Kosova
SRF: “Kosova ka duruar prej vitesh trajtim të pabarabartë nga Serbia”
Kosova, pa dëshirën e saj e kishte pranuar këtë trajtim të pabarabartë për vite me radhë. Autoritetet vazhdimisht janë përpjekur t`i joshin serbët etnikë që jetojnë në Kosovë që të marrin targa kosovare

Në ditën e parë të nëntorit, siç ishte paralajmëruar, autoritetet kosovare kanë filluar zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë, sa u takon targave të automjeteve, shkruan albinfo.ch. Kështu, sipas ndarjes me faza që i ka bërë Qeveria e Kosovës strategjisë së targave, sot, pronarëve të automjeteve me targa ilegale u është tërhequr vërejtja për të vendosur targat që vlejnë në gjithë territorin e vendit.
Fillimit të këtij procesi i ka kushtuar një hapësirë edhe transmetuesi publik i Zvicrës, gjegjësisht radioja SRF, e cila ka dërguar korrespondentin e saj për Ballkanin, në vendin e ngjarjes, në Kosovë.
Nga 1 nëntori vlen si vijon: Të gjitha veturat në Kosovë duhet të kenë targa kosovare, duke përfshirë këtu edhe veturat e disa mijëra serbëve që jetojnë në Kosovë. Kur, gjatë verës që shkoi, qeveria kosovare pati provuar të zbatonte ligjin e ri, kishin shpërthyer trazira (të serbëve) në kufi. Për këtë arsye, qeveria e ka shtyrë afatin për në fillim të nëntorit.
Korrespondenti i SRF për Ballkanin, Peter Balzli, është në vend dhe po monitoron situatën.
Deri më tani çdo gjë po rrjedh e qetë në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës vendosi të dielën që të mos i vendosë rregullat e reja në kufi përnjëherë, por hap pas hapi, për të shmangur përshkallëzimin, transmeton albinfo.ch. Tani nuk do të ketë gjoba deri më 21 dhjetor. Makinat me targa – të cilat janë të paligjshme nga këndvështrimi kosovar – janë ende të lejuara dhe vetëm nga 21 dhjetori puna pritet të bëhet më serioze.
Tani e tutje, të gjithë ata që drejtojnë makinat me këto targa do të marrin një deklaratë me shkrim, ku shkruan se do të gjobiten në të ardhmen. Por ata ende lejohen të kalojnë në kufi.
I pyetur se përse po debatohet për targat e makinave, korrespondenti thotë: Kjo mosmarrëveshje ekziston që nga lufta Serbi-Kosovë, më shumë se 20 vjet më parë, transmeton albinfo.ch. Serbia as sot nuk e njeh Kosovën si shtet më vete. Prandaj, serbët etnikë që jetojnë në Kosovë kishin krijuar të ashtuquajturat “autoritete paralele” që lëshonin targat serbe në Kosovë me iniciativën e tyre. Autoritetet kosovare nuk duan ta tolerojnë më këtë. Tani ato po aplikojnë të ashtuquajturin parim të reciprocitetit.
Por, në të kaluarën, autoritetet kosovare e kanë toleruar këtë autoritet paralel serb. Çfarë ka ndryshuar tani?
Kosova, pa dëshirën e saj e kishte pranuar këtë trajtim të pabarabartë për vite me radhë. Autoritetet vazhdimisht janë përpjekur t`i joshin serbët etnikë që jetojnë në Kosovë që të marrin targa kosovare. Por ata serbë që e kishin bërë këtë shpesh hasnin në probleme të mëdha. Bashkatdhetarët e tyre ose një pjesë e bashkatdhetarëve të tyre i quanin tradhtarë. Ua kanë thyer makinat, plaçkitur banesat, i kanë vjedhur etj. Prandaj serbët etnikë në pjesën më të madhe nuk kishin targa kosovare.
Dhe si ka funksionuar kjo gjë në kufi?
Konkretisht, që nga gushti, kur kalon kufirin, kodi i shtetit në targa mbulohet me ngjitës. Pra kur kodi, shenja KRS – Republika e Kosovës – mbulohet me shirit ngjitës, vetura lejohet të kalojë. Edhe vetë autoritetet tani e shohin qesharake këtë praktikë të maskimit të stemave. Unë pata një bisedë me ministrin e brendshëm të Kosovës dhe ai më tha se e gjithë kjo ishte një budallallëk, një argument qesharak që duhej të përfundonte.
Çfarë pritet të ndodhë më tutje sa u përket numrave të targave, është pyetja e fundit. Korrespondenti thotë: Ndoshta ky është fundi i mosmarrëveshjes. Trazirat thjesht mund të shtyhen deri në dhjetor ose prill. Deri më tani, afati është shtyrë tashmë disa herë. Por problemi në fakt mbetet i njëjtë. Ndoshta kjo strategji e autoriteteve kosovare do të funksionojë me zbatimin gradual. Koha do të tregojë.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Nikson Gjoka: “Me ‘Fly’ po fluturoj drejt ëndrrës time!” Pas publikimit të këngës së tij të parë “Fly”, model dhe tani edhe artist, Nikson Gjoka...
-
Maqedoni: Gjykata vendos se të gjithë qytetarët, përfshirë edhe mërgatën do të trajtohen si “rezidentë”
-
Artistja nga Kosova fiton çmimin “Aktorja më e Mirë” në Madrid
-
Shqiptarja nga Prishtina finaliste në çmimin global “Cybersecurity Woman of the Year 2025”
-
Kosovari godet me makinë motoçiklistin e rrëzuar dhe thotë: Mendova se ishte kaproll!
Jeta në Austri
-
Austri: Një projekt i ri pilot synon mësimin e gjuhës gjermane fëmijëve migrantë në kopsht Një projekt i ri pilot në Austrinë e Poshtme synon të përmirësojë mbështetjen e hershme të...
-
Trenat e rinj me dy kate nisin operimin në Austri
-
Raporti: 400 super të pasur zotërojnë 37% të pasurisë financiare të Austrisë
-
Pse po rriten çmimet e transportit në Vjenë dhe për sa?
-
Qeveria austriake po shqyrton ndërhyrjen në çmimet e energjisë