Lajme

Struga të dielën për të tretën herë në zgjedhje

Gjykata Administrative në Maqedoni vendosi që të rivotohet në Strugë, Qendër dhe Gjorçe Petrov, duke pranuar paditë e parashtruara nga VMRO-DPMNE dhe LSDM

Tri komunat që janë konsideruar më “problematike” në zgjedhjet e balotazhit në Maqedoni, do t’i përsëritin votimet të dielën më 21 prill. Për herë të tretë në zgjedhje do të shkojnë: komuna e Strugës, komuna Qendër dhe komuna Gjorçe Petrov e Shkupit.

Në komunën e Strugës do të ketë rivotim në nëntë vendvotime me 7885 votues, në komuna Qendër do të rivotohet në 29 vendvotime ku janë të regjistruar 22.939 votues si dhe në komunën Gjorçe Petrov të Shkupit në një vendvotim me 2.588 votues.

Siç raporton INA, do të votohet edhe në komunën e Dollnenit për raundin e dytë, ku garojnë kandidati shqiptar nga BDI dhe kandidati maqedonas i VMRO-DPMNE. Në këtë komunë do të rivotohet për raundin e dytë në 39 vendvotime.

Gjykata Administrative në Maqedoni vendosi që të rivotohet në Strugë, Qendër dhe Gjorçe Petrov, duke pranuar paditë e parashtruara nga VMRO-DPMNE dhe LSDM për parregullsi gjatë votimeve të raundit të dytë. Ky vendim i gjykatës është miratua nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Kandidati shqiptar për komunën e Strugës Ziadin Sela ka reaguar ndaj vendimit të gjykatës, për përsëritjen e zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si veprim jo demokratik dhe me qëllim të destabilizimit të situatës në këtë qytet.

Sela theksoi se gjykatësit që votuan për anulimin e rezultateve do ti padisë. Ai shtoi se ata kanë dëshmuar pa aftësinë e tyre me këtë veprim duke vepruar në interes të padronëve të tyre gjë kjo që është kundër të gjitha rregullave dhe normave të profesionit të tyre.

“Unë edhe në press konferencën pas raundit të dytë thash se populli ishte me meritor për respektimin e demokracisë, ndërsa ata që donin ta rrënonin atë ishin institucionet e shtetit, ndërsa edhe njëherë këto institucione e dëshmuan se janë kundër demokracisë”, deklaroi Sela.

Kandidati maqedonas Vladimir Koçoski, mund ta rrezikojë Selën, vetëm nëse të gjithë votuesit votojnë për të, në të kundërtën Sela është para tij për më shumë se 5 mijë vota.