CH-Ballkani
Testi i maturës 2015 – test i dështimit tonë si shtet dhe si shoqëri
Fatkeqësisht testi i arritshmërisë 2015 ishte test i dështimit tonë si shtet dhe si shoqëri, ishte test që do të duhej të nxirrte SOS- alarmin e krizës së rëndë shoqërore e shtetërore

Me ardhjen e tij në krye të Ministrisë së Arsimit, Arsim Bajrami premtoi ndryshime në arsim, në përgjithësi, dhe në konceptimin dhe në udhëheqjen e provimit të maturës shtetërore, në veçanti. Ndryshimet në provimin e maturës shtetërore ndodhën, por jo në kahun pozitiv. Së pari, provimi i maturës u deklasua duke u bërë i kalueshëm për të gjithë, pra edhe për ata që në të vërtetë nuk e kalojnë atë dhe , së dyti, parregullsitë e vjetra, jo vetëm se nuk u shmangën, por morën hov dhe përfundimisht plandosën përdhé provimin e maturës. Së treti, niveli i pyetjeve të parashtruara nuk i përgjigjej nivelit të arritshmërisë së maturantëve, por më së shumti nivelit të arritshmërisë semimaturantëve.
Me kopjimin masiv që ndodhi në ditën e parë të testit, testi i arritshmërisë u dëshmua jo si testi i pjekurisë së maturantëve, por si testi i papjekurisë sonë si shoqëri dhe si testi edhe i një dështimi tonë të radhës si shtet.
Mbarëvajtjen e një provimi të maturës do të duhej të ishin në gjendje ta garantonte vetë personeli mësimor i çdo shkolle pa pasur nevojë në ndihmën e ruajtësve “profesionistë”, të cilët zatën na dolën të jenë të verbër dhe të shurdhër kronikë.
Të fotografohen e të dërgohen pa ndonjë vështirësi pyetjet e testit të arritshmërisë dhe të pranohen e të shpërndahen po aq lehtë përgjigjet e pyetjeve të dërguara, kjo është diç e e papresedencë dhe e pafalshme.
Në gjimnazet dhe shkollat e tjera me maturë në Zvicër përpilimin e detyrave, organizimin e provimit të maturës, korrigjimin e detyrave dhe organizimin e provimeve me gojë të maturës janë të obliguar ta bëjnë vetë shkollat përkatësisht mësimdhënësit e lëndëve gjegjëse dhe e tëra kjo pa përjashtim rrjedh pa ndonjë vështirësi serioze. Nxënësve ju bëhen me dije që paraprakisht rregullat e sjelljes dhe sanksionet që pasojnë në rast të cenimit të tyre. Kështu, asnjë nxënës nuk guxon të ketë me vete celularë apo mjete të tjera ndihmëse përveç llogaritarëve, të cilët, në pjesën kur lejohet përdorimi i tyre, kontrollohen paraprakisht nga mësimdhënësit duke i fshirë të gjitha memorimet e mundshme e që do të mund të përdoreshin gjatë provimit të maturës dhe do ta cenonin kështu korrektësinë e procesit.
Të njëjtën gjë kanë mundur ta bëjnë edhe mësimdhënësit tanë, por ja që nga kjo vetëdije dhe nga ky ndërgjegjësim duket të jenë larg pikërisht ata që duhet të vetëdijësojnë dhe të ndërgjegjësojnë – mësimdhënësit.
Pas kësaj që ndodhi, Ministri i Arsimit nuk është dashur të na defilojë ceremonialisht dhe të na krekoset për mbarëvajtjen e procesit të provimit shtetëror të maturës, por është dashur të ndërmarrë masa të menjëhershme, të kërkojë shkaktarët e dështimit dhe, në instancë të fundit, pas analizave të bëra, edhe të vendosë përsëritjen e testit. Përsëritja do të ishte një lloj ndëshkimi për nxënësit, por, megjithatë, do ishte një pastrim i mirë si i personelit të papërgjegjshëm, ashtu edhe një sinjal i qartë shoqërisë se mjetet e pandërgjegjshme jo vetëm se do të ndalohen, por edhe do të ndëshkohen.
Kështu siç u soll Ministria jonë e Arsimit degradoi edhe atë pak seriozitet që ishte arritur me futjen e testit të arritshmërisë. Kështu siç u sollën mësuesit tanë degraduan profesionin të cilin e ushtrojnë dhe duket se nuk dinë ta çmojnë dhe disa edhe nuk e meritojnë ta ushtrojnë. Kështu siç u soll shoqëria jonë shkollën e degradoi nga një institucion dije e ngritje profesionale në një institucion mashtrimi e kopjimi.
Dhe e tëra kjo s’do të duhej të kalojë pa u ndëshkuar. Nëse nuk ndëshkon Ministria e Arsimit, le të ndëshkojnë mësimdhënësit e ndërgjegjshëm dhe pjesa e ndërgjegjshme e shoqërisë. Le të ngriten dhe të kërkojnë shkarkimin e Ministrit të Arsimit, siç kërkuan shkarkimin e Jablanoviç-it. Jabalanoviçi vërtet fyeu, por edhe ministri Bajrami po fyen duke e paraqitur kopjimin masiv si një parregullsi të vogël. Bajrami fyeu dhe ua përbuzi punën katërvjeçare mijëra nxënësve të ndërgjegjshëm dhe seriozë, sepse iu tha atyre se puna s’vlen, por vlen aftësia e përshkrimit dhe e lidhjeve. Dëmi shoqëror që i shkaktoi ministri Bajrami shoqërisë është më i rëndë dhe ma pasoja më afatgjate se fyerja e rëndë e Jablanoviç-it.
E habitshme është edhe heshtja e rektorit të Universitetit të Prishtinës, i cili do të duhej të ishte personi i parë që do të duhej të reagonte ndaj paskrupullsive të këtij procesi. Pikërisht bashkëpunëtorët e tij do të kenë të bëjnë me këtë publik “akademik” në të ardhmen, i cili zatën më shumë se në dije është atestuar në kopjim e në përshkrim. Dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës do të duhej të ishte i zëshëm në kundërshtimin e maturantëve të kopjimit, siç ishte i zëshëm edhe në mospranimin e bijve të flijimit! Nëse do të ketë kundërshtuar për parime, parime duhet të ketë dhe këtu, përndryshe parimësia na del po aq valide sa testi i fundit i arritshmërisë.
Fatkeqësisht testi i arritshmërisë 2015 ishte test i dështimit tonë si shtet dhe si shoqëri, ishte test që do të duhej të nxirrte SOS- alarmin e krizës së rëndë shoqërore e shtetërore, por edhe sirenat e alarmit duket se na janë shurdhuar apo kanë vdekur edhe duart që duhet t’i aktivizojnë ato?!
* Ky është një opinion i autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë
Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
Dënim i përjetshëm kosovarit, për vrasjen e “dyshes” së një gruaje Një grua 23-vjeçare është therur disa herë për vdekje në mënyrë që një grua me pamje...
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
-
Riola e Hira, dy yjet shqiptare të pianos nga Italia
-
Astrit Krasniqi diplomon me nderime nga Akademia Policore e Nju-Jorkut
-
“Me zemër për Diasporën”, panairi i grave në Prishtinë sjell ngjyrat e traditës dhe fuqizimin ekonomik
Jeta në Austri
-
Deri në 36°C: Ditë të nxehta përpara në të gjithë Austrinë Vala e ardhshme e të nxehtit në Austri është këtu: deri në 36°C, qiell me diell...
-
Borxhi i Austrisë po rritet, rritja mbetet e ulët
-
Austri: 121.40 euro shtesë për çdo fëmijë në gusht
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
-
Hendeku gjinor i pensioneve në Austri zvogëlohet pak