Lajme
U përkujtua e 81-ta
Të shtunën në Reinach të Zvicrës, u mbajt tubimi qendror kushtuar 30-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe mërgatë
Në këtë manifestim morën pjesë personalitete të jetës politike, organizatorë dhe pjesëmarrës të atyre ngjarjeve të mëdha nga mbarë hapësira shqiptare.
Pas intonimit të himnit kombëtar, të pranishmit i përshëndeti njëri nga organizatorët e drejtëpërdrejtë të demonstratave studentore, Riza Demaj, ndërsa Saime Isufi në emër të Këshillit Organizativ, i falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar për shënimin e këti përvjetori të rëndësishëm.
Lidhur me rëndësinë dhe shkaqet që çuan në plasjen e demonstratave studentore të 11 marsit 1981 në mensën e studentëve dhe pastaj të demonstratave me karakter gjithëpopullor të 26 marsit dhe të 1 e 2 prillit 1981, foli veprimtari Sejdi Gega. “Kur ne sot po festojmë 30 vjetorin e demonstaratave të 81-tës, kujtimi shkon tek ato ditë kur revolta e studentëve, e filluar më 11 mars 1981 vazhdon më 26 mars, vjen e rritet në përmasa popullore më 1, 2 dhe 3 prill.
Po ashtu, duhet theksuar faktin se mërgata me grupet ilegale dhe revistat ishte prapavija më e fuqishme mbështetëse e kësaj lëvizjeje të organizuar. Na shkon mendja edhe tek demonstratat që mbaheshin në të gjitha qytetet e Kosovës, tha veç tjerash në fjalën e tij, veprimtari dhe njëri nga ndërtuesit e asaj pranvere, Sejdi Gega.
Me një fjalë rasti para të pranishmëve u paraqit edhe ish Presidenti i Shqipërisë, prof. Dr. Rexhep Mejdani. Ngjarjet e mëdha të vitit 1981 shënojnë epokën më të rëndësishme politike, sigurisht pas shumë përpjekjesh e sakrificash që ka bërë populli shqiptar gjatë gjithë historisë së tij. Këto ngjarje sigurisht nuk do të mund të ndodhnin pa demonstratat e vitit 1968 dhe përpjekjet tjera paraprake, tha dr. Mejdani. Pastaj ish presidenti Meidani evokoi disa kujtime të atij viti historik, meqë në atë periudhë ai ishte profesor në Universitetin e Prishtinës.
Lidhur me rëndësinë e këtyre demonstratave, foli edhe njëri nga protagonistët kryesorë të tyre, sot deputet në Parlamentin e Kosovës, Hydajet Hyseni. Ai veçmas u ndal në rolin e madh që ka luajtur mërgata shqiptare para dhe pas vitit 1981 në krye me Kadri Zekën dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallën për të mos u ndalur pastaj për asnjë çast deri në finalizimin e idealeve më të larta kombëtare.
Në kuadër të fjalës përshëndetëse, prof. dr. Zymber Neziri, njëherësh veprimtar i përkushtuar që nga demonstratat e vitit 1968, u ndal në nevojën që këto ngjarje të studiohen në aspektin shkencor. Në këtë rrafsh deri tani nuk është punuar sa duhet, ndaj le të shpresojmë që të krijohen kushte më të mira në të ardhmen në mënyrë që historiografia shqiptare të merret më shumë dhe t’ua jap vendin e merituar këtyre demonstratave, tha ai.
Para të pranishmëve me një fjalë rasti u paraqit njëri nga udhëheqësit e lëvizjes së atëhershme studentore, Ali Lajçi, i cili po ashtu u ndal në shkaqet që çuan në shpërthimin e këtyre demonstratave, duke veçuar gjendjen e rëndë ekonomike dhe mohimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Ngjarjet e vitit 1981 kanë pasur karakter krejtësisht kombëtar, tha ai. Me këtë rast Lajçi përmendi edhe mbështetjen e Shqipërisë, brenda mundësive dhe rrethanave të asaj kohe.
“Për këto ngjarje duhet të shkruhet sa më shumë. Ju lutem shkruani, nxirrni në letër të gjitha ato që kini parë e përjetuar gjatë asaj Pranvere të Madhe”, tha në fillim të përshëndetjes së tij, njëri nga organizatorët e lëvizjes studentore, ish Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi.
Para të pranishmëve folën edhe veprimtarët Hasan Ukëhaxha e Fazli Veliu. Tubimin e përshëndetën edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Naim Malaj, ambasadori i Kosovës në Vjenë, Sabri Kiqmari, ambasadori i Maqedonisë, Ramadan Nazifi si dhe shumë personalitete tjera të pranishme në këtë tubim.
Me këtë rast Shkolla Shqiptare e Vallëzimit, “Shota” në Zvicër, e udhëhequr nga Agron Bajrami, u paraqit me disa valle, ndërsa nxënësit e shkollës shqipe, me poezi kushtuar dëshmorëve të lirisë.
Me këtë tubim, Këshilli Organizativ për shënimin e 30 vjetorit të demonstratave në Kosovë dhe mërgatë, përmbylli veprimtaritë e tij kushtuar këti jubileu të madh.
Më 15 janar kishte organizuar Akademi kushtuar Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, ndërsa më 06 mars tribunën kushtuar demonstratave të vitit 1981, në të cilën ishin lexuar mbi 40 kumtesa.
E-Diaspora
-
PD Dr. Përparim Limani emërohet shef i Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Viscerale në Kantonsspital Aarau Një tjetër emër shqiptar ngjitet në majat e institucioneve zvicerane. Docent PD Dr. med. Dr. sc....
-
Valë e re azilkërkuesish shqiptarë drejt Britanisë, ‘braktisin’ Francën dhe Gjermaninë
-
Në Gjermani hapet edhe një klasë e re për mësimin e gjuhës shqipe në Eggenfelden
-
Gjithçka gati për “Alba Festival”, a jeni gati edhe ju?
-
Itali: Futbollisti shqiptar vdes aksidentalisht
Jeta në Austri
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë? Vjena pas tre vjetësh bie nga froni...
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€
-
Austria prezanton pensionin e pjesshëm
-
Austria forcon ligjet për armët dhe sigurinë në shkolla pas tragjedisë në Graz
-
Der Standard: “Në Kosovë tani po mbretëron kokëfortësia”