Lajme

«Të prodhosh në Kosovë është po aq lirë sa në Kinë»

Laurent Bregnard, ndërmarrës zviceran që ka investuar në Kosovë, prodhon rroba profesionale në Kosovë

Kush ka menduar se rrobat profesionale të firmave prestigjioze zvicerane qepen në Kosovë, respektivisht në Bardoshan të Gjakovës. Po pra, nga viti 2005, disa anëtarë të një familjeje kosovare punojnë me makina të rrobaqepësisë për një firmë zvicerane nga Jura, Moderna SA.

Ish-zyrtar i Swissair, Laurent Bregnard, tani është pronar i firmës Moderna SA, një ndërmarrje që punëson 25 punëtorë. Atij së bashku me bashkëshorten u ka lindur ideja origjinale që të krijojnë në Kosovë një seksion prodhimi të firmës së tyre.

Iniciativa për të investuar në Kosovë ka ardhura nga bashkëshortja e tij, Marianne, e cila ka qenë për vizitë në fshatin e punëtores së tyre kosovare, Ana. Me t’ u kthyer nga Kosova, Marianmne i është drejtuar burrit të saj: «Duhet të bëjmë diçka për ata. Janë të papunë».

Me vetë faktin se kishim vendosur paraprakisht t’ i prodhojnë rrobat profesionale për t’ua huazuar pastaj me qira frmave zvicerane, rasti ishte i mirë për ta organizuar prodhimin në fjalë në Kosovë.

Hapi i parë i çiftit Bregnard ishte me sjelljen në Zvicër të katër anëtarëve të familjes së Anës, me qëlllim që t’ua mësojnë qepjen. Paralelisht, ata i blejnë makinat e përdorura për t’i dërguar në Kosovë. Kështu që, gjatë një udhëtimi katërditor me një furgonetë të vjetër, e cila do të mbetet atje, Laurent Bregnard i dërgon makinat në Kosovë.

© albinfo.ch: Moderna Work Wear, Bardosan Gjakovë

© albinfo.ch: Moderna Work Wear, Bardosan Gjakovë

Një situatë Win-Win

Ata e fillojnë aventurën e tyre në vitin 2005. Pëlhura cilësore vizatohet dhe prehet në Zvicër dhe pastaj dërgohet në Kosovë për t’ u qepur. Është një situatë ku të dyja palët fitojnë, sepse një familje e tërë ka një ardhmëri dhe punë të paguar në përmasa korrekte dhe, po ashtu, cilësia dhe kostoja e rrobave të prodhuara në Kosovë janë të volitshme. «Mua nuk më kushton më shtrenjtë të prodhoj rroba profesionale në Kosovë se sa në Kinë», na thotë z. Bregnard.

Në fillim, rrobat profesionale ishin të qepura nga anëtarët e familjes së Anas në tri atelie të improvizuara në lokalitetet përreth, njëra në Bordoshan, një tjetër në Gjakovë dhe tjetra në Prizren.

Nga vetë fakti se puna po ecte mirë, në vitin 2010 Laurent dhe Marianne Bregnard vendosin t’ i përqëndrojnë tre atelietë në një vend dhe të ndërtojnë një ndërtesë të bukur, në një ambient të një zone të izoluar dhe të pazhvilluar të Gjakovës.

Në suaza të kësaj godine, ata ndërtojnë një apartament për vëllain e madh të familjes të Anës, i cili banonte deri atëherë në kushte jo të volitshme. Në ndërtesën e tij, L. Bregnard ndërton po ashtu një apartament të vogël për vete si dhe për bashkëshorten e tij, sepse ata shkojnë rregullisht në Kosovë për çdo muaj. «Prezenca jonë e regulltë është e nevojshme, sepse duhet një përcjellje nga vendi për t’i formuar dhe trajnuar në mënyrë të vazhdueshme 10 punëtorët e kësaj familjeje në Kosovë. Ne kështu edhe sigurohemi se cilësia e rrobave profesionale është në nivel me pritjet e klientëve tanë». Kurse sa i përket transportit të mallit, ai sigurohet me një precizitet kohor nga një firmë në kantonin Vaud, e cila kryen transport të rregullt mallrash mes Kosovës dhe Zvicrës.

© albinfo.ch: Moderna Work Wear, Bardosan Gjakovë

«Tani ne jemi anëtarë të familjes»

Duke na treguar me një lloj krenarie fotot a eteliesë të firmë së tij Moderna në Bordoshan, Laurent Bregnard precizon se ai ka dëshiruar të krijojë një ambient zviceran në Kosovë, ku mbretërojnë pastërtia, rendi dhe orari i punës. «Kur të hyni në këtë godinë, ju hyni në Zvicër», iu ka thënë punëtorëve të tij.

Si një pronar zviceran i shembullt, që nga fillimi i aktivitetit ai ka shkuar në Komunën e Gjakovës për t’i deklaruar punëtorët e tij, edhe pse «në fillim, zyrtarët lokalë ishin të habitur nga qasja jonë dhe nuk kishin ide për formalitetet administrative që duhet kryer për të deklaruar personelin e firmës».

Pronari nga Jura na pohon: «Tani ne jemi anëtarë të familjes», sepse janë bërë dëshmitarë të një martese dhe kumbarë të kësaj familje katolike kosovare. Veç kësaj, familja Bregnard është po ashtu e lidhur me Kosovën përmes lidhjes martesore të vajzës së tyre me një shtetas kosovar në Zvicër.

Investuesi na e dëfron po ashtu edhe sekretin e angazhimit të tij në Kosovë: «Ne kemi ndejtur sa më diskret që është e mundur dhe kemi liudhur marrëdhënie personale me këtë familje kosovare që ishte po ashtu nevojtare. Ne nuk kemi nënshkruar gjë dhe nuk e kemi formalizuar investimin tonë në Kosovë, sepse e kemi ndërtuar këtë bashkëpunim në besim. Unë iu besoj 100 njerëzve të mi».

Mirëpo, ndërmarrësi zviceran precizon se ai nuk ka hasur asnjëherë në të paktin problem administrativ apo burokratik në Kosovë. Problemi i vetëm të cilin e ka, na thotë ai, është marrja e vizave njëvjeçare për të rinj të kësaj familjeje kosovare, me qëllim që t’ua mësojnë zanatin përmes një stazhi në firmën e tij në Zvicër, që pastaj të kthehen të përgatitur në Kosovë. Mirëpo, edhe ky problem si duket është në rrugë të zgjidhjes, sepse një shkollë e rrobaqepësisë sapo i ka hapur dyert në Gjakovë.

Investimi në shkollim

Z. Bregnard i kushton një rëndësi të veçantë shkollimit. Sipas tij, shkollimi në Kosovë nuk është në nivel. Kjo edhe shpjegon mungesën e iniciativës të bashkëpunëtorëve të tij në Kosovë, kurse, sipas tij, atje ekziston një potencial i madh si dhe një popullatë e re, e cila dëshiron të punojë.

Sipas pronarit të Moderna SA, zviceranët dinë pak për Kosovën dhe i njohin pak mundësitë ekzistuese për të investuar atje. Gjithsesi, ai nuk e ka ndërmend të ndalet aty ku është.

Në vitin 2010 ai kishte organizuar një udhëtim në Kosovë me një grup personalitetesh të Rotary Club të rajonit të tij. Në fillim kishte një skepticizëm, sepse Kosova nuk kishte famë të mirë shkaku i të kaluarës së saj konfliktuoze. Po këto persona ishin prekur shumë nga mikpritja e kosovarëve. Që nga ai udhëtim, ata e kanë ndërruar mendimin rreth Kosovës…

© albinfo.ch: Moderna Work Wear, Bardosan Gjakovë