Kosova
Të mërkurën seanca për Qeverinë e re të Kosovës
Sipas praktikave, Glauk Konjufca pritet të paraqesë një ekspoze para 120 deputetëve dhe të prezantojë kabinetin e ri qeverisës, për votimin e të cilit kërkohen të paktën 61 vota
Të mërkurën e 19 nëntorit është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.
Ajo do të nisë në orën 14:00.
Ndërkaq, në orën 11:00 është thirrur një seancë tjetër me disa pika të rendit të ditës, sikurse janë formimi i komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës (Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok), çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Pas njoftimit për dy seancat, Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00, duke argumentuar se aty përfshihen marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces “serioz e konsultim”, shkruan Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
“LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”, tha kjo parti përmes një njoftimi, duke shtuar se do të marrë pjesë vetëm në seancën për Qeverinë e re.
Kjo parti akuzoi LVV-në se po tenton “të përdorë institucionet e Republikës si instrument të lojërave të saj politike”.
“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15-ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë”, u tha në njoftim.
Sipas praktikave, Konjufca pritet të paraqesë një ekspoze para 120 deputetëve dhe të prezantojë kabinetin e ri qeverisës, për votimin e të cilit kërkohen të paktën 61 vota.
Pas propozimit si mandatar nga LVV-ja, Konjufca tha se dëshiron bashkëpunim me partitë parlamentare, por jo edhe ndonjë marrëveshje koalicioni.
Ai tha se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.
Ndërkaq, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk sheh as “mundësi teorike” që të arrihet një koalicion me partitë e tjera shqiptare, të cilat, sipas tij, kanë “ndërtuar një urrejtje hibride ndaj meje”.
Gjatë propozimit të Konjufcës për mandatar, Kurti tha se ai do të marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës – post, që Kurti e kishte propozuar Konjufcën në ekzekutivin e propozuar më 26 tetor. Atëkohë, Kurti dështoi të siguronte 61 votat e nevojshme të deputetëve.
Kurti ishte mandatuar më 11 tetor nga Osmani për të formuar ekzekutivin e ri. Mandatari i parë për kryeministër, sipas Kushtetutës i takon partisë së parë.
Pas dekretimit të Konjufcës, Osmani tha se partitë e tjera të mëdha shqiptare nuk kishin emër për mandatar, duke shtuar se në Kushtetutë thuhet se nëse ka emër të propozuar për mandatarin e dytë, presidentja duhet ta emërojë atë, e nuk ka hapësirë që të refuzojë emërimin e tij.
LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.
Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.
E-Diaspora
-
RAI Calabria i jep zë identitetit arbëresh përmes dokumentarëve RAI Calabria po vazhdon angazhimin e saj në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë arbëreshe në Itali.... -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë -
Hamburg
Promovohet libri “Skënderbeu – Një hero arbëror i Evropës” më 7 shkurt në Hamburg -
Diaspora
Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025
Jeta në Austri
-
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro Vjena pret që deficiti buxhetor i vitit 2025 të arrijë në total 2.8 miliardë euro, 1... -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë -
Pranon fajin në tërësi: Tre vjet e gjysmë burg për kosovarin












