Shkurt.ch

SVP atakon dënimin e funksionarëve të saj për rastin e “therësve kosovarë”

Sekretari i përgjithshëm Baltiser ka thënë se duan të “luftojnë për lirinë e shprehjes së mendimit. Në Zvicër duhet të bëhet e mundur që të pasqyrohet një gjendje faktike e tillë çfarë është”

„Kosovarët therin zviceranin” është fjalia e vendosur në një afishe në gusht të vitit 2011, e cila po vazhdon të angazhojë gjyqësinë zvicerane edhe pas pothuaj katër vitesh. Pasi që në muajin maj të këtij viti për këtë tekst qenë dënuar nga një gjykatë e Bernës dy funksionarë të lartë të SVP/UDC-së, ata kanë vendosur ta atakojnë vendimin në një shkallë më të lartë gjyqesore.

Dënimi me gjobë dhe me kusht i sekretarit të përgjithshëm Martin Baltiser dhe zëvendëses së tij Silvia Bär kishte bërë jehonë të madhe në mediet zvicerane. Ata ishin dënuar për racizëm pasi që teksti i afishes i publikuar në një numër gazetash i pasqyronte kosovarët në një mënyrë që paraqiste shkelje të dinjitetit njerëzor, shkruan srf.ch. Ndërsa SVP-ja e kishte vlerësuar vendimin si kufizim të lirisë së shprehjes.

Pasi që kanë marrë arsyetimin me shkrim të vendimit gjyqësor, dy të dënuarit kanë vendosur të shkojnë më tutje. Lidhur me këtë, sekretari i përgjithshëm Baltiser ka thënë se e bëjnë këtë gjë pasi që “luftojnë për lirinë e shprehjes së mendimit. Në Zvicër duhet të bëhet e mundur që të pasqyrohet një gjendje faktike e tillë çfarë është”, transmeton albinfo.ch.

Argumentimi i gjykatës është i pakuptueshëm për SVP-në. Partisë i intereson me këtë rast edhe vendimi parimor ka thënë Baltisser. Sipas tij “norma penale për racizmin në fakt në kohën kur është vendosur për të ka pasur për qëllim pasjen e një norme për dënimin e mohuesve të holokaustit. Ndërsa sot ajo u vihet barrë gjithnjë më tepër politikanëve joppopullorë, satiristëve të papërshtatshëm dhe madje edhe grupeve të karnevaleve. Kjo, për mendimin tonë është abuzim”.

Tashti, me çështjen do të merret Gjykata e Lartë e Bernës. Ajo do të marrë vendimin nëse afishja me tekstin “Kosovarët therin zviceranin” përmban elemente racizmi sipas Ligjit Penal ose jo.