Lajme
Themelohet komisioni ndërkombëtar për demarkacion me Malin e Zi
Sipas njoftimit të Presidencës kosovare, Komisioni vlerësues përbëhet prej tre ekspertëve: një nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka nënshkruar sot vendimin për themelimin e komisionit “ad hoc” të ekspertëve ndërkombëtarë, për të vlerësuar procesin e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Komisioni, sipas njoftimit, nis punën sot dhe përbëhet prej tre ekspertësh ndërkombëtarë.
Sipas njoftimit të Presidencës, Komisioni vlerësues e përbëjnë tre ekspertë, një i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëri i Gjermanisë dhe një i Britanisë së Madhe.
“Këta ekspertë në javët në vijim do të bisedojnë me të gjithë akterët politikë dhe institucionalë për procesin e demarkacionit, do të shqyrtojnë dokumentacionin dhe do të zhvillojnë vizita në terren për të krijuar një pasqyrë të qartë për rrjedhën e këtij procesi”, njofton Presidenca.
Puna e ekspertëve, siç thuhet, do të përmbyllet me vlerësimin e procesit të demarkacionit dhe procedurave që janë ndjekur në atë rast. Vlerësimi do t’i dorëzohet Presidentes Jahjaga, pranë Zyrës së të cilës vendoset ky komision.
Komisioni vlerësues themelohet me iniciativën e presidentes Jahjaga, pas shqetësimeve të ngritura rreth marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për vendosjen e kufirit shtetëror. Sipas opozitës kosovare, me marrëveshjen e parë që u nënshkrua në Vjenë, Kosova humbë 8300 hektarë tokë.
Presidentja Jahjaga iu bën thirrje të gjitha subjekteve politike, institucioneve dhe qytetarëve, të bashkëpunojnë me ekspertët ndërkombëtarë, për t’i mundësuar komisionit një vlerësim të saktë dhe gjithëpërfshirës të procesit të demarkacionit.
Ndryshe, eskortën e ekspertëve ndërkombëtarë e përbëjnë: Fletcher M. Burton, diplomat i lartë amerikan në pension, ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Ballkan. Pozita e tij e fundit ka qenë ambasador dhe shef i Misionit të OSBE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë viteve 2011 deri në vitin 2014. Ai është angazhuar në Kosovë prej mesit të viteve 1990. Ai ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë bisedimeve Prishtinë-Beograd në vitin 1998 dhe ka shërbyer si zëvendësshef i Zyrës së SHBA-së në Prishtinë gjatë 2001 dhe 2002.
Në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai ka qenë pjesë e ekipit shumëkombësh që themeloi Zyrën Civile Ndërkombëtare, ku ai më pas shërbeu si Zëvendës Përfaqësues Civil Ndërkombëtar nga 2008-10.
Në vitin 2009, Burton ka mbikëqyrur përpjekjet për përcaktimin e kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë. Ai ka përfunduar studimet universitare nga Amherst College dhe studimet postdiplomike në Universitetin Princeton, si dhe ka studiuar me Fulbright në Gjermani.
Dr. Ing. Herbert Wilmes është shtetas gjerman. Ai ka diplomë universitare në gjeodezi, doktoraturë në gjeodezi nga Universiteti i Bonit dhe është vlerësues i hartave topografike. Wilmes ka punuar si ndihmës ligjërues në Institutin për Gjeodezi Teorike në Universitetin e Bonit (1976-1982), si shkencëtar kërkimor në Institutin e Kërkimeve Gjeodezike Gjermane (DGFI) në Mynih dhe më pas në Agjencinë Federale për Hartografi dhe Gjeodezi në Frankfurt.
Nga viti 1998-2015 ka shërbyer si anëtar i komisioneve të përhershme të kufijve me shtetet fqinje Austrinë, Republikën Çeke, Holandën dhe Poloninë si dhe si këshilltar teknik në çështje vlerësuese për kufijtë me Belgjikën, Luksemburgun, Francën, Zvicrën dhe Danimarkën. Në korrik të vitit 2015 është pensionuar nga shërbimi aktiv.
Fred Newton ka shërbyer për 25 vjet në policinë e porteve dhe të kufijve tokësorë të Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera të botës. Ai ka qenë përgjegjës dhe zyrtar kryesor që në emër të Komitetit të Shoqatës së Shefave të Policisë dhe të Komitetit Këshillues ka koordinuar masat kundër terrorizmit në portet dhe kufijtë tokësorë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Ai po ashtu ka qenë anëtar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kryeministrit britanik, dhe anëtar i Komitetit Kombëtar të Aviacionit dhe Sigurisë Detare. Ai ka këshilluar rregullisht qeveritë e vendeve të ndryshme për sigurinë dhe menaxhimin e integruar të kufijve.
Newton është i njohur si ekspert evropian për menaxhimin e kufijve dhe ka punuar me Komisionin Evropian në këto çështje. Ai ka hartuar memorandume të mirëkuptimit për bashkëpunimin ndërkombëtar në menaxhimin e kufijve.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare Helmimi me gaz në Porcari, dëshmia e fqinjit shqiptar për momentet e para... -
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së -
Amerikë/Shqipëri
Talent shqiptar nga Amerika që po sjell ventrilokizmin në skenën shqiptare
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç













