Lajme

Trump kërcënon se Izraeli do të humbasë mbështetjen e SHBA-së nëse anekson Bregun Perëndimor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se nuk do ta lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor, duke paralajmëruar se Izraeli do të humbasë mbështetjen e SHBA-së nëse e bën këtë.

“Kjo nuk do të ndodhë sepse u dhashë fjalën vendeve arabe… Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo do të ndodhte”, tha Trump për TIME, transmeton albinfo.ch.

Deklarata e Trump vjen pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së ka thënë se një lëvizje nga parlamenti i Izraelit drejt aneksimit të Bregut Perëndimor të pushtuar, do të kërcënonte planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Ndryshe, ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën në favor të avancimit të dy projektligjeve për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar. Më herët, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha se qeveria nuk kishte vendosur ta çonte votimin për aneksimin përpara në këtë fazë, në mënyrë që të siguronte suksesin e planit shumëfazor të Trump për Gazën.