë. Në "Qemal Stafa" nuk do të luhet asnjë ndeshje

Bashkimi i Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA) i ka dhënë një ultimatum Shqipërisë, që ta ndërtojë një stadium të ri për t’i luajtur lojërat ndërkombëtare, sepse stadiumi “Qemal Stafa” është i papërdorshëm dhe në të nuk do të luhet më asnjë ndeshje.

Nëse Shqipëria, sipas UEFA-s, nuk gjen alternativë, atëherë lojërat e kombëtares, por edhe ato të ligave evropiane duhet t’i luaj jashtë vendit.

Në një letër që UEFA i ka dërguar Federatës Shqiptare të Futbollit, thuhet se stadiumi kombëtar nuk i përmbush aspak kriteret e kërkuara, prandaj është marrë një vendim shumë drastik në lidhje me ndeshjet që do të zhvillohen në të ardhmen në Shqipëri.

“Përdorimi i “Qemal Stafës” për ndeshjet ndërkombëtare nuk përmbush standardet e vendosura nga institucioni ynë, për sigurinë, akomodimin e medieve, zyrtarëve dhe spektatorëve. Këto shqetësime janë shprehur vazhdimisht sa herë kombëtarja juaj ka pasur ndeshje”, thuhet në letrën e UEFA-s.

Sipas kësaj letre, UEFA kërkon ndërtimin e një stadiumi të ri, në të kundërtën, kuqezinjtë duhet të luajnë në një tjetër vend, jashtë Shqipërisë.

UEFA, siç raporton “Shekulli”, ka garantuar mbështetje për drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit në çdo moment.

Ndryshe, ishin mediet zvicerane ato që shkruan një reportazh për stadiumin “Qemal Stafa”, duke treguar se ky stadium është i nivelit shumë të ulët dhe se nuk i plotëson asnjë kriter për futboll ndërkombëtarë. Lajmi i tyre u “hit” gjithandej Evropës, se Shqipëria nuk e ka një stadium të “hajrit”.