Tematike

SVP/UDC, me shifra të rreme kundër azilkërkuesve

Sipas Mörgelit dhe Blöcherit, 50% e azilkërkuesve janë kriminelë. Autorët e një studimi thonë se këto shifra nuk qëndrojnë as përafërsisht

 

Deputeti nacional nga SVP/UDC, Christoph Mörgeli në kolumnen e tij në javoren “Weltwoche” nga mesi i muajit mars ka shkruar se në vitin 2010 afërsisht gjysma e azilkërkuesve është dënuar penalisht. Më saktë, sipas tij, nga 36.16 azilkërkues sa kanë qenë gjithsej, 17251 sish kanë marrë ndonjë dënim për vepra të ndryshme penale.

Edhe deputeti tjetër i po kësaj partie, ish ministri federal Christoph Blocher, tri javë më vonë ka përsëritur këtë vlerësim në televizionin e tij privat Teleblocher. “50 për qind të azilkërkuesve janë kriminelë. Këtë gjë ka kohë të gjatë e kemi pasur të ditur por nuk është thënë. Kjo ka dalë nga Enti Federal i Statistikave.

Sipas Mörgeli këto shifra i ka marrë nga një punim i realizuar nga Christian Schwarzeneger dhe David Studer, profesorë të kriminologjisë.

Por, në reagimin që kanë bërë dy autorët e studimit, del se Mörgeli ka manipuluar me shifra të gabuara, shkrun Tages Anzeiger. Te shifra 17251 bëhet fjalë për dënimet e shqiptuara personave me shtetësi të huaj dhe pa vendbanim në Zvicër. Ndërsa shifra e saktë e azilkërkuesve të dënuar është 3167. Krahasuar me përqindjen që azilkërkuesit kanë në gjithë popullatën, kjo shifër është 9 për qind.

Më tutje, Mörgeli në “Weltwoche” ka shkruar se te dënimet për vepra penale kundër jetës dhe trupit, të kryera nga meshkujt e moshës 18-29 vjeçare, 70 për qind janë azilkërkues. Ndërkaq, po sipas tij, te deliktet me narkotikë, përqindja e azilkërkuesve mbërrin madje në 85%.

Natyrisht, edhe këto shifra janë të pavërteta. Ato janë publikuar së fundi nga dy kriminologët e përmendur në gazetën “NZZ”.  “Përqindjet korrekte të azilkërkuesve të rinj janë: 7% për qind te deliktet kundër trupit dhe jetës; 16.5% për tregti me narkotikë; 7.8% në ushtrimin  e dhunës dhe 13.8% në deliktet pasurore.”

Mörgeli, sipas tyre, ka marrë shumën e shpeshtësisë së  delikteve sipas pjesëmarrjes relative në baza grupore. Por, ato shifra do të ishin korrekte vetëm nëse në Zvicër do të kishte aq azilkërkues të moshës së re sa edhe të huaj të rinj me leje të përhershme qëndrimi. Gjë që, është evidente se nuk qëndron, shkruan, veç tjerash, Tages Anzeiger.

Në portalin e kësaj gazete artikulli ka bërë jehonë të madhe, duke u komentuar nga më shumë se 400 lexues.

http://www.tagesanzeiger.ch/schweiz/standard/SVP-macht-Stimmung-mit-falschen-Zahlen/story/28214443