Lajme

Thellohet varfëria në Kosovë

Në Kosovë janë mbi 35 mijë familje nën asistencë sociale

Kosova vazhdon të përballet me gjendje të rëndë ekonomike sociale dhe nivel të lartë të varfërisë së skajshme. Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë konfirmojnë se numri i familjeve që përfitojnë nga ndihma sociale është mbi 35 mijë, raporton Radio Evropa e Lirë.Në Kosovë janë rreth 35 mijë familje me 182 mijë anëtarë që përfitojnë ndihmë sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gagjiqi, thotë se viti 2011 ka shënuar ngritje shumë të vogël të familjeve që kanë nevojë për asistencë.

“Nuk kemi ndonjë rritje të madhe të shfrytëzueseve të asistencës sociale. Kemi mbi 35,245 familje, me 182 mijë anëtarë. Mjetet jepen nga Ministra e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thotë Gagjiqi për REL.

Vështirësitë që ka kaluar Kosova gjatë luftës, shkatërrimi i ekonomive familjare si dhe largimi i punëtorëve nga puna gjatë viteve ’90, thuhet se kanë shkaktuar gjendjen e vështirë ekonomike, e cila është manifestuar me një shkallë të lartë të varfërisë në vend.

Situata ekonomike e familjeve kosovare vlerësohet të jetë vështirësuar edhe më shumë gjatë viteve të fundit, kur në tregun e Kosovës janë shënuar ngritje të çmimeve të produkteve elementare, ndërsa vlera e asistencës sociale ka mbetur e njëjtë.