Lajme

St Moritz, vendi më i shtrenjtë në Zvicër për shtëpi luksoze

St. Moritz është komuna zvicerane më e shtrenjtë për pasuri të patundshme luksoze, me koston për metër katror që fillon nga rreth 43 000 CHF.

Më pas renditen Gstaad dhe Verbier. Kjo, sipas një renditjeje të publikuar nga banka UBS, e cila vuri në dukje një ngadalësim të rritjes së çmimeve për të dytin vit radhazi në vitin 2024.

Rritja vjetore u përgjysmua, duke arritur një mesatare prej 1.2 për qind. Kjo rritje u nxit kryesisht nga ndërtimi i apartamenteve, çmimet e të cilave u rritën me një mesatare prej 3 për qind, ndërsa ato të shtëpive njëfamiljare mbetën pothuajse të pandryshuara, transmeton albinfo.ch.

Sipas autorëve të studimit, ngadalësimi nuk lidhet me kërkesën, e cila pritet të mbështetet në vitin 2024 nga rënia e ndjeshme e normave të interesit dhe nga performanca e mirë e tregjeve të aksioneve, por më shumë me rritjet e ekzagjeruara të çmimeve gjatë viteve të kaluara.

Çmimet aktuale të shtëpive luksoze në Zvicër janë 27 për qind më të larta krahasuar me vitin 2019. Rritja më e madhe gjatë viteve të shqyrtuara është regjistruar në rajonin e Zugut (plus 40 për qind). Rreth Liqenit të Cyrihut, çmimet janë rritur nga 30 deri në 40 për qind. Ndërsa në brigjet e Liqenit të Gjenevës dhe në Ticino, rritja ishte më pak se 20 për qind.

Çmimi për metër katror i një apartamenti luksoz në Gstaad në vitin 2024 fillonte nga 39 000 CHF, ndërsa në Verbier nga rreth 36 000 CHF, shkruan swissinfo.ch. Në varësi të vendndodhjes dhe karakteristikave të pronës, çmimi mund të arrijë deri në 50 000 CHF, madje në raste të rralla edhe në 100 000 CHF.

Jashtë zonave malore, pronat më të shtrenjta janë në Cologny, ku çmimi për metër katror shkon pothuajse në 36 000 CHF. Ndërsa në brigjet e Liqenit të Cyrihut, çmimet më të larta janë regjistruar në Küsnacht, me rreth 32 000 CHF për metër katror.

Në Ticino, komunat më të shtrenjta janë Ronco sopra Ascona, Collina d’Oro dhe Morcote.