Lajme

Termocentralet, ndotësit kryesorë të mjedisit në Kosovë

Ndotja e ambientit në Kosovë nga termocentralet vazhdon të mbetet shqetësim për qytetarët e Kosovës

Qytetarët ankohen se po rrezikohen nga një ambient i ndotur, ndërkaq kërkojnë nga autoritetet  kompetente marrjen e masave urgjente në përmirësimin e kësaj gjendje, raporton REL.

Çështjen e ndotjes së mjedisit nga termocentralet e ka ngritur në vazhdimësi Partia e të Gjelbërve në Kosovë.

Kryetari i kësaj partie, Daut Maloku thotë se ndotja e ambientit nga termocentralet në Kosovë është shumë e madhe dhe sipas tij, ndikimi i dëmshëm në shëndetin e popullatës është mjaft shqetësues.

“Problemi i termocentraleve është një ndër problemet më të mëdha mjedisore në Kosovë. Autoritetet kosovare duhet të ndërmarrin masa urgjente. Qytetarët janë të rrezikuar nga pluhuri që lirojnë tymtarët e që përmban elemente të rrezikshme kimike, gazra dhe materie tjera, që barten përmes erës në kanalet e frymëmarrjes dhe shkaktojnë sëmundje malinje dhe kardiovaskulare”, thekson Maloku.

Sipas projeksioneve qeveritare, mbyllja e termocentralit “Kosova A”, është paraparë të bëhet në vitin 2017.

Ndërsa termocentrali i ri, ndonëse parasheh prodhimin e energjisë nga linjiti, pritet të jetë sipas standardeve evropiane.

Ndryshe, ndotja e ambientit në Kosovë i tejkalon normat e lejuara evropiane, ndërkohë që rezultatet të cilat i posedon Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të  Kosovës, tregojnë se vetëm në Prishtinë këto vlera tejkalohen për 3 deri në 6 herë më shumë, sesa ato të lejuarat.