Shkurt.ch

Të rinjtë nga BE-ja, për mësim të zanatit në Zvicër

Projekti mendohet të ndihmojë degët e ekonomisë që kanë problem me sigurimin e punëtorëve të gjeneratës së re

Këshilli Federal i Zvicrës do të shqyrtojë mundësinë që të rinjtë e papunë nga shtetet e Bashkimit Evropian të sillen në Zvicër për të ndjekur arsimimin profesional (zanatin). Për këtë qëllim, ministri i ekonomisë, Johann Schneider-Ammann ka urdhëruar formimin e një grupi pune, ka konfirmuar Ministria e Ekonomisë dhe e Arsimit, për radion SRF.

Ky grup punues duhet të sqarojë çështjet  e hapura që lidhen me projektin.

Ky projekt nëse pranohet, mund të hyjë në fuqi më së afërmi në fillim të vitit të ardhshëm shkollor, që domethënë në verën e vitit 2014.

Projekti mendohet të ndihmojë degët e ekonomisë që kanë problem me sigurimin e punëtorëve të gjeneratës së re.

Por Federata Zvicerane e Tregtisë (SGW) shpreh dilemat e saj lidhur me suksesin e kësaj nisme. Sipas drejtorit të sa, Bigler, nevojitet të shqyrtohet nëse këta të rinj duhet të mbeten në tregun zviceran të punës ose jo.

“Kualifikimi i të rinjve të huaj në Zvicër ka kuptim vetëm nëse ata mund të integrohen në tregun e këtushëm të punës. Po ashtu duhet të zgjidhet  edhe problemi i përkujdesjes ndaj këtyre të rinjve, si fjala vjen, çfarë do të bëjnë ata gjatë kohës së lirë në Zvicër etj.