Lajme

Studentët kërkojnë punë sezonale edhe në Kosovë

Shumë nga të rinjtë kosovarë thonë se janë të gatshëm të punojnë në secilin sektor, vetëm t’i sigurojnë të ardhurat për vitin e ri akademik në studime. Puna në BE, megjithatë mbetet ëndërr

Në pamundësi për të punuar jashtë vendit gjatë muajve të verës, të rinjtë në Kosovë, të cilët përbëjnë numrin më të madh të të papunëve, dëshirojnë të punojnë së paku punë sezonale në tregun kosovar. Shumë nga të anketuarit thonë se janë të gatshëm të punojnë në secilin sektor, vetëm t’i sigurojnë të ardhurat për vitin e ri akademik në studime.

Në rubrikën “VOX” të REL-it, disa nga të rinjtë ëndërrojnë vendet e Bashkimit Evropian, pasi që pagat janë shumë më të mira, por ata shprehen të gatshëm të punojnë edhe në tregun kosovar.

Aulona Shehu është studente në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Ajo thotë se me dëshirë do të punonte ndonjë punë, edhe nëse nuk paguhet, vetëm sa të përfitojë përvojë pune. “Çka do që të jetë, edhe nëse nuk paguhet, por veç të fitoj përvojë pune, do të ishte mirë dhe kisha pranuar. Në Kosovë, ka oferta, por jo edhe shumë – varet edhe sa janë të interesuar studentët”, deklaroi ajo.

“Unë kam dëgjuar se nëse shkon edhe kërkon nga ndonjë ministri e caktuar, për të bërë praktikë, ata e mundësojnë. Por, kjo varet nga interesimi i studentëve, se qysh po interesohen për të siguruar një punë sezonale, apo më shumë po kanë dëshirë të rrinë pa punuar dhe të thonë se s’ka punë”, thotë Aulona.

Edhe studentja Heroina Rama, e konsideron të nevojshëm punësimin gjatë pushimeve verore.

“Po do të punoja dhe do të ishte një lehtësi financiare, sepse paratë për harxhimet e nevojshme, i kisha fituar vetë dhe nuk do të varesha nga familja. Nuk kam ndonjë sektor të caktuar, ku do të kisha dëshirë të punoj. Punësimi sezonal është si projekt i domosdoshëm, pasi ka shumë studentë që vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës, dhe banojnë me qira dhe një punë për ta, do të ishte zgjidhje perfekte”, shprehet ajo.

Ndërsa Fronita Krasniqi, nxënëse e shkollës së mesme, thotë se ka oferta për punë sezonale, por jo edhe interesim të të rinjve, “Do të punoja dhe mendoj se është ide e mirë. Deri më tani nuk kam punuar, por me dëshirë do të punoja. Unë mendoj se ka oferta të shumta, sidomos në promocione. Dhe do të ishte më e lehtë edhe në aspektin financiar”, deklaroi ajo.

Ngjashëm shprehet edhe studenti Burim Kastrati. “Është shumë e vlefshme të hapen punë sezonale në Kosovë, për arsye se studentët kanë nevojë për punë sezonale, kane nevojë për financa për t’i kryer studimet. Unë do të kisha punuar në administratë apo diçka që ka të bëjë me banka dhe financa, sepse është më e lehtë. Ndërsa, po të punohet punë fizike, do të na merrte më shumë kohë për studime”, deklaroi ai.

Sipas raportit të fundit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, 57.7 për qind e të papunëve në Kosovë i takon moshës 15-24 vjeç.