Një operacion i gjerë ndërkombëtar, i udhëhequr nga Europol, ka çuar në shkatërrimin e një bande të fuqishme të trafikut të drogës, e cila vepronte përmes një rrjeti të ndërlikuar në disa vende të Evropës.
Sipas njoftimit të bërë nga selia e Europol-it në Hagë, 14 persona janë arrestuar gjatë aksioneve të zhvilluara në Belgjikë, Gjermani dhe Itali. Gjatë operacionit janë kontrolluar njëmbëdhjetë prona dhe janë sekuestruar 780 kilogramë kokainë, një sasi që tregon shkallën industriale të aktivitetit kriminal, përcjell albinfo.ch.
Hetimet kanë zbuluar se rrjeti kriminal drejtohej nga një familje italiane, me lidhje të drejtpërdrejta me furnizues në Kolumbi. Në Belgjikë ata kishin ngritur laboratorë të sofistikuar për përpunimin e drogës, të fshehur brenda depove që shërbenin si pikë kyçe e shpërndarjes.
Rruga e trafikut kalonte përmes porteve evropiane, ku kokaina hynte e maskuar në dërgesa të ligjshme, përpara se të përpunohej dhe të shpërndahej më tej në tregun evropian.
Autoritetet zvicerane kanë bashkëpunuar gjithashtu në këtë operacion të ndërlikuar ndërkufitar, ndërsa hetimet zbulojnë se banda ishte e përfshirë jo vetëm në trafikun e kokainës dhe heroinës, por edhe në aktivitete të pastrimit të parave në shkallë të gjerë.