CH-Ballkani

Tirana zyrtare reagon ndaj fyerjeve të shqiptarëve në Maqedoni

Ministria e Jashtme në Shqipëri ka reaguar për brohoritjet anti-shqiptare të regjistruara edhe me video gjatë ceremonisë së Ilindenit në Krushevë të Maqedonisë.

“Besojmë se këto janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme dhe shpresojmë që incidente të tilla që ndjellin urrejtje ndëretnike të mbeten të izoluara. MEPJ i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë nxitësit e dhunës dhe vendosjen e tyre para drejtësisë. Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë. Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë”, thuhet në reagimin e ministrisë së jashtme shqiptare.

Maqedonia në 2 gusht festoi 115 vjetorin e themelimit të Republikës së Krushevës, e cila zgjati vetëm një kohë të shkurtër.