Kosova
U shënua 35 vjetori i Pajtimit të Gjaqeve, një lëvizje që bëri historinë
Shënimi përvjetorit të 35-të të Pajtimit të Gjaqeve u bë mbrëmjen e organizuar nga Lidhja Shqiptare në Botë, që u mbajt më 3 maj, në Langenthal të Bernës, në Zvicër

Plot 35 vjet kanë kaluar nga njëri ndër zhvillimet më të rëndësishme në historinë e re të shqiptarëve, lëvizja për Pajtimin e gjaqeve. E shikuar në retrospektivë, kjo lëvizje vazhdon të mahnitë me forcën morale të popullit që kishte nxjerrë në pah, duke shënuar kështu mobilizimin mbase më të madh shpirtëror të shqiptarëve.
Shënimi i këtij përvjetori kishte bërë bashkë disa nga iniciatorët si dhe bashkëkohësit dhe aktivistët e kësaj lëvizjeje, në mbrëmjen e organizuar nga Lidhja Shqiptare në Botë, që u mbajt më 3 maj, në Langenthal të Bernës, në Zvicër.
Mbrëmjen e ka moderuar Dajana Berisha, aktiviste e njohur dhe kryetare e LSHB-së për Kosovë. Me praninë e tyre, këtë aktivitet e kanë nderuar edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi, Sekretari i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë, z. Valon Gashi dhe Shefi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha.
Në fokus të aktivitetit ishin xhirimet e realizuara nga fotografi i pasionuar Murteza Kurti, i cili kishte regjistruar hap pas hapi, pothuaj të gjitha tubimet e pajtimit të gjaqeve në Rrafshin e Dukagjinit. Pamjet që kishte filmuar ai paraqesin një kronikë të gjallë, realiste dhe shumë të pasur të pajtimit të gjaqeve. Ato pastaj kanë shërbyer si një sfond filmik për debatin që u zhvillua nga panelistët që ishin disa nga nismëtarët e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, të viteve `90 të shekullit të kaluar. Hava Shala që njihet si ideatorja e parë dhe Ibrahim Dreshaj, njëri ndër anëtarët e grupit nismëtar të lëvizjes, së bashku me aktivisten po ashtu të shquar të lëvizjes së pajtimit, Shqipe Bytyqi dhe Murteza Kurti, fotograf e kronikan i zhvillimeve të asaj kohe përbënin panelin që drejtohej nga gazetarja e njohur nga Prishtina, Jeta Xharra.
Para kësaj, studiuesi i shquar i letërsisë popullore, epikologu, Dr. Zymer Neziri, po ashtu pjesëmarrës aktiv i lëvizjes së pajtimit të gjaqeve ka lexuar një kumtesë në lidhje me shkaqet, arsyet që kishin sjellë në ngritjen e një lëvizjeje të tillë, unike në historinë, jo vetëm të kombit tonë. Ai gjithashtu ka dhënë edhe shifra të pajtimeve të gjaqeve dhe ka folur për rrethanat politike e shoqërore që kanë karakterizuar procesin në përgjithësi.
Kryetari i LSHB, Nazmi Jakurti, duke ju drejtuar të pranishmëve ka sjellë në kujtesë sfondin historik e shoqëror që bëri të mundur ngritjen e një lëvizjeje të tillë. “35 vjet më parë, në kohën kur Kosovës i ishte suprimuar autonomia, kur zhurma shurdhuese e tankeve okupatore serbe ushtonte gjithandej rrugëve të Kosovës (…) popullin tonë e gërryente nga brenda një plagë e vjetër – gjakmarrja, fenomen ky që, i nxitur edhe nga armiku shekullor, ishte bërë si epidemi! Mijëra familje shqiptare ishin të hasmuara në mes vete!”
Të vetëdijshëm për nevojën urgjente për pajtim dhe unitet kombëtar, një grup studentësh të Universitetit të Kosovës i përbërë nga Hava Shala, Myrvete Dreshaj, Adem Grabovci, Ibrahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj, më 29 janar 1990 u mblodhën në Odën e Adem Grabovcit në Pejë dhe morën vendimin për të nisur Aksionin për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë…”, tha veç tjerash z. Jakurti.
Pianistja e njohur Ermira Zyrakja Lefort nga Gjeneva ka interpretuar me piano disa pika muzikore si dhe himnin shqiptar. Ajo po ashtu ka kujtuar se hakmarrja po vazhdon të bëjë punën e saj të kobshme edhe në shumë familje të Shqipërisë së Veriut, duke mbajtur të ngujuara e të bllokuara, qindra familje të atjeshme.
Në debatin e gjallë të drejtuar nga Jeta Xharra, panelistët kanë folur për rrethanat, kushtet dhe motivet që kanë shtyrë ata/ato për të ndërmarrë një aksion me peshë kaq të madhe (jo vetëm) për shpatullat e tyre si të rinj/të reja të asaj kohe.
Murteza Kurti, si autor i xhirimeve ka folur për sfidat që është dashur t`i përballonin ata që xhironin zhvillimet e atëhershme dhe për synimin e tij që çdo gjë e xhiruar të sistemohet dhe të bëhet pjesë e një arkivi përkatës. Po për arkivin që pasqyron lëvizjet e popullit të Kosovës para fillimit të luftës, ka folur edhe gazetarja Jeta Xharra, e cila ka sjellë në kujtesë të publikut nismën e saj dhe të një ekipi për ngritjen e një arkivi të tillë. Ka qenë pikërisht takimi me Murteza Kurtin që e ka bërë të zgjerojë fokusin e këtij arkivi edhe jashtë kryeqendrës, Prishtinës, është shürehur ajo.
Hava Shala, e pyetur për idenë e pajtimit të gjaqeve, që kishte dalë nga ajo, ka evokuar kujtimet e veta si një ish e burgosur, e re, studente, e prirë nga idealet kombëtare. Ajo ka theksuar se ka qenë një lajm i publikuar nga mediat serbe, pas protestave të shuara me gjak nga regjimi serb, ai që e ka shtyrë të mendojë për ngritjen e një lëvizjeje për pajtimin e gjaqeve. Lajmi në fjalë, sipas saj, thoshte se në këto protesta, shqiptarët nuk po i vriste shteti por ata po vriteshin mes vete, duke kryer kështu hakmarrjet që ekzistonin prej kohësh mes tyre. Rreziku nga një interpretim i tillë, ishte përcaktues për të iniciuar idenë e pajtimit të madh të gjaqeve, ka theksuar ajo.
Në vazhdim, Shala, Dreshaj dhe Bytyqi kanë shpalosur kujtimet e tyre nga koha e pajtimit të gjaqeve, duke kujtuar vështirësitë e mëdha që kanë shoqëruar këtë proces. Për më tepër, ata, nga perspektiva e sotme e shohin si hap tepër të guximshëm ngritjen në këmbë të një aksioni kaq të madh, nga ata, të rinj që nuk kishin fuqi përveç idealit kombëtar që i shtynte përpara.
Ata kanë kujtuar më tutje se ideja dhe sakrifica fillestare e tyre si të rinj, ka kërkuar mbështetjen e njerëzve më të pjekur e nga shtresa intelektuale, të cilët me ndikimin e tyre do të rritnin lëvizjen dhe do ta çonin në lartësinë e synuar. Si personifikim i një personaliteti që njihte në mënyrë të përkryer shpirtin e popullit dhe që gëzonte besim tek populli, ishte profesori i njohur Anton Çetta. Ai pranoi lutjen e studentëve të rinj dhe, me mbështetjen edhe të shumë intelektualëve të tjerë, si Zekerija Cana, Bardhyl Çaushi, Bajram Kelmendi e të tjerë, lëvizja mori ato përmasa epike që i njohim.
Panelistët kanë folur edhe për “prapaskenat” e lëvizjes, gjegjësisht për vështirësitë e arritjes së pajtimit në raste konkrete, madje edhe për disa raste të dështimit, gjegjësisht refuzimit të familjarëve për ta bërë faljen e gjakut. Puna më e vështirë ka qenë ajo në terren, që u ka paraprirë akteve solemne, të njohura nga mediat, të pajtimit të gjaqeve. Janë dashur ditë, javë e muaj përpjekjesh dhe lufte me durim e mençuri “në teh të thikës”, për të sjellë punën deri në pajtimet që kemi parë pastaj në fushat e pajtimit, që kulmojnë me atë të Verrave të Llukës, ka thënë Hava Shala.
E-Diaspora
-
Marrëveshja e pensioneve Shqipëri-Itali: Si do të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë dhe italianë? Marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë, që pritet të hyjë në fuqi në muajin qershor,...
-
Video
Sopranoja shqiptare Ana Naqe mahnit në Bruksel me rolin kryesor në operën “Bovary”
-
Mbrëmje informative për nxënësit shqiptarë në Zvicër
-
Lozanë: Shqipëria në qendër të vëmendjes në Festivalin Universal të EHL
-
Dietikon: Kosovari vdes pas sulmit me thikë – Arrestohet një ugandas
Jeta në Austri
-
Mbi 6.1 milionë shkelje të shpejtësisë në Austri në 2024-ën Në vitin 2024, Policia Federale e Austrisë regjistroi 6,145,227 raste të tejkalimit të shpejtësisë, qoftë përmes...
-
Çfarë është një licencë e rregulluar biznesi në Austri dhe kujt i duhet?
-
Qeveria austriake planifikon reformën e pensioneve: 63 është mosha e re e pensionimit të parakohshëm
-
Papunësia në Austri rritet për 7.3%, me 392.600 punëkërkues
-
Austri: Paketa e re tatimore, masa për konsolidimin e buxhetit dhe lehtësime për qytetarët