Lajme

Thaçi:”Refugjatët duan të mbërrijnë në Vjenë apo në Berlin“

Standard, Intervistë nga Adelheid Wölfl,

Standard:  Kur para pak kohësh u zgjodhët president pati protesat në rrugë dhe njëkohësisht edhe hedhje të gazit lotsjellës nga opozita në Parlament. Si mund të jeni president i të gjithë kosovarëve, kur keni një kundërshtim të tillë?

Thaçi: Dhuna s’mund të jetë një instrument për arritjen e qëllimeve politike. Aksionet e opozitës janë më shumë të lidhura me dy marrëveshjet – atë mbi Asociacionin e Komunave Serbe dhe Marrëveshjen Kufitare me Malin e Zi. – sesa me zgjedhjen e Presidentit. Unë gëzohem që mund të punojë me gjithë  shoqërinë përfshirë edhe drejtuesit e opozitës. Unë isha në gjendje të punoja e t’i bashkoja të gjithë për të luftuar për liri; unë ish poashtu në gjendje t’i bashkoja të gjithë kur ishte në pyetje Pavarësia. Dhe unë jam i bindur se do të jem në gjendje t’i bashkojë të gjithë edhe në përpjekjet tona për hyrje në BE dhe në NATO. Dhe Kosova nuk do ta ndalë procesin e normalizimit me Serbinë.

Standard: Sipas Gjykatës Kushtetuese Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe duhet të rishikohet?

Thaçi: Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria madje obligohet ta krijojë këtë Asociacion, pra edhe opozita është e obliguar të jetë pjesë e këtij procesi. Sa i përket Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi: është krijuar një komision ndërkombëtar që do ta vlerësojë tërë procesin e përcaktimit të kufirit. Unë besoj se këtu opozita do ta luajë rolin e saj. Unë e kurajoj atë të jetë pjesë e komisionit.

Standard: Opozita po e pengon që nga vjeshta e fundit përmes hudhjes së gazit lotsjellës punën e Parlamentit. A duhet një ndërmjetësim si nga BE për shembull?

Thaçi: Natyrisht, çdo këshillë është e mirëseardhur. Por unë besoj se kjo pat-situatë mund të kapërcehet në mënyrë interne me vullnetin e mirë të të gjitha palëve në Kosovë dhe me këshillat e mira të miqve ndërkombëtarë. Është përgjegjësi e politikanëve në Prishtinë të gjejnë një zgjidhje. Është e rëndësishme që sa më parë të jetë e mundur të vazhdojmë punën. Ne presim liberalizimin e vizave, ne duhet ta krijojmë Ushtrinë e Kosovës për të qenë pastaj pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Standard: A mendoni se zgjedhjet e reja në vjeshtë do të mund t’i jipnin fund stagnimit?

Thaçi: Zgjedhjet nuk janë opcion i domosdoshëm. Qeveria e tashme ka shumicën e mbi dy të tretave në Parlament. Pjesë të Qeverisë janë edhe përfaqësuesit e grupeve etnike.Në Kosovë nuk ka krizë politike. Ka vetëm përpjekje për nxjerrjen nga binarët të proceseve politike, por megjithatë institucionet po veprojnë. Ankesat e opozitës në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe dhe mbi Marrëveshjen Kufitare me Malin e Zi mund të kapërcehen dhe zgjidhja mund të gjendet përmes dialogut. Për këtë arsye nuk ka nevojë për zgjedhje. Zgjedhjet na duhen vetëm atëherë kur Qeveria humb shumicën e dy të tretave në Parlament.

Standard: Maqedonia mbylli kufirin e saj për refugjatët. A mendoni se refugjatët do të marrin rrugë drejt Kosovës ?

Thaçi : Ta pranojmë sinqerisht, refugjatët duan të mbërrijnë në Vienë apo në Berlin e jo të vijnë apo të qëndrojnë në Kosovë. Natyrisht se ne do të tregojmë solidaritet dhe ne duam të japim një përgjigje të përbashkët evropiane mbi këtë krizë. Por kjo nuk është vetëm një temë kosovare. Deri tash nuk ka pasur valë të refugjatëve në Kosovë apo nëpër Kosovë. Por nëse do të vinte ndonjëherë deri tek një valë e tillë, ne do t’i përgjigjeshim nga aspekti humanitar, por edhe nga perspektiva e sigurisë.

Standard: A prisni tash një dyndje të madhe të refugjatëve ?

Thaçi : Jo.

Standard: Në vjeshtë do të krijohet Gjykata Speciale për Krime të Luftës. Prokuroi Special, David Schwendiman, tha se zgjedhja për president nuk Ju jep imunitet. A e përjashtoni mundësinë e të qenit të akuzuar?

Thaçi: Kosova ka treguar se qëndron pranë obligimeve të saj ndërkombëtare. I tërë procesi i krijimit të Gjykatës Speciale është iniciuar, udhëhequr dhe është përmbyllur nga unë sa kam qenë kryeministër i qeverisë. Unë nuk kam çka të fsheh. Ne e përkrahim plotësisht këtë gjykatë.

Standard: A përjashtoni mundësinë e të qenit i akuzuar?

Thaçi: Ne nuk kemi thyer asnjë të drejtë apo konventë ndërkombëtare. Ne kemi thyer vetëm ligjet diskriminuese të Slobodan Milosevic-it ( presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë) dhe për këtë jam krenar. Lufta e qytetarëve kosovarë ishte e drejtë. Unë e shoh krijimin e Gjykatës Speciale për Krime të Luftës si një mundësi e lirimit të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga insinuatat dhe nga spekulimet.

Standard: A planifikoni në të ardhmen e afërt ndonjë takim me presidentin serb Tomislav Nikolic?

Thaçi: Do të ketë një ceremoni me rastin e marrjes së funksionit të Presidentit në fillim të prillit dhe jam i lumtur që mund mund ta ftojë edhe presidentin, Nikolic. Ne do t’i ftojmë edhe presidentët e tjerë të regjionit, por edhe atë. Atë e kam takuar edhe në raste të tjera. Pra, kjo nuk do të jetë diç e panjohur për Nikolic-in.

Përkthimin për albinfo.ch: Nexhmedin Gerguri